A E DINI?
Ç’rol luante centurioni në ushtrinë romake?
Shkrimet e Krishtere Greke përmendin disa centurionë romakë. Për shembull, centurionin që mbikëqyri ekzekutimin e Jezuit dhe Kornelin, të parin nga jojudenjtë që u bë i krishterë. Gjithashtu flasin për centurionin që ishte i pranishëm kur rrahën Pavlin me kamxhik dhe për Julin, centurionin që shoqëroi Pavlin për në Romë.—Marku 15:39; Veprat 10:1; 22:25; 27:1.
Një centurion zakonisht komandonte një njësi ushtarake me 50 deri në 100 këmbësorë. Ai kryente disa detyra, si: stërviste e disiplinonte burrat nën komandë, kujdesej për rrobat dhe pajisjet e tyre, si edhe i poziciononte në formacionet e luftimit.
Rangu i centurionit ishte më i larti që mund të arrinte një ushtar i thjeshtë. Ky post u jepej ushtarëve më të zotë, nga të cilët pritej të ishin udhëheqës të aftë. Nga ata vareshin disiplina dhe suksesi i ushtrisë romake. Sipas një burimi, centurionët «shpesh ishin burrat më me përvojë dhe më të informuar në ushtri».
Ku ndryshojnë pasqyrat e kohëve biblike nga ato të sotmet?
Ndryshe nga pasqyrat prej xhami sot, pasqyrat e kohëve biblike zakonisht ishin prej metali tejet të lëmuar, shpesh prej bronzi, por ndoshta edhe prej bakri, argjendi, ari ose përzierjeje ar-argjendi. Pasqyrat përmenden për herë të parë në Bibël kur flitet për ndërtimin e tabernakullit, qendrës së parë të adhurimit për izraelitët. Gratë dhanë si kontribute pasqyra që të bëhej një legen i shenjtë prej bakri dhe mbajtësja e tij. (Dalja 38:8) Me sa duket pasqyrat duhej të shkriheshin që të përdoreshin për këtë qëllim.
Bashkë me pasqyrat e zbuluara nga gërmimet arkeologjike brenda dhe përreth Izraelit, kishte edhe bizhuteri e sende të tjera për zbukurimin e grave. Normalisht ato pasqyra kishin formë sferike, me doreza të zbukuruara prej druri, metali ose fildishi, shpesh në formën e trupit të gruas. Ana e pasme e pasqyrës në përgjithësi nuk zbukurohej.
Reflektimi i pasqyrave të lashta ishte i kufizuar po të krahasohet me reflektimin e pasqyrave të sotme prej xhami. Siç duket kjo shpjegon atë që përmendi apostulli Pavël: «Tani për tani, ne shohim me konture të mjegullta me anë të një pasqyre të metaltë.»—1 Korintasve 13:12.