Imitoni besimin e tyre
U ngushëllua nga Perëndia i tij
ELIJA vraponte nëpër shi në terrin që sa vinte e thellohej. Kishte goxha rrugë për të bërë deri në Jezreel dhe nuk ishte djalë i ri. Megjithatë vraponte pa u lodhur, pasi «dora e Jehovait» ishte mbi të. Energjia që i vërshonte në trup pa dyshim që ishte diçka që s’e kishte provuar më parë. Madje sapo ua kishte kaluar kuajve që po tërhiqnin karrocën mbretërore të mbretit Akab!—1 Mbretërve 18:46.
Tani mbreti Akab kishte mbetur shumë mbrapa dhe Elija gjendej i vetëm në rrugën e zbrazët. Përfytyro Elijan në vrapim e sipër që pulit sytë për të hequr pikat e shiut dhe mendon për ditën më historike të jetës së tij. S’ka dyshim që ajo ishte një fitore e lavdishme për Perëndinë e Elijas, Jehovain, dhe për adhurimin e vërtetë. Tutje larg tij, humbur në turbullirën e stuhisë, shtriheshin kreshtat e malit Karmel të rrahura nga era, ku Jehovai kishte përdorur Elijan për t’i dhënë një goditje të fuqishme e të mrekullueshme adhurimit të Baalit. Qindra adhurues të Baalit ishin demaskuar si mashtrues të ligj dhe ishin ekzekutuar me të drejtë. Pastaj Elija i ishte lutur Jehovait që t’i jepte fund thatësirës që kishte pllakosur vendin për tre vjet e gjysmë, dhe shiu ra.a—1 Mbretërve 18:18-45.
Ndërsa Elija qullej gjatë atyre 30 kilometrave deri në Jezreel, mund t’i jetë dukur sikur më në fund kishte ardhur vërtet një pikë kthese. Akabit do t’i duhej të ndryshonte. Pas asaj që kishte parë, sigurisht që s’kishte rrugë tjetër veçse të braktiste adhurimin e Baalit, t’i vinte fre mbretëreshës së tij, Jezebelës, dhe të ndalonte përndjekjen ndaj shërbëtorëve të Jehovait.
Kur duket se gjërat po dalin siç i pritnim, është normale të na zgjohen shpresat. Mund të mendojmë se jeta do të na bëhet gjithnjë e më e mirë; ndoshta se edhe problemet më të këqija i kemi hedhur prapa krahëve. Nuk habitemi nëse Elija ka menduar kështu, pasi «ishte njeri me ndjenja si tonat». (Jakovi 5:17) Në fakt, problemet e Elijas sapo kishin filluar. Brenda pak orësh ai do të frikësohej tej mase, do ta lëshonte kaq shumë zemra, sa do të donte të vdiste. Ç’ndodhi? Si e ndihmoi Jehovai profetin e vet ta gjallëronte besimin dhe guximin? Le ta shohim.
Ngjarjet ndryshojnë papritur
Kur Akabi mbërriti në pallatin e tij në Jezreel, a dha ndonjë provë se kishte ndryshuar, se ishte bërë burrë më me besim? Lexojmë: «Akabi e njoftoi Jezebelën për gjithë sa kishte bërë Elija dhe i tregoi me hollësi se si i kishte vrarë me shpatë tërë profetët.» (1 Mbretërve 19:1) Vër re se tregimi i Akabit për ngjarjet e ditës la pa përmendur Perëndinë e Elijas, Jehovain. Si njeri pa besim, Akabi i pa ngjarjet e mrekullueshme të asaj dite sipas këndvështrimit njerëzor; përmendi vetëm atë që «kishte bërë Elija». Qartë, nuk kishte mësuar të respektonte Perëndinë Jehova. Po Jezebela hakmarrëse, si reagoi?
