Pyetje nga lexuesit
Kur mbaron thirrja e të krishterëve për shpresën qiellore?
Bibla nuk jep një përgjigje specifike për këtë pyetje. Dimë që mirosja e dishepujve të Jezuit me shpresën për të marrë trashëgiminë qiellore, filloi në vitin 33 të e.s. (Veprat 2:1-4) Dimë edhe se, pas vdekjes së apostujve, të krishterët e vërtetë të mirosur që ishin «gruri», ‘u rritën bashkë’ me «egjrat», që ishin të krishterët e rremë. (Mateu 13:24-30) Pastaj, që nga fundi i shekullit të 19-të, të krishterët e mirosur u hodhën në veprim dhe u dalluan përsëri. Në vitin 1919, nisi korrja e ‘të korrave të tokës’, ku përfshihej edhe mbledhja e të mirosurve të fundit.—Zbulesa 14:15, 16.
Që nga fundi i shekullit të 19-të e deri në vitin 1931, pikësynimi kryesor i veprës së predikimit ishte mbledhja e mbetjes së trupit të Krishtit. Në vitin 1931 Studentët e Biblës morën emrin biblik Dëshmitarë të Jehovait, dhe në Kullën e Rojës të 15 nëntorit 1933, anglisht, u shpreh mendimi se ky emër i pashoq ishte «denari» për të cilin foli Jezui në shëmbëlltyrën që gjendet te Mateu 20:1-16. Mendohej se 12 orët e përmendura në shëmbëlltyrë, ishin baras me 12 vite nga viti 1919 deri në vitin 1931. Për shumë vite më pas, mendohej se thirrja për në Mbretërinë qiellore kishte mbaruar në vitin 1931 dhe se ata që u thirrën për të qenë bashkëtrashëgimtarë me Krishtin në vitin 1930 dhe në vitin 1931, ishin «të fundit». (Mateu 20:6-8) Por në vitin 1966, u paraqit një kuptueshmëri më e qartë e asaj shëmbëlltyre dhe u bë e qartë se nuk kishte të bënte fare me fundin e thirrjes së të mirosurve.
Në vitin 1935 u kuptua se ‘shumica e madhe’ që përmendet te Zbulesa 7:9-15 përbëhej nga ‘delet e tjera’, të krishterë me shpresën për të jetuar në tokë që do të shfaqeshin «në ditët e fundit» dhe që si grup do të mbijetonin në Harmagedon. (Gjoni 10:16; 2 Timoteut 3:1; Zbulesa 21:3, 4) Pas atij viti, pikësynimi i veprës së bërjes së dishepujve ishte mbledhja e shumicës së madhe. Prandaj, sidomos pas vitit 1966 besohej se thirrja qiellore kishte mbaruar në vitin 1935. Dukej sikur këtë e vërtetonte fakti që pothuaj të gjithë ata që ishin pagëzuar pas vitit 1935 mendonin se kishin shpresën tokësore. Mendohej se pas kësaj, ata që thirreshin për shpresën qiellore ishin zëvendësime të atyre të krishterëve të mirosur që nuk kishin qëndruar besnikë.
Pa dyshim, nëse një nga të mirosurit largohet nga e vërteta dhe nuk pendohet, në vend të tij Jehovai thërret një individ tjetër. (Romakëve 11:17-22) Por, duket se nuk janë shumë ata të mirosur të vërtetë që nuk kanë qëndruar besnikë. Në anën tjetër, me kalimin e kohës, disa të krishterë që janë pagëzuar pas vitit 1935 kanë marrë dëshminë e frymës së shenjtë se kanë shpresën qiellore. (Romakëve 8:16, 17) Kështu, me sa duket nuk mund të vendosim një datë specifike se kur mbaron thirrja e të krishterëve për shpresën qiellore.
Si duhet parë një njeri që ka vendosur në zemër të tij se tani është i mirosur dhe nis të marrë simbolet gjatë Përkujtimit? Nuk duhet gjykuar. Çështja është mes tij dhe Jehovait. (Romakëve 14:12) Gjithsesi, të krishterët e vërtetë të mirosur nuk kërkojnë që t’u kushtohet vëmendje e veçantë. Ata nuk besojnë se, ngaqë janë të mirosur, tani kanë ‘kuptueshmëri’ të veçantë, më tepër se ajo që mund të kenë disa anëtarë me përvojë të shumicës së madhe. Nuk besojnë se kanë medoemos më shumë frymë të shenjtë se shokët e tyre nga delet e tjera, as presin ndonjë trajtim të veçantë dhe as pohojnë se, ngaqë marrin simbolet, janë më lart se pleqtë e emëruar në kongregacion. Me përulësi, ata mbajnë në mend se disa të krishterë të mirosur në shekullin e parë nuk kualifikoheshin për të shërbyer si pleq ose shërbëtorë ndihmës. (1 Timoteut 3:1-10, 12, 13; Titit 1:5-9; Jakovi 3:1) Madje disa të krishterë të mirosur ishin të dobët frymësisht. (1 Selanikasve 5:14) Sa për motrat, ndonëse të mirosura, ato nuk mësonin në kongregacion.—1 Timoteut 2:11, 12.
Kështu, të krishterët e mirosur bashkë me shokët e tyre nga delet e tjera përpiqen të qëndrojnë të fortë frymësisht, duke zhvilluar frytin e frymës e duke nxitur paqen në kongregacion. Të gjithë të krishterët, të mirosur ose nga delet e tjera, punojnë fort për të predikuar lajmin e mirë e për të bërë dishepuj, nën drejtimin e Trupit Udhëheqës. Të krishterët e mirosur e bëjnë me kënaqësi këtë, për sa kohë të jetë vullneti i Perëndisë që të mbeten në tokë si shërbëtorë të Jehovait.