Mund të mbetemi të pastër moralisht
«Pastroni duart tuaja, . . . dhe dëlirni zemrat tuaja.»—JAK. 4:8.
1. Ç’pikëpamje ka bota për pastërtinë morale?
PASTËRTIA morale nuk është më në modë sot. Në mjaft vende homoseksualizmi dhe seksi jashtë martese shihen si normale. Këto nxiten edhe në reklama e në botën e artit. (Psal. 12:8) Imoraliteti është përhapur kaq shumë sa ndoshta pyet: «A është vërtet e mundur të jem i pastër moralisht?» E themi me plot gojën: po. Me ndihmën e Jehovait, adhuruesit e vërtetë mund të mbeten të pastër moralisht.—Lexo 1 Selanikasve 4:3-5.
2, 3. (a) Pse është jetësore t’i luftojmë dëshirat e papastra? (b) Çfarë do të shohim në këtë artikull?
2 Së pari duhet të pranojmë se për të bërë një jetë të pastër moralisht, duhet të hedhim poshtë dëshirat imorale. Ashtu si një karrem tërheq peshkun, edhe mendimet imorale dhe dëshirat e fëlliqura, kur nuk i flakim tej menjëherë, mund të nxjerrin kokë e të na joshin. Ato mund t’i duken tërheqëse mishit tonë të papërsosur e mund të na çojnë drejt veprimeve imorale. Me kalimin e kohës, mëkati mund të na magjepsë aq shumë sa dëshira e papastër bëhet pjellore. Në këtë moment, edhe një shërbëtor i Jehovait mund të arrijë deri aty sa të kënaqë dëshirën e vet sapo t’i jepet rasti. Po, ‘dëshira lind mëkatin’.—Lexo Jakovin 1:14, 15.
3 Kur kuptojmë se një mëkat i rëndë mund të zërë fill nga një dëshirë e çastit, kjo na bën të mendojmë seriozisht. Por, marrim zemër ngaqë e dimë se po të mos i lëmë dëshirat e papastra të zënë rrënjë, nuk ka pse të përfshihemi në sjellje imorale e të vuajmë pasojat e saj të hidhura. (Gal. 5:16) Le të shohim tri gjëra që do të na ndihmojnë në luftën kundër dëshirave të papastra: marrëdhënia me Jehovain, këshillat e Fjalës së tij dhe mbështetja e bashkadhuruesve të pjekur.
‘T’I AFROHEMI PERËNDISË’
4. Pse është e rëndësishme t’i afrohemi Jehovait?
4 Bibla i udhëzon ata që duan ‘t’i afrohen Perëndisë’: «Pastroni duart, . . . dhe dëlirni zemrat.» (Jak. 4:8) Kur e ruajmë miqësinë me Jehovain si diçka të vyer, përpiqemi fort ta kënaqim në çdo aspekt të jetës, madje edhe me mendimet tona. Duam ta kemi «zemrën të pastër» duke e mbajtur mendjen tek ajo që është e dëlirë, e virtytshme dhe e denjë për t’u lëvduar. (Psal. 24:3, 4; 51:6; Filip. 4:8) Qartë, Jehovai e merr parasysh natyrën tonë mëkatare. Ai e di se priremi të dëshirojmë gjëra të papërshtatshme. Por e kuptojmë mirë se ai trishtohet kur ushqejmë mendime të gabuara, në vend që të bëjmë çmos për t’i hedhur tej. (Zan. 6:5, 6) Nëse mendojmë thellë për këtë, do të bëhemi edhe më të vendosur t’i mbajmë të pastra mendimet.
5, 6. Si na ndihmon lutja të luftojmë dëshirat imorale?
