ARTIKULLI I STUDIMIT 17
Nëna, mësoni nga shembulli i Eunikës
«Mos i braktis mësimet e nënës sate. Ato janë një kurorë e bukur lulesh për kokën tënde, një stoli e çmuar për qafën tënde.»—PROV. 1:8, 9.
KËNGA 137 Besnike, të dashura, të vyera
PËRMBLEDHJEa
1-2. (a) Kush ishte Eunika dhe çfarë vështirësie hasi si nënë? (b) Përshkruani figurën e kopertinës.
EDHE pse Bibla nuk flet për pagëzimin e Timoteut, nuk është e vështirë të përfytyrojmë gëzimin e nënës së tij, Eunikës, atë ditë. (Prov. 23:25) Imagjino sytë e saj tek shkëlqejnë plot krenari, ndërkohë që Timoteu është futur në ujë deri në mes. Ajo buzëqesh ndërsa Loida, gjyshja e Timoteut, e përqafon me ngrohtësi. E drithëruar, Eunika sheh gjithë emocion Timoteun që zhytet për t’u pagëzuar. Pastaj Timoteu del nga uji me një buzëqeshje rrëzëllitëse, e ajo nuk i mban dot lotët. Për Eunikën nuk kishte qenë e lehtë, ama ia kishte dalë ta mësonte djalin të donte Jehovain dhe Birin e tij, Jezuin. Cilat vështirësi kapërceu për të arritur deri këtu?
2 Timoteu u rrit në një familje të ndarë nga ana fetare. I ati ishte grek, kurse nëna dhe gjyshja ishin judeje. (Vep. 16:1) Ka të ngjarë që Timoteu të ketë qenë adoleshent kur Eunika dhe Loida përqafuan një besim tjetër—krishterimin. Ama, i ati nuk u bë i krishterë. Po Timoteu, çfarë rruge do të zgjidhte? Ai duhet të ketë qenë në një moshë që mund t’i merrte vetë vendimet. A do të ndiqte fenë e të atit? A do t’u qëndronte besnik traditave judaike me të cilat ishte rritur? Apo do të bëhej dishepull i Jezu Krishtit?
3. Sipas Proverbave 1:8, 9, si i sheh Jehovai përpjekjet e palodhura të nënave ndërsa ndihmojnë fëmijët të miqësohen me të?
3 Edhe sot, nënat që janë adhuruese të Jehovait e duan fort familjen. Mbi të gjitha, duan t’i ndihmojnë fëmijët të lidhin miqësi të ngushtë me Jehovain. Dhe Perëndia ynë i çmon pa masë përpjekjet e tyre. (Lexo Proverbat 1:8, 9.) Jehovai ka ndihmuar shumë nëna që t’i mësojnë fëmijët ta duan dhe t’i shërbejnë Atij.
4. Me çfarë sfidash përballen nënat sot?
4 Është normale që me raste një nënë të pyesë veten nëse fëmijët do të zgjedhin t’i shërbejnë Jehovait, siç bëri Timoteu. Tekefundit, prindërit e dinë mirë ç’presion ushtron bota e Satanait te fëmijët e tyre. (1 Pjet. 5:8) Veç kësaj, shumë nëna po i rritin fëmijët të vetme ose me një bashkëshort që nuk adhuron Jehovain. Për shembull, një motër që quhet Kristina,b thotë: «Burri im ishte një baba i mirë dhe bënte shumë për familjen, por nuk donte kurrsesi t’i rritja fëmijët si Dëshmitarë të Jehovait. Gjatë viteve kam derdhur shumë lot nga meraku nëse fëmijët do të bëheshin ndonjëherë adhurues të Jehovait.»
5. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
5 Nëse je shërbëtore e Jehovait, ashtu si Eunika edhe ti mund t’i ndihmosh fëmijët e tu ta duan Jehovain e t’i shërbejnë. Në këtë artikull do të shqyrtojmë si mund ta imitosh shembullin e saj, duke i mësuar fëmijët me anë të fjalëve dhe të veprave të tua. Do të shohim edhe si do të të ndihmojë Jehovai.
