Trashëgimi apostolik
Përkufizimi: Doktrina, sipas së cilës 12 apostujt kanë trashëgimtarë, të cilëve u ka kaluar autoriteti në mënyrë hyjnore. Sipas Kishës Katolike Romake, peshkopët si një grup janë trashëgimtarë të apostujve, kurse papa mbahet si trashëgimtari i Pjetrit. Pretendohet që papët e Romës vijnë menjëherë pas Pjetrit, zënë vendin e tij dhe kryejnë funksionet e tij, përderisa, sikurse thuhet, Krishti i ka dhënë Pjetrit kryesinë mbi gjithë Kishën. Ky mësim nuk është biblik.
A ishte Pjetri «shkëmbi» mbi të cilin u ngrit kisha?
Mat. 16:18, DSF: «Edhe unë po të them: Ti je Pjetër-Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj!» (Vini re kontekstin [vargjet 13, 20], që biseda përqendrohet në identitetin e Jezuit.)
Sipas kuptueshmërisë së apostujve Pjetër dhe Pavël, cili ishte «shkëmbi» ose «guri i këndit»?
Vep. 4:8-11, DSF: «Atëherë Pjetri, plot me Shpirt Shenjt, u tha: ‘Kryetarë të popullit dhe pleq! . . . ky njeri qëndron para jush shëndosh në saje të Emrit të Jezu Krishtit Nazarenas, që ju e kryqëzuat, por që Hyji e ngjalli prej së vdekuri. Jezusi është guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit.’»
1 Pjet. 2:4-8, DSF: «Afrohuni Atij [Zotërisë Jezu Krisht] . . . që edhe ju, si gurë të gjallë, të ndërtoheni Shtëpi shpirtërore. . . . Këndej thuhet në Shkrim shenjt: ‘Ja, po vë në Sion një gur këndi, të zgjedhur, të çmueshëm: kush beson në Të, jo, nuk do të mbetet i turpëruar!’ Për ju, pra, që besoni – nder; kurse për ata që nuk besojnë – gur që përbuzën ndërtuesit, dhe Ai u bë gur i këndit. E: ‘Gur në të cilin zihet në thua, buzë shkëmbi nga thyhet qafa.’»
Efes. 2:20, DSF: «Të ndërtuar mbi themelin e vërtetë që janë apostujt e profetët, ku guri i këndit që mban gjithçka, është vetë Jezusi Mesi.»
Çfarë besonte Agustini (i cili konsiderohej si shenjt nga Kisha Katolike)?
«Gjatë po kësaj kohe që isha prift, shkrova edhe një libër, ku i kundërvihesha një letre të Donatit . . . Diku në këtë libër thosha për Apostullin Pjetër: ‘Kisha u ngrit mbi të, si mbi një shkëmb.’ . . . Megjithatë, unë e di që, më pas, fjalët e Zotërisë: ‘Ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj Kishën time’, i kam shpjeguar shumë shpesh që kjo duhej kuptuar se kisha është ndërtuar mbi Atë, të cilin Pjetri e rrëfeu: ‘Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë’, se Pjetri, që u quajt kështu nga ky gur, përfaqësonte personin e Kishës, që u ndërtua mbi këtë gur, dhe se mori ‘çelësat e mbretërisë së qiellit’. Në fakt, atij nuk iu tha: ‘Ti je shkëmbi’, por: ‘Ti je Pjetri’. Kurse ‘shkëmbi ishte Krishti’, dhe Simoni u quajt Pjetër meqë e rrëfeu, ashtu siç e rrëfen gjithë Kisha.»—The Fathers of the Church—Saint Augustine, the Retractations (Uashington, D.C.; 1968), përkthyer në anglisht nga Meri I. Bogan, Libri I, f. 90.
A mendonin apostujt e tjerë që Pjetri kryesonte mbi ta?
Luka 22:24-26, DSF: «Atëherë apostujt filluan të grinden ndër vete: cili prej tyre do të ishte më i madhi. Jezusi u tha: ‘Mbretërit e paganëve sundojnë me ta si zotërues; madje ata që sundojnë mbi ta kërkojnë të quhen ‘Bamirës’! Ju s’guxoni të bëni ashtu!’» (Sikur Pjetri të ishte «shkëmbi», a do të kishte ndonjë dyshim se «cili prej tyre do të ishte më i madhi»?)
Meqë Jezu Krishti, kreu i kongregacionit, është gjallë, a ka nevojë për trashëgimtarë?
