A e ke provuar bukën e jetës?
TURISTËT i mori uria. Vizita në vendet historike të qytetit të vjetër të Betlehemit ua kishte hapur oreksin dhe donin të provonin një ushqim tipik të vendit. Njëri prej tyre pikasi një restorant që ofronte falafel—që përbëhet nga qiqra të grira e plot shije, domate, qepë dhe perime të tjera që serviren me pite. Ky ushqim i lehtë e i shijshëm ua përtëriu energjitë për të vazhduar vizitën.
Vizitorët nuk e dinin, por ngrënia e asaj piteje të thjeshtë mund të ketë qenë përvoja më historike e asaj dite. Emri Betlehem do të thotë «shtëpi e bukës», dhe njerëzit në këtë zonë kanë pjekur bukë për mijëra vjet. (Rutha 1:22; 2:14) Sot pitja është një nga bukët tipike të Betlehemit.
Afro katër mijë vjet më parë, jo shumë larg në jug të Betlehemit, gruaja e Abrahamit, Sara, poqi disa «kuleç» dhe ua dha tre vizitorëve të papritur. (Zanafilla 18:6) «Mielli» që përdori Sara mund të ketë qenë miell nga një lloj gruri (Triticum dicoccum) ose nga elbi. Sara duhej ta përgatiste shpejt këtë bukë dhe mund ta ketë pjekur mbi gurë të nxehtë.—1 Mbretërve 19:6.
Siç kuptohet nga ky tregim, familja e Abrahamit e bënte dhe e piqte vetë bukën. Ngaqë bënin jetë nomade, ka të ngjarë që Sara dhe shërbëtorët e saj të mos e piqnin bukën në ndonjë lloj furre që ishte e zakonshme në Ur, në vendlindjen e saj. Për të pasur miell, ajo bloi grurë të asaj zone. Kjo duhet të ketë qenë një punë e lodhshme që e bënte me një mokër të vogël dhe ndoshta me një havan.
Katër shekuj më vonë, Ligji i Moisiut e përcaktonte se mokra nuk mund të merrej si garanci për një hua, pasi kjo ishte sikur ‘t’i merrje [bukën e gojës]’. (Ligji i përtërirë 24:6) Perëndia e konsideronte jetësore mokrën, pasi një familje nuk mund ta siguronte bukën e përditshme pa të.—Shih kutinë «Bluarja dhe pjekja e përditshme në kohët biblike».
BUKA QË MBAN NË JETË ZEMRËN E NJERIUT
Shkrimet e përmendin bukën qindra herë, dhe shkrimtarët e Biblës e përdornin shpesh si sinonim për ushqimin. Jezui tregoi se ata që i shërbejnë Perëndisë, mund të luten me besim: «Na e jep bukën për këtë ditë.» (Mateu 6:11) ‘Buka’ në këtë varg përfaqëson ushqimin në përgjithësi, dhe këtu Jezui po tregon se mund të mbështetemi te Perëndia për të plotësuar nevojat e përditshme.—Psalmi 37:25.
Gjithsesi, ka diçka më të rëndësishme se buka ose ushqimi. «Njeriu s’jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait»,—tha Jezui. (Mateu 4:4) Këto fjalë i referohen një kohe kur jeta e izraelitëve varej krejtësisht nga gjërat që u siguronte Perëndia. Ajo filloi pak pasi dolën nga Egjipti. Kishin pak a shumë një muaj që kishin hyrë në shkretëtirën e Sinait, dhe rezervat ushqimore po u mbaronin. Të alarmuar ngaqë menduan se mund të vdisnin në atë shkretëtirë, ata u ankuan: «Hanim bukë sa ngopeshim» në Egjipt.—Dalja 16:1-3.