Ajo u xhindos. E mbushur gjithë mllef, i dërgoi këtë mesazh Elijas: «Kështu bëfshin perënditë, madje edhe më keq, nëse nesër në këtë kohë nuk do të kem bërë që shpirti yt të përfundojë si shpirti i secilit prej tyre!» (1 Mbretërve 19:2) Nuk kishte kërcënim me vdekje më të keq se ky. Me fjalë të tjera, Jezebela po betohej se do të vdiste ajo vetë nëse nuk e vriste Elijan të nesërmen, si hakmarrje për profetët e saj të Baalit. Përfytyro Elijan që e zgjojnë nga gjumi në ndonjë strehë të thjeshtë në Jezreel atë natë të stuhishme dhe i thonë ato fjalë të tmerrshme të mbretëreshës. Si ndikoi kjo tek ai?
I shkurajuar dhe i frikësuar deri në palcë
Nëse Elija besonte se lufta kundër adhurimit të Baalit thuajse kishte marrë fund, në atë moment shpresat iu prenë. Jezebela ishte e vendosur. Shumë e shumë nga bashkëpunëtorët besnikë të Elijas tashmë ishin ekzekutuar me urdhër të saj dhe, tani, dukej se e kishte ai radhën. Bibla na tregon: «Elija u frikësua.» A e përfytyroi Elija me sytë e mendjes vdekjen e tmerrshme që rezervonte Jezebela për të? Po të ketë menduar vazhdimisht për këtë, s’habitemi që iu venit guximi. Sidoqoftë, Elija «iku për të shpëtuar kokën».—1 Mbretërve 18:4; 19:3.
Elija s’ka qenë i vetmi njeri me besim të cilin e mposhti frika. Mjaft kohë më vonë, apostulli Pjetër hasi të njëjtin problem. Për shembull, kur Jezui bëri që Pjetri të shkonte tek ai duke ecur mbi ujë, apostulli filloi ‘të shihte stuhinë’. Në atë moment humbi guximin dhe nisi të fundosej. (Mateu 14:30) Prandaj, shembulli i Pjetrit dhe i Elijas na japin një mësim të vlefshëm. Nëse duam të ruajmë guximin, nuk duhet ta mbajmë vazhdimisht mendjen te rreziqet që na frikësojnë. Duhet të jemi vazhdimisht të përqendruar te Burimi i shpresës dhe i forcës sonë.
«S’mundem më»
I kapluar nga frika, Elija ia mbathi për në jugperëndim, 150 kilometra deri në Beer-Shebë, qytet afër kufirit jugor të Judës. Atje e la shërbëtorin pas dhe u turr i vetëm për në shkretëtirë. Tregimi thotë se «bëri një ditë udhë», kështu që mund ta imagjinojmë Elijan të jetë nisur në agim, ka të ngjarë pa ushqim a gjëra të tjera me vete. I dëshpëruar dhe gjithnjë e më i frikësuar, ai çapitej nëpër terrenin e ashpër e të egër nën diellin përzhitës. Teksa disku vezullues gradualisht përflakej dhe zhytej në horizont, Elijan po e linin forcat. I rraskapitur, u ul nën një gjineshtër—streha më e afërt në atë vend të shkretë.—1 Mbretërve 19:4.
Elija u lut gjithë dëshpërim. Kërkoi të vdiste. Ai tha: «Unë nuk jam më i mirë se paraardhësit e mi.» E dinte që paraardhësit e tij të tretur në varr, ishin të paaftë që t’i bënin ndonjë të mirë njeriu. (Eklisiastiu 9:10) Elija ndihej po aq i pavlerë. Ja përse thirri: «S’mundem më.» Pse të jetonte akoma?
A duhet të tronditemi që një njeri i Perëndisë ta lëshojë kaq shumë veten? Jo medoemos. Disa burra e gra besnike në tregimet biblike përshkruhen me ndjenja kaq të thella trishtimi, sa kanë dëshiruar vdekjen—midis tyre ishin Rebeka, Jakobi, Moisiu dhe Jobi.—Zanafilla 25:22; 37:35; Numrat 11:13-15; Jobi 14:13.
