ARTIKULLI I STUDIMIT 5
Ne do të vijmë me ju
«Duam të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar që Perëndia është me ju.»—ZAK. 8:23, nwt.
KËNGA 26 E keni bërë edhe për mua
PËRMBLEDHJEa
1. Çfarë paratha Jehovai për kohën tonë?
JEHOVAI paratha për kohën tonë: «Dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve do të kapin, po, do të kapin fort rrobën e një judeu e do të thonë: ‘Duam të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar që Perëndia është me ju.’» (Zak. 8:23, nwt) Ky ‘jude’ paraqet ata që Perëndia i ka mirosur me frymë të shenjtë, të cilët quhen edhe ‘Izraeli i Perëndisë’. (Gal. 6:16) ‘Dhjetë burrat’ paraqesin ata që kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në tokë. Këta e dinë se Jehovai e ka bekuar grupin e të mirosurve dhe ndihen të nderuar ta adhurojnë bashkë me ta.
2. Si ‘shkojnë me’ të mirosurit ‘dhjetë burrat’?
2 Edhe pse nuk është e mundur të dimë emrin e çdo të mirosuri në tokë sot,b ata që shpresojnë të jetojnë në tokë, mund ‘të shkojnë me’ të mirosurit. Si? Bibla thotë se ‘dhjetë burrat’ ‘do të kapnin fort rrobën e një judeu e do të thoshin: “Duam të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar që Perëndia është me ju.”’ Edhe pse ky varg përmend vetëm një jude, të dyja herët përemri «ju» tregon më shumë se një person. Kjo do të thotë se ky jude nuk është një individ i vetëm, por paraqet gjithë grupin e të mirosurve. Ata që nuk janë të mirosur, i shërbejnë Jehovait përkrah të mirosurve. Megjithatë, nuk i shohin të mirosurit si udhëheqësit e tyre, pasi e dinë se rolin e Kreut e ka Jezui.—Mat. 23:10.
3. Cilat pyetje do të marrin përgjigje në këtë artikull?
3 Meqë sot ka ende të mirosur mes popullit të Perëndisë, disa mund të pyesin: (1) Ç’pikëpamje duhet të kenë për veten të mirosurit? (2) Si duhen trajtuar ata që marrin simbolet në Përkujtim? (3) A duhet të shqetësohemi nëse rritet numri i atyre që marrin simbolet? Këto pyetje do të marrin përgjigje në këtë artikull.
Ç’PIKËPAMJE DUHET TË KENË PËR VETEN TË MIROSURIT?
4. Sipas 1 Korintasve 11:27-29, për cilin paralajmërim duhet të mendojnë seriozisht të mirosurit, dhe pse?
4 Të mirosurit duhet të mendojnë seriozisht për paralajmërimin që jepet te 1 Korintasve 11:27-29. (Lexoje.) Si mund t’i merrte «padenjësisht» simbolet në Përkujtim një i mirosur? Nëse hante nga buka dhe pinte nga vera, por ndërkohë nuk jetonte sipas standardeve të drejta të Jehovait. (Hebr. 6:4-6; 10:26-29) Të mirosurit e kanë të qartë se duhet të qëndrojnë besnikë nëse duan të marrin ‘me anë të Krishtit Jezu çmimin e thirrjes qiellore të Perëndisë’.—Filip. 3:13-16.
5. Ç’pikëpamje duhet të kenë për veten të mirosurit?
5 Fryma e shenjtë e Jehovait i ndihmon shërbëtorët e tij të jenë të përulur, jo krenarë. (Efes. 4:1-3; Kolos. 3:10, 12) Prandaj të mirosurit nuk mendojnë se janë më të mirë se të tjerët. E dinë se Jehovai nuk u jep medoemos më shumë frymë të shenjtë se shërbëtorëve të tjerë. Nuk mendojnë se i kuptojnë më thellë se kushdo tjetër të vërtetat e Biblës. E nuk do t’i thoshin kurrë dikujt se edhe ai është mirosur e duhet të fillojë të marrë simbolet në Përkujtim. Përkundrazi, e pranojnë me përulësi se vetëm Jehovai mund t’i ftojë njerëzit të shkojnë në qiell.
6. Sipas 1 Korintasve 4:7, 8, si duhet të sillen të mirosurit?
6 Edhe pse ndihet i nderuar që ka marrë ftesën të shkojë në qiell, një i mirosur nuk pret trajtim të veçantë. (Filip. 2:2, 3) E di edhe se, kur e mirosi, Jehovai nuk bëri një njoftim para të gjithëve. Prandaj nuk habitet nëse disa nuk e besojnë menjëherë se është mirosur. E ka të qartë se Bibla thotë të mos i besojmë shpejt dikujt që pohon se ka marrë një përgjegjësi të veçantë nga Perëndia. (Zbul. 2:2) Ai nuk do që të tërheqë vëmendjen te vetja, prandaj nuk e përmend se është i mirosur kur prezantohet me dikë. E pa dyshim, nuk mburret për këtë.—Lexo 1 Korintasve 4:7, 8.
