Ehudi thyen zgjedhën e shtypësit
KY ËSHTË një tregim i vërtetë guximi dhe intrigash. Ndodhi rreth 3.000 vjet më parë. Tregimi biblik fillon me këto fjalë: «Bijtë e Izraelit filluan përsëri të bëjnë atë që është e keqe në sytë e Zotit; atëherë Zoti e bëri të fortë Eglonin, mbretin e Moabit, kundër Izraelit, sepse ata kishin bërë atë që ishte e keqe në sytë e Zotit. Egloni mblodhi rreth vetes bijtë e Amonit dhe të Amalekut, dhe u nis e mundi Izraelin; dhe pushtoi qytetin e palmave. Kështu bijtë e Izraelit u bënë shërbëtorë të Eglonit, mbretit të Moabit, për tetëmbëdhjetë vjet.»—Gjyqtarët 3:12-14.
Territori i moabitëve shtrihej në lindje të lumit Jordan dhe Detit të Vdekur. Por ata e kishin kaluar lumin dhe kishin pushtuar zonën përreth Jerikos, ‘qytetin e palmave’, duke i kthyer Izraelitët në skllevër. (Ligji i përtërirë 34:3) Mbreti i moabitëve, Egloni, «një njeri shumë i trashë», i shëndoshë, kishte afro dy dekada që e detyronte popullin e Izraelit të paguante haraçe të rënda dhe poshtëruese. (Gjyqtarët 3:17) Dhe ishte pikërisht kërkesa e tij për haraç që bëri të mundur asgjësimin e këtij tirani.
Tregimi vazhdon: «Bijtë e Izraelit i klithën Zotit dhe Zoti u dha atyre një çlirimtar, Ehudin, birin e Gerit, Beniaminitin, që ishte mëngjarash. Bijtë e Izraelit i dërguan nëpërmjet tij haraçin e tyre Eglonit, mbretit të Moabit.» (Gjyqtarët 3:15). Jehovai duhet të jetë kujdesur vetë që të ishte Ehudi ai që do të paraqiste haraçin. Nuk thuhet nëse ai e kishte bërë më parë një gjë të tillë. Megjithatë, kujdesi me të cilin u përgatit për këtë detyrë dhe taktika që përdori, tregojnë që mund ta ketë njohur në njëfarë mënyre pallatin e Eglonit dhe e dinte çfarë e priste atje. Por ajo që ishte më e rëndësishme në gjithë planin e tij, ishte fakti që ai ishte mëngjarash.
I gjymtuar apo luftëtar?
Kuptimi i fjalës «mëngjarash» në hebraisht është ‘i bllokuar, i mpirë apo i lidhur në dorën e djathtë’. A do të thotë kjo se Ehudi ishte i gjymtuar apo ndoshta e kishte të deformuar dorën e djathtë? Vini re çfarë thotë Bibla në lidhje me ‘shtatëqind burrat e zgjedhur’ mëngjarashë nga fisi i Beniaminit. «Tërë këta ishin të aftë të hidhnin një gur me hoben kundër një fije floku, pa gabuar goditjen»,—thuhet te Gjyqtarët 20:16. Ka shumë të ngjarë që ata zgjidheshin për shkathtësinë e tyre të pashoqe në beteja. Sipas disa studiuesve të Biblës, fjala «mëngjarash» nënkupton dikë që përdor të majtën po aq mirë sa edhe të djathtën.
Në fakt, fisi i Beniaminit shquhej për luftëtarët e tij mëngjarashë. Libri i parë i Kronikave 12:1, 2 tregon për beniaminitët si ‘trima që ndihmonin në luftë, që ishin të armatosur me harqe dhe mund të përdornin si dorën e djathtë ashtu edhe atë të majtë për të hedhur gurë dhe për të gjuajtur shigjeta me hark’. Një libër referimi thotë që kjo aftësi mund të arrihej «duke u lidhur fëmijëve krahun e djathtë —domethënë ‘të lidhur në dorën e djathtë’—dhe duke i stërvitur që të shkathtësoheshin me të majtën». Normalisht, armiqtë e Izraelit stërviteshin për t’u ndeshur me luftëtarë që përdornin dorën e djathtë. Kështu që, nëse papritur hasnin një luftëtar mëngjarash, stërvitja e tyre dilte e kotë.
‘Një e fshehtë’ për mbretin
Hapi i parë i Ehudit ishte ‘të bënte një shpatë’ për vete,—një shpatë me dy tehe që duhej të ishte aq e shkurtër sa të mos dukej poshtë veshjes së tij. Ndoshta e dinte që mund ta kontrollonin. Zakonisht, ata që përdornin krahun e djathtë i mbanin shpatat në të majtë nga ku mund t’i nxirrnin me shpejtësi. Meqë ishte mëngjarash, Ehudi e fshehu shpatën «poshtë veshjes, në krahun e djathtë» ku kishte më pak të ngjarë ta kontrollonin rojat e mbretit. Kështu që, pa hasur pengesa, «i çoi haraçin Eglonit, mbretit të Moabit».—Gjyqtarët 3:16,17.
