A interesohet vërtet Perëndia për gratë?
«Mëkati filloi me një grua dhe falë saj të gjithë duhet të vdesim.»—EKLISIASTIKU, SHEKULLI I DYTË P.E.S.
«Ti je porta e djallit: ti e zhvulose atë pemë të ndaluar: ti je tradhtarja e parë e ligjit hyjnor . . . Ti e shkatërrove kaq kollaj shëmbëlltyrën e Perëndisë, njeriun.»—TERTULIANI, MBI VESHJEN E GRAVE, SHEKULLI I DYTË I E.S.
KËTO vargje të lashta nuk janë nga Bibla. Për shekuj me radhë janë përdorur për të justifikuar diskriminimin ndaj grave. Edhe sot, disa ekstremistë citojnë shkrime fetare që të justifikojnë keqtrajtimin që u bëjnë grave, me pretendimin se ato e kanë fajin për të këqijat e njerëzimit. A kishte si qëllim Perëndia që burrat t’i përbuznin gratë e të abuzonin me to? Çfarë thotë Bibla? Le ta shohim.
A i ka mallkuar Perëndia gratë?
Jo. Përkundrazi, «i mallkuar» nga Perëndia është «gjarpri i hershëm, që quhet Djall». (Zbulesa 12:9; Zanafilla 3:14) Kur Perëndia tha se Adami ‘do të sundonte’ mbi gruan e tij, nuk kishte ndër mend që gruaja të vihej nën zgjedhën shtypëse të burrit. (Zanafilla 3:16) Ai thjesht po parathoshte pasojat e trishtueshme të mëkatit te çifti i parë njerëzor.
Kështu, abuzimi ndaj grave është pasojë e drejtpërdrejtë e natyrës mëkatare të njeriut, jo e vullnetit të Perëndisë. Bibla nuk e mbështet idenë se gratë duhet të jenë nën zgjedhën shtypëse të burrave për të shlyer mëkatin e parë.—Romakëve 5:12.
A e krijoi Perëndia gruan më të ulët se burrin?
Jo. Zanafilla 1:27 thotë: «Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, po, e krijoi sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Ai i krijoi ata mashkull dhe femër.» Pra, që në fillim fare, njerëzit—mashkull e femër—u krijuan me aftësinë që të pasqyronin cilësitë e Perëndisë. Ndonëse Adami dhe Eva ndryshonin nga ana fizike dhe emocionale, të dy morën të njëjtat udhëzime dhe gëzonin të njëjtat të drejta para Krijuesit.—Zanafilla 1:28-31.
Para se të krijonte Evën, Perëndia tha: «Do t’i bëj një ndihmës [Adamit], si një plotësim për të.» (Zanafilla 2:18) A nënkupton fjala «plotësim» se gruaja ishte më e ulët se burri? Jo, sepse kjo fjalë hebraike ka edhe kuptimin «ndihmë që përkon me» burrin. Mendo për rolet plotësuese të një kirurgu dhe të një anestezisti gjatë operacionit. A bëjnë dot pa njëri-tjetrin? Vështirë. Meqë operacionin e bën kirurgu, a do të thotë kjo se është më i rëndësishëm? Zor se është kështu. Po njësoj, Perëndia e krijoi burrin e gruan që të bashkëpunojnë ngushtësisht, jo që të konkurrojnë njëri-tjetrin.—Zanafilla 2:24.
Nga duket se Perëndia interesohet për gratë?
Perëndia parashikoi ç’do të bënin burrat mëkatarë e të papërsosur, prandaj që në fillim shprehu dëshirën për të mbrojtur gratë. Kur flet për Ligjin e Moisiut, të themeluar në shekullin e 16-të p.e.s., autorja Lori Anardi vëren në librin e saj: «Kur flet për gruan, besëlidhja e Ligjit e mbron atë në pjesën më të madhe.»—La Bible au féminin.
Për shembull, Ligji urdhëronte që të nderohej e të respektohej si babai, edhe nëna. (Dalja 20:12; 21:15, 17) Gjithashtu, kërkonte që grave shtatzëna t’u tregohej konsiderata e duhur. (Dalja 21:22) Edhe sot, mbrojtja që sigurojnë këto ligje të Perëndisë bie në kontrast të thellë me mungesën e të drejtave ligjore që përjetojnë disa gra në mjaft vende të botës. Por ka më tepër se kaq.
Një ligj që pasqyron pikëpamjen e Perëndisë për gratë
Falë Ligjit që Perëndia Jehova i dha kombit të Izraelit, populli—burra e gra—nxirrte dobi të panumërta fizike, morale e frymore. Për sa kohë dëgjonte e bindej, kombi ‘lartësohej mbi të gjitha kombet e tjera të tokës’. (Ligji i përtërirë 28:1, 2) Ç’vend zinin gratë në Ligj? Shqyrto aspektet e mëposhtme.
1. Gëzonin liri. Ndryshe nga gratë e shumë kombeve të tjera në lashtësi, gratë izraelite gëzonin mjaft liri. Megjithëse burrit i ishte dhënë roli i kreut të familjes, gruaja mund ‘t’ia vinte syrin një are dhe ta merrte’, si edhe ‘të mbillte një vresht’, me besimin e plotë të të shoqit. Po të ishte e zonja në tjerrje dhe endje, mund të drejtonte edhe tregtinë e vet. (Proverbat 31:11, 16-19) Gratë nën Ligjin e Moisiut shiheshin si individë me të drejtat e tyre, jo thjesht si vartëse të burrave.