MËSOJI FËMIJËT ME ANË TË FJALËVE
6. Siç tregohet te 2 Timoteut 3:14, 15, si u bë i krishterë Timoteu?
6 Kur Timoteu ishte i vogël, e ëma bëri çmos t’i mësonte «shkrimet e shenjta», ashtu siç i kuptonin judenjtë. Pa dyshim, njohuria e saj ishte e kufizuar, sepse ajo nuk dinte asgjë për Jezu Krishtin. Megjithatë, gjërat që mësoi Timoteu nga Shkrimet, përgatitën terrenin që të bëhej i krishterë. Por, a do ta përqafonte krishterimin? Si i ri, e kishte në dorë të zgjidhte nëse do të bëhej i krishterë. Pa dyshim, përpjekjet e mamasë e ndihmuan Timoteun ‘të bindej ta besonte’ të vërtetën për Jezuin. (Lexo 2 Timoteut 3:14, 15.) Sa e lumtur do të jetë ndier Eunika që e kishte ndihmuar të birin ta njihte më mirë Jehovain, edhe pse nuk kishte qenë e lehtë! Eunika jetoi vërtet në lartësinë e emrit të saj, i cili vjen nga një fjalë që do të thotë «mposht».
7. Si mund ta ndihmonte Eunika të birin të përparonte edhe pas pagëzimit?
7 Pagëzimi ishte një hap i rëndësishëm në jetën e Timoteut, por meraqet e Eunikës nuk morën fund kur ai u pagëzua. Çfarë vendimesh do të merrte më tej i biri? Mos do të ngatërrohej me shoqëri të keqe? Mos do të shkonte për studime në Athinë dhe do ta mbushte mendjen me mësimet e filozofëve paganë? Mos do të rropatej për të fituar pasuri, duke çuar dëm gjithë kohën, energjitë dhe rininë? Vërtet, vendimet i takonin Timoteut, por Eunika mund ta ndihmonte. Si? Duke bërë çmos t’i rrënjoste në zemër dashurinë e thellë për Jehovain dhe mirënjohjen për Birin e Tij. Vështirësi të tilla nuk i hasin vetëm ato që s’e kanë bashkëshortin Dëshmitar. Edhe kur të dy prindërit janë në të vërtetën, mund të jetë sfidë për ta t’u prekin zemrën fëmijëve që t’i shërbejnë Jehovait me besnikëri. Çfarë mund të mësojnë prindërit nga shembulli i Eunikës?
8. Si mund ta mbështetë një grua burrin e saj Dëshmitar ndërsa ai i mëson fëmijët për Jehovain?
8 Studio Biblën me fëmijët. Nëse e ke bashkëshortin në të vërtetën, Jehovai dëshiron që t’i bëhesh krah ndërsa ai i mëson fëmijët për Të. Një mënyrë është duke e përkrahur vazhdimisht ndërsa mban Adhurimin Familjar. Fol me çmueshmëri për Adhurimin Familjar dhe mendo si mund të krijosh një atmosferë të ngrohtë e të këndshme. Ndoshta mund ta ndihmosh bashkëshortin ndërsa planifikoni një projekt të veçantë për studimin e Biblës. Veç kësaj, nëse fëmijët janë mjaft të rritur për të nxjerrë dobi nga një studim personal me librin Gëzoje jetën përgjithmonë, mund të bashkëpunosh me burrin ndërsa u bën studimin.
