«Rrini zgjuar!»
1 Pasi përshkroi ngjarjet e rëndësishme që do të shënonin ditët e fundit të këtij sistemi gjërash, Jezui i nxiti dishepujt e tij me fjalët «jini vigjilentë». (Mar. 13:33, BR) Përse të krishterët duhet të jenë vigjilentë? Sepse po jetojmë në periudhën më të rrezikshme të historisë njerëzore. Ne nuk mund të rrezikojmë e të bëhemi të plogësht frymësisht. Një gjë e tillë do të na bënte të humbitnim, si rezultat, çmueshmërinë tonë për veprën që Jehovai na ka dhënë për të bërë në këtë kohë të fundit. Çfarë vepre është kjo?
2 Jehovai ka caktuar popullin e tij që të shpallë në të gjithë tokën lajmin e mirë rreth Mbretërisë së tij, si shpresa e vetme për njerëzimin. Duke punuar ngushtë me organizatën e Perëndisë, ne identifikohemi si të krishterë të vërtetë, të vetëdijshëm për kohën dhe nevojën që të ndihmohen të tjerët të dëgjojnë «thëniet e jetës së përhershme». (Gjoni 6:68, BR) Me anë të pjesëmarrjes me zell në këtë vepër, që është më rëndësishmja, japim dëshmi se jemi zgjuar frymësisht.
3 Të nxitur për të predikuar: Si Dëshmitarë të Jehovait, duhet të jemi pozitivë për shërbimin tonë. Ajo që na nxit si individë të marrim pjesë në veprën e predikimit është dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin. (1. Kor. 9:16, 17) Duke e bërë këtë, do të shpëtojmë veten, si edhe ata që na dëgjojnë. (1. Tim. 4:16) Le të jemi të vendosur për të marrë pjesë sa më rregullisht që është e mundur dhe sa më gjatë që është e nevojshme në predikimin rreth qeverisë më të mirë që njerëzimi mund të ketë ndonjëherë—Mbretërisë së Perëndisë!
4 Urgjenca e shërbimit na ngulitet mirë në mendje nga një fakt i rëndësishëm—shpërthimi i mjerimit të madh do të ndodhë ndërsa jemi ende të angazhuar në këtë vepër. Fakti që nuk e dimë ditën dhe orën, kërkon që të rrimë zgjuar dhe gati gjatë gjithë kohës, duke u mbështetur me anë të lutjes te Jehovai. (Efes. 6:18) Shtrirja e aktivitetit të predikimit vazhdon të zgjerohet. Por në një ditë të afërt, vepra më e madhe e dëshmisë në historinë njerëzore do të arrijë një kulm.
5 Të zbatojmë me besnikëri urdhrin e Jezuit për të ‘qëndruar zgjuar’. Sot, kjo është më kritike se kurrë. Le të përgjigjemi me një ndjenjë urgjence! Sot dhe çdo ditë, le të qëndrojmë esëll frymësisht, vigjilentë dhe aktivë në shërbim të Jehovait! Po, «le të qëndrojmë zgjuar e të ruajmë gjykimin»!—1. Sel. 5:6, BR.