Kapitulli 17
A mund t’i besosh Biblës?
1. (a) Çfarë mendojnë shumë veta për Biblën, në kundërshtim me atë që pohon vetë Bibla? (b) Cila pyetje lind?
SHUMË veta e shohin Biblën thjesht si një libër të shkruar nga njerëz të mençur të kohëve të vjetra. Një profesor universiteti, Gerald A. Larue, ka thënë: «Pikëpamjet e shprehura nga shkrimtarët e Biblës pasqyrojnë idetë, bindjet dhe konceptet e zakonshme të kohës së tyre dhe janë të kushtëzuara nga shkalla e njohurisë së atyre kohërave.»1 Ndërsa Bibla pohon se është një libër i frymëzuar nga Perëndia. (2. Timoteut 3:16) Në këtë rast, ajo nuk duhet të ketë koncepte të gabuara, që ishin të zakonshme për kohën në të cilën u shkruan pjesë të ndryshme të saj. A mund t’i bëjë ballë Bibla një shqyrtimi të bazuar në dritën e njohurisë së sotme?
2. Çfarë ndikimi kanë shpesh informacionet e reja mbi tekstet shkencore të njerëzve?
2 Gjatë shqyrtimit të kësaj pyetjeje, të mbajmë në mendje se përparimi i njohurisë i detyron njerëzit të rishikojnë vazhdimisht pikëpamjet e tyre në dritën e informatave e të zbulimeve të reja. Një gazetë shkencore (Scientific Monthly) bëri njëherë këtë vërejtje: «Do të pretendonim shumë po të prisnim që artikuj të shkruar në disa raste [edhe vetëm] pesë vjet më parë, të mund të konsiderohen tani si përfaqësues të tezave më të fundit në fushat përkatëse shkencore.»2 E megjithatë, Bibla u shkrua e u përpilua në një periudhë kohore prej rreth 1.600 vjetësh dhe u kompletua gati 2.000 vjet më parë. Çfarë mund të thuhet sot mbi saktësinë e saj?
Bibla dhe shkenca
3. Çfarë mendonin njerëzit e lashtë mbi mbështetjen e tokës, por çfarë thotë Bibla?
3 Në periudhën në të cilën u shkrua Bibla, bëheshin mjaft spekulime mbi faktin se si qëndronte toka në hapësirë. Disa, për shembull, besonin se toka mbahej nga katër elefantë, të cilët qëndronin mbi një breshkë të madhe deti. Megjithatë, në vend se të pasqyronte mendimet fantastike dhe joshkencore, të zakonshme për periudhën në të cilën u shkrua, Bibla pohon në mënyrë të thjeshtë: «Ai [Perëndia] shtrin veriun në zbrazëti dhe e mban tokën pezull mbi hiçin.» (Jobi 26:7, Dio) Po, më shumë se tre mijë vjet më parë Bibla thoshte me saktësi që toka nuk mbështetet mbi asgjë të dukshme, fakt ky që përputhet me zbulimin e bërë shumë kohë më vonë mbi ligjet e gravitetit e të lëvizjes. «Se si arriti Jobi të njihte të vërtetën,—tha një dijetar fetar,—është një problem që nuk mund të zgjidhet kollaj nga ata që mohojnë frymëzimin e Shkrimeve të Shenjta.»3
4, 5. (a) Çfarë mendohej njëherë e një kohë mbi formën e tokës dhe ç’frikë kishin disa? (b) Çfarë thotë Bibla në lidhje me formën e tokës?
4 Në lidhje me formën e tokës, The Encyclopedia Americana, thotë: «Mendimi më i lashtë që kishin njerëzit për tokën, ishte ai i një platforme sheshine të ngurtë në qendër të universit. . . . Koncepti i një toke sferike nuk u pranua gjerësisht deri në kohën e Rilindjes [evropiane].»4 Madje, lundërtarët e lashtësisë kishin frikë të kalonin kufirin e tokës, të cilën ata e kujtonin të sheshtë! Më vonë, përdorimi i busullës dhe përparime të tjera bënë të mundur përballimin e udhëtimeve oqeanike shumë më të gjata. Këto «udhëtime eksploruese,—shpjegon një enciklopedi tjetër,—treguan se toka ishte sferike dhe jo e sheshtë, siç kishte besuar shumica».5
5 Megjithatë, shumë kohë para se të bëheshin këto udhëtime, në fakt gati 2.700 vjet më parë, Bibla thoshte: «Është Dikush që banon mbi rrethin e tokës, banorët e së cilës janë si karkaleca.» (Isaia 40:22) Fjala hebreje chugh, e përkthyer rreth, mund të nënkuptojë edhe sferë, siç tregojnë edhe vepra të tilla referimi si Fjalori analitik hebre dhe kaldeas i Devidsonit. Prandaj, versione të tjera e përkthejnë «rruzulli tokës» (Dio) dhe «toka e rrumbullakët» (Moffatt). Bibla, pra, nuk u ndikua nga koncepti i gabuar i një toke të sheshtë, i zakonshëm për kohën në të cilën ajo u shkrua. Ajo ishte e saktë.
6. Cili qarkullim i mrekullueshëm, i përshkruar në Bibël, nuk njihej përgjithësisht në lashtësi?
6 Prej kohësh njerëzit shohin se lumenjtë derdhen nëpër dete e oqeane, por thellësia e këtyre të fundit nuk rritet. Përpara se të zbulohej forma sferike e tokës, disa besonin se kjo i detyrohej faktit që një sasi e barabartë uji binte poshtë, në skajet e tokës. Më vonë, u kuptua se dielli ngre lart prej detrave miliarda litra ujë në sekondë, në formën e avujve të ujit. Kështu lindin retë, të cilat era i shtyn mbi tokë, ku avulli i kondensuar bie poshtë në formën e shiut dhe borës. Uji, pra, kthehet sërish nëpër lumenj dhe në det. Ky qarkullimcikël, edhe pse përgjithësisht i panjohur nga njerëzit e lashtë, është përmendur në Bibël: «Gjithë lumenjtë derdhen në det, por deti nuk mbushet kurrë; nga vendi prej të cilit lumenjtë vijnë, aty kthehen, përsëri.»—Eklisiastiu 1:7, Dio.
