Tani është më urgjente të jemi vigjilentë
«Prandaj, qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini në ç’ditë vjen Zotëria juaj.»—MATEU 24:42.
1, 2. Çfarë tregon se po jetojmë në përfundim të sistemit të tanishëm?
«MË SHUMË nga çdo gjë tjetër, shekulli i njëzetë u ndikua nga lufta»,—thotë autori Bill Emot. Ndonëse e pranon se në të gjitha periudhat e historisë së njeriut është ndier pesha e luftërave dhe e dhunës, ai shton: «Ajo që e dallonte shekullin e njëzetë nga shekujt e tjerë ishte shkalla e lartë e luftërave dhe e dhunës. Ishte shekulli i parë në histori që u karakterizua nga një konflikt me të vërtetë në shkallë botërore . . . Dhe si për ta theksuar edhe më shumë këtë gjë, nuk pati vetëm një, por dy luftëra botërore.»
2 Jezu Krishti e kishte parathënë se do të ngrihej «komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie». Por kjo është vetëm njëra veçori e ‘shenjës së pranisë së Krishtit dhe e përfundimit të sistemit’. Në këtë profeci madhështore Jezui përmend edhe mungesa ushqimi, murtaja dhe tërmete. (Mateu 24:3, 7, 8; Luka 21:6, 7, 10, 11) Sot këto gjëma janë përhapur shumë e janë bërë më të rënda. Ligësia e njeriut është me bollëk, siç shihet në qëndrimin e tij ndaj Perëndisë dhe të tjerëve. Rrënimi moral dhe shtimi i krimeve e i dhunës duken qartë. Njerëzit duan më shumë paratë se Perëndinë, dhe janë të fiksuar pas kënaqësive. E gjithë kjo dëshmon se po jetojmë në «kohë kritike».—2 Timoteut 3:1-5.
3. Si duhet të ndikojnë te ne «shenjat e kohëve»?
3 Si e sheh ti keqësimin e marrëdhënieve njerëzore? Shumë veta janë moskokëçarës, e madje të pandjeshëm ndaj gjërave të trishtueshme që ndodhin sot. Njerëzit me pushtet dhe intelektualët e botës nuk e dallojnë domethënien e ‘shenjave të kohëve’. Po kështu udhëheqësit fetarë nuk u kanë dhënë njerëzve drejtimin e duhur në këtë çështje. (Mateu 16:1-3) Megjithatë Jezui i këshilloi ithtarët e tij: «Qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini në ç’ditë vjen Zotëria juaj.» (Mateu 24:42) Këtu Jezui nuk na thotë që të jemi vigjilentë ndonjëherë, por na nxit të vazhdojmë ‘të qëndrojmë vigjilentë’. Për të qëndruar vigjilentë duhet të vazhdojmë të jemi syçelë dhe të vëmendshëm. Kjo kërkon më shumë sesa vetëm të pranojmë se po jetojmë në ditët e fundit dhe se kohët janë të vështira. Duhet të kemi bindjen e patundur se «fundi i të gjitha gjërave është afruar». (1 Pjetrit 4:7) Vetëm atëherë do të jemi vigjilentë duke pasur ndjenjën e urgjencës. Kështu pyetja për të cilën duhet të mendojmë është: ‘Çfarë do të na ndihmojë për ta forcuar bindjen se fundi është afër?’
4, 5. (a) Çfarë do të na e forcojë bindjen se fundi i këtij sistemi të lig është afër? Pse? (b) Cila është njëra ngjashmëri mes kohës së Noesë dhe pranisë së Birit të njeriut?
4 Të shqyrtojmë kushtet që ekzistonin përpara se të ndodhte një ngjarje unike në historinë e njerëzimit: Përmbytja e madhe në ditët e Noesë. Njerëzit ishin kaq të këqinj saqë Jehovai «u brengos . . . në zemër». Ai shpalli: «Unë do të shfaros nga faqja e dheut njeriun që kam krijuar.» (Zanafilla 6:6, 7) E pikërisht këtë bëri. Duke treguar se si ngjante ajo kohë me kohën e sotme, Jezui tha: «Ashtu siç ishin ditët e Noesë, ashtu do të jetë edhe prania e Birit të njeriut.»—Mateu 24:37.