5 Një mënyrë e rëndësishme si e tregojmë se mbështetemi plotësisht te Jehovai, është duke u lutur vazhdimisht për të luftuar mendimet e papastra. Kur i afrohemi Jehovait me anë të lutjes, edhe ai na afrohet. Na jep bujarisht frymën e shenjtë, e kështu jemi më të vendosur t’u rezistojmë mendimeve imorale e të qëndrojmë të pastër moralisht. Prandaj, le t’ia shprehim Perëndisë dëshirën e zjarrtë për ta kënaqur me meditimin e zemrës sonë. (Psal. 19:14) A i kërkojmë përulësisht të na shqyrtojë nëse kemi ndonjë ‘udhë që do të na sillte dhembje’, pra ndonjë dëshirë a prirje të papërshtatshme që mund të na çonte në mëkat? (Psal. 139:23, 24) A i kërkojmë vazhdimisht të na ndihmojë të mbajmë integritetin para tundimeve?—Mat. 6:13.
6 Për shkak të mënyrës si jemi rritur ose sjelljes në të kaluarën, ndoshta priremi të pëlqejmë gjëra që Jehovai i dënon. Edhe në këto raste, ai na ndihmon të bëjmë ndryshimet e nevojshme, që të vazhdojmë t’i shërbejmë denjësisht. Mbreti David e kuptoi mirë këtë. Pasi kreu kurorëshkelje me Betshebën, ai iu përgjërua Jehovait: «Krijo tek unë një zemër të kulluar, . . . dhe vër brenda meje një frymë të re, të palëkundur!» (Psal. 51:10, 12) Ndoshta sjellja mëkatare e josh mishin tonë të papërsosur, por Jehovai mund të ngjallë te ne një frymë të gatshme, pra dëshirën që t’i bindemi. Edhe sikur dëshirat e gabuara të jenë rrënjosur thellë e të priren t’i mbytin mendimet tona të pastra, Jehovai na i drejton hapat në atë mënyrë që t’u bindemi urdhërimeve të tij e të jetojmë sipas tyre. Ai mund të ndalojë çdo gjë të dëmshme që të mos sundojë mbi ne.—Psal. 119:133.
‘TË BËHEMI ZBATUES TË FJALËS’
7. Si mund të na mbrojë Fjala e Perëndisë nga mendimet e papastra?
7 Një mënyrë si u përgjigjet Jehovai lutjeve është me anë të Fjalës së tij, Biblës. Mençuria e Fjalës së Perëndisë «është para së gjithash e dëlirë». (Jak. 3:17) Leximi i përditshëm i Biblës dhe meditimi rreth saj mund të na ruajnë që të mos mendojmë gjëra imorale. (Psal. 19:7, 11; 119:9, 11) Përveç kësaj, Bibla ka shembuj dhe këshilla specifike që na ndihmojnë të mos biem viktimë e dëshirave të papastra.
8, 9. (a) Si u ngatërrua një i ri me një grua imorale? (b) Për cilat rrethana të sotme mund ta zbatojmë shembullin paralajmërues te kapitulli 7 i Proverbave?
8 Te Proverbat 5:8, lexojmë: «Mbaje larg [gruas imorale] udhën tënde dhe mos iu afro hyrjes së shtëpisë së saj.» Rreziku i shpërfilljes së kësaj këshille ilustrohet te kapitulli 7 i Proverbave, ku tregohet për një të ri që del shëtitje afër shtëpisë së një gruaje imorale. Bie nata. Në qoshe të rrugës i afrohet ajo grua, e cila mbase ka veshur rroba të tejdukshme. Ajo e kap dhe e puth. I foluri joshës ndez tek ai një dëshirë së cilës duket se nuk i reziston dot. Ata kryejnë imoralitet seksual. Siç duket, ky i ri s’kishte si qëllim të arrinte deri në këtë pikë. Atij i mungon përvoja dhe gjykimi i mirë. Sidoqoftë i duhet të jetojë me pasojat katastrofike të veprimeve të veta. Ah sikur të kishte qëndruar larg asaj gruaje!—Prov. 7:6-27.
9 Ashtu si ai, mos ndoshta ndonjëherë edhe ne tregojmë mungesë gjykimi të mirë, dhe si pasojë e gjejmë veten në situata të rrezikshme që na ngjallin dëshira të gabuara? Për shembull, natën kanalet televizive transmetojnë më shumë programe me përmbajtje imorale. Po sikur në këtë orar të jemi para televizorit duke ndërruar kanalet herë pas here? Ose ndoshta pa dashje hyjmë në adresa Interneti a në chat rooms dhe në site që të ftojnë të shohësh pornografi ose që ofrojnë shërbime me natyrë seksuale. Në raste të tilla, a mund të na dalë para diçka që do të na ngjallte dëshira të papërshtatshme e do të na gërryente forcën për të luftuar papastërtinë morale?