9. Ku mund të gjejnë ndihmë nënat e vetme ose ato që nuk e kanë burrin Dëshmitar?
9 Disa motra janë nëna të vetme ose nuk e kanë burrin Dëshmitar, prandaj u duhet ta studiojnë vetë Biblën me fëmijët e tyre. Nëse edhe ti je në këtë situatë, mos u merakos së tepërmi. Jehovai do të të ndihmojë! Shfrytëzo mjetet e efektshme të mësimdhënies që ka siguruar përmes organizatës së tij për të studiuar me fëmijët. Pse të mos pyesësh prindër me përvojë se si i përdorin këto mjete për adhurimin familjar?c (Prov. 11:14) Jehovai mund të të ndihmojë edhe të komunikosh më mirë me fëmijët. Lutju atij që të bësh pyetjet e duhura për të ditur si mendojnë dhe si ndihen. (Prov. 20:5) Edhe një pyetje e thjeshtë, si «cila është sfida më e madhe që ke në shkollë?» mund t’i hapë derën një bisede nga e cila do të mësosh shumë.
10. Çfarë mund të bësh tjetër për t’i ndihmuar fëmijët të mësojnë për Jehovain?
10 Krijo mundësi që t’u mësosh fëmijëve për Jehovain. Folu për Jehovain dhe për gjithë të mirat që ka bërë për ty. (Ligj. 6:6, 7; Isa. 63:7) Kjo është e rëndësishme sidomos kur nuk studion dot me fëmijët rregullisht në shtëpi. Kristina, e përmendur më sipër, thotë: «I kisha me pikatore rastet për t’u folur fëmijëve për Jehovain, ndaj nuk lija të më ikte kot asnjë prej tyre. Dilnim për një ecje ose shëtitnim me kanoe, që të bisedonim për krijimin e mrekullueshëm të Jehovait dhe për shumë gjëra të tjera që do t’i ndihmonin të bëheshin miq me të. Kur fëmijët ishin disi më të rritur, i nxita të studionin vetë Biblën.» Gjithashtu fol pozitivisht për organizatën e Jehovait dhe për vëllezërit e motrat. Mos i kritiko pleqtë, sepse gjërat që thua për ta mund të përcaktojnë nëse fëmijët do të shkojnë te pleqtë kur të kenë nevojë për ndihmë.
11. Sipas Jakovit 3:18, pse është e rëndësishme të nxitësh paqen në familje?
11 Nxit paqen në familje. Shprehua rregullisht dashurinë burrit dhe fëmijëve. Fol me përzemërsi e respekt për bashkëshortin dhe mësoji fëmijët të bëjnë po njësoj. Kur vepron kështu, atmosfera në shtëpi do të jetë paqësore, e fëmijët mund ta kenë më të lehtë të mësojnë për Jehovain. (Lexo Jakovin 3:18.) Shqyrto shembullin e Jozhefit që shërben si pionier special në Rumani. Kur ishte fëmijë, bashkë me nënën, motrën dhe vëllezërit e kishin të vështirë t’i shërbenin Jehovait, ngaqë babai ishte shumë kundërshtar. Jozhefi thotë: «Mamaja përpiqej shumë që në shtëpi të krijonte një ambient paqësor. Sa më ashpër sillej babi, aq më me përzemërsi dhe butësi sillej mami. Kur shikonte që s’na vinte ta respektonim e t’i bindeshim babit, shqyrtonim Efesianëve 6:1-3. Pastaj na fliste për cilësitë e mira të babit dhe na ndihmonte të kuptonim pse duhej ta vlerësonim. Kështu arrinte të zbuste shumë situata të tensionuara.»
MËSOJI FËMIJËT ME ANË TË VEPRAVE
12. Sipas 2 Timoteut 1:5, si ndikoi shembulli i Eunikës te Timoteu?
12 Lexo 2 Timoteut 1:5. Eunika la një shembull të shkëlqyer për Timoteun. Ajo duhet t’i ketë mësuar se besimi i vërtetë shoqërohet me vepra. (Jak. 2:26) S’ka dyshim që Timoteu pa se veprat e nënës së tij motivoheshin nga dashuria e fortë për Jehovain dhe kuptoi sa lumturi i sillte shërbimi ndaj Jehovait. Si ndikoi shembulli i Eunikës te Timoteu? Siç e përmendi edhe apostulli Pavël, Timoteu kishte të njëjtin besim të fortë, dhe kjo nuk ishte rastësi. Ai kishte parë nga afër shembullin e nënës së tij dhe u motivua ta imitonte. Po njësoj, mjaft nëna sot u kanë prekur zemrën pjesëtarëve të familjes «pa fjalë». (1 Pjet. 3:1, 2) Edhe ti mund t’ia dalësh. Si?