5 Është e arsyeshme të mendojmë se Jehovai ndien për botën e sotme të njëjtën gjë që ndiente për botën para Përmbytjes. Meqenëse i dha fund botës së paperëndishme të kohës së Noesë, ai do ta shkatërrojë patjetër edhe botën e sotme të ligë. Po t’i kuptojmë qartë ngjashmëritë që ekzistojnë mes asaj kohe dhe kohës së sotme, do ta forcojmë bindjen se fundi i botës së sotme është afër. Atëherë, cilat janë ngjashmëritë? Janë të paktën pesë. E para është se jepet qartë paralajmërimi për një shkatërrim të ardhshëm.
I paralajmëruar për «gjëra që ende nuk shiheshin»
6. Çfarë vendosi të bënte Jehovai në kohën e Noesë?
6 Në ditët e Noesë Jehovai shpalli: «Fryma ime nuk do të hahet gjithnjë me njeriun, sepse në shthurjen e tij ai nuk është veçse mish; ditët e tij do të jenë, pra, njëqind e njëzet vjet.» (Zanafilla 6:3) Çasti kur Perëndia e tha këtë shpallje, në vitin 2490 p.e.s., shënoi fillimin e përfundimit të asaj bote të paperëndishme. Mendo pak se ç’do të thoshte kjo për njerëzit e asaj kohe! Edhe 120 vjet dhe Jehovai do të sillte ‘përmbytjen e ujërave mbi tokë, për të shkatërruar nën qiell çdo mish që kishte shenjë jete’.—Zanafilla 6:17.
7. (a) Si veproi Noeja kur mori paralajmërimin për Përmbytjen? (b) Si duhet të reagojmë ndaj paralajmërimeve për fundin e këtij sistemi?
7 Noeja e mori dhjetëvjeçarë që më përpara paralajmërimin për katastrofën që do të vinte. Ai e përdori me mençuri kohën që të përgatitej për të mbijetuar. Apostulli Pavël thotë: «Pasi u paralajmërua hyjnisht për gjëra që ende nuk shiheshin, [Noeja] tregoi frikë Perëndie dhe ndërtoi një arkë për shpëtimin e shtëpisë së tij.» (Hebrenjve 11:7) Ç’të themi për ne sot? Kanë kaluar rreth 90 vjet që kur filluan ditët e fundit të këtij sistemi në vitin 1914. Jemi patjetër në «kohën e fundit». (Danieli 12:4, BR) Si duhet të reagojmë ndaj paralajmërimeve që na janë dhënë? «Ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë»,—thotë Bibla. (1 Gjonit 2:17) Prandaj tani është koha për të bërë vullnetin e Jehovait me një ndjenjë të madhe urgjence.
8, 9. Çfarë paralajmërimesh janë dhënë në ditët e sotme? Si po shpallen ato?
8 Në kohën e sotme studentë të sinqertë të Biblës kanë mësuar nga Shkrimet e frymëzuara se ky sistem është dënuar me shkatërrim. A e besojmë këtë? Vër re se çfarë tha qartë Jezu Krishti: «Do të jetë shtrëngim i madh, i atillë që nuk ka ndodhur që nga fillimi i botës e deri tani, jo, as nuk do të ndodhë përsëri.» (Mateu 24:21) Gjithashtu Jezui tha se do të vinte si Gjykatësi i emëruar nga Perëndia dhe do t’i ndante njerëzit ashtu siç i ndan bariu delet nga cjeptë. Ata që do të ishin të padenjë ‘do të shkonin në këputjen e përhershme, por të drejtët në jetën e përhershme’.—Mateu 25:31-33, 46.
9 Jehovai e ka drejtuar vëmendjen e popullit të tij te këto paralajmërime me anë të përkujtuesve në kohën e duhur. Këta përkujtues jepen nëpërmjet ushqimit frymor që siguron «skllavi i besueshëm dhe i matur». (Mateu 24:45-47) Për më tepër, çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli po i bëhet thirrja që të ‘kenë frikë Perëndinë dhe t’i japin lavdi, sepse ka mbërritur ora e gjykimit prej tij’. (Zbulesa 14:6, 7) Pjesë përbërëse e mesazhit të Mbretërisë që predikohet anembanë tokës nga Dëshmitarët e Jehovait është paralajmërimi se Mbretëria e Perëndisë do të shkatërrojë së shpejti qeveritë njerëzore. (Danieli 2:44) Ky paralajmërim nuk duhet nënvlerësuar. Perëndia i Plotfuqishëm e mban gjithnjë fjalën. (Isaia 55:10, 11) Kështu bëri në kohën e Noesë dhe po kështu do të bëjë në ditët e sotme.—2 Pjetrit 3:3-7.
Degjenerimi seksual përhapet në mënyrë të shfrenuar
10. Çfarë mund të thuhet për degjenerimin seksual në ditët e Noesë?