7. Çfarë nuk bëjnë të mirosurit, dhe pse?
7 Të mirosurit nuk mendojnë se duhet të rrinë vetëm me të mirosur të tjerë, sikur të ishin pjesë e një parie ose elite. Nuk përpiqen të gjejnë të mirosur të tjerë, që të bisedojnë për mirosjen ose të formojnë grupe private për të studiuar Biblën. (Gal. 1:15-17) Kongregacioni nuk do të ishte i bashkuar nëse të mirosurit do të vepronin kështu. Ata do t’i kundërviheshin frymës së shenjtë, e cila i ndihmon shërbëtorët e Perëndisë të kenë paqe dhe unitet.—Rom. 16:17, 18.
SI DUHEN TRAJTUAR TË MIROSURIT?
8. Pse duhet të bësh kujdes si i trajton ata që marrin simbolet në Përkujtim? (Shih edhe shënimin.)
8 Si duhet t’i trajtojmë vëllezërit dhe motrat e mirosura? Do të ishte e gabuar të kishim admirim të tepruar për dikë, qoftë edhe për një vëlla të mirosur të Krishtit. (Mat. 23:8-12) Kur flet për pleqtë, Bibla na nxit ‘të imitojmë besimin’ e tyre, por nuk thotë të bëjmë ndonjë njeri udhëheqësin tonë. (Hebr. 13:7) Vërtet, Bibla thotë se disa «çmohen të denjë për nderim të dyfishtë». Por këtë nderim e meritojnë ngaqë «drejtojnë në mënyrë të shkëlqyer» dhe «punojnë pa u lodhur» për ne, jo ngaqë janë të mirosur. (1 Tim. 5:17) Po t’i mbulojmë me lëvdata të mirosurit ose t’u kushtojmë vëmendje të tepruar, mund t’i vëmë në siklet.c Ose më keq akoma, mund t’i shtyjmë të bëhen krenarë. (Rom. 12:3) Asnjë nga ne nuk do të donte të bënte diçka që mund ta shtynte një vëlla të mirosur të Krishtit drejt një gabimi kaq serioz!—Luka 17:2.
9. Si mund të tregojmë respekt për të mirosurit?
9 Si mund të tregojmë respekt për ata që janë mirosur nga Jehovai? Nuk i pyesim si u mirosën, pasi kjo është një çështje personale ku nuk kemi të drejtë të përzihemi. (1 Sel. 4:11; 2 Sel. 3:11) As nuk duhet të supozojmë se edhe burri a gruaja, prindërit ose pjesëtarë të tjerë të familjes janë të mirosur. Askush nuk e trashëgon thirrjen qiellore nga familja, por e merr nga Perëndia. (1 Sel. 2:12) Gjithashtu, nuk duhet të bëjmë pyetje që mund të lëndojnë. Për shembull, nuk do ta pyesnim gruan e një vëllai të mirosur si ndihet që në të ardhmen do të jetojë përgjithmonë në tokë pa të shoqin. Mund të kemi besim të plotë se në botën e re Jehovai do të plotësojë «dëshirën e çdo krijese».—Psal. 145:16.
10. Si e mbrojmë veten nëse nuk ‘admirojmë njerëzit e shquar’?
10 Nëse nuk i trajtojmë të mirosurit si më të rëndësishëm, mbrojmë edhe veten. Si? Bibla tregon se disa të mirosur mund të mos qëndrojnë besnikë. (Mat. 25:10-12; 2 Pjet. 2:20, 21) Nëse nuk ‘admirojmë njerëzit e shquar’, nuk do të ndjekim kurrë një njeri, madje as ndonjë të mirosur a vëlla të mirënjohur ose ndonjë që i ka shërbyer Jehovait prej vitesh. (Jud. 16, shën., nwt) Kështu, nëse ata nuk qëndrojnë besnikë ose largohen nga kongregacioni, nuk do ta humbim besimin te Jehovai, por do të vazhdojmë t’i shërbejmë.
A DUHET TË SHQETËSOHEMI PËR NUMRIN E ATYRE QË MARRIN SIMBOLET?
11. Çfarë ka ndodhur me numrin e atyre që marrin simbolet në Përkujtim?
11 Për shumë vjet, numri i atyre që merrnin simbolet në Përkujtim, sa vinte e zvogëlohej. Por vitet e fundit, ky numër është rritur çdo vit. A duhet të na shqetësojë kjo? Jo. Të shohim disa faktorë të rëndësishëm që duhet të mbajmë në mendje.
12. Pse nuk duhet të shqetësohemi për numrin e atyre që marrin simbolet në Përkujtim?
12 «Jehovai i njeh ata që i përkasin.» (2 Tim. 2:19) Ndryshe nga Jehovai, vëllezërit që numërojnë sa veta i marrin simbolet në Përkujtim, nuk e dinë kush është vërtet i mirosur. Prandaj te ky numër përfshihen edhe ata që mendojnë se janë të mirosur, por që nuk janë vërtet. Për shembull, disa nga ata që merrnin simbolet, më vonë nuk i morën më. Të tjerë mund të vuajnë nga probleme mendore ose emocionale që i shtyjnë të besojnë se do të qeverisin me Krishtin në qiell. Pra, është e qartë se nuk e dimë saktësisht sa të mirosur kanë mbetur në tokë.
