ARTIKULLI I STUDIMIT 41
Qëndro besnik gjatë ‘shtrëngimit të madh’
«Duajeni Jehovain, të gjithë ju besnikët e tij! Jehovai i mbron ata që nuk e braktisin.»—PSAL. 31:23, nwt.
KËNGA 129 Të fortë do të qëndrojmë!
PËRMBLEDHJEa
1-2. (a) Cilën deklaratë do të bëjnë kombet së shpejti? (b) Cilat pyetje kërkojnë përgjigje?
IMAGJINO sikur kombet sapo kanë bërë deklaratën «paqe dhe siguri» që pritnim prej kohësh. Ato mund të mburren se bota s’ka qenë kurrë një vend kaq i sigurt. Do të duan që të mendojmë se e kanë nën kontroll situatën e botës. Ama nuk e kanë absolutisht nën kontroll atë që do të ndodhë më pas! Pse? Sepse, sipas profecisë së Biblës, «një shkatërrim i papritur do të bjerë në çast mbi ta, . . . dhe ata kurrsesi nuk do të shpëtojnë».—1 Sel. 5:3, nwt.
2 Por ngrihen disa pyetje të rëndësishme që kërkojnë përgjigje: Ç’do të ndodhë gjatë ‘shtrëngimit të madh’? Çfarë do të presë Jehovai nga ne në atë kohë? Dhe si mund të përgatitemi tani për të qëndruar besnikë gjatë shtrëngimit të madh?—Mat. 24:21.
Ç’DO TË NDODHË GJATË ‘SHTRËNGIMIT TË MADH’?
3. Sipas Zbulesës 17:5, 15-18, si do ta shkatërrojë Perëndia ‘Babiloninë e Madhe’?
3 Lexo Zbulesën 17:5, 15-18. «Babilonia e Madhe» do të shkatërrohet! Siç u përmend më sipër, kombet nuk do ta kenë aspak nën kontroll atë që do të ndodhë në atë kohë. Pse? Sepse ‘Perëndia do t’u shtijë në zemër që të përmbushin mendimin e tij’. Cili është mendimi i tij? Të shkatërrojë perandorinë botërore të fesë së rreme, ku përfshihet edhe krishterimi.b Perëndia do t’ua shtijë në zemër mendimin e tij ‘dhjetë brirëve’ të ‘bishës me ngjyrë të kuqe të ndezur’. Dhjetë brirët paraqesin të gjitha fuqitë politike që mbështetin ‘bishën’—Kombet e Bashkuara. (Zbul. 17:3, 11-13; 18:8) Kur këto fuqi politike të sulmojnë fenë e rreme, kjo do të jetë shenja se shtrëngimi i madh ka filluar. Do të jetë një ngjarje botërore vërtet katastrofike.
4. (a) Çfarë mund të thonë kombet për të justifikuar sulmin e tyre kundër fesë së rreme? (b) Çfarë ka të ngjarë të bëjnë ish-anëtarët e atyre feve?
4 Nuk e dimë çfarë arsyesh mund të parashtrojnë kombet për të justifikuar sulmin e tyre kundër Babilonisë së Madhe. Ato mund të thonë se fetë e botës janë pengesë për paqen dhe se përzihen pareshtur në politikë. Ose mund të thonë se këto organizata fetare kanë vënë një mal me pasuri dhe prona. (Zbul. 18:3, 7) Duket logjike që ky sulm të mos nënkuptojë shfarosjen e të gjithë anëtarëve të këtyre feve. Në vend të kësaj, duket se kombet do të shkatërrojnë organizatat fetare. Pasi të jenë asgjësuar këto organizata, ish-anëtarët e tyre do ta kuptojnë se udhëheqësit fetarë i kanë zhgënjyer dhe ka të ngjarë të thonë se s’kanë kurrfarë lidhjeje me ato fe.
5. Çfarë ka premtuar Jehovai për shtrëngimin e madh, dhe pse?
