KAPITULLI 36
Një centurion tregon besim të madh
SKLLAVI I NJË CENTURIONI SHËROHET
ATA QË KANË BESIM, DO TË BEKOHEN
Pas Predikimit në Mal, Jezui shkon në Kapernaum. Disa pleq të judenjve nga ky qytet, i afrohen. I ka dërguar një burrë me kulturë tjetër—një centurion ose oficer i ushtrisë romake.
Shërbëtorin që ai e do shumë, e ka sëmurë për vdekje. Ndonëse centurioni është jojude, i kërkon ndihmë Jezuit. Pleqtë judenj i thonë Jezuit se shërbëtori i oficerit «dergjet në shtëpi i paralizuar dhe po vuan tmerrësisht», ndoshta me dhimbje therëse. (Mateu 8:6) Ata i tregojnë Jezuit arsyen pse centurioni e meriton të ndihmohet: «E do kombin tonë dhe na ndërtoi sinagogën.»—Luka 7:4, 5.
Pa vonesë, Jezui niset bashkë me pleqtë për te shtëpia e centurionit. Teksa i afrohet shtëpisë, oficeri dërgon miqtë e tij që t’i thonë Jezuit: «Imzot, mos u mundo, sepse unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën çatinë time e për këtë arsye nuk erdha te ti.» (Luka 7:6, 7) Me sa përulësi shprehet ky njeri që është mësuar të japë urdhra! Sa i ndryshëm është nga romakët e tjerë që i trajtojnë skllevërit me ashpërsi!—Mateu 8:9
Me siguri centurioni e di se judenjtë e shmangin shoqërimin me jojudenjtë. (Veprat 10:28) Ndoshta për këtë arsye dërgon miqtë e tij që t’i përgjërohen kështu Jezuit: «Thuaj veç një fjalë, dhe shërbëtori im do të shërohet.»—Luka 7:7.
Jezui mbetet gojëhapur kur dëgjon këtë dhe thotë: «Unë po ju them se as në Izrael nuk kam gjetur një besim kaq të madh.» (Luka 7:9) Me të hyrë në shtëpi, miqtë e centurionit marrin vesh se skllavi aq i sëmurë, tani është shëndoshë e mirë.
Jezui e përdor këtë rast shërimi për të treguar qartë se edhe jojudenjtë që kanë besim do të bekohen, duke thënë: «Shumë veta do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi, e do të shtrohen në tryezë me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin në Mbretërinë e qiejve.» Ç’mund të themi për judenjtë që u mungon besimi? Jezui tha se ata «do t’i flakin jashtë në errësirë. Atje do të qajnë dhe do të kërcëllijnë dhëmbët».—Mateu 8:11, 12.
Kjo tregon qartë se Perëndia do të hedhë poshtë ata njerëz nga kombi i Izraelit që nuk pranojnë ftesën për të mbretëruar me Krishtin. Por jojudenjtë do të ftohen të shtrohen në tryezën e tij, pra «në Mbretërinë e qiejve».