10 Koha jonë ngjan me ditët e Noesë edhe në një drejtim tjetër. Jehovai e kishte urdhëruar burrin dhe gruan e parë që ‘të mbushnin tokën’ me njerëz, duke i përdorur me nderim brenda martesës aftësitë seksuale që u kishte dhënë Ai. (Zanafilla 1:28) Në ditët e Noesë engjëjt e pabindur e ndotën njerëzimin me marrëdhënie seksuale të panatyrshme. Ata zbritën në tokë, morën trupa fizikë dhe bashkëjetuan me gra të bukura. Si pasojë lindën pasardhës që ishin gjysmë njerëz dhe gjysmë demonë, pra gjigantët. (Zanafilla 6:2, 4) Mëkati i këtyre engjëjve plot epsh krahasohet me sjelljen e shthurur të Sodomës dhe të Gomorrës. (Juda 6, 7) Për rrjedhojë degjenerimi seksual ishte shumë i përhapur në atë kohë.
11. Cila gjendje morale e bën kohën tonë të ngjashme me ditët e Noesë?
11 Si është gjendja morale sot? Në këto ditë të fundit jeta e shumë njerëzve vërtitet rreth seksit. Pavli i përshkruan hapur këta si njerëz ‘që nuk kanë më asnjë ndjesi morale’. Shumë veta janë dhënë pas «sjelljes së shthurur për të bërë me lakmi ndyrësi të çdo lloji». (Efesianëve 4:19) Pornografia, marrëdhëniet seksuale paramartesore, abuzimi seksual me fëmijët dhe homoseksualizmi janë gjëra të zakonshme. Disa tashmë ‘po e marrin në vetvete shpagimin e plotë’ në formën e sëmundjeve të transmetuara seksualisht, të prishjes së jetës familjare dhe të problemeve të tjera shoqërore.—Romakëve 1:26, 27.
12. Pse duhet të kultivojmë urrejtje për të keqen?
12 Në ditët e Noesë Jehovai shkaktoi Përmbytjen e madhe dhe i dha fund asaj bote të çmendur pas seksit. Nuk duhet të harrojmë kurrë se ditët e sotme janë pikërisht si ditët e Noesë. ‘Shtrëngimi i madh’ që po vjen do të pastrojë tokën nga ‘kurvarët, idhujtarët, kurorëshkelësit, burrat që mbahen për qëllime të panatyrshme seksuale dhe nga burrat që shkojnë me burra’. (Mateu 24:21; 1 Korintasve 6:9, 10; Zbulesa 21:8) Sa urgjente është që të kultivojmë urrejtje për të keqen dhe të qëndrojmë larg rrethanave që mund të na çojnë në imoralitet!—Psalmi 97:10; 1 Korintasve 6:18.
Toka mbushet «plot e përplot me dhunë»
13. Pse në ditët e Noesë toka ishte «plot e përplot me dhunë»?
13 Duke treguar një veçori tjetër të ditëve të Noesë, Bibla thotë: «Toka ishte e korruptuar para Perëndisë dhe plot e përplot me dhunë.» (Zanafilla 6:11) Në të vërtetë, dhuna nuk ishte diçka e re. Biri i Adamit, Kaini, vrau vëllanë e tij të drejtë. (Zanafilla 4:8) Duke pasqyruar frymën e dhunshme të kohës së tij, Lameku thuri një poemë ku mburrej se si kishte vrarë një të ri, gjoja për t’u vetëmbrojtur. (Zanafilla 4:23, 24) Ajo që ishte e ndryshme në kohën e Noesë ishte shkalla e dhunës. Kur bijtë engjëllorë të pabindur të Perëndisë u martuan me gratë në tokë dhe lindën pasardhës, pra gjigantët, dhuna u shtua si kurrë më parë. Në Përkthimin Bota e Re tregohet se fjala origjinale hebraike për këta gjigantë të dhunshëm ka kuptimin «rrëzuesit», pra ‘ata që rrëzojnë të tjerët’. Si pasojë toka ishte «plot me dhunë». (Zanafilla 6:13) Përfytyro se çfarë problemesh duhet të ketë përballuar Noeja duke u kujdesur për familjen në një mjedis të tillë! Megjithatë Noeja u tregua ‘i drejtë para Zotit në atë brez’.—Zanafilla 7:1.