5 Bibla nuk tregon sa do të zgjatë shkatërrimi i Babilonisë së Madhe, por dimë se do të ndodhë brenda një kohe relativisht të shkurtër. (Zbul. 18:10, 21) Jehovai ka premtuar se ‘do t’i shkurtojë ditët’ e shtrëngimit, që të shpëtojnë ‘të zgjedhurit’ e tij dhe feja e vërtetë. (Mar. 13:19, 20) Por, çfarë do të presë Jehovai të bëjmë nga momenti që nis shtrëngimi i madh deri në luftën e Armagedonit?
VAZHDO TË MBËSHTETËSH ADHURIMIN E PASTËR TË JEHOVAIT
6. Pse nuk mjafton thjesht të shkëputim lidhjet me fenë e rreme?
6 Siç e pamë në artikullin e kaluar, Jehovai pret që adhuruesit e tij të ndahen nga Babilonia e Madhe. Por për këtë nuk mjafton të shkëputim lidhjet me fenë e rreme. Duhet edhe të jemi të vendosur të mbështetim fenë e vërtetë—adhurimin e pastër të Jehovait. Të shohim dy mënyra si mund ta bëjmë këtë.
7. (a) Si mund t’u bindemi pa u lëkundur normave të drejta morale të Jehovait? (b) Si e thekson Hebrenjve 10:24, 25 sa rëndësi ka të mblidhemi së bashku, sidomos tani?
7 Së pari, duhet t’u bindemi pa u lëkundur normave të drejta morale të Jehovait. Ne nuk pajtohemi kurrsesi me vlerat dhe normat e botës. Për shembull, nuk miratojmë imoralitetin seksual të asnjë lloji, përfshirë martesën mes personave të të njëjtit seks dhe stile të tjera jete homoseksuale. (Mat. 19:4, 5; Rom. 1:26, 27) Së dyti, duhet të vazhdojmë të adhurojmë Jehovain bashkë me vëllezërit tanë. Këtë e bëjmë sa herë që mundemi, ose në Sallën e Mbretërisë, ose në shtëpi private a në fshehtësi kur është e nevojshme. Çfarëdo që të ndodhë, nuk mund të heqim dorë nga zakoni që të mblidhemi për të adhuruar Perëndinë. Në fakt, kemi nevojë të mblidhemi së bashku ‘aq më tepër tani që e shohim se dita po afrohet’.—Lexo Hebrenjve 10:24, 25.
8. Çfarë mesazhi ka të ngjarë të predikojmë në të ardhmen?
8 Gjatë shtrëngimit të madh, mesazhi që predikojmë ka të ngjarë të ndryshojë. Tani predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë dhe përpiqemi të bëjmë dishepuj. Por në atë kohë ka mundësi të predikojmë një mesazh fshikullues që Bibla e krahason me breshrin. (Zbul. 16:21) Mund të shpallim se pas pak botën e Satanait e pret katastrofa. Me kohë do të mësojmë me saktësi cili do të jetë mesazhi ynë dhe si do ta përhapim. A do të përdorim po ato metoda që kemi përdorur nga më shumë se 100 vjet në shërbim? Apo do të përdorim metoda të tjera? Koha do ta zbulojë. Sido që të jetë, duket se do të kemi privilegjin të predikojmë me guxim mesazhin e gjykimit nga Jehovai.—Ezek. 2:3-5.
9. Si mund të reagojnë kombet ndaj mesazhit tonë, por për çfarë mund të jemi të sigurt?
9 Ka shumë gjasa që, si pasojë e mesazhit tonë, kombet të përpiqen të na e mbyllin gojën njëherë e mirë. Atëherë do të kemi nevojë të mbështetemi te Jehovai, ashtu siç mbështetemi sot tek ai që të na ndihmojë në shërbim. Mund të jemi të sigurt se Perëndia ynë do të na japë fuqi me bollëk që të bëjmë vullnetin e tij.—Mik. 3:8.
