A e lëvdon Perëndinë stili yt i veshjes?
«Gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë.»—1 KOR. 10:31.
1, 2. Pse Dëshmitarët e Jehovait mbajnë norma të larta për veshjen? (Shih figurën hapëse.)
JA ÇFARË shkruhej në një gazetë holandeze për një mbledhje të krerëve të kishës: «Shihje mjaft njerëz me veshje sportive, sidomos ngaqë bënte vapë.» Pastaj shtonte: «Kurse në kongresin e Dëshmitarëve të Jehovait është ndryshe. . . . Djemtë dhe burrat veshin xhaketë dhe kravatë, ndërsa vajzat dhe gratë veshin funde me gjatësi . . . të përshtatshme, por në të njëjtën kohë moderne.» Vërtet, Dëshmitarët e Jehovait lavdërohen shpesh ngaqë «stolisen me veshje të rregullta, me modesti dhe mendje të shëndoshë . . . si u ka hije [atyre] që pohojnë se nderojnë thellë Perëndinë». (1 Tim. 2:9, 10) Apostulli Pavël po fliste për gratë, por i njëjti parim themelor zbatohet edhe për burrat.
2 Normat e duhura për veshjen janë të rëndësishme për ne si populli i Jehovait, e janë po ashtu të rëndësishme për Perëndinë që adhurojmë. (Zan. 3:21) Kur flasin për veshjen dhe paraqitjen, Shkrimet nuk lënë asnjë dyshim se Sovrani i universit ka norma të larta për mënyrën si duhet të vishen adhuruesit e tij të vërtetë. Ndaj, vendimet për veshjen e paraqitjen nuk duhet të bazohen vetëm te preferenca jonë. Duhet të mbajmë parasysh edhe çfarë i pëlqen Jehovait, Zotërisë tonë Sovran.
3. Ç’mund të mësojmë për veshjen nga Ligji që u dha Perëndia izraelitëve?
3 Për shembull, në Ligjin që u dha Perëndia izraelitëve kishte rregulla që i mbronin nga jeta imorale që bënin haptazi kombet përreth. Ligji tregonte se Jehovai i urren veshjet që nuk e bëjnë të qartë dallimin mes mashkullit dhe femrës. Në ditët tona kjo lloj veshjeje është përshkruar si modë uniseks. (Lexo Ligjin e përtërirë 22:5.) Nga drejtimi i Perëndisë për veshjen, kuptojmë qartë se atij nuk i pëlqejnë fare stilet e veshjes që i bëjnë burrat të duken si femra, gratë si meshkuj ose që e bëjnë të vështirë të dallosh një mashkull nga një femër.
4. Çfarë mund t’i ndihmojë shërbëtorët e Jehovait të jenë të mençur kur vendosin si të vishen?
4 Fjala e Perëndisë ka parime që i ndihmojnë shërbëtorët e tij të jenë të mençur kur vendosin si të vishen. Këto parime janë të vlefshme për çdo vend, kulturë ose klimë. Nuk kemi nevojë për lista të hollësishme që të na tregojnë cilat stile veshjesh janë të pranueshme dhe cilat jo. Përkundrazi, ne udhëhiqemi nga parimet biblike që lënë hapësirë edhe për preferencat personale. Le të shqyrtojmë disa parime nga Shkrimet që mund të na ndihmojnë të përcaktojmë «se cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë» kur vendosim çfarë të veshim.—Rom. 12:1, 2.
«E REKOMANDOJMË VETEN SI SHËRBËTORË TË PERËNDISË»
5, 6. Çfarë ndikimi duhet të ketë veshja jonë te të tjerët?
5 Apostulli Pavël u frymëzua të theksonte parimin e rëndësishëm që gjendet te 2 Korintasve 6:4. (Lexoje.) Pamja jonë flet shumë për ne. Mjaft njerëz krijojnë përshtypje dhe opinione për ne nga ajo «që sheh syri». (1 Sam. 16:7) Ja pse, si shërbëtorë të Perëndisë e kuptojmë se të vishemi nuk do të thotë thjesht të veshim një gjë të rehatshme që na pëlqen. Parimet që mësojmë pak nga pak nga Fjala e Perëndisë duhet të na motivojnë të mos veshim rroba shumë të ngushta, provokuese seksualisht ose që zbulojnë pjesë të papërshtatshme të trupit. Pra, përjashtohen kategorikisht veshjet që zbulojnë apo theksojnë pjesët intime të trupit. Askush nuk duhet të ndihet në siklet apo i detyruar t’i hedhë sytë gjetkë, kur sheh si jemi veshur.