10. Pse është i rrezikshëm flirtimi? (Shih figurën hapëse.)
10 Një mënyrë tjetër si na ndihmon Bibla është duke na këshilluar si të sillemi me dikë të seksit tjetër. (Lexo 1 Timoteut 5:2.) Kjo këshillë nuk lë vend për flirtimin. Për disa s’ka asgjë të keqe qëndrimi i trupit, gjestet dhe vështrimet me ngjyrime romantike përderisa nuk përfshihet asnjë kontakt fizik. Por nëse flirtojmë vetë ose na bëhet qejfi kur të tjerët flirtojnë me ne, kjo mund të ngjallë mendime të papastra që ndoshta çojnë në imoralitet seksual. Kjo ka ndodhur dhe mund të ndodhë prapë.
11. Çfarë shembulli të mirë la Jozefi?
11 Jozefi u soll me mençuri në këtë drejtim. Kur gruaja e zotërisë së tij, Potifarit, u përpoq ta joshte, ai e refuzoi. Por ajo nuk u dorëzua. Ditë pas dite e ftonte të rrinin bashkë. (Zan. 39:7, 8, 10) Sipas një studiuesi biblik, ishte sikur gruaja e Potifarit të thoshte: «‘Le të rrimë pak vetëm’, me shpresë se [Jozefi] do ta bënte hapin i pari.» E megjithatë Jozefi ishte i vendosur të mos jepte as përshtypjen se i pëlqenin, a madje se i toleronte përpjekjet e saj joshëse. Ai i shpërfilli flirtimet e saj dhe as vetë nuk flirtoi me të. Kështu në zemër s’i zuri rrënjë asnjë dëshirë e gabuar. Kur ajo u përpoq ta detyronte të kryente marrëdhënie me të, Jozefi veproi pa ngurruar. «Ai i la në dorë rrobën dhe ia mbathi jashtë.»—Zan. 39:12.
12. Nga e dimë se ajo që shohim ndikon në zemër?
12 Gjithashtu, Bibla na paralajmëron edhe për rrezikun që vjen kur i lëmë sytë ta çojnë zemrën tonë në udhë të gabuar. Sytë që enden andej-këtej me epsh mund t’i zgjojnë ose t’i bëjnë më të forta dëshirat e gabuara seksuale. Jezui tha se «kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e vet». (Mat. 5:28) Sill ndër mend ç’ndodhi në rastin e mbretit David. «Nga tarraca vuri re një grua shumë të bukur që po lahej.» (2 Sam. 11:2) Ai s’e hoqi vështrimin e nuk u përpoq të mendonte diçka tjetër. Si pasojë, dëshiroi gruan e dikujt tjetër dhe krijoi rrethanat për të kryer kurorëshkelje me të.
13. Pse duhet ‘të bëjmë një besëlidhje me sytë’, dhe çfarë përfshin kjo?
13 Që t’i mposhtim fantazitë imorale, duhet ‘të bëjmë një besëlidhje me sytë’, ashtu si Jobi besnik. (Jobi 31:1, 7, 9) Duhet të vendosim prerazi që të ushtrojmë vetëkontroll e të mos shohim ngultas gjithë epsh dikë tjetër. Kjo do të thotë ta heqim menjëherë shikimin nga pamje provokuese seksuale, qofshin në kompjuter, në tabelat e reklamave, në kopertinat e revistave a gjetkë.
14. Si nxjerrim dobi nga këshilla për të mbetur të pastër moralisht?
14 Nëse ndonjë nga gjërat që kemi parë më lart ka nxjerrë në pah ndonjë aspekt ku duhet të përmirësosh luftën kundër dëshirave të gabuara, vepro menjëherë. Ji gati t’i zbatosh këshillat e Fjalës së Perëndisë, të cilat mund të të ndihmojnë të mos mëkatosh e kështu të mbetesh i pastër moralisht.—Lexo Jakovin 1:21-25.