JI GATI PËR SULMIN KUNDËR POPULLIT TË PERËNDISË
10. Siç parathotë Luka 21:25-28, si do të reagojë shumica ndaj gjërave që do të ndodhin gjatë shtrëngimit të madh?
10 Lexo Lukën 21:25-28. Gjatë shtrëngimit të madh, njerëzit do të tronditen kur të shohin se gjithçka në botë që dikur dukej aq stabël, do të fillojë të shembet. Ata do t’i mbërthejë «ankthi» nga frika se mos humbin jetën gjatë periudhës më të errët të historisë njerëzore. (Sof. 1:14, 15) Në atë kohë ka të ngjarë që jeta të bëhet më e vështirë edhe për shërbëtorët e Jehovait. Ngaqë qëndrojmë të ndarë nga bota, mund të kalojmë disa vështirësi. Për shembull, mund të mos kemi disa gjëra të nevojshme.
11. (a) Pse do të bëhen qendra e vëmendjes Dëshmitarët e Jehovait? (b) Pse nuk ka arsye të kemi frikë nga shtrëngimi i madh?
11 Në njëfarë momenti, ata që bënin pjesë në fetë që u shkatërruan, mund t’i acarojë fakti që feja e Dëshmitarëve të Jehovait vazhdon të ekzistojë. Mund ta marrim me mend trazirën që ka të ngjarë të shkaktojnë duke përdorur edhe mediat sociale. Kombet dhe sundimtari i tyre, Satanai, do të na urrejnë pasi do të jemi e vetmja fe që ka mbijetuar. Ata nuk do ta kenë arritur synimin e tyre që t’i shuajnë nga faqja e dheut të gjitha fetë. Kështu ne do të bëhemi qendra e vëmendjes. Në atë moment, kombet do të marrin rolin e Gogut të Magogut.c Ata do të bashkohen për të sulmuar egërsisht e me tërë forcat popullin e Jehovait. (Ezek. 38:2, 14-16) Mund të jetë disi stresuese të mendojmë për këto mundësi kur nuk i dimë me saktësi hollësitë. Por një gjë është e sigurt: s’ka pse të kemi frikë nga shtrëngimi i madh. Jehovai do të na japë udhëzime jetëshpëtuese. (Psal. 34:19) Atëherë ‘do të drejtojmë trupin dhe do të ngremë kokën lart’, sepse do ta dimë se ‘çlirimi ynë po afrohet’.d
12. Si na ka përgatitur «skllavi besnik dhe i mençur» për atë që presim në të ardhmen?
12 «Skllavi besnik dhe i mençur» na ka përgatitur që të qëndrojmë besnikë gjatë shtrëngimit të madh. (Mat. 24:45, nwt) Këtë e ka bërë në shumë mënyra, por të marrim vetëm një shembull: programet në kohën e duhur të kongreseve tona për vitet 2016-2018. Këto programe na kanë nxitur të forcojmë cilësitë që na nevojiten ndërsa afrohet dita e Jehovait. Le t’i rishohim shkurtimisht këto cilësi.
VAZHDO TË FORCOSH BESNIKËRINË, QËNDRUESHMËRINË DHE GUXIMIN
13. Si mund ta forcojmë besnikërinë ndaj Jehovait, dhe pse duhet ta bëjmë këtë tani?
13 Besnikëria: Tema e programit të kongresit për vitin 2016 ishte «Qëndroji besnik Jehovait!» Nga programi mësuam se po të kemi një marrëdhënie të fortë e të ngushtë me Jehovain, do të jemi besnikë ndaj tij. U theksua edhe një herë se mund të afrohemi me Jehovain duke u lutur nga zemra dhe duke studiuar me etje Fjalën e tij. Kështu marrim forcë të përballojmë edhe sprovat më të vështira. Ndërsa sistemit të Satanait i afrohet fundi, mund të presim që besnikëria jonë ndaj Perëndisë dhe Mbretërisë së tij të sprovohet akoma më shumë. Ka të ngjarë të vazhdojmë të jemi objekt talljesh. (2 Pjet. 3:3, 4) Kjo mund të ndodhë sidomos ngaqë asnjanësia jonë do të vihet gjithnjë e më shumë në provë. Duhet ta forcojmë tani besnikërinë, në mënyrë që të qëndrojmë besnikë gjatë shtrëngimit të madh.