Nuk jepen hollësira se çfarë ndodhi në fillim në pallatin e Eglonit. Por Bibla thotë vetëm që: «Kur mbaroi paraqitja e haraçit, [Ehudi] ktheu në shtëpi njerëzit që kishin sjellë haraçin.» (Gjyqtarët 3:18) Ehudi paraqiti haraçin, shoqëroi ata që sollën haraçin larg pallatit të Eglonit, dhe pasi ata u larguan u kthye prapa. Pse e bëri këtë? A i kishte marrë këta njerëz për mbrojtje? Kështu e kërkonin rregullat e pallatit apo thjesht ata ishin mbajtës të haraçit? Mos i largoi që ata të ishin jashtë rrezikut para se të përmbushte planin e tij? Pavarësisht nga ajo që kishte në mendje, Ehudi me guxim u kthye vetëm.
‘[Ehudi] u kthye te vendi i idhujve që ndodhej në Gilgal dhe tha: «O mbret kam diçka që dua të të them fshehurazi.»’ Shkrimet nuk shpjegojnë se si arriti të shkonte përsëri para mbretit. A thua rojat nuk dyshuan fare? Mos vallë menduan që një izraelit i vetëm nuk paraqiste rrezik për zotërinë e tyre? Apo ardhja e Ehudit vetëm, u dha përshtypjen që ai po tradhtonte njerëzit e tij? Sido që të ishte, Ehudi kërkoi që mbreti ta priste vetëm për vetëm dhe ia arriti.—Gjyqtarët 3:19.
Tregimi i frymëzuar vazhdon: «Ehudi iu afrua mbretit (që ishte ulur vetëm në fresk, në sallën lart). Ehudi i tha: ‘Kam një fjalë për të të thënë nga ana e Zotit’.» Ehudi nuk e kishte fjalën për një mesazh gojor nga Zoti. Ajo që kishte në mendje Ehudi ishte të përdorte shpatën. Dhe mbreti, duke menduar se ishte një mesazh nga perëndia e tij Kemosh, «u ngrit nga froni i tij». I shpejtë si rrufeja, Ehudi nxori shpatën e tij dhe ia nguli Eglonit në bark. Me sa duket, shpata nuk e kishte pjesën horizontale mbi dorezë. Kështu që «doreza e shpatës u fut pas presës dhe dhjami u mbyll pas presës. . . dhe zorrët [jashtëqitjet, BR] e tij dolën jashtë». Dhe kjo ndodhi ose për shkak të zorrëve të çara ose ky ishte një veprim i pavullnetshëm.—Gjyqtarët 3:20-22.
Arratiset për mrekulli
Pa humbur kohë për të nxjerrë shpatën nga barku i mbretit, «Ehudi doli në portik [nga e çara e ajrimit, BR] dhe mbylli me çelës dyert e sallës së sipërme. Kur doli: erdhën shërbëtorët për të parë dhe ja, dyert e sallës së sipërme ishin mbyllur me çelës. Kështu ata thanë: ‘Me siguri ai bën nevojën e tij në dhomëzën e sallës së freskët.’»—Gjyqtarët 3:23, 24.
Çfarë ishte “e çara e ajrimit” nga e cila doli Ehudi? «Kuptimi i saktë i fjalës [në hebraisht] nuk dihet,—thotë një libër referimi,—por në vend të saj janë sugjeruar fjalët ‘hajat’ ‘kolonadë’.» Mos vallë Ehudi i kyçi dyert nga brenda dhe gjeti ndonjë dalje tjetër? A ia mori çelësin mbretit që vdiq dhe i mbylli dyert nga jashtë? Apo doli normalisht dhe i kaloi rojat sikur të mos kishte ndodhur gjë? Shkrimet nuk thonë gjë në lidhje me këtë. Megjithatë, pavarësisht nga taktika që përdori Ehudi, shërbëtorët e Eglonit nuk dyshuan menjëherë kur i gjetën dyert të mbyllura. Ata thjesht menduan që mbreti ishte ‘duke kryer nevojat e tij’.
Duke përfituar nga ngurrimi i shërbëtorëve të mbretit, Ehudi u arratis. Pas kësaj, mblodhi njerëzit e tij dhe u tha: «Ejani pas meje, sepse Zoti ju ka dhënë në dorë Moabitët, armiqtë tuaj.» Duke shtënë në dorë vatë, vendet e cekëta strategjike përmes Jordanit, ata u prenë rrugën moabitëve, tashmë pa prijës, që po ktheheshin në vendin e tyre. «Në atë kohë mundën rreth dhjetë mijë Moabitë, të gjithë të fortë dhe trima; nuk shpëtoi as edhe një. Kështu atë ditë Moabi u poshtërua nga dora e Izraelit dhe vendi pati paqe tetëdhjetë vjet me radhë.»—Gjyqtarët 3:25-30.
Mësime për ne
Ajo që ndodhi në ditët e Ehudit na mëson se çfarë pasojash të tmerrshme përjetojmë nëse bëjmë atë që është e keqe në sytë e Jehovait. Por nga ana tjetër, Jehovai ndihmon ata që pendohen dhe kthehen tek ai.
Planet e Ehudit dolën me sukses, jo për shkak të zgjuarsisë së tij apo për mungesë zotësie nga ana e armikut. Përmbushja e qëllimeve hyjnore nuk varet nga faktorë njerëzorë. Arsyeja kryesore e suksesit të Ehudit ishte sepse kishte mbështetjen e Perëndisë pasi veproi në harmoni me vullnetin e Tij të pathyeshëm për të çliruar popullin e tij. Perëndia u kishte dhënë Ehudin dhe «kur Zoti u nxirrte gjyqtarë, Zoti ishte me gjyqtarin».—Gjyqtarët 2:18; 3:15.