Hebr. 7:23-25, DSF: «Për më tepër asi priftërinjsh qenë shumë [në Izrael], sepse vdekja nuk i linte të qëndronin për gjithmonë. Kurse Ai [Jezu Krishti], mbasi mbetet për gjithmonë, ka priftërinë që nuk kalon kurrë. Këndej edhe mund t’i shëlbojë plotësisht ata që nëpër Të i afrohen Hyjit – sepse gjithmonë jeton për të ndërmjetësuar për ta.»
Rom. 6:9, DSF: «Mbasi e dimë se Krishti i ngjallur nga të vdekurit, nuk vdes më.»
Efes. 5:23, DSF: «Krishti është kryet e Kishës.»
Çfarë ishin «çelësat» që iu besuan Pjetrit?
Mat. 16:19, DSF: «Ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.»
Te Zbulesa, Jezui foli për një çelës simbolik, të cilin ai e përdori për t’u hapur njerëzve derën e privilegjeve e të mundësive
Zbul. 3:7, 8, DSF: «Kështu thotë Shenjti, i Vërteti. Ai që ka çelësin e Davidit, Ai që çel e askush nuk mëshel, Ai që mëshel dhe askush s’mund të çelë: . . . Ja, e hapa para teje derën që askush s’mund ta mbyllë.»
Pjetri i përdori «çelësat» që iu besuan, për t’u hapur (judenjve, samaritanëve, johebrenjve) derën e mundësisë që të merrnin frymën e Perëndisë, me perspektivën që të hynin në Mbretërinë qiellore
Vep. 2:14-39, DSF: «Atëherë Pjetri bashkë me të Njëmbëdhjetët u çua në këmbë, e ngriti zërin dhe tha: ‘Burra judeas dhe ju të gjithë që banoni në Jerusalem. . . . Këtë Jezus, që ju e kryqëzuat, Hyji e bëri Zotëri e Mesi.’ Kur i dëgjuan këto fjalë, u tronditën në zemër dhe i thanë Pjetrit e apostujve tjerë: ‘Çfarë duhet të bëjmë ne, o vëllezër?’ Pjetri u dha gjegje: ‘Kthehuni dhe secili prej jush le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit që t’ju falen mëkatet e atëherë do ta merrni dhuratë – Shpirtin Shenjt. Sepse ky Premtim u bë për ju, për fëmijët tuaj e për të gjithë ata prej së largu, të gjithë ata që Zotëria, Hyji ynë, do t’i thërrasë.’»
Vep. 8:14-17, DSF: «Kur apostujt dëgjuan në Jerusalem se Samaria e kishte pranuar Fjalën e Hyjit i dërguan atje Pjetrin e Gjonin. Këta zbritën atje, u lutën për ta që ta merrnin Shpirtin Shenjt, sepse ende nuk kishte zbritur mbi asnjërin ndër ta; ata vetëm ishin pagëzuar në Emër të Jezusit Zot. Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata morën Shpirtin Shenjt.» (Vargu 20 tregon se Pjetri mori iniciativën në këtë rast.)
Vep. 10:24-48, DSF: «Ditën e dytë arriti në Cezare. Korneli (një johebre i parrethprerë) i priste. . . . Atëherë Pjetri mori fjalën e tha. . . . Ndërsa Pjetri ende po i thoshte këto fjalë, Shpirti Shenjt zbriti mbi të gjithë ata që po dëgjonin.»
Mos vallë në qiell pritnin derisa Pjetri të merrte vendime, e pastaj ndiqnin drejtimin e tij?
Vep. 2:4, 14, DSF: «Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin. . . . Atëherë (pasi Krishti, kreu i kongregacionit, i kishte nxitur me anë të frymës së shenjtë) Pjetri bashkë me të Njëmbëdhjetët u çua në këmbë, e ngriti zërin dhe tha.» (Shih vargun 33.)
Vep. 10:19, 20, DSF: «Shpirti Shenjt i tha [Pjetrit]: ‘Ja, po të kërkojnë disa [dy] burra. Çohu, pra, e shko me ta [në shtëpinë e Kornelit, johebreut] pa farë dyshimi se unë i kam dërguar.’»
Krahaso Mateun 18:18, 19.
A gjykon Pjetri se kush është i denjë të hyjë në Mbretëri?
2 Tim. 4:1, DSF: «Po të përbej para . . . Krishtit Jezus, i cili do të gjykojë të gjallë e të vdekurit.»
2 Tim. 4:8, DSF: «Qysh tash më pret gati kurora e drejtësisë, që atë Ditë do të ma japë Zoti [Jezu Krishti], Gjykatësi i drejtë; dhe jo vetëm mua, por të gjithë atyre që do ta presin me dashuri Ardhjen e tij.»