14. (a) Çfarë ndryshimi do të ndodhë në lidhje me vëllezërit që marrin drejtimin në tokë? (b) Pse do të duhet të jemi besnikë në atë kohë?
14 Gjatë shtrëngimit të madh, do të ndodhë një ndryshim në lidhje me vëllezërit që marrin drejtimin në tokë. Në njëfarë momenti, të gjithë të mirosurit që janë akoma në tokë, do të mblidhen në qiell për të marrë pjesë në luftën e Armagedonit. (Mat. 24:31; Zbul. 2:26, 27) Kjo nënkupton se nuk do ta kemi më në tokë Trupin Udhëheqës. Megjithatë, shumica e madhe do të vazhdojë të jetë e organizuar. Vëllezër të kualifikuar nga delet e tjera do të marrin drejtimin. Do të na duhet të tregojmë besnikëri duke i mbështetur këta vëllezër dhe duke ndjekur drejtimin që u jep Perëndia. Nga kjo do të varet jeta jonë!
15. Si mund ta forcojmë qëndrueshmërinë, dhe pse është e rëndësishme ta bëjmë këtë tani?
15 Qëndrueshmëria: Tema e programit të kongresit për vitin 2017 ishte «Mos u dorëzo!» Programi na ndihmoi të forconim aftësinë për t’u bërë ballë sprovave. Mësuam se qëndrueshmëria nuk varet nga rrethanat e favorshme, por forcohet duke u mbështetur te Jehovai. (Rom. 12:12) Mos e harrofshim kurrë këtë premtim të Jezuit: «Ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë.» (Mat. 24:13) Ky premtim nënkupton se duhet të qëndrojmë besnikë pavarësisht çfarë vështirësish hasim. Duke treguar qëndrueshmëri në çdo sprovë tani, mund të bëhemi më të fortë para se të shpërthejë shtrëngimi i madh.
16. Nga se varet guximi, dhe si mund ta forcojmë guximin tani?
16 Guximi: Tema e programit të kongresit për vitin 2018 ishte «Ji guximtar!» Programi na kujtoi se guximi nuk varet nga aftësitë tona. Ashtu si qëndrueshmëria, guximi i vërtetë vjen kur mbështetemi te Jehovai. Si mund të mësojmë të mbështetemi gjithnjë e më shumë tek ai? Duke lexuar çdo ditë Fjalën e tij dhe duke medituar për mënyrat si i shpëtonte Jehovai shërbëtorët e tij në të kaluarën. (Psal. 68:20; 2 Pjet. 2:9) Kur kombet të na sulmojnë gjatë shtrëngimit të madh, do të duhet të jemi të guximshëm dhe të mbështetemi me besim te Jehovai si kurrë më parë. (Psal. 112:7, 8; Hebr. 13:6) Po të mbështetemi tani te Jehovai, do të kemi guximin që na nevojitet për t’i bërë ballë sulmit të Gogut.e
PRITE ME ZJARR ÇLIRIMIN TËND
17. Pse nuk duhet të kemi frikë nga Armagedoni? (Shih figurën e kopertinës.)
17 Siç u përmend në artikullin e kaluar, shumica prej nesh kemi jetuar gjatë ditëve të fundit. Por njëkohësisht kemi perspektivën t’i mbijetojmë shtrëngimit të madh. Lufta e Armagedonit do të jetë finalja madhështore e përfundimit të këtij sistemi. Megjithatë nuk ka asnjë arsye për t’u frikësuar. Pse? Sepse ajo do të jetë lufta e Perëndisë. (Prov. 1:33; Ezek. 38:18-20; Zak. 14:3) Me urdhrin e Jehovait, Jezu Krishti do t’i prijë ushtrisë së Perëndisë. Ai do të ketë përkrah të mirosurit e ringjallur dhe një mori engjëjsh. Së bashku do të luftojnë kundër Satanait, demonëve të tij dhe ushtrisë së tyre tokësore.—Dan. 12:1; Zbul. 6:2; 17:14.