13. Pse një nënë duhet ta mbajë në vend të parë në jetë miqësinë me Jehovain?
13 Mbaje miqësinë me Jehovain në vend të parë në jetë. (Ligj. 6:5, 6) Si shumica e nënave, edhe ti po bën shumë sakrifica. Je kujdesur për nevojat fizike të fëmijëve duke mos kursyer kohën, paratë, netët pa gjumë e gjëra të tjera. Megjithatë, kujdes të mos jesh kaq e angazhuar me këto gjëra, sa të sakrifikosh miqësinë me Jehovain. Planifiko rregullisht kohë për lutjet, studimin personal të Biblës dhe mbledhjet. Kështu do ta forcosh miqësinë me Jehovain dhe do të lësh një shembull të shkëlqyer për familjen dhe të tjerët.
14-15. Çfarë mëson nga shembulli i Lianës, i Marisë dhe i Zhuaut?
14 Le të shqyrtojmë shembullin e disave që në fëmijëri mësuan ta donin dhe t’i besonin Jehovait, ngaqë nënat u lanë shembull të shkëlqyer. Vajza e Kristinës, Liana, thotë: «Nuk studionim dot në sy të babit. Megjithatë mami ishte shumë besnike dhe nuk humbte asnjë mbledhje. Edhe pse s’kishim mjaft njohuri, shembulli i saj na ndihmoi të zhvillonim besim të fortë. Ishim të bindur se kjo ishte e vërteta shumë kohë përpara se të ndiqnim mbledhjet.»
15 Maria, i ati i së cilës me raste bëhej i dhunshëm dhe i ofendonte ngaqë ndiqnin mbledhjet, thotë: «Mamaja ime është një ndër njerëzit më të guximshëm që njoh. Kur isha fëmijë, stepesha ngaqë kisha frikë se çfarë do të mendonin të tjerët. Por kur shihja sa guximtare ishte mamaja dhe se si e vinte gjithnjë Jehovain në vend të parë, arrita ta kapërceja frikën nga njeriu.» Zhuau, i ati i të cilit ua kishte ndaluar prerazi të flisnin për Jehovain në shtëpi, thotë: «Mendoj se ajo që më inkurajonte më shumë ishte fakti se mamaja tregohej e gatshme që, për t’i bërë qejfin babit, të hiqte dorë nga gjithçka—përveçse nga dashuria për Jehovain.»
16. Si mund të ndikojë shembulli i një nëne te të tjerët?
16 Mos harro se shembulli yt si nënë ndikon te të tjerët. Si? Po ja, shqyrto si ndikoi shembulli i Eunikës tek apostulli Pavël. Ai dalloi te Timoteu besimin pa hipokrizi «që në fillim e kishte . . . Eunika». (2 Tim. 1:5) Kur ishte hera e parë që apostullit Pavël i ra në sy besimi i saj? Ka të ngjarë që gjatë udhëtimit të parë misionar ai takoi në Listër Loidën dhe Eunikën, e mund t’i ketë ndihmuar të bëheshin të krishtere. (Vep. 14:4-18) Mendo pak: kur i shkroi Timoteut 15 vjet më vonë, Pavli akoma e mbante mend besimin e fortë që tregonte Eunika dhe e përmendi si një shembull të denjë për t’u imituar. Duket qartë se besimi i saj kishte lënë gjurmë të pashlyeshme tek apostulli, e ka të ngjarë edhe te shumë bashkëbesimtarë të tjerë në shekullin e parë. Nëse po i rrit fëmijët si nënë e vetme ose nuk e ke bashkëshortin Dëshmitar, të jesh e sigurt se besimi yt i forcon dhe i motivon vëllezërit e motrat.
