‘Ju duhet të jeni të shenjtë sepse unë jam i shenjtë’
«Ju duhet ta tregoni veten të shenjtë, sepse unë Jehovai, Perëndia juaj, jam i shenjtë.»—LEVITIKU 19:2, BR.
1. Cilët janë disa njerëz që konsiderohen nga bota si të shenjtë?
SHUMICA e feve të mëdha të botës kanë nga ata, të cilët i konsiderojnë si të shenjtë. Nënë Tereza, me famë në Indi, është konsideruar shpesh si e shenjtë, meqë u është dedikuar të varfërve. Papa është quajtur «Ati i Shenjtë». Themeluesi i lëvizjes moderne katolike Opus Dei, José María Escrivá, mbahet nga disa katolikë si një «model i shenjtërisë». Hinduizmi ka suamitët e vet apo njerëzit e shenjtë. Gandi nderohet si një njeri i shenjtë. Budizmi ka murgjërit e vet të shenjtë, ndërsa islamizmi ka profetin e vet të shenjtë. Por, çfarë do të thotë saktësisht të jesh i shenjtë?
2, 3. (a) Cila është domethënia e fjalëve «i shenjtë» dhe «shenjtëri»? (b) Cilat janë disa pyetje që kërkojnë përgjigje?
2 Fjala «i shenjtë» është përcaktuar si «1. . . . i shoqëruar me fuqi hyjnore; e shenjtë; 2. Që ka të bëjë me apo që meriton adhurim ose nderim të thellë . . . 3. Që jeton sipas një sistemi fetar apo frymor strikt ose shumë të lartë moral . . . 4. I specifikuar apo i ndarë mënjanë për një qëllim fetar». Në kontekstin biblik, të qenët i shenjtë do të thotë «pastërti ose dëlirësi fetare; shenjtëri». Sipas veprës biblike Insight on the Scriptures, «[fjala] origjinale hebraike qoʹdhesh sugjeron idenë e ndarjes, ekskluzivitetit apo shenjtërimit ndaj Perëndisë, . . . gjendja e ndarjes mënjanë për shërbimin e Perëndisë».a
3 Kombi i Izraelit kishte urdhrin që të ishte i shenjtë. Ligji i Perëndisë thoshte: «Unë jam Jehovai, Perëndia juaj; dhe ju duhet të shenjtëroheni dhe ta tregoni veten të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë.» Kush ishte Burimi i shenjtërisë? Si mund të bëheshin të shenjtë izraelitët e papërsosur? Çfarë mësimesh mund të nxjerrim ne sot, nga thirrja e Jehovait për shenjtëri?—Levitiku 11:44.
Si lidhej Izraeli me burimin e shenjtërisë?
4. Si u shëmbëllye shenjtëria e Jehovait në Izrael?
4 Çdo gjë që lidhej me adhurimin që Izraeli i bënte Perëndisë Jehova duhej konsideruar e shenjtë dhe duhej trajtuar si e tillë. Përse? Sepse vetë Jehovai është origjina dhe burimi i shenjtërisë. Tregimi i Moisiut për përgatitjen e tabernakullit të shenjtë dhe për veshjet e zbukurimet, përfundon me fjalët: «Më në fund ata bënë pllakën e shkëlqyeshme, shenjën e shenjtë të dedikimit, prej ari safi dhe gdhendën mbi të një mbishkrim me skalitjet e një vule: ‘Shenjtëria i përket Jehovait.’» Kjo pllakë e shkëlqyeshme prej ari safi u vendos në çallmën e kryepriftit dhe nënkuptonte se ai ishte ndarë mënjanë për një shërbim të veçantë shenjtërie. Sa herë që shihnin me sytë e tyre këtë shenjë të gdhendur tek shkëlqente në dritën e diellit, izraelitët sillnin rregullisht ndër mend shenjtërinë e Jehovait.—Dalja 28:36; 29:6; 39:30, BR.