18. (a) Cilën garanci na jep Jehovai? (b) Pse të mbush me siguri për të ardhmen Zbulesa 7:9, 13-17?
18 Jehovai na jep garancinë: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses.» (Isa. 54:17) ‘Një shumicë e madhe’ me adhurues besnikë të Jehovait ‘do të dalë nga shtrëngimi i madh’. Pas kësaj, ata do të vazhdojnë t’i bëjnë Jehovait shërbim të shenjtë. (Lexo Zbulesën 7:9, 13-17.) Sa shumë arsye na jep Bibla që të ndihemi të sigurt për të ardhmen! E dimë se ‘Jehovai i mbron besnikët’. (Psal. 31:23) Të gjithë ata që e duan dhe e lëvdojnë, do të shohin plot kënaqësi si do ta shfajësojë Jehovai emrin e tij të shenjtë.—Ezek. 38:23.
19. Cila e ardhme e mrekullueshme na pret së shpejti?
19 Mendo si mund të formulohet 2 Timoteut 3:2-5 po të përshkruajmë njerëzit e botës së re kur të mos jenë më nën ndikimin e Satanait. (Shih kutinë «Si do të jenë njerëzit atëherë».) Ja si u shpreh për këtë vëllai Xhorxh Gangas,f që shërbente si anëtar i Trupit Udhëheqës: «Çfarë bote do të jetë ajo ku çdo njeri të jetë një vëlla a një motër! Së shpejti do të kesh privilegjin të jetosh në sistemin e ri. Ti do të jetosh aq sa jeton Jehovai. Po, do të jetojmë pafundësisht!» Ç’e ardhme e mrekullueshme na pret!
KËNGA 122 Ji i palëkundur dhe i patundur!
a E dimë se së shpejti njerëzimi do të përjetojë një ‘shtrëngim të madh’. Ç’do të ndodhë gjatë asaj kohe me shërbëtorët e Jehovait? Çfarë do të presë Jehovai nga ne atëherë? Cilat cilësi duhet të forcojmë tani për të qëndruar besnikë? Përgjigjet do t’i zbulojmë në këtë artikull.
b SHPJEGIMI I FJALËS: Krishterimi përbëhet nga fe që pohojnë se janë të krishtere por që nuk u mësojnë njerëzve ta adhurojnë Jehovain sipas standardeve të Tij.
c SHPJEGIMI I SHPREHJES: Termi Gogu i Magogut (dhe forma e tij e shkurtuar, Gog) i referohet një koalicioni kombesh që do të luftojë kundër adhurimit të pastër afër fundit të shtrëngimit të madh.
d Për një shqyrtim më të hollësishëm të të gjitha ngjarjeve që i paraprijnë luftës së Armagedonit, shih kapitullin 21 të librit Mbretëria e Perëndisë qeveris! Për më shumë hollësi rreth sulmit të Gogut të Magogut dhe të mënyrës si do ta mbrojë Jehovai popullin e tij në Armagedon, shih Kullën e Rojës të 15 korrikut 2015, f. 14-19 dhe kapitujt 17 e 18 të librit Adhurimi i pastër i Jehovait—Rivendoset më në fund! (anglisht).
e Programi i kongresit të vitit 2019 me temë «Dashuria nuk shuhet kurrë!» na bind se nën mbrojtjen e dashur të Jehovait mund të jemi përherë të sigurt.—1 Kor. 13:8.
f Shih artikullin ‘Veprat e tij e ndjekin’ në Kullën e Rojës të 1 prillit 1995.
g PËRSHKRIMI I FIGURËS: Gjatë shtrëngimit të madh, një grup i vogël Dëshmitarësh mblidhen plot guxim në një pyll për mbledhjen e kongregacionit.
h PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një shumicë e madhe me adhurues besnikë të Jehovait dalin plot gëzim nga shtrëngimi i madh.