7, 8. (a) Në ç’mënyrë Bibla ka dalë e saktë në lidhje me atë që thotë mbi origjinën e universit? (b) Si reagojnë disa astronomë përpara informacioneve më të reja dhe përse?
7 Në lidhje me origjinën e universit, Bibla pohon: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» (Zanafilla 1:1) Por shumë shkencëtarë e konsideronin një pohim antishkencor dhe mbështetnin pohimin se universi nuk kishte pasur asnjë fillim. Megjithatë, duke iu referuar informacioneve më të përditësuara, Robert Xhestrou shpjegon: «Thelbi i këtyre zhvillimeve të çuditshme është se Universi pati në njëfarë kuptimi një fillim, d.m.th. filloi në një pikë të caktuar të kohës.» Këtu Xhestrou i referohet teorisë së «Big Bengut», që sot pranohet në përgjithësi, për të cilën është folur në kapitullin 9. Ai shton: «Sot shohim që dëshmitë astronomike na çojnë drejt pikëpamjes biblike të origjinës së botës. Hollësitë ndryshojnë, por elementet thelbësore të astronomisë dhe të tregimit biblik të Zanafillës janë të njëjta.»6
8 Cili ka qenë reagimi ndaj këtyre zbulimeve? «Në mënyrë të çuditshme shkencëtarët janë të turbulluar,—shkruan Xhestrou.—Reagimi i tyre përbën një demonstrim interesant të faktit se si sillet mendja shkencore, e cila duhet të jetë një mendje shumë objektive, kur provat e zbuluara nga vetë shkenca na çojnë në një konflikt me nenet e besimit të profesionit tonë. Zbulojmë që shkencëtari sillet si të gjithë ne kur bindjet tona janë në kundërshtim me provat. Nxehemi, hiqemi sikur konflikti nuk ekziston ose përpiqemi ta justifikojmë me fraza pa kuptim.»7 Por mbetet fakti që, ndërsa «provat e zbuluara nga vetë shkenca» nuk përkonin me atë që shkencëtarët kishin besuar për shumë kohë mbi origjinën e universit, kanë vërtetuar atë që ishte shkruar në Bibël mijëra vjet më parë.
9, 10. (a) Ç’thotë Bibla për një përmbytje të madhe? (b) Cilat dëshmi konfirmojnë tani vërtetësinë e Biblës?
9 Në ditët e Noes, thotë Bibla, një përmbytje e madhe mbuloi malet më të larta të tokës dhe shkatërroi gjithë jetën njerëzore jashtë arkës së madhe që kishte ndërtuar Noeja. (Zanafilla 7:1-24) Shumë veta qeshin kur dëgjojnë këtë tregim. E megjithatë, mbi malet e larta gjenden guaska deti. Dhe fakti që në një të kaluar jo shumë të largët ka ndodhur një përmbytje me përmasa të mëdha është vërtetuar nga numri i madh i fosileve dhe i skeleteve të kafshëve të gjetura grumbull nëpër depozitat baltore apo të ngrira. The Saturday Evening Post vërejti: «Shumë nga këto kafshë ishin ruajtur përsosmërisht, të paprekura e të padëmtuara, ende në këmbë ose në gjunjë. . . . Ja, një pamje me të vërtetë e çuditshme për mënyrën tonë të mëparshme të të menduarit. Kope të mëdha me kafshë të mëdha, të ushqyera mirë, të padestinuara në mënyrë specifike për të jetuar në kushtet e një të ftohti të egër, që kullotnin qetësisht nëpër kullota plot diell . . . Papritur, u vranë të gjitha, pa asnjë shenjë të dukshme dhune dhe përpara se të mund të gëlltitnin kafshatën e fundit; pastaj ngrinë me aq shpejtësi, saqë çdo qelizë e trupit të tyre është ruajtur në mënyrë të përsosur.»8
10 Kjo përputhet me atë që ndodhi gjatë Përmbytjes së madhe. Bibla e përshkruan me këto fjalë: «Të gjitha burimet e humnerës së madhe me ujë shpërthyen dhe kataraktet e qiellit u hapën.» Derdhja e bollshme «e përmbyti tokën» dhe patjetër që u shoqërua me erëra të ftohta në zonat polare. (Zanafilla 1:6-8; 7:11, 19) Në ato zona ndryshimi i temperaturës duhet të ketë qenë shumë i shpejtë dhe drastik. Forma të ndryshme jetësore u kapën në këtë mënyrë në grackë dhe u ruajtën në baltën e ngrirë. Njëra prej këtyre krijesave mund të ketë qenë mamuthi i zbuluar nga ekskavatorët në Siberi dhe që mund të shihet edhe në figurën përbri. Në gojë e në stomak kishte ende barishte dhe mishi i tij, pasi u shkri, ishte akoma i ngrënshëm.
11. Cilat informacione të tjera biblike janë vërtetuar nga njohuria në rritje dhe çfarë përfundimi kanë qenë të nxitur të nxjerrin madje edhe disa shkencëtarë?