5. Si mund të konsideroheshin të shenjtë izraelitët e papërsosur?
5 Por, si mund të bëheshin izraelitët të shenjtë? Vetëm nëpërmjet marrëdhënies së tyre të ngushtë me Jehovain dhe adhurimit të tyre të pastër ndaj tij. Ata kishin nevojë ta njihnin saktësisht «Më të Shenjtin», që të mund ta adhuronin atë në shenjtëri, në pastërti fizike dhe frymore. (Proverbat 2:1-6; 9:10, BR) Në këtë mënyrë, izraelitët duhej të adhuronin Perëndinë me një motiv dhe me një zemër të pastër. Çdo formë hipokrite adhurimi do të ishte e pështirë në sy të Jehovait.—Proverbat 21:27.
Përse i dënoi Jehovai izraelitët?
6. Si e trajtuan tryezën e Jehovait hebrenjtë e ditëve të Malakisë?
6 Kjo u ilustrua qartësisht, kur izraelitët sollën me gjysmë zemër sakrifica të dobëta dhe me të meta. Me anë të profetit të tij, Malakisë, Jehovai i dënoi flijimet e tyre të dobëta: «“Unë nuk kam asnjë kënaqësi me ju,—thotë Zoti i ushtrive,—dhe as që pëlqej çfarëdo oferte nga duart tuaja. . . . Por ju e përdhosni kur thoni: ‘Tryeza e Zotit është e ndotur dhe fryti i saj, domethënë ushqimi i saj, është i përbuzshëm.’ Ju thoni, gjithashtu: ‘Ah, sa u lodhëm!’ dhe e trajtoni me përçmim,—thotë Zoti i ushtrive.—Kështu, ju sillni kafshë të vjedhura, të çala ose të sëmura; kjo është oferta që sillni. A do të mund ta pranoja nga duart tuaja?”—thotë Zoti.»—Malakia 1:10, 12, 13.
7. Cilat veprime jo të shenjta ndërmerrnin hebrenjtë në shekullin e pestë p.e.s.?
7 Malakia u përdor nga Perëndia për të dënuar praktikat e rreme të hebrenjve, ndoshta gjatë shekullit të pestë p.e.s. Priftërinjtë po jepnin një shembull të keq dhe sjellja e tyre s’ishte aspak e shenjtë. Duke shkuar pas kësaj kryesie, njerëzit nuk u përmbaheshin parimeve hyjnore, duke shkuar deri aty, sa divorcoheshin me gratë e tyre, mbase duke kërkuar kështu mundësinë për t’u martuar me gra pagane më të reja. Malakia shkroi: «Zoti është dëshmitar midis teje dhe bashkëshortes së rinisë sate, ndaj së cilës je sjellë me pabesib, ndonëse ajo është shoqja jote dhe bashkëshorte e besëlidhjes sate. . . . Tregoni, pra, kujdes për frymën tuaj dhe askush të mos sillet me pabesi me bashkëshorten e rinisë së vet. Sepse Zoti, Perëndia i Izraelit, thotë se ai e urren divorcin.»—Malakia 2:14-16.
8. Si janë ndikuar disa në kongregacionin e krishterë, nga pikëpamja moderne e divorcit?
8 Në kohët moderne, në shumë vende ku divorci mund të merret lehtësisht, sasia e divorceve është rritur shumë. Edhe kongregacioni i krishterë është prekur. Në vend se të kërkojnë ndihmën e pleqve për të kapërcyer pengesat e të përpiqen për suksesin e martesave të tyre, disa janë divorcuar shumë shpejt me bashkëshortin. Shpesh, fëmijët kanë paguar një çmim të lartë emocional.—Mateu 19:8, 9.
9, 10. Si duhet të meditojmë mbi adhurimin tonë ndaj Jehovait?