14. Si është mbushur bota sot «plot e përplot me dhunë»?
14 Dhuna ka ekzistuar gjatë gjithë epokave të historisë njerëzore. Por ashtu siç ishte e vërtetë në ditët e Noesë, edhe në kohën tonë është vërejtur një dhunë me përmasa të papara ndonjëherë. Dëgjojmë vazhdimisht për dhunën në familje, për aktet e terrorizmit, për fushatat e gjenocidit dhe për vrasjet e shumta nga vrasës që nuk kanë ndonjë motiv të qartë. Përveç gjithë kësaj janë edhe gjakderdhjet e shkaktuara nga luftërat. Po, toka është mbushur përsëri plot e përplot me dhunë. Përse? Çfarë e ka shkaktuar këtë shtim të dhunës? Përgjigjja zbulon një ngjashmëri tjetër me ditët e Noesë.
15. (a) Cili ka qenë një nga shkaqet e shtimit të dhunës në ditët e fundit? (b) Për cilin përfundim jemi të sigurt?
15 Kur Mbretëria mesianike e Perëndisë u vendos në qiell, në vitin 1914, Mbreti i vendosur në fron, Jezu Krishti, ndërmori veprime me rëndësi historike. Satana Djalli dhe demonët e tij u hodhën nga qielli në afërsi të tokës. (Zbulesa 12:9-12) Përpara Përmbytjes engjëjt e pabindur e braktisën me dashje pozitën e tyre qiellore, por në kohët e sotme ata u dëbuan me forcë. Për më tepë, tani nuk janë më në gjendje që të marrin trupa fizikë në tokë për të plotësuar dëshirat e paligjshme mishore. Prandaj nga inati, zemërimi dhe frika e gjykimit që u kanoset, ata i shtyjnë njerëzit dhe organizatat njerëzore që të kryejnë vepra çnjerëzore kriminale e të dhunshme, edhe më të mëdha se në ditët e Noesë. Jehovai e zhduku botën e para Përmbytjes, pasi engjëjt e pabindur dhe pasardhësit e tyre e kishin mbushur me ligësi. Të jesh i sigurt se ai do të bëjë të njëjtën gjë edhe sot! (Psalmi 37:10) Megjithatë ata që qëndrojnë vigjilentë sot e dinë se çlirimi i tyre është afër.
Predikohet mesazhi
16, 17. Cila është ngjashmëria e katërt mes ditëve të Noesë dhe ditëve tona?
16 Ngjashmëria e katërt mes ditëve të sotme dhe botës para Përmbytjes shihet në veprën që iu ngarkua Noesë. Noeja ndërtoi një arkë të stërmadhe, por ishte edhe «një predikues». (2 Pjetrit 2:5) Çfarë mesazhi predikoi ai? Predikimi i Noesë me sa duket përfshinte thirrjen për t’u penduar dhe paralajmërimin për shkatërrimin që do të vinte. Jezui tha se njerëzit në ditët e Noesë «nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu tej të gjithë».—Mateu 24:38, 39.
17 Në mënyrë të ngjashme, ndërsa Dëshmitarët e Jehovait e përmbushin me zell detyrën për të predikuar, mesazhi i Mbretërisë së Perëndisë po shpallet në mbarë botën. Pothuajse në çdo vend të globit, njerëzit mund ta dëgjojnë dhe ta lexojnë mesazhin e Mbretërisë në gjuhën e tyre. Revista Kulla e Rojës, e cila lajmëron Mbretërinë e Jehovait, ka një tirazh prej më tepër se 25.000.000 kopjesh dhe botohet në më shumë se 140 gjuhë. Vërtet, lajmi i mirë i Mbretërisë së Perëndisë po predikohet «në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet». Kur kjo vepër të përfundojë në atë masë që t’i pëlqejë Perëndisë, fundi do të vijë patjetër.—Mateu 24:14.
18. Si ngjan reagimi i shumë njerëzve ndaj veprës sonë të predikimit me reagimin e shumicës së njerëzve në ditët e Noesë?
18 Meqë në ditët para Përmbytjes njerëzit nuk kishin fare interes për gjërat frymore dhe ishin të pamoralshëm, e kuptojmë fare lehtë përse familja e Noesë u bë gazi i botës për fqinjët mosbesues dhe objekt sharjesh e talljesh. Prapëseprapë fundi erdhi. Po kështu, në këto ditë të fundit ‘tallësit me talljet e tyre’ janë me bollëk. «E megjithatë, dita e Jehovait do të vijë si një hajdut»,—thotë Bibla. (2 Pjetrit 3:3, 4, 10) Ajo do të vijë patjetër në kohën e caktuar. Nuk do të vonojë. (Habakuku 2:3) Sa të mençur jemi që qëndrojmë vigjilentë!