11 Sa më tepër të shqyrtohet nga afër, aq më shumë Bibla rezulton jashtëzakonisht e saktë. Siç është treguar në faqet 36 dhe 37 të këtij libri, Bibla përmend stadet e krijimit në po atë renditje që ka vërtetuar sot shkenca, gjë që do të ishte e vështirë për t’u shpjeguar nëse Bibla do të ishte një libër i thjeshtë me origjinë njerëzore. Ky është një shembull i mëtejshëm i hollësive të shumta të përmendura në Bibël, të cilat janë vërtetuar nga njohuria që sa vjen e shtohet. Jo më kot, një nga shkencëtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Isak Njuton, ka thënë: «Asnjë shkencë nuk ka dëshmi më të mira, sesa feja e Biblës.»9
Bibla dhe shëndeti
12. Çfarë dallimi nxjerr në pah një mjek midis bestytnive të zakonshme në lidhje me shëndetin dhe deklaratave të Biblës?
12 Gjatë shekujve ka ekzistuar një injorancë e madhe në lidhje me çështjet shëndetësore. Një fizikan ka vërejtur: «Shumë njerëz u besojnë akoma bestytnive të shumta: për shembull, që mbajtja në xhep e një gështenje të egër mban larg reumatizmën, që po të mbash në dorë një thithlopë të dalin lythet, që po të mbash rreth qafës një shami të kuqe fanellate të kalon dhimbja e fytit», e të tjera. Megjithatë, ai shpjegoi: «Në Bibël nuk ka asnjë pohim të tillë. Dhe ky fakt, në vetvete, ia vlen të përmendet.»10
13. Çfarë trajtimesh të rrezikshme mjekësore përshkruanin egjiptianët e lashtë?
13 Ia vlen të përmendet, gjithashtu, edhe një krahasim midis trajtimeve të rrezikshme mjekësore të së shkuarës dhe asaj që thotë Bibla. Për shembull, Papirusi i Ebersit, një tekst mjekësie i egjiptianëve të lashtë, përshkruante përdorimin e jashtëqitjeve për të mjekuar sëmundje të ndryshme. Kundër shenjave që mbeten pas rënies së kores, ai rekomandonte një jaki me jashtëqitjet e njeriut dhe qumësht të freskët. Dhe si ilaç për të nxjerrë ciflat përshkruante: «Gjak krimbash, i skuqur dhe i shtypur në vaj; urith, i vrarë, i skuqur dhe i vënë në vaj; bajgë gomari, e përzier me qumësht të freskët. Të vendoset mbi plagën e hapur.»11 Ky lloj trajtimi, siç e dimë tani, mund të rezultojë në infeksione të rënda.
14. Çfarë thotë Bibla për eliminimin e jashtëqitjeve organike dhe përse kjo përbënte një mbrojtje?
14 Çfarë thotë Bibla në lidhje me jashtëqitjet? Ja, çfarë urdhëronte: «Kur të shkosh për t’u mbledhur kruspull përjashta, me të [një vegël për gërmim] do të gërmosh një gropë dhe pastaj do të mbulosh jashtëqitjet e tua.» (Ligji i përtërirë 23:13, Dio) Pra, në vend se të jepte përshkrime mjekësore të bazuara në jashtëqitje, Bibla jepte udhëzime se si të eliminoheshin ato në mënyrë higjienike. Deri në shekullin tonë, rreziku që vinte nga lënia e jashtëqitjeve përpara mizave nuk ishte kuptuar në përgjithësi. Kjo provokonte përhapjen e sëmundjeve të rënda të transmetuara nga mizat, si edhe vdekjen e shumë njerëzve. E megjithatë, ilaçi i thjeshtë gjendej i shkruar aty, në Bibël, dhe izraelitët e përdornin më shumë se 3.000 vjet më parë.
15. Sikur të ishte zbatuar këshilla biblike në lidhje me prekjen e kufomave, cili zakon vdekjeprurës mjekësor do të ishte shmangur?
15 Në shekullin e kaluar kishte nga ata mjekë që kalonin drejtpërdrejt nga morgu, në të cilin hapnin kufomat, në repartin e maternitetit ku kryenin vizitat, pa larë madje as duart. Infeksionet transmetoheshin në këtë mënyrë nga të vdekurit te të gjallët, duke shkaktuar vdekje të tjera. Edhe kur u tregua domosdoshmëria e larjes së duarve, shumë mjekë nuk i përvetësuan këto masa higjienike. Pa e ditur, refuzonin mençurinë biblike, sepse ligji që Jehovai u dha izraelitëve thoshte se kushdo që prekte një të vdekur bëhej i papastër dhe duhej të lante veten dhe veshjet e tij.—Numrat 19:11-22.
16. Në ç’mënyrë urdhri biblik për të bërë rrethprerjen ditën e tetë është tregues i një mençurie mbinjerëzore?
16 Si shenjë për një besëlidhje që lidhi me Abrahamin, Perëndia Jehova tha: «Në moshën tetë ditësh, çdo mashkull i juaj do të rrethpritet.» Më vonë kjo kërkesë iu përsërit kombit të Izraelit. (Zanafilla 17:12, Dio; Levitiku 12:2, 3) Nuk u dha asnjë shpjegim se përse u zgjodh dita e tetë, por tani mund ta kuptojmë. Kërkimet e bëra në fushën mjekësore kanë zbuluar se vetëm në atë periudhë vitamina K, e rëndësishme për koagulimin (mpiksjen) e gjakut, arrin nivelet e kërkuara. Duket se edhe një element tjetër i nevojshëm për koagulimin, protrombina, arrin ditën e tetë një nivel më të lartë se në çdo moment tjetër të jetës së fëmijës. Në dritën e këtyre fakteve, dr. S. I. McMillen vëren: «Dita më e mirë për të kryer rrethprerjen është dita e tetë.»12 A është një rastësi e thjeshtë? Aspak. Ishte një njohuri që u zbulua nga Perëndia që e zotëronte.