A ka qenë Pjetri në Romë?
Roma përmendet nëntë herë në Shkrimet e Shenjta, dhe në asnjë vend nuk thuhet që Pjetri ka qenë atje. Letra e parë e Pjetrit 5:13 thotë se ai ka qenë në Babiloni. Mos ishte ky ndonjë referim i fshehtë për Romën? Prania e Pjetrit në Babiloni lidhet në mënyrë të logjikshme me caktimin e tij, që t’u predikonte judenjve (si tregohet te Galatasve 2:9), përderisa në qytetin e lashtë të Babilonisë dhe në rrethinat e tij kishte një popullsi të madhe judenjsh. Duke folur për prodhimin e Talmudit Babilonas, një enciklopedi përmend «akademitë e mëdha [judaike] në Babiloni» gjatë erës sonë.—Encyclopaedia Judaica, Jerusalem, 1971, vëll. 15, kol. 755.
A është zbuluar ndonjë linjë e pandërprerë e pasardhësve, që nga Pjetri deri te papët e ditëve të sotme?
Jezuiti Xhon Mekenzi, kur ishte ende profesor teologjie në katedralen e Notrë Damit, shkroi: «Nuk ekzistojnë dëshmi historike për gjithë vargun e pasardhësve të autoritetit të kishës.»—The Roman Catholic Church (Nju-Jork, 1969), f. 4.
« . . . Dokumentet e pakta lënë shumë anë të errëta në lidhje me zhvillimet e hershme të ipeshkvisë.»—New Catholic Encyclopedia (1967), vëll. I, f. 696.
Pohimet e atyre që thonë se janë caktuar hyjnisht, nuk vlejnë fare nëse ata nuk janë të bindur ndaj Perëndisë dhe Krishtit
Mat. 7:21-23, DSF: «Jo secili që më thotë: ‘O Zot, o Zot!’ do të hyjë në Mbretërinë e qiellit, por ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell. Shumë do të më thonë atë ditë: ‘O Zot, o Zot, a nuk profetizuam në Emër tënd, a nuk i nxorëm shpirtrat e këqij në Emër tënd, a nuk bëmë shumë mrekulli në Emër tënd?’ Atëherë unë do t’ju them: Kurrë nuk ju kam njohur! Shporruni prej meje, o bakëqij!»
Shih edhe Jereminë 7:9-15.
A u janë përmbajtur ata që thonë se janë pasardhës të apostujve, mësimeve dhe veprave të Jezu Krishtit dhe të apostujve të tij?
Sipas një fjalori katolik, «Kisha Romake është Apostolike, sepse doktrina e saj është besimi që iu zbulua asokohe Apostujve, dhe këtë besim ajo e mbron dhe e shpjegon, pa i shtuar e pa i hequr gjë».—A Catholic Dictionary (Londër), 1957, W. E. Addis dhe T. Arnold, f. 176. Çfarë tregojnë faktet?
Identiteti i Perëndisë
«Triniteti është termi i përdorur për të përcaktuar doktrinën qendrore të fesë së krishterë.»—The Catholic Encyclopedia (1912), vëll. XV, f. 47.
«As fjala Trinitet dhe as ndonjë doktrinë e qartë që lidhet me të, nuk gjenden në Besëlidhjen e Re. . . . Doktrina u zhvillua pak nga pak, përgjatë disa shekujve dhe përmes shumë kundërshtimesh.»—The New Encyclopædia Britannica (1976), Mikropedia, vëll. X, f. 126.
«Interpretues dhe teologë biblikë, duke përfshirë edhe një numër vazhdimisht në rritje të katolikëve romakë, e pranojnë që s’mund të flasësh për një doktrinë trinitare në Besëlidhjen e Re pa rezerva të mëdha. Paralelisht, edhe historianë të dogmës dhe teologë metodikë e pranojnë se, të flasësh pa rezerva për një doktrinë trinitare, do të thotë të jemi spostuar nga periudha e fillimeve të krishterimit, në, le të themi, çerekun e fundit të shekullit të 4-t.»—New Catholic Encyclopedia (1967), vëll. XIV, f. 295.