17. Ç’mund të bësh nëse përpjekjet e tua duket sikur nuk po japin rezultat te fëmija?
17 Ç’mund të bësh nëse përpjekjet e tua duket sikur nuk po japin rezultat te fëmija? Mos harro, duhet kohë të stërvitësh një fëmijë. Siç tregohet në figurë, kur mbjell një farë, me raste mund të pyesësh veten nëse do të rritet e do të japë fryt. Edhe pse rezultatin nuk e ke në dorë, ti vazhdon ta ujitësh dhe t’i krijosh kushtet e duhura që të rritet. (Mar. 4:26-29) Po njësoj, si nënë ndonjëherë mbase ke merak nëse po bën aq sa duhet për ta ndihmuar fëmijën të dojë Jehovain. Është e vërtetë që rezultati nuk varet nga ti. Por nëse vazhdon të përpiqesh fort ta stërvitësh, je duke i krijuar kushtet më të mira të mundshme që të forcojë miqësinë me Jehovain.—Prov. 22:6.
MBËSHTETU TE JEHOVAI PËR NDIHMË
18. Si mund t’i ndihmojë Jehovai fëmijët e tu që të bëhen miq të tij?
18 Që në kohët e lashta, Jehovai ka ndihmuar plot fëmijë të bëhen miq të tij. (Psal. 22:9, 10) Ai mund të ndihmojë edhe fëmijët e tu të bëhen miq me të, nëse kanë dëshirë. (1 Kor. 3:6, 7) Edhe nëse për momentin nuk po i shërbejnë Jehovait me gjithë zemër, ai do të vazhdojë t’i mbajë sytë mbi ta me dashuri. (Psal. 11:4) Kur fëmijët të japin qoftë edhe shenjën më të vogël se janë «të prirur për jetën e përhershme», Jehovai do të jetë gati për t’i tërhequr. (Vep. 13:48; 2 Kron. 16:9) Gjithashtu, Jehovai do të të ndihmojë të thuash fjalët e duhura në kohën e duhur—fiks kur të jetë më e nevojshme për ta. (Prov. 15:23) Ose mund të nxitë një vëlla a një motër të dashur në kongregacion që t’i mbajë afër. Madje edhe kur fëmijët të arrijnë moshën madhore, Jehovai mund t’u rikujtojë diçka që u ke mësuar në të kaluarën. (Gjoni 14:26) Ndërsa vazhdon t’i stërvitësh fëmijët me anë të fjalëve dhe veprave, po i jep Jehovait plot arsye për të të bekuar.
19. Pse mund të jesh i sigurt që ke miratimin e Jehovait?
19 Dashuria që ka Jehovai për ty nuk varet nga zgjedhjet që bëjnë fëmijët. Ai të do, ngaqë ti e do. Nëse je prind i vetëm, Jehovai ka dhënë fjalën se do të bëhet Atë për fëmijët e tu dhe Mbrojtësi yt. (Psal. 68:5) Nuk mund ta detyrosh fëmijën të bëjë zgjedhjet e duhura. Por nëse vazhdon të mbështetesh te Jehovai për ndihmë dhe të bësh më të mirën, patjetër që do të kesh miratimin e tij.
KËNGA 134 Fëmijët—dhuratë e çmuar nga Jehovai!
a Ky artikull tregon se çfarë mund të mësojnë nënat e krishtere nga Eunika, mamaja e Timoteut, dhe si mund t’i ndihmojnë fëmijët ta njohin e ta duan Jehovain.
b Disa emra janë ndryshuar.
c Për shembull, shih mësimin 50 te libri Gëzoje jetën përgjithmonë dhe artikullin «Ide për adhurimin familjar dhe studimin personal» te Kulla e Rojës e 15 gushtit 2011, f. 6-7.