17. Cili zbulim tjetër shkencor vërteton Biblën?
17 Një zbulim tjetër i shkencës moderne është edhe masa në të cilin shprehitë mendore dhe emocionet ndikojnë mbi shëndetin. Një enciklopedi shpjegon: «Që nga 1940-a ka qenë gjithnjë e më e qartë se funksionimi fiziologjik i organeve dhe sistemet organike janë të lidhura ngushtë me gjendjen mendore të individit dhe se në një organ që është ndikuar në një mënyrë të tillë mund të verifikohen ndryshime indore.»13 Megjithatë, kjo lidhje e ngushtë midis shprehive mendore dhe shëndetit fizik ishte treguar shumë kohë më parë në Bibël. Për shembull, Bibla thotë: «Një zemër e qetë është jetë për organizmin mishor, por xhelozia është kalbëzim për kockat.»—Proverbat 14:30; 17:22.
18. Me cilat fjalë Bibla rekomandon shmangien e ndjenjave rrënuese dhe nënvizon rëndësinë e shfaqjes së dashurisë?
18 Prandaj, Bibla rekomandonte shmangien e ndjenjave dhe të qëndrimeve rrënuese. «Le të ecim në mënyrë të hijshme,—nxit ajo,—jo në grindje e xhelozi.» Gjithashtu këshillon: «Çdo hidhërim i lig dhe inat dhe zemërim dhe e bërtitur dhe e folur sharëse, le të hiqet prej jush, bashkë me çdo ligësi. Por jini të mirë me njëri-tjetrin, të dhembshur me butësi.» (Romakëve 13:13; Efesianëve 4:31, 32) Në veçanti, Bibla rekomandon dashurinë. «Përveç të gjitha këtyre gjërave,—thotë,—vishuni me dashuri.» Mbështetësi më i madh i dashurisë, Jezui, u tha dishepujve të tij: «Po ju jap një urdhërim të ri, që të doni njëri-tjetrin; siç ju kam dashur unë, që edhe ju të doni njëri-tjetrin.» Në Predikimin e tij në Mal, ai tha: «Vazhdoni t’i doni armiqtë tuaj.» (Kolosianëve 3:12-15; Gjoni 13:34; Mateu 5:44) Shumë veta mund t’i përbuzin këto këshilla, duke i konsideruar si një shenjë dobësie, por pastaj e paguajnë për to. Shkenca ka zbuluar se mungesa e dashurisë është një nga faktorët kryesorë në shumë sëmundje mendore dhe të llojeve të tjera.
19. Çfarë ka zbuluar shkenca moderne në lidhje me dashurinë?
19 Gazeta mjekësore britanike Lancet vërejti: «Zbulimi më i rëndësishëm në studimin e sëmundjeve mendore ka të bëjë me aftësinë e dashurisë për të mbrojtur e rikthyer shëndetin mendor.»14 Në mënyrë të ngjashme, një specialist i njohur për streset, dr. Hans Selye, ka thënë: «Nuk do të jetë personi i urryer apo shefi që të acaron që do të vuajë nga ulcera, hipertensioni apo nga sëmundjet e zemrës. Por do të vuajë ai që urren ose ai që e lë veten të acarohet. ‘Duaje të afërmin tënd’ është një nga këshillat më të mençura mjekësore që është dhënë ndonjëherë.»15
20. Çfarë krahasimi bëri një mjek midis mësimeve të Krishtit në Predikimin në Mal dhe konsulencës psikiatrike?
20 Mençuria biblike është shumë më përpara se zbulimet moderne. Për këtë arsye, dr. Xhejms T. Fisher, dikur shkroi: «Sikur të merrnit të gjithë artikujt e njohur të shkruar mbi objektin e higjienës mendore nga psikologët dhe psikiatrët më të kualifikuar, t’i vinit së bashku, t’i lëmonit e t’i qëronit nga çdo fjalë e tepërt, sikur të nxirrnit prej tyre gjithë thelbin e të linit mënjanë mbetjen, e sikur këto elemente të thjeshta të shkencës së pastër t’i shprehnit me gjuhën e poetëve më të aftë bashkëkohorë, do t’ju dilte një përmbledhje e papërsosur dhe e mangët e Predikimit në Mal.»16
Bibla dhe historia
21. Gati një shekull më parë, çfarë mendimi kishin kritikët mbi vlerat historike të Biblës?
21 Pas botimit të teorisë darviniane të evolucionit, vërtetësia historike e Biblës filloi të diskutohej në shumë anë. Arkeologu Leonard Dori Uolli shpjegoi: «Nga fundi i shekullit XIX lindi një shkollë e kritikëve ekstremistë, që ishin të gatshëm të mohonin praktikisht themelin historik të çdo gjëje që kishte lidhje me librat e parë të Besëlidhjes së Vjetër.»17 Disa kritikë shkuan deri aty, sa pohuan që shkrimi nuk kishte hyrë në përdorimin e zakonshëm deri në kohën e Solomonit ose edhe më vonë e si rrjedhojë tregimet e para të Biblës ishin të pabesueshme, pasi ishin shkruar shekuj më vonë pasi kishin ndodhur ngjarjet që ato përshkruajnë. Në vitin 1892, një eksponent i kësaj teorie tha: «Koha, të cilën trajtojnë rrëfimet para Moisiut, është një provë e mjaftueshme e karakterit të tyre legjendar. Në atë kohë shkrimi nuk njihej fare.»18
22. Çfarë është mësuar në lidhje me aftësinë e njerëzve të parë për të shkruar?