Vetëm pak veta mbijetojnë
19, 20. Çfarë ngjashmërie mund të shohim mes Përmbytjes dhe shkatërrimit të sistemit të tanishëm?
19 Ngjashmëritë mes ditëve të Noesë dhe ditëve tona nuk kufizohen vetëm te ligësia e njerëzve dhe te shkatërrimi i tyre. Ashtu siç kishte të mbijetuar nga Përmbytja, po kështu do të ketë njerëz që do të mbijetojnë nga fundi i sistemit të sotëm. Të mbijetuarit nga Përmbytja ishin njerëzit zemërbutë, që nuk jetuan si njerëzit e tjerë në përgjithësi. Ata i vunë veshin paralajmërimit hyjnor dhe qëndruan të ndarë nga bota e ligë e asaj kohe. Bibla thotë: «Noeu [Noeja, BR] gjeti hir në sytë e Zotit. . . . [Noeja] ishte një njeri . . . i patëmetë midis bashkëkohësve të tij.» (Zanafilla 6:8, 9) Nga i gjithë njerëzimi, vetëm një familje, «pak njerëz, domethënë, tetë shpirtra, shpëtuan nëpërmjet ujit». (1 Pjetrit 3:20) E atyre Perëndia Jehova u dha një urdhër duke u thënë: «Qofshi frytdhënës, shumëzohuni dhe mbusheni tokën.»—Zanafilla 9:1.
20 Fjala e Perëndisë na siguron se ‘një shumicë e madhe do të vijë nga shtrëngimi i madh’. (Zbulesa 7:9, 14) Sa veta do të jenë në shumicën e madhe? Vetë Jezui tha: «E ngushtë është porta dhe e ngushtë rruga që të çon në jetë, dhe pak janë ata që e gjejnë.» (Mateu 7:13, 14) Në krahasim me miliarda njerëz që jetojnë në tokë sot, të mbijetuarit nga shtrëngimi i madh që po vjen do të jenë pak. Por ata mund të kenë një privilegj të ngjashëm me atë që iu dha të mbijetuarve nga Përmbytja. Për njëfarë kohe të mbijetuarit do të mund të lindin pasardhës si pjesë të shoqërisë së re në tokë.—Isaia 65:23.
«Qëndroni vigjilentë»
21, 22. (a) Si ke nxjerrë dobi nga shqyrtimi i tregimit për Përmbytjen? (b) Cili është shkrimi i vitit për 2004-n? Pse duhet t’i vëmë veshin këshillës që jepet aty?
21 Ndonëse Përmbytja duket një kohë shumë e largët, patjetër ajo përbën një paralajmërim që nuk duhet ta shpërfillim. (Romakëve 15:4) Ngjashmëritë mes ditëve të Noesë dhe ditëve tona duhet të na bëjnë gjithnjë e më të vetëdijshëm për domethënien e gjërave që po ndodhin. Gjithashtu duhet të na mbajnë syçelë ndaj ardhjes së papritur të Jezuit për të ekzekutuar gjykimin e të ligjve.
22 Sot Jezu Krishti po drejton një vepër të jashtëzakonshme frymore ndërtimi. Për sigurinë dhe mbijetesën e adhuruesve të vërtetë ekziston një parajsë frymore ngjashëm arkës së Noesë. (2 Korintasve 12:3, 4) Për të mbijetuar nga shtrëngimi i madh, duhet të qëndrojmë në këtë parajsë. Jashtë parajsës frymore ndodhet bota e Satanait, gati për të përpirë ndonjë që është përgjumur frymësisht. Është e domosdoshme që ‘të qëndrojmë vigjilentë’ dhe të tregohemi gati për ditën e Jehovait.—Mateu 24:42, 44.
A ju kujtohet?
• Cilin paralajmërim dha Jezui për ardhjen e tij?
• Me çfarë e krahason Jezui kohën e pranisë së tij?
• Në cilat aspekte kohët tona janë të ngjashme me ditët e Noesë?
• Si duhet të ndikojë në ndjenjën tonë të urgjencës meditimi për ngjashmëritë e ditëve të Noesë me ditët tona?
[Diçitura në faqen 18]
Shkrimi i vitit për 2004-n do të jetë: «Qëndroni vigjilentë . . . Tregohuni gati.»—Mateu 24:42, 44.
[Figura në faqen 15]
Noeja ia vuri veshin paralajmërimit hyjnor. A veprojmë edhe ne kështu?
[Figurat në faqet 16, 17]
«Ashtu siç ishin ditët e Noesë, ashtu do të jetë edhe prania e Birit të njeriut»