Buka në Egjipt ishte pa dyshim e shijshme. Në kohën e Moisiut, ata që kishin zanatin e bukëpjekësit bënin lloj-lloj buke dhe keku për egjiptianët. Por Jehovai nuk kishte ndër mend ta linte popullin e tij pa asnjë lloj buke. «Unë do të bëj që të bjerë bukë nga qielli për ju»,—u premtoi ai. Pikërisht siç kishte thënë, kjo bukë nga qielli u shfaq herët në mëngjes «si petëza të holla» që dukej si vesë ose brymë. «Ç’është kjo?»—pyetën izraelitët kur e panë për herë të parë. «Është buka që Jehovai ju ka dhënë si ushqim»,—u shpjegoi Moisiu. E quajtën manë,a dhe kjo bukë i mbajti gjallë për 40 vitet e ardhshme.—Dalja 16:4, 13-15, 31.
Mana që u sigurua me anë të një mrekullie, në fillim duhet t’u ketë bërë shumë përshtypje izraelitëve. Shija e saj ishte si e «kuleçve të hollë me mjaltë» dhe kishte me bollëk për të gjithë. (Dalja 16:18) Por, me kalimin e kohës, filloi t’i merrte malli për larminë e ushqimeve që kishin pasur në Egjipt. «Sytë s’na shohin gjë tjetër veç manës»,—u ankuan ata. (Numrat 11:6) Më vonë thanë duke turfulluar: «Na u neverit ajo bukë e shpifur.» (Numrat 21:5) Në fund fare, kjo «bukë nga qielli» nuk u shijonte aspak dhe iu bë e neveritshme.—Psalmi 105:40.
BUKA E JETËS
Qartë, buka, ashtu si shumë gjëra të tjera, mund të merret kollaj si diçka e zakonshme. Por, Bibla flet për një lloj buke shumë të veçantë që nuk duhet përçmuar. Kjo bukë, të cilën Jezui e krahasoi me manën që izraelitët e hodhën poshtë tërë përçmim, mund të çojë në bekime të përjetshme.
«Unë jam buka e jetës,—u tha Jezui atyre që po dëgjonin.—Paraardhësit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë, e prapëseprapë vdiqën. Kjo është buka që zbret nga qielli, që kushdo të hajë nga ajo dhe të mos vdesë. Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli. Nëse dikush ha nga kjo bukë, do të jetojë përgjithmonë. Buka që do të jap, është mishi im për jetën e botës.»—Gjoni 6:48-51.
Shumë dëgjues të Jezuit nuk e kuptuan përdorimin e figurshëm të fjalëve ‘bukë’ dhe ‘mish’. Megjithatë, ky ilustrim ishte më se i përshtatshëm. Buka e mirëfilltë i mbante në jetë ditë pas dite judenjtë, ashtu si mana i mbajti në jetë izraelitët për 40 vjet në shkretëtirë. Megjithëse mana ishte dhuratë nga Perëndia, ajo nuk jepte jetë të përhershme. Nga ana tjetër, flijimi i Jezuit ia ofron jetën e përhershme kujtdo që tregon besim tek ai. Ai është vërtet «buka e jetës».
Kur ke uri, mbase merr bukë për të ngrënë dhe e falënderon Perëndinë për ‘bukën e përditshme’. (Mateu 6:11, Diodati i Ri) Ndonëse e çmojmë ushqimin e shijshëm, të mos e harrojmë kurrë vlerën e ‘bukës së jetës’, Jezu Krishtin.
Si mund të tregojmë se nuk e marrim si diçka të zakonshme këtë bukë tepër të çmuar, ndryshe nga izraelitët mosmirënjohës në ditët e Moisiut? «Nëse më doni, do t’i zbatoni urdhërimet e mia»,—tha Jezui. (Gjoni 14:15) Nëse zbatojmë urdhërimet e tij, do të kemi mundësi të hamë bukë sa të na kënaqet shpirti për gjithë përjetësinë.—Ligji i përtërirë 12:7.
a Ka mundësi që emri «manë» të vijë nga shprehja në hebraisht «man hu?» që do të thotë «ç’është kjo?»