22 Megjithatë, kohët e fundit janë grumbulluar dëshmi të shumta arkeologjike në mbështetje të faktit se shkrimi ishte diçka e zakonshme shumë kohë përpara Moisiut. «Duhet të theksojmë akoma edhe një herë,—shpjegoi arkeologu Uilliam Foksuell Ollbrait,—që shkrimi alfabetik hebre ishte në përdorim në Kanaan dhe në rajonet e afërta qysh nga epoka patriarkale dhe se shpejtësia me të cilën ndryshonte forma e shkronjave është një provë e qartë e përdorimit të zakonshëm.»19 Edhe një tjetër historian dhe arkeolog i njohur vërejti: «Sot duket absurde që dikur është vënë pyetja nëse Moisiu dinte të shkruante apo jo.»20
23. Çfarë u zbulua në lidhje me mbretin Sargon dhe në cilin ndryshim të mendimeve çoi kjo?
23 Vërtetësia historike e Biblës është konfirmuar vazhdimisht nga zbulimi i informacioneve të reja. Për shembull, mbreti asir, Sargoni, për shumë kohë ishte i njohur vetëm nëpërmjet tregimit biblik të Isaisë 20:1. Madje, gjatë pjesës së parë të shekullit të kaluar kritikët e konsideronin këtë referim biblik si pa asnjë vlerë historike. Më vonë, gërmimet arkeologjike nxorën në dritë rrënojat e pallatit të mrekullueshëm të Sargonit në Khorsabad, duke përfshirë edhe shumë mbishkrime në lidhje me mbretërimin e tij. Si rrjedhojë, tani Sargoni është një nga sovranët asir më të njohur. Historiani izraelit, Moshe Pirlmen, shkruan: «Papritur, skeptikët që kishin dyshuar madje edhe mbi vërtetësinë e pjesëve historike të Besëlidhjes së Re, filluan t’i rishikonin mendimet e tyre.»21
24. Çfarë ngjashmërie ka midis versionit të Sargonit dhe Biblës në lidhje me pushtimin e Samarisë?
24 Një nga mbishkrimet e Sargonit përmendte një episod për të cilin dikur fliste vetëm Bibla. Mbishkrimi thotë: «E rrethova dhe e mora Samarinë, duke kapur rob duke internuar 27.290 veta që banonin atje.»22 Tregimi biblik për këtë ngjarje, në 2. Mbretërve 17:6, thotë: «Në vitin e nëntë të Hoseas, mbreti i Asirisë pushtoi Samarinë, [dhe] i shpërnguli Izraelitët.» (Dio) Në lidhje me ngjashmërinë e dukshme të këtyre dy tregimeve, Pirlmen vëren: «Ja, ku kemi këtu, në analet e fitimtarit dhe të të mundurit, dy tregime që janë pothuajse imazhi pasqyrues i njëra-tjetrës.»23
25. Përse nuk duhet të presim që tregimet biblike dhe ato botërore të përputhen në të gjitha aspektet?
25 A do të thotë kjo se duhet të presim një përputhje të përsosur midis historisë biblike dhe asaj botërore? Jo. Pirlmen shton: «Këto lloje ‘buletine lufte’ identike për të dyja palët ishin diçka e pazakontë në lashtësi në Lindjen e Mesme (e disa herë edhe në kohët moderne). Kjo gjë ndodhte kur kombet në luftë ishin Izraeli dhe një nga fqinjët e tij, si edhe vetëm kur i munduri ishte Izraeli. Kur Izraeli fitonte, në kronikat e armiqve nuk shfaqej asnjë gjurmë e humbjes.»24 (Kursivi është yni) Nuk të habit, pra, fakti që në kronikat asire të fushatës ushtarake që zhvilloi në Izrael Senakeribi, biri i Sargonit, vihet re një mungesë e rëndësishme. Cila?
26. Çfarë vihet re nga një krahasim midis versionit të Senakeribit dhe Biblës, për sa i përket ekspeditës së tij ushtarake në Izrael?
26 Disa relieve të gjetura në pallatin e mbretit Senakerib paraqesin skena të ekspeditës së tij në Izrael, mbi të cilën janë gjetur edhe mbishkrime. Një nga këto, mbi një prizëm argjili, thotë: «Sa për Ezekian, judeun që nuk u nënshtrua, 46 nga qytetet e tij të forta të rrethuara me mure . . . i rrethova. . . . Atë vetë, si një zog në kafaz, e burgosa në kryeqytetin e tij, Jeruzalem. . . . E shkretova tokën e tij. Veç kësaj, të parit i vendosa një tribut dhe një taksë vjetore në formën e dhuratave për sovranitetin tim.»25 Versioni i Senakeribit, pra, përputhet me Biblën kur bëhet fjalë për fitore asire. Por, ashtu siç edhe pritej, ai nuk e përmend faktin që nuk e pushtoi dot Jeruzalemin dhe se u detyrua të kthehej në shtëpi, si rrjedhojë e vdekjes së 185.000 ushtarëve të tij, vetëm brenda një nate.—2. Mbretërve 18:13-19:36; Isaia 36:1-37:37.
27. Çfarë mund të themi mbi tregimin biblik që lidhet me vrasjen e Senakeribit, në krahasim me atë të burimeve të lashta botërore?