9 Siç kemi parë edhe më lart, për shkak të gjendjes së mjerë frymore në ditët e Malakisë, Jehovai e dënoi hapur adhurimin e sipërfaqshëm të Judës dhe tregoi se kishte për të pranuar vetëm një adhurim të pastër. A s’duhet të na bëjë kjo të meditojmë mbi cilësinë e adhurimit tonë ndaj Perëndisë Jehova, Zotërisë Sovran të universit, Burimit të shenjtërisë së vërtetë? A po i ofrojmë me të vërtetë Perëndisë shërbim të shenjtë? A po e mbajmë veten në një gjendje të pastër frymore?
10 Kjo s’do të thotë se na kërkohet të jemi të përsosur, gjë që është e pamundur dhe as që duhet të krahasohemi me të tjerët. Por do të thotë se çdo i krishterë duhet t’i japë Perëndisë adhurimin më të mirë brenda rrathanave individuale të tij apo të saj. Kjo ka të bëjë me cilësinë e adhurimit tonë. Shërbimi ynë i shenjtë duhet të jetë më e mira jonë, shërbim i shenjtë. Si mund të bëhet kjo?—Luka 16:10; Galatasve 6:3, 4.
Zemra të pastra sjellin adhurim të pastër
11, 12. Ku zënë fill sjelljet jo të shenjta?
11 Jezui mësoi qartësisht se ajo që ndodhet në zemrën e një personi do të bëhet e dukshme nga fjalët dhe nga veprimet e tij. Jezui u tha farisenjve që vetëquheshin të drejtë, po që s’ishin të shenjtë: «O pjellë nepërkash! Si mund të flisni mirë, kur jeni të këqij? Sepse ç’ka zemra [nga bollëku i zemrës, BR] nxjerr goja.» Më vonë, ai tregoi se veprimet e liga çelin nga mendimet e liga në zemër apo nga personi i brendshëm. Ai tha: «Gjërat që dalin nga goja, dalin nga zemra; dhe ato ndotin njeriun. Sepse nga zemra dalin mendimet e mbrapshta, vrasjet, shkeljet e kurorës; kurvëria, vjedhjet, dëshmitë e rreme, blasfemitë. Këto janë gjërat që e ndotin njeriun.»—Mateu 12:34; 15:18-20.
12 Kjo na ndihmon të kuptojmë se veprimet jo të shenjta nuk janë thjesht diçka spontane apo pa ndonjë bazë të mëparshme. Ato janë rezultat i mendimeve të ndotura, që janë ushqyer në zemrën tonë, dëshira sekrete apo ndoshta edhe fantazi. Ja, përse Jezui mundi të thoshte: «Ju keni dëgjuar se të lashtëve u qe thënë: ‘Mos shkel kurorën.’ Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet.» Me fjalë të tjera, kurvëria dhe tradhtia bashkëshortore tashmë kanë hedhur rrënjë në zemër, përpara se të ndodhë ndonjë veprim. Më pas, me krijimin e rrethanave të duhura, mendimet jo të shenjta bëhen veprime jo të shenjta. Kurvëria, tradhtia bashkëshortore, sodomia, vjedhja, blasfemitë dhe apostazia, bëhen disa nga rezultatet e dukshme.—Mateu 5:27, 28; Galatasve 5:19-21.