6 Ka më shumë të ngjarë që njerëzit të na respektojnë si shërbëtorë të Zotërisë Sovran Jehova nëse jemi të rregullt, të pastër, të veshur me modesti dhe kemi paraqitje të hijshme. E madje mund të tërhiqen drejt Perëndisë që adhurojmë. Veç kësaj, veshja jonë e përshtatshme do të pasqyrojë dinjitetin e organizatës që përfaqësojmë. Si rezultat, do të ketë më shumë mundësi që njerëzit t’i vënë veshin mesazhit tonë jetëshpëtues.
7, 8. Veçanërisht në cilat raste duhet të vishemi në mënyrë të përshtatshme?
7 Kemi detyrimin ndaj Perëndisë tonë të shenjtë, ndaj vëllezërve e motrave dhe ndaj njerëzve në territor që të veshim rroba të cilat i japin dinjitet lajmit që predikojmë dhe i sjellin lavdi Jehovait. (Rom. 13:8-10) E bëjmë këtë veçanërisht kur kryejmë aktivitete të krishtere, si për shembull kur marrim pjesë në mbledhje ose në veprën e predikimit. Duhet të vishemi «si u ka hije [atyre] që pohojnë se nderojnë thellë Perëndinë». (1 Tim. 2:10) Sigurisht, disa veshje që janë të përshtatshme në një vend mund të mos jenë të përshtatshme në një vend tjetër. Ja pse shërbëtorët e Jehovait përreth botës mbajnë parasysh zakonet e vendit, që të mos ofendojnë askënd.
8 Lexo 1 Korintasve 10:31. Kur ndjekim asamble e kongrese, veshja jonë duhet të jetë e përshtatshme dhe modeste, në vend se të pasqyrojë stilet ekstreme që mund të jenë të zakonshme në botë. Edhe kur regjistrohemi në hotel e ikim prej tij, si dhe kur dalim për qejf në kohën e lirë para ose pas sesioneve të kongresit, duam të shmangim një paraqitje tepër të shkujdesur ose të çrregullt. Kështu, mund të themi me krenari se jemi Dëshmitarë të Jehovait. Jo vetëm kaq, por do të ndihemi të lirë të japim dëshmi kur na paraqitet rasti.
9, 10. Pse Filipianëve 2:4 duhet të ndikojë te mënyra si vishemi?
9 Lexo Filipianëve 2:4. Pse shërbëtorët e Jehovait duhet ta vrasin mendjen për ndikimin që ka te bashkadhuruesit mënyra si vishen? Një arsye është se ata përpiqen fort të zbatojnë këtë këshillë të Biblës: «Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj në tokë në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale.» (Kolos. 3:2, 5) Nuk duam t’ua bëjmë të vështirë bashkëbesimtarëve t’i binden kësaj këshille. Ata vëllezër e motra që kanë lënë pas një stil jete të shthurur seksualisht mund të jenë duke luftuar ende me prirjet mëkatare. (1 Kor. 6:9, 10) Nuk do të donim t’ua bënim më të vështirë luftën, apo jo?
10 Kur jemi bashkë me vëllezërit e motrat, mënyra si vishemi duhet të ndihmojë që kongregacioni të bëhet një strehë e sigurt dëlirësie morale. Kështu duhet të jetë qoftë kur jemi së bashku në mbledhje, qoftë në kohën e lirë. Jemi të lirë të zgjedhim ç’të veshim. Prapëseprapë, të gjithë kemi përgjegjësinë të veshim rroba që ua bëjnë më të lehtë të tjerëve të mbeten të dëlirë dhe të mbajnë normat e Perëndisë për shenjtërinë në mendime, fjalë e sjellje. (1 Pjet. 1:15, 16) Dashuria e vërtetë «nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon interesat e veta».—1 Kor. 13:4, 5.
VESHJA E DUHUR NË KOHËN DHE VENDIN E DUHUR
11, 12. Çfarë është e arsyeshme të mbajmë parasysh kur mendojmë se ç’të veshim?