27 Le të marrim, për shembull, vrasjen e Senakeribit dhe atë që nxjerr në pah një zbulim i kohëve të fundit. Bibla thotë se Senakeribi u vra nga dy prej bijve të tij, Adrameleku dhe Sarezeri. (2. Mbretërve 19:36, 37) E megjithatë, qoftë tregimi i mbretit babilonas Nabonidi, qoftë edhe ai i Berosit, prift babilonas i shekullit III p.e.s., përmendin vetëm një bir, si përgjegjës për vrasjen e babait. Kush ka të drejtë? Duke komentuar zbulimin e bërë kohët e fundit, të një prizmi fragmentar të Esar-Adonit, biri i Senakeribit që erdhi pas tij në fron, historiani Filip Biberfeld shkroi: «Vetëm tregimi biblik doli i saktë. Është vërtetuar edhe në hollësirat më të vogla nga përshkrimi i Esar-Adonit dhe, për sa i përket kësaj ngjarjeje të historisë asiro-babilonase, ka dalë edhe më i saktë se burimet babilonase. Ky është një fakt jashtëzakonisht i rëndësishëm, për sa i përket edhe vlerësimit të burimeve bashkëkohore në kundërshtim me traditën biblike.»26
28. Si është rivendosur vërtetësia e Biblës në lidhje me atë që ajo thotë për Belshazarin?
28 Dikur, të gjitha burimet e lashta që njiheshin, nuk përputheshin me Biblën edhe në lidhje me Belshazarin. Bibla thotë se Belshazari ishte mbret i Babilonisë në kohën kur ajo ra. (Danieli 5:1-31) Por shkrimet jobiblike as që e përmendnin Belshazarin dhe flisnin mbi Nabonidin si mbret në atë kohë. Për këtë arsye kritikët pohonin se Belshazari nuk kishte ekzistuar kurrë. Megjithatë, më vonë u zbuluan disa dorëshkrime të vjetra, të cilat e identifikonin Belshazarin si bir të Nabonidit dhe bashkëmbret me të atin në Babiloni. Me sa duket, kjo është edhe arsyeja për të cilën Bibla thotë se Belshazari i propozoi Danielit që të bëhej «i treti në mbretëri», pasi vetë Belshazari ishte i dyti. (Danieli 5:16, 29) Prandaj, profesori R. P. Dorëti, në universitetin e Jellit, duke bërë një krahasim midis librit të Danielit dhe librave të tjerë të lashtë, tha: «Tregimin e Shkrimeve mund ta interpretojmë si të shkëlqyer sepse përdor emrin e Belshazarit, sepse i jep Belshazarit fuqi mbretërore dhe sepse ai pranon se në mbretëri ekzistonte një sundim dualist.»27
29. Cili pohim ka dalë në dritë për sa i përket Ponc Pilatit?
29 Një zbulim tjetër që konfirmon vërtetësinë historike të një personazhi biblik, është përshkruar nga Majkëll J. Hauard, i cili punoi me një ekspeditë në Cezare, në Izrael, më 1979-ën. «Për 1.900 vjet,—shkruan Hauard,—Pilati ka ekzistuar vetëm nëpër faqet e Ungjijve dhe në kujtimet e mjegullta të historianëve romakë dhe hebrenj. Nga jeta e tij nuk njihej praktikisht asgjë. Kishte madje edhe nga ata që thoshin se ai nuk kishte ekzistuar kurrë. Por në vitin 1961, ndërsa një ekspeditë arkeologjike italiane po gërmonte në rrënojat e teatrit të lashtë romak të Cezaresë, një punëtor përmbysi një gur që ishte përdorur si shkallë. Në pjesën e prapme gjendej mbishkrimi vijues, pjesërisht i dëmtuar, në latinisht: ‘Caesariensibus Tiberium Pontius Pilatus Praefectus Iudaeae’. (Për popullin e Cezaresë Tiberium Ponc Pilati prefekt i Judesë). Ishte një goditje fatale për ata që dyshonin në ekzistencën e Pilatit. . . . Për herë të parë, ekzistonte një dëshmi epigrafike bashkëkohore mbi jetën e njeriut që kishte urdhëruar kryqëzimin e Krishtit.»28—Gjoni 19:13-16; Veprat 4:27.
30. Në mbështetje të tregimit biblik, çfarë është zbuluar në lidhje me përdorimin e deveve?
30 Zbulimet moderne vërtetojnë edhe disa hollësira dytësore të tregimeve të lashta biblike. Për shembull, duke kundërshtuar Biblën, në 1964-ën, Vërner Keller, shkroi se në lashtësi devetë nuk ishin të zbutura dhe si rrjedhim skena në të cilën «takojmë për herë të parë Rebekën, në qytetin e saj të lindjes, Nahor, duhet të ketë pësuar një ndryshim të shenjave dalluese. ‘Devetë’ e vjehrrit të saj të ardhshëm, Abrahamit, të cilave ajo u dha ujë tek pusi, ishin . . . gomarë».29 (Zanafilla 24:10) Megjithatë, në 1978-ën, gjenerali dhe arkeologu izraelit Moshe Dajan, tërhoqi vëmendjen mbi dëshmi që tregonin se në ato kohë të lashta devetë «shërbenin si mjet transporti», duke vërtetuar kështu saktësinë e tregimit biblik. «Mbi një basoreliev të shekullit XVIII para Krishtit, që u gjet në Biblos, në Feniki, është vizatuar një deve në gjunjë,—shpjegoi Dajan.—Dhe kalorës devesh shfaqen mbi disa vula cilindrike të zbuluara kohët e fundit në Mesopotami dhe që i përkasin periudhës patriarkale.»30
31. Çfarë provash të tjera kemi mbi saktësinë historike të Biblës?
31 Provat e saktësisë historike të Biblës janë shtuar, aq sa janë bërë të pakundërshtueshme. Është e vërtetë që nuk janë gjetur dëshmi të shkruara mbi shkatërrimin e egjiptasve në Detin e Kuq dhe për humbje të tilla të ngjashme, por kjo nuk të habit, pasi kemi parë që ata qeveritarë s’e kishin zakon të shkruanin humbjet e pësuara. E megjithatë, mbi muret e tempullit në Karnaki, në Egjipt, është përshkruar pushtimi i suksesshëm i Judesë nga ana e faraonit Shishak, gjatë mbretërimit të Roboamit, bir i Solomonit. Bibla flet mbi këtë ngjarje në 1. Mbretërve 14:25, 26. Veç kësaj, është zbuluar edhe i ashtuquajturi Guri i Moabit, në të cilin mbreti moabit, Mesha, paraqet versionin e vet të rebelimit të tij kundër Izraelit. Ky tregim mund të lexohet edhe në Bibël, në 2. Mbretërve 3:4-27.