‘TË THËRRASIM PRANË VETES PLEQTË’
15. Pse është e rëndësishme të kërkojmë ndihmë nëse po luftojmë me dëshira të papastra?
15 Bashkëbesimtarët janë një burim tjetër ndihme nëse po luftojmë me dëshira të gabuara seksuale. S’do mend që nuk është kollaj të flasim me të tjerët për probleme kaq personale. Por, nëse me guxim lejojmë që një bashkëbesimtar i pjekur të na shqyrtojë me dashuri, kjo na ndihmon të mos i justifikojmë dëshirat e gabuara. (Prov. 18:1; Hebr. 3:12, 13) Po të flasim për dobësinë tonë me një motër a vëlla të pjekur e të kualifikuar frymësisht, mund të pikasim ato dobësi që vetë s’i dallojmë. Falë kësaj mund të bëjmë ndryshimet e nevojshme për të mos e humbur dashurinë e Jehovait.
16, 17. (a) Si mund t’i ndihmojnë pleqtë ata që po luftojnë me dëshira të papastra? Ilustrojeni. (b) Pse ata që shohin pornografi bëjnë mirë të kërkojnë ndihmë pa ngurruar?
16 Pleqtë në kongregacion janë veçanërisht të kualifikuar të na ndihmojnë. (Lexo Jakovin 5:13-15.) Një i ri në Brazil luftoi për shumë vjet me dëshirat e gabuara. Ai tregon: «E dija për bukuri se mendimet e mia s’i pëlqenin Jehovait, por më vinte shumë turp t’u thosha të tjerëve si ndihesha.» Shyqyr që një plak i vëmendshëm në kongregacion mori iniciativën dhe e nxiti të kërkonte ndihmë. Ky i ri shprehet: «U habita sa mirë u sollën pleqtë me mua. Ishin shumë më dashamirës e më të dhembshur se ç’mendoja se meritoja. Më dëgjuan me kujdes për problemet që kisha. Përdorën Biblën që të më siguronin se Jehovai më donte dhe u lutën me mua. Kjo ma bëri më të lehtë të pranoja këshillat biblike.» Vite më vonë, pasi ka bërë goxha përparim frymor, ai thotë: «Tani e kuptoj sa e rëndësishme është të kërkojmë ndihmë dhe jo të përpiqemi t’i mbajmë vetë barrët tona.»
17 Është jetësore të kërkojmë ndihmë nëse burimi i ndonjë dëshire imorale është zakoni i papastër i shikimit të pornografisë. Sa më shumë të vonohemi për të kërkuar ndihmë, aq më i madh është rreziku që dëshirat e papastra ‘të bëhen pjellore e të lindin mëkatin’, që do t’i lëndonte të tjerët e do ta njolloste emrin e Jehovait. Dëshira për t’i pëlqyer Jehovait dhe për të qëndruar brenda kongregacionit i ka shtyrë mjaft shërbëtorë të tij ta pranojnë ndihmën e dashur.—Jak. 1:15; Psal. 141:5; Hebr. 12:5, 6.
TË JEMI TË VENDOSUR TË MBETEMI TË PASTËR MORALISHT
18. Për çfarë duhet të jemi të vendosur?
18 Sa krenar që duhet të ndihet Jehovai kur sheh se shërbëtorët e kushtuar bëjnë çmos t’i mbajnë të pastra mendimet e të përvetësojnë normat e tij të larta morale, ndërsa bota e Satanait vazhdon të zhytet në imoralitet! Prandaj, secili prej nesh le të jetë i vendosur të qëndrojë afër Jehovait e të pranojë drejtimin që jep nëpërmjet Fjalës së tij dhe kongregacionit. Nëse mbetemi të pastër moralisht, do të provojmë kënaqësi e paqe mendore që tani. (Psal. 119:5, 6) Dhe në të ardhmen, pasi Satanai të jetë shfarosur, do të gëzojmë privilegjin të jetojmë përgjithmonë në një botë të pastruar nga ndikimi i tij degjenerues.