11 Kur duhet të vendosin si të vishen, shërbëtorët e Perëndisë mbajnë parasysh se «ka një kohë për çdo gjë dhe për çdo punë». (Ekl. 3:1, 17) Është e kuptueshme që ndryshimi i klimës, i stinëve, i rrethanave dhe i kushteve të jetesës ndikon tek ajo që veshim. Por, normat e Jehovait nuk luhaten sipas motit.—Mal. 3:6.
12 Në zonat me klimë më të ngrohtë, mund të jetë më e vështirë të sigurohemi që stili ynë i veshjes të jetë i respektueshëm, i arsyeshëm dhe që tregon gjykim të mirë. Ja pse vëllezërit dhe motrat e vlerësojnë kur shmangim veshjen e rrobave aq të ngushta ose aq të gjera sa zbulojnë pjesë të papërshtatshme të trupit. (Jobi 31:1) Po ashtu, kur shkojmë për të pushuar në plazh ose në pishinë, stili i rrobave të banjës duhet të jetë modest. (Prov. 11:2, 20) Edhe pse shumë njerëz në botë veshin rroba banje që zbulojnë tepër pjesët e trupit, ne që i shërbejmë Jehovait shqetësohemi të nderojmë Perëndinë tonë të shenjtë, që e duam.
13. Pse këshilla që gjejmë te 1 Korintasve 10:32, 33 duhet të ndikojë kur zgjedhim si të vishemi?
13 Ka një parim tjetër të rëndësishëm që na ndihmon të zgjedhim veshjen e duhur. Është meraku ynë për ndërgjegjen e të tjerëve, qofshin këta bashkadhuruesit tanë ose jo. (Lexo 1 Korintasve 10:32, 33.) Duhet ta marrim seriozisht përgjegjësinë për të shmangur veshjet që mund t’i ofendojnë të tjerët. Pavli shkroi: «Secili nga ne të kënaqë të afërmin me atë që është e mirë për ta ndërtuar.» Më pas shtoi këtë arsye: «Sepse edhe Krishti nuk kënaqi veten.» (Rom. 15:2, 3) Po, Jezui vendosi nevojat e të tjerëve para rehatisë personale. Për të, një aspekt i rëndësishëm i bërjes së vullnetit të Perëndisë ishte të ndihmonte njerëzit. Prandaj, ne heqim dorë nga ato rroba ose stile veshjesh që na pëlqejnë, por që mund t’ua mbyllin mendjen njerëzve që duam t’u predikojmë.
14. Si mund t’i stërvitin prindërit fëmijët që të lëvdojnë Perëndinë me mënyrën si vishen?
14 Prindërit Dëshmitarë kanë përgjegjësi ta mësojnë familjen e tyre të zbatojë parimet e Biblës. Kjo përfshin të sigurohen se ata vetë dhe fëmijët e tyre po bëjnë çmos t’ia gëzojnë zemrën Perëndisë, duke treguar modesti me paraqitjen dhe me stilin e veshjes. (Prov. 22:6; 27:11) Prindërit mund të rrënjosin te fëmijët respekt të thellë për Perëndinë e shenjtë që adhurojnë, duke u dhënë shembullin e duhur dhe udhëzime praktike e të dashura. Sa gjë e bukur është kur prindërit u mësojnë fëmijëve se ku dhe si të gjejnë rroba të përshtatshme! Këtu nuk është fjala vetëm për rroba që u pëlqejnë, por edhe që do t’u japin mundësi të mbajnë mbi supe privilegjin që të përfaqësojnë Perëndinë Jehova.
PËRDORE ME MENÇURI VULLNETIN E LIRË
15. Çfarë duhet të na udhëheqë kur zgjedhim si të vishemi?
15 Fjala e Perëndisë jep udhëzime praktike që na ndihmojnë të bëjmë zgjedhje të mençura që i sjellin lavdi Perëndisë. Sidoqoftë, mënyra si vishemi përfshin edhe preferencat personale. Shijet tona për veshjen janë të ndryshme, e po ashtu edhe të ardhurat. Por, veshjet tona duhet të jenë gjithnjë të rregullta, të pastra, modeste, të përshtatshme për rastin dhe të pranueshme për vendin ku jetojmë.