32. Çfarë mund të admirojmë sot nëpër muze në mbështetje të tregimeve biblike?
32 Në shumë muze mund të vërehen basorelieve, mbishkrime dhe statuja që vërtetojnë tregimin biblik. Mbretër të Judesë e të Izraelit, si Hezekia, Manaseu, Omri, Akabi, Peka, Menahemi dhe Hoshea, janë përmendur nëpër mbishkrimet në formë koni të mbretërve asirë. Mbreti Jehu apo ndonjë prej të dërguarve të tij paraqitet në Obeliskun e Zi të Salmaneserit, duke paguar tributin. Zbukurimet e pallatit mbretëror në Shusha, Persi, janë restauruar dhe mund të shihen sot, ashtu siç mund t’u jenë shfaqur personazheve biblike, Mardokeo dhe Ester. Ata që vizitojnë muzetë, mund të shohin edhe statujat e cezarëve të Romës, Augustit, Tiberit dhe Klaudit, të përmendur në tregimet biblike. (Luka 2:1; 3:1; Veprat 11:28; 18:2) Është gjetur, gjithashtu, edhe një monedhë e argjendtë me portretin e Tiber Cezarit, një monedhë e ngjashme me atë që kërkoi Jezui për të trajtuar argumentin e taksave.—Mateu 22:19-21.
33. Në ç’mënyrë vendi i Izraelit dhe karakteristikat e tij nënvizojnë saktësinë e Biblës?
33 Kush e njeh mirë tregimin biblik dhe viziton Izraelin, nuk mund të mos mbetet i habitur nga saktësia e madhe me të cilën Bibla përshkruan vendin dhe karakteristikat e tij. Dr. Ze’ev Shremer, drejtues i një ekspedite gjeologjike në gadishullin e Sinait, tha: «Natyrisht, ne kemi hartat tona gjeografike dhe planet tona gjeodezike, por aty ku Bibla dhe hartat gjeografike ndryshojnë, ne parapëlqejmë Librin.»31 Saktësia historike e një pjese biblike mund të eksperimentohet edhe personalisht: kush ka dëshirë, sot mund të përshkojë në Jeruzalem një tunel prej 533 metrash, i cili është gërmuar në shkëmb të fortë më shumë se 2.700 vjet më parë. Ai u gërmua për të siguruar furnizimin me ujë të qytetit, duke e marrë ujin që nga burimi i fshehtë në Ghihon, jashtë mureve të qytetit, deri në Pishinën e Siloamit brenda qytetit. Bibla shpjegon se Hezekia e gërmoi këtë tunel për të furnizuar qytetin me ujë, duke i paraprirë kështu rrethimit të ardhshëm nga Sanakeribi.—2. Mbretërve 20:20; 2. Kronikave 32:30.
34. Ç’kanë thënë ekspertë të njohur në lidhje me saktësinë e Biblës?
34 Këta janë vetëm disa shembuj që ilustrojnë se përse nuk është e mençur të nënvlerësohet saktësia e Biblës. Por ka edhe shumë e shumë të tjerë. Prandaj, dyshimet mbi besueshmërinë e Biblës zakonisht nuk bazohen mbi atë që ajo thotë apo mbi dëshmi të vlefshme, por mbi keqinformimin dhe padijen. Ish-drejtori i Muzeut Britanik, Frederik Kenion, shkroi: «Arkeologjia nuk e ka thënë ende fjalën e saj të fundit; por rezultatet e arritura deri tani vërtetojnë atë që sugjeron besimi, pra, se Bibla nuk mund veçse të përfitojë nga rritja e njohurisë.»32 Edhe një arkeolog tjetër i njohur, Nelson Gluk, tha: «Mund të pohojmë kategorikisht që asnjë zbulim arkeologjik nuk ka përgënjeshtruar asnjëherë ndonjë referim biblik. Ekzistojnë dhjetra e dhjetra gjetje arkeologjike që vërtetojnë në vija të trasha apo edhe në hollësirat më të vogla deklaratat historike që përmban Bibla.»33
Ndershmëri dhe harmoni
35, 36. (a) Cilat mangësi personale pranuan shkrimtarë të ndryshëm të Biblës? (b) Përse ndershmëria e këtyre shkrimtarëve përforcon pohimin e tyre, sipas të cilit Bibla është një libër me origjinë hyjnore?
35 Një tjetër gjë që vërteton se Bibla është vepër e Perëndisë është ndershmëria e shkrimtarëve të saj. Është kundër natyrës së papërsosur njerëzore të pranojë, e sidomos me shkrim, gabimet dhe mangësitë e veta. Shumica e shkrimtarëve të lashtë na kanë raportuar vetëm sukseset dhe virtytet e veta. Ndërsa Moisiu shkroi se ‘u tregua i pabesë’ dhe prej kësaj humbi privilegjin për të udhëhequr Izraelin në Tokën e Premtuar. (Ligji i përtërirë 32:50-52, Dio; Numrat 20:1-13) Jonai përmendi kokëfortësinë e tij. (Jonai 1:1-3; 4:1) Pavli pranoi gabimet e tij në të shkuarën. (Veprat 22:19, 20; Titit 3:3) Edhe Mateu, apostull i Jezuit, referoi se disa herë apostujve u mungonte besimi dhe kërkonin përparësi, e madje që e braktisën Jezuin në çastin e arrestimit.—Mateu 17:18-20; 18:1-6; 20:20-28; 26:56.