Gjithashtu, në Izraelin e lashtë gratë mund të lidhnin miqësi me Perëndinë. Bibla flet për Hanën, e cila iu lut Perëndisë për një çështje personale dhe i bëri një zotim. (1 Samuelit 1:11, 24-28) Një grua nga qyteti i Shunemit konsultohej me profetin Elise në sabat. (2 Mbretërve 4:22-25) Gra të tjera, si Debora e Hulda, Perëndia i përdori si përfaqësuese të tij. Është interesante se burra e priftërinj të shquar kërkonin me gatishmëri këshilla prej tyre.—Gjykatësit 4:4-8; 2 Mbretërve 22:14-16, 20.
2. Arsimoheshin. Si pjesë e besëlidhjes së Ligjit, gratë ftoheshin të dëgjonin leximin e Ligjit, i cili u jepte mundësi të mësonin. (Ligji i përtërirë 31:12; Nehemia 8:2, 8) Gjithashtu mund të stërviteshin për të marrë pjesë në disa aspekte të adhurimit publik. Për shembull, ndoshta disa gra «shërbenin në mënyrë të organizuar» në tabernakull, ndërsa të tjera këndonin në një kor me burra e gra.—Dalja 38:8; 1 Kronikave 25:5, 6.
Mjaft gra kishin njohuritë e aftësitë e duhura për të drejtuar një biznes fitimprurës. (Proverbat 31:24) Ndryshe nga kultura e kombeve të tjera të asaj kohe—ku djemtë i mësonte vetëm babai—nëna izraelite duhej të merrte pjesë në arsimimin e djemve derisa të rriteshin. (Proverbat 31:1) Duket qartë se gratë në Izraelin e lashtë nuk ishin aspak të paarsimuara.
3. Nderoheshin e respektoheshin. Dhjetë Urdhërimet thoshin qartë: «Ndero atin dhe nënën tënde.» (Dalja 20:12) Në proverbat e mbretit të mençur Solomon, lexojmë: «Dëgjoje, o biri im, disiplinën e atit tënd dhe mos e braktis ligjin e nënës sate.»—Proverbat 1:8.
Ligji përfshinte masa të hollësishme për sjelljen mes meshkujve dhe femrave, duke treguar respekt për femrat. (Levitiku 18:6, 9; Ligji i përtërirë 22:25, 26) Një bashkëshort i mirë duhej të merrte parasysh kufizimet fizike e biologjike të gruas.—Levitiku 18:19.
4. Të drejtat për t’u mbrojtur. Në Fjalën e tij, Jehovai e përshkruan veten si «atë i jetimëve dhe gjykatës i vejushave». Me fjalë të tjera, ishte Mbrojtësi i atyre që s’kishin baba a bashkëshort që t’ua mbronte të drejtat. (Psalmi 68:5; Ligji i përtërirë 10:17, 18) Ja pse, kur një huadhënës e trajtoi padrejtësisht vejushën e një profeti, Jehovai ndërhyri me anë të një mrekullie që ajo të mbijetonte e të ruante dinjitetin.—2 Mbretërve 4:1-7.
Para se izraelitët të hynin në Tokën e Premtuar, kryefamiljari Zelofehad vdiq pa lënë djem. Prandaj, të pesë bijat e tij i kërkuan Moisiut «një zotërim» në Tokën e Premtuar. Përgjigjja e Jehovait e tejkaloi jashtë mase kërkesën e tyre. Ai i tha Moisiut: «Duhet t’u japësh patjetër një trashëgimi mes xhaxhallarëve të tyre. Trashëgiminë e të atit kalojua atyre.» Që nga ajo kohë, gratë në Izrael mund të merrnin një trashëgimi nga i ati dhe t’ua kalonin pasardhësve.—Numrat 27:1-8.
Keqparaqitet pikëpamja e Perëndisë për gratë
Nën Ligjin e Moisiut gratë gëzonin një pozitë të nderuar dhe të drejtat e tyre respektoheshin. Sidoqoftë, që nga shekulli i 4-t p.e.s., judaizmi nisi të ndikohej nga kultura greke që i konsideronte gratë më të ulëta.—Shih kutinë «Diskriminimi ndaj grave në shkrime të lashta».
Për shembull, poeti grek, Hesiodi (shekulli i tetë p.e.s.), fajësonte gratë për gjithë të këqijat e njerëzimit. Në veprën e tij Teogonia, ai foli për «racën dhe fisin vdekjeprurës të grave që jetojnë mes burrave të vdekshëm, për të zezën e tyre». Kjo ide u përhap në judaizëm në fillim të shekullit të dytë p.e.s. Talmudi, i përpiluar që nga shekulli i dytë i e.s. e më tej, i paralajmëronte burrat: «Mos bisedoni shumë me gratë, pasi kështu do të bini patjetër në imoralitet.»
Gjatë shekujve, ky mosbesim ka ndikuar thellë në rolin e grave në shoqërinë judaike. Në kohën e Jezuit, grave tashmë u ishte kufizuar hyrja në zonën e tempullit. Mund të hynin vetëm në Oborrin e grave. Arsimimi fetar ishte vetëm për burrat, kurse në sinagoga gratë dhe burrat ka mundësi të kenë ndenjur veç e veç. Talmudi citon një rabin që thotë: «Kushdo që i mëson së bijës Torën [Ligjin], po i mëson ndyrësi.» Duke keqparaqitur pikëpamjen e Perëndisë, udhëheqësit fetarë judenj ngulitën te shumë burra përbuzjen për gratë.
Kur ishte në tokë, Jezuit i ranë në sy paragjykime të tilla, të rrënjosura thellë te traditat. (Mateu 15:6, 9; 26:7-11) A ndikuan këto mësime në mënyrën si u soll me gratë? Ç’mësojmë nga sjellja e qëndrimi i tij? A u ka sjellë lehtësim grave krishterimi i vërtetë? Këto pyetje do të marrin përgjigje në artikullin tjetër.