13. Cilët janë disa shembuj, që tregojnë se si mendimet jo të shenjta mund të çojnë në veprime jo të shenjta?
13 Kjo mund të ilustrohet në mënyra të ndryshme. Në disa vende, kazinotë po dalin si kërpudhat pas shiut, duke shtuar kështu mundësitë për bixhozin. Dikush mund të tundohet për t’iu kthyer kësaj pseudozgjidhjeje, në përpjekje për të zgjidhur problemet e tij financiare. Arsyetimet e gënjeshtërta mund ta shtyjnë një vëlla që të mos pranojë apo të hollojë parimet e tij biblike.c Në ndonjë rast tjetër, zotërimi me lehtësi i pornografisë, me anë të televizorit, videove, kompjuterëve apo librave, mund ta çojë një të krishterë në sjellje jo të shenjtë. Atij s’i ngelet tjetër veçse të braktisë armaturën e tij frymore dhe përpara se ta kuptojë, do të ketë rënë në imoralitet. Por, në shumicën e rasteve rënia në mëkat nis në mendje. Po, në situata si këto, përmbushen fjalët e Jakovit: «Secili tundohet i udhëhequr dhe i mashtruar nga lakmia e vet. Pastaj lakmia, pasi mbarset, pjell mëkatin.»—Jakovit 1:14, 15; Efesianëve 6:11-18.
14. Si e kanë marrë veten shumë persona nga sjellja e tyre jo e shenjtë?
14 Lumturisht, shumë të krishterë që mëkatojnë nga dobësia, tregojnë pendim të vërtetë dhe pleqtë janë në gjendje t’i ngrenë ata frymësisht. Edhe shumë nga ata që janë përjashtuar pasi nuk janë penduar, më në fund vijnë në vete dhe rivendosen në kongregacion. Ata kuptojnë se me sa lehtësi i mposht Satanai, kur lejojnë që mendimet jo të shenjta të zënë rrënjë në zemër.—Galatasve 6:1; 2. Timoteut 2:24-26; 1. Pjetrit 5:8, 9.
Sfida: të përballojmë dobësinë tonë
15. (a) Përse duhet ta përballojmë dobësinë tonë? (b) Çfarë mund të na ndihmojë për të pranuar dobësitë tona?
15 Ne duhet të përpiqemi për të njohur objektivisht zemrën tonë. A jemi të gatshëm të përballojmë dobësitë tona, t’i pranojmë ato e pastaj të punojmë për t’i mposhtur? A jemi të gatshëm të pyesim një mik të ndershëm se si mund të përmirësohemi e më pas t’i vëmë veshin asaj këshille? Për të mbetur të shenjtë duhet të kapërcejmë mangësitë tona. Përse? Sepse Satanai i njeh dobësitë tona. Ai do të përdorë makinacionet e tij dredharake, për të na provokuar drejt mëkatit dhe sjelljes jo të shenjtë. Me anë të veprimeve të tij tinëzare, ai mundohet të na ndajë nga dashuria e Perëndisë, në mënyrë që të mos jemi më të shenjtëruar e të dobishëm për adhurimin e Jehovait.—Jeremia 17:9; Efesianëve 6:11; Jakovit 1:19.
16. Çfarë konflikti kishte Pavli?
16 Edhe apostulli Pavël kishte sprovat dhe problemet e veta, siç dëshmoi vetë në letrën drejtuar romakëve: «Unë e di se në mua, domethënë në mishin tim, nuk banon asgjë e mirë, sepse ndonëse e kam dëshirën për të bërë të mirën, nuk ia gjej mënyrën. Në fakt, të mirën që unë e dua nuk e bëj; por të keqen që s’dua, atë bëj. . . . Në fakt, unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm, por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën skllav të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia.»—Romakëve 7:18-23.
17. Si doli fitimtar Pavli në luftën e tij kundër dobësisë?
17 Tani, pika kryesore në rastin e Pavlit është se ai i pranon dobësitë e veta. Megjithatë, ai mundi të thoshte: «Unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut [frymor] të brendshëm.» Pavli e donte të mirën dhe urrente të keqen. Por, ende kishte një luftë për të bërë, të njëjtën luftë që kemi të gjithë ne: kundër Satanait, botës dhe mishit. Pra, si mund ta fitojmë betejën për të mbetur të shenjtë, të ndarë nga kjo botë dhe mendimet e saj?—2. Korintasve 4:4; Efesianëve 6:12.
Si mund të mbetemi të shenjtë?