36 Sikur shkrimtarët biblikë të kishin pasur ndër mend falsifikimin e diçkaje, a nuk do të kishin filluar me informatat pak të favorshme për ta? Është e pamundur që ata të zbulojnë mangësitë e veta e pastaj të gënjejnë për gjëra të tjera, apo jo? Ndershmëria e shkrimtarëve biblikë, pra, përforcon pohimin e tyre se ndërsa shkruanin ata kanë qenë të udhëhequr nga Perëndia.—2. Timoteut 3:16.
37. Përse harmonia e brendshme e Biblës është një provë e fortë e frymëzimit të saj nga Perëndia?
37 Edhe harmonia e brendshme mbi një temë qendrore dëshmon se Bibla është vepër e një Autori hyjnor. Është e lehtë të themi se të 66 librat e Biblës u shkruan gjatë një periudhe kohore prej gjashtëmbëdhjetë shekujsh nga dyzetë shkrimtarë të ndryshëm. Por le të mendojmë pak mbi këtë fakt të jashtëzakonshëm. Ta zëmë se një libër na paska filluar së shkruari në kohën e perandorisë romake, se shkrimi i tij paska vazhduar përgjatë periudhës së monarkive deri në kohën e republikave të sotme dhe se midis shkrimtarëve na qënkëshin ushtarë, mbretër, priftërinj, peshkatarë, madje edhe një bari e një mjek. A do të prisnim që secila pjesë e këtij libri të zhvillonte të njëjtën temë identike? E pra, Bibla u shkrua në një periudhë të ngjashme kohore, nën regjime të ndryshme politike dhe nga njerëz që bënin pjesë në të gjitha kategoritë e lartpërmendura. Dhe është e tëra harmonike. Mesazhi i saj thelbësor ka të njëjtin drejtim nga fillimi në fund. A nuk vërteton edhe më tej kjo gjë deklaratën biblike, sipas së cilës këta «njerëz folën nga ana e Perëndisë, ndërsa ishin të shtyrë prej frymës së shenjtë»?—2. Pjetrit 1:20, 21.
38. Çfarë nevojitet për të pasur besim te Bibla?
38 A mund të kesh personalisht besim te Bibla? Nëse do të shqyrtosh seriozisht përmbajtjen e saj, duke mos u mjaftuar me pranimin e gjërave që sipas disave Bibla thotë, patjetër do të gjesh arsye të vlefshme për t’i besuar asaj. Por ekzistojnë prova akoma më të forta se Bibla është me të vërtetë e frymëzuar nga Perëndia dhe këto do të trajtohen në kapitullin vijues.
[Diçitura në faqen 202]
«Elementet thelbësore të astronomisë dhe të tregimit biblik të Zanafillës janë të njëjta»
[Diçitura në faqen 204]
Është një fakt i jashtëzakonshëm që Bibla nuk përmban ide bestytnore
[Diçitura në faqen 206]
Lidhja e ngushtë midis shprehive mendore dhe shëndetit fizik ishte treguar shumë kohë më parë në Bibël
[Diçitura në faqen 207]
Rëndësia që i jep Bibla dashurisë përputhet me këshillat e vlefshme mjekësore
[Diçitura në faqen 215]
Është kundër natyrës së papërsosur njerëzore të pranojë, e sidomos me shkrim, gabimet dhe mangësitë e veta
[Diçitura në faqen 215]
Bibla është e tëra harmonike
[Diagrami në faqen 201]
Qarkullimi cikli i ujit, përgjithësisht i panjohur në lashtësi, është përshkruar në Bibël
[Figura në faqen 200]
Në lashtësi, disa mendonin se toka mbështetej në këtë mënyrë
[Figura në faqen 203]
Mamuth i ngrirë, i zbuluar në Siberi. Pas mijëra vjetësh, në gojë e në stomak kishte ende barishte dhe mishi i tij, pasi u shkri, ishte akoma i ngrënshëm
[Figura në faqen 205]
Në shekujt e kaluar, mjekët nuk i lanin gjithmonë duart pasi kishin prekur të vdekurit, duke shkaktuar kështu vdekje të tjera
MORGU
MATERNITETI
[Figura në faqen 209]
Reliev që paraqet Sargonin II, mbret që dikur njihej vetëm nëpërmjet Biblës
[Figurat në faqen 210]
Reliev i gjetur në pallatin mbretëror të Senakeribit në Ninevi, në të cilin mbreti tregohet gjatë aktit të pranimit të plaçkës së luftës të marrë nga qyteti jude, Lakis
Ky prizëm argjile i Senakeribit përshkruan fushatën e tij ushtarake në Izrael
[Figurat në faqen 211]
Shtyllëz përkujtimore e Esar-Adonit, bir i Senakeribit, që na kujton 2. Mbretërve 19:37: «Dhe Esar-Adon, biri i tij, mbretëronte në vend të tij»
Ky mbishkrim i gjetur në Cezare vërteton se Ponc Pilati ishte qeveritar i Judesë
[Figurat në faqen 212]
Mbishkrimi mbi këtë mur mbështet tregimin biblik në lidhje me fitoren e Shishakut mbi Judenë
Guri i Moabit përmend rebelimin e mbretit moabit, Mesha, kundër Izraelit, që përshkruhet në Bibël
[Figurat në faqen 213]
Mbreti Jehu ose një i dërguar i tij, duke i paguar tributin Salmaneserit III
Bust mermeri i Augustit, Cezari në fuqi kur lindi Jezu Krishti
Një monedhë argjendi me portretin e Tiber Cezarit, e ngjashme me atë që kërkoi Krishti
[Figura në faqen 214]
Brendësia e tunelit të gërmuar nga Hezekia për të siguruar furnizimin me ujë të Jeruzalemit gjatë rrethimit asir