Beqaria (celibati) e klerit
Në letrën e tij qarkore Sacerdotalis Caelibatus (Beqaria priftërore, 1967), papa Pali VI e miratoi beqarinë si një kërkesë për klerin, por pranoi se «Besëlidhja e Re, e cila ruan mësimin e Krishtit e të Apostujve . . . nuk kërkon në mënyrë të hapur që shërbëtorët e shenjtë të jenë beqarë . . . Vetë Jezui nuk e kishte këtë si një kusht paraprak në zgjedhjen e të Dymbëdhjetëve të Tij, dhe as Apostujt në zgjedhjen e atyre që do të drejtonin komunitetet e para të Krishtere».—The Papal Encyclicals 1958-1981 (Falls Church, Va.; 1981), f. 204.
1 Kor. 9:5, NAB: «A nuk kemi edhe ne të drejtë të martohemi me një grua besimtare, sikurse pjesa tjetër e apostujve dhe e vëllezërve të Zotërisë dhe Kefa?» («Kefa» është një emër aramaik për Pjetrin; shih Gjonin 1:42. Shih edhe Markun 1:29-31, ku flitet për vjehrrën e Simonit ose të Pjetrit.)
1 Tim. 3:2, Dio: «Duhet, pra, që peshkopi të jetë . . . burrë i një gruaje të vetme [«vetëm një herë i martuar», DSF].»
Përpara epokës së krishterimit, në fenë budiste kërkohej që priftërinjtë dhe murgjit të mbeteshin beqarë. (History of Sacerdotal Celibacy in the Christian Church, Londër, 1932, botimi i 4-t, i rishikuar, Henri C. Lea, f. 6) Sipas një libri, në kohë më të hershme, edhe në rangjet më të larta të priftërisë babilonase, beqaria ishte një kërkesë.—The Two Babylons, nga A. Hislop (Nju-Jork, 1943), f. 219.
1 Tim. 4:1-3, DSF: «Shpirti Shenjt shpall botërisht se në kohën e fundit disa njerëz do t’i bien mohit fesë dhe do t’ju besojnë shpirtrave të rrejshëm dhe mësimeve të frymëzuara nga djajtë, . . . të cilët ndalojnë martesën.»
Të ndarë nga bota
Duke iu drejtuar Kombeve të Bashkuara në vitin 1965, papa Pali VI tha: «Popujt e tokës i shohin Kombet e Bashkuara si shpresën e fundit për harmoni dhe paqe; besojmë se po sjellim këtu, bashkë me nderimet tona, edhe homazhet e tyre të nderimit dhe të shpresës.»—The Pope’s Visit (Nju-Jork, 1965), raporti special i Time-Life, f. 26.
Gjoni 15:19, DSF: «[Jezu Krishti tha:] Po të ishit të botës, bota do t’i donte të vetët, e pasi nuk jeni të botës, – pse unë ju zgjodha prej botës – për këtë arsye bota ju urren.»
Jak. 4:4, DSF: «A nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Hyjin?»
Përkrahja e luftërave
Historiani katolik Eduard I. Uatkin shkroi: «Sado që është e dhembshme ta pranojmë, ne s’mund t’i mohojmë ose t’i shpërfillim, në emër të një shembulli të mirë fals apo të një besnikërie të padrejtë, faktet historike që tregojnë se peshkopët i kanë përkrahur vazhdimisht të gjitha luftërat e nisura nga qeveritë e vendeve të tyre. Faktikisht, unë nuk di, qoftë edhe një rast të vetëm, kur hierarkia e ndonjë kombi të ketë dënuar si të padrejtë ndonjë luftë . . . Cilado të ketë qenë teoria zyrtare, motoja që kanë ndjekur në praktikë peshkopët katolikë në kohë lufte, ka qenë ‘vendi im ka gjithnjë të drejtë’.»—Morals and Missiles (Londër, 1959), botuar nga Çarls S. Tompson, f. 57, 58.
Mat. 26:52, DSF: «Atëherë Jezusi i tha: ‘Ktheje shpatën tënde në vend të vet! Sepse të gjitha ata që kapën për shpate, prej shpatës edhe do të vdesin.’»
1 Gjon. 3:10-12, DSF: «Prej kësaj dallohen bijtë e Hyjit prej bijve të djallit: kush . . . nuk e do vëllanë, nuk është prej Hyjit. Sepse kjo është shpallja që e dëgjuat qysh në fillim: që ta duam njëri-tjetrin! Jo, si Kaini që ishte prej Djallit dhe e vrau të vëllanë.»
Me sa shqyrtuam më sipër, a mund të themi se ata që thonë se janë pasardhës të apostujve, kanë mësuar dhe kanë zbatuar vërtet ato që mësoi e bëri Krishti dhe apostujt e tij?