16. Pse ia vlen të përpiqemi të vishemi në mënyrë të përshtatshme?
16 Duhet ta pranojmë se nuk është gjithmonë e lehtë të marrim një vendim që tregon gjykim të mirë, që është i arsyeshëm dhe që merr parasysh çdo faktor. Shumë dyqane shesin vetëm rroba që janë në modë, kështu që mund të duhen më shumë kohë e përpjekje për të gjetur funde, fustane e bluza modeste ose kostume e pantallona që nuk rrinë shumë të puthitura pas trupit. Por, ka shumë gjasa që vëllezërit e motrat t’i vënë re dhe t’i vlerësojnë përpjekjet tona të sinqerta për të gjetur veshje të bukura e të përshtatshme. E kënaqësia që provojmë ngaqë i sjellim lavdi Atit tonë të dashur qiellor tejkalon çdo vështirësi që mund të na duhet të përballojmë për t’u veshur në një mënyrë që e lëvdon atë.
17. Cilët janë disa faktorë që mund të ndikojnë kur një vëlla vendos nëse do të mbajë apo jo mjekër?
17 Po kur është fjala për të mbajtur mjekër, a është e përshtatshme kjo për vëllezërit? Ligji i Moisiut kërkonte që burrat të mbanin mjekër. Por, të krishterët nuk janë nën Ligjin e Moisiut e nuk janë të detyruar ta zbatojnë. (Lev. 19:27; 21:5; Gal. 3:24, 25) Në disa kultura, një mjekër e shkurtër dhe e rregullt mund të jetë e pranueshme e dinjitoze, dhe mund të mos i shpërqendrojë fare njerëzit nga lajmi i mirë për Mbretërinë. Faktikisht disa vëllezër të emëruar mbajnë mjekër. Gjithsesi, vëllezër të tjerë mund të vendosin të mos mbajnë. (1 Kor. 8:9, 13; 10:32) Në disa kultura e vende, nuk është e zakonshme të mbash mjekër dhe kjo nuk konsiderohet e pranueshme për shërbëtorët e Jehovait. Në fakt, nëse një vëlla mban mjekër, kjo mund ta pengojë që t’i japë lavdi Perëndisë me veshjen e me paraqitjen e tij, si edhe që të jetë i paqortueshëm.—Rom. 15:1-3; 1 Tim. 3:2, 7.
18, 19. Si na ndihmon Mikea 6:8 ndërsa bëjmë çmos që stili ynë i veshjes të kënaqë Perëndinë?
18 Sa mirënjohës i jemi Jehovait që nuk na mbingarkon me një listë rregullash të hollësishme për veshjen dhe paraqitjen! Përkundrazi, ai na lejon të përdorim vullnetin e lirë dhe të marrim vendime personale të arsyeshme, të cilat duhet të udhëhiqen nga parimet e shëndosha të Shkrimeve. Në këtë mënyrë, edhe me veshjen e paraqitjen, mund të tregojmë se duam ‘të jemi modestë ndërsa ecim me Perëndinë tonë’.—Mik. 6:8.
19 Modestia përfshin ta shqyrtojmë me përulësi veten duke e krahasuar me pastërtinë dhe shenjtërinë e Jehovait. Ne varemi plotësisht nga ai për udhëheqjen më të mirë. Gjithashtu, modestia përfshin të tregojmë respekt për ndjenjat dhe opinionet e të tjerëve. Pra, ‘jemi modestë ndërsa ecim me Perëndinë’ kur e përputhim jetën me normat e tij të larta dhe kur tregojmë respekt për ndjenjat e të tjerëve.
20. Si duhet të ndikojë te të tjerët veshja dhe paraqitja jonë?
20 Veshja që zgjedhim duhet të bëjë që njerëzit të nxjerrin vetëm përfundimin se ne jemi adhurues të Jehovait. Vëllezërit e motrat, si edhe njerëzit në përgjithësi, duhet ta dallojnë qartë se ne përfaqësojmë denjësisht Perëndinë tonë të drejtë. Ai ka norma të larta, dhe ne përpiqemi me kënaqësi t’i pasqyrojmë këto norma. Me paraqitjen dhe me sjelljen e tyre të shkëlqyer, shumë vëllezër e motra i tërheqin njerëzit me zemër të sinqertë te mesazhi jetëshpëtues i Biblës dhe i sjellin lavdi e gëzim Jehovait. Ata e meritojnë t’i lavdërojmë. Kur marrim vendime të mençura për veshjen, pa dyshim do të vazhdojmë të nderojmë Atë që vishet «me lavdi dhe shkëlqim».—Psal. 104:1, 2.