18. Si mund të mbetemi të shenjtë?
18 Shenjtëria nuk arrihet, duke ndjekur rrugën më të lehtë të veprimit apo duke dashur të kënaqim veten. Ky lloj njeriu do të gjejë gjithmonë justifikime për sjelljen e tij dhe do të përpiqet ta hedhë fajin diku gjetkë. Ndoshta, kemi nevojë të mësojmë që të marrim përgjegjësinë për veprimet tona e të mos bëhemi si disa që pohojnë se fati ka luajtur kartat kundër tyre, si rrjedhojë e prejardhjes familjare apo gjenetike. Rrënjët e çështjes shtrihen në zemrën e individit. A e do drejtësinë ai apo ajo? Dëshiron shenjtëri? Dëshiron bekimet e Perëndisë? Psalmisti e bëri të qartë nevojën për shenjtëri, kur tha: «Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, kërko paqen dhe siguroje.» Apostulli Pavël shkroi: «Dashuria le të mos jetë me hipokrizi; urreni të keqen dhe ngjituni pas së mirës.»—Psalmi 34:14; 97:10; Romakëve 12:9.
19, 20. (a) Si mund ta ndërtojmë mendjen tonë? (b) Çfarë përfshin një studim personal i efektshëm?
19 Ne mund ‘të ngjitemi pas së mirës’, nëse i shohim gjërat nga pikëpamja e Jehovait dhe nëse kemi mendjen e Krishtit. (1. Korintasve 2:16) Si arrihet kjo? Nëpërmjet studimit dhe meditimit të rregullt mbi Fjalën e Perëndisë. Sa herë na është dhënë kjo këshillë! Por, a e marrim aq seriozisht? Për shembull, a i studion me të vërtetë këto revista, duke kërkuar tekstet e Biblës, përpara se të shkoni në mbledhje? Me studim nuk nënkuptojmë vetëm nënvizimin e disa frazave në çdo paragraf. Mund t’i hedhim një vështrim të shpejtë një artikulli studimi dhe mund ta nënvizojmë për 15 minuta. Por, a do të thotë kjo se e kemi studiuar artikullin? Në të vërtetë, mund të duhet një ose dy orë për të studiuar e për të thithur dobinë frymore që përmban çdo artikull.
20 Ndoshta duhet të disiplinojmë veten që të largohemi nga televizori për disa orë çdo javë dhe të përqendrohemi me të vërtetë mbi shenjtërinë tonë personale. Studimi ynë i rregullt na ndërton frymësisht, duke e vënë mendjen në lëvizje për të marrë vendime të drejta, vendime që çojnë në «vepra të shenjta sjelljeje».—2. Pjetrit 3:11, BR; Efesianëve 4:23; 5:15, 16.
21. Cilat pyetje mbeten për përgjigje?
21 Pyetja tani është: «Në cilat fusha të tjera të aktivitetit dhe të sjelljes, ne si të krishterë mund të jemi të shenjtë, ashtu siç Jehovai është i shenjtë?» Artikulli vijues do të paraqesë ca ushqim për mendjen.
[Shënimet]
a Kjo vepër referimi me dy volume është botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
b Për një shqyrtim më të plotë se çfarë do të thotë «me pabesi», shiko Zgjohuni! të 8 shkurtit 1994, fq. 21 anglisht, “What Kind of Divorcing Does God Hate?”
c Për më shumë informata se përse bixhozi është sjellje jo e shenjtë, shiko Zgjohuni! të 8 gushtit 1994, faqe 14-15, botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
A të kujtohet?
◻ Si u identifikua Burimi i shenjtërisë në Izrael?
◻ Në cilat mënyra, adhurimi i izraelitëve nuk ishte i shenjtë në ditët e Malakisë?
◻ Ku fillon sjellja jo e shenjtë?
◻ Çfarë duhet të pranojmë, për të qenë të shenjtë?
◻ Si mund të mbetemi të shenjtë?