13. A e thotë Bibla sa të mirosur do të jenë në tokë kur të nisë shtrëngimi i madh?
13 Kur të vijë Jezui për t’i marrë të mirosurit në qiell, do të ketë të mirosur në shumë pjesë të tokës. (Mat. 24:31) Vërtet, Bibla tregon se gjatë ditëve të fundit, në tokë do të mbetet një numër i vogël të mirosurish. (Zbul. 12:17) Gjithsesi, nuk thotë sa do të kenë mbetur kur të nisë shtrëngimi i madh.
14. Siç tregon Romakëve 9:11b, 16, çfarë duhet të kuptojmë për zgjedhjen e të mirosurve?
14 Jehovai e vendos se kur të zgjedhë të mirosur. (Rom. 8:28-30) Jehovai filloi të zgjidhte të mirosur pasi u ringjall Jezui. Me sa duket, në shekullin e parë, të gjithë të krishterët ishin të mirosur. Në shekujt që pasuan, shumica e atyre që thoshin se ishin të krishterë, nuk ecnin vërtet në gjurmët e Krishtit. Megjithatë, në ato vite, Jehovai mirosi ata pak të krishterë të vërtetë, të cilët ishin si gruri që Jezui tha se do të rritej mes egjrave. (Mat. 13:24-30) Gjatë ditëve të fundit, Jehovai ka vazhduar të zgjedhë njerëz që do të jenë pjesë e 144.000-ve.d Prandaj, nëse Perëndia vendos t’i zgjedhë disa prej tyre pak para se të vijë fundi, patjetër që nuk e vëmë në dyshim mençurinë e tij. (Lexo Romakëve 9:11b, 16.)e Duhet të bëjmë kujdes që të mos reagojmë si punëtorët që përshkroi Jezui në një ilustrim. Ata u ankuan për mënyrën si i trajtoi zotëria i tyre ata që e nisën punën orën e fundit.—Mat. 20:8-15.
15. A janë të gjithë të mirosurit pjesë e ‘skllavit besnik dhe të mençur’, që përmendet te Mateu 24:45-47? Shpjegoni.
15 Jo të gjithë ata që kanë shpresën të jetojnë në qiell, janë pjesë e ‘skllavit besnik dhe të mençur’. (Lexo Mateun 24:45-47.) Ashtu si në shekullin e parë, sot Jehovai dhe Jezui po ushqejnë ose po mësojnë një shumicë nga duart e një pakice vëllezërish. Në shekullin e parë, vetëm pak të mirosur u përdorën për të shkruar Shkrimet e Krishtere Greke. Sot, vetëm pak të mirosur kanë përgjegjësinë t’i japin popullit të Perëndisë «ushqim në kohën e duhur».
16. Çfarë ke mësuar nga ky artikull?
16 Çfarë na ka mësuar ky artikull? Jehovai ka vendosur t’i dhurojë jetën e përhershme në tokë shumicës së adhuruesve të tij dhe jetën në qiell atyre pak vetave që do të qeverisin me Jezuin. Jehovai i shpërblen të gjithë shërbëtorët e tij—edhe ‘judeun’, edhe ‘dhjetë burrat’—dhe u kërkon t’u binden të njëjtave ligje e të qëndrojnë besnikë. Të gjithë duhet të mbeten të përulur. Të gjithë duhet t’i shërbejnë së bashku në unitet. Dhe të gjithë duhet të përpiqen të ruajnë paqen në kongregacion. Ndërsa fundi afrohet, le të vazhdojmë të gjithë t’i shërbejmë Jehovait e të ecim në gjurmët e Krishtit si «një kope e vetme»!—Gjoni 10:16.
a Këtë vit, Përkujtimi i vdekjes së Krishtit do të mbahet të martën më 7 prill. Si duhet t’i shohim ata që marrin simbolet atë mbrëmje? A duhet të shqetësohemi nëse vazhdon të rritet numri i atyre që marrin simbolet? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do t’i gjejmë në këtë artikull, i cili bazohet te një artikull që doli në Kullën e Rojës të janarit 2016.
b Sipas Psalmit 87:5, 6, Perëndia mund të zbulojë në të ardhmen emrat e të gjithë atyre që qeverisin me Jezuin në qiell.
c Shih kutinë «Dashuria ‘nuk sillet në mënyrë të pahijshme’» në Kullën e Rojës të janarit 2016.
d Ndonëse Veprat 2:33 tregon se fryma e shenjtë derdhet nëpërmjet Jezuit, ai që i bën ftesën gjithsecilit, është Jehovai.
e Për më shumë informacion, shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës, 1 maj 2007.
KËNGA 34 Ecim me integritet
f PËRSHKRIMI I FIGURËS: Imagjino sikur një përfaqësues të selisë botërore dhe gruan e tij t’i rrethojë në kongres një turmë që u bën fotografi. Çfarë mungese respekti!