Sot jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», prandaj nuk habitemi që shumë veta, edhe shërbëtorë besnikë të Perëndisë, ndonjëherë i lëshon zemra. (2 Timoteut 3:1) Nëse ndodh të ndihesh kaq i dëshpëruar, imito shembullin e Elijas: zbrazja ndjenjat Perëndisë. Në fund të fundit, Jehovai është «Perëndia i çdo ngushëllimi». (2 Korintasve 1:3) A e ngushëlloi Elijan?
Jehovai e mbështeti profetin e tij
Si mendon se u ndie Jehovai teksa shihte nga qielli profetin e tij të shtrenjtë, ulur nën atë pemë në shkretëtirë duke u lutur që të vdiste? S’ka pse të hamendemi për këtë. Pasi Elijan e zuri gjumi, Jehovai dërgoi një engjëll tek ai. Engjëlli e zgjoi me butësi duke e prekur dhe i tha: «Çohu, ha.» Elija hëngri, pasi engjëlli i kishte siguruar me dashamirësi një vakt të thjeshtë me bukë të sapopjekur, si dhe ujë. A u kujtua ta falënderonte engjëllin? Tregimi thotë vetëm që profeti hëngri e piu dhe ra sërish të flinte. Mos ishte tepër zemërlëshuar për të folur? Sidoqoftë, engjëlli e zgjoi për herë të dytë, ndoshta në agim. Edhe një herë e nxiti Elijan: «Çohu, ha.» Më pas shtoi këto fjalë që të bëjnë përshtypje: «Sepse udhëtimi është tepër i vështirë për ty.»—1 Mbretërve 19:5-7.
Falë kuptueshmërisë që i kishte dhënë Perëndia, engjëlli e dinte për ku ishte drejtuar Elija. Po ashtu e dinte se udhëtimi do të ishte tepër i vështirë për Elijan, nëse do ta bënte me forcat e veta. Sa ngushëlluese është t’i shërbejmë një Perëndie që i njeh synimet dhe kufizimet tona më mirë se ne! (Psalmi 103:13, 14) Si e ndihmoi ai vakt Elijan?
Lexojmë: «Ai u çua dhe hëngri e piu. Me fuqinë që i dha ushqimi, eci për dyzet ditë e dyzet net deri në Horeb, në malin e Perëndisë së vërtetë.» (1 Mbretërve 19:8) Ashtu si Moisiu rreth gjashtë shekuj para tij dhe si Jezui rreth dhjetë shekuj pas tij, Elija agjëroi për 40 ditë e 40 net. (Dalja 34:28; Luka 4:1, 2) Ai vakt i vetëm nuk ia hoqi të gjitha problemet, por e mbështeti në një mënyrë të mrekullueshme. Përfytyroje atë burrë të moshuar duke u munduar përmes shkretëtirës pa shtigje, ditë pas dite, javë pas jave, për afro një muaj e gjysmë.
Edhe sot Jehovai i mbështet shërbëtorët e tij, jo me vakte fizike nëpërmjet mrekullive, por në një mënyrë shumë më jetësore. Ai siguron gjërat e nevojshme që shërbëtorët e tij ta mbajnë të fortë besimin. (Mateu 4:4) Kur mësojmë për Perëndinë nga Fjala e tij dhe nga botimet që bazohen ngushtësisht në Bibël, kjo na e forcon besimin. Ky ushqim frymor mund të mos na i heqë të gjitha problemet, por mund të na ndihmojë të përballojmë gjëra që përndryshe do të ishin të papërballueshme. Gjithashtu, ky ushqim çon në «jetën e përhershme».—Gjoni 17:3.
Elija eci për afro 320 kilometra derisa më në fund arriti në malin Horeb ku, mjaft kohë më parë, Perëndia Jehova i ishte shfaqur Moisiut në kaçubën me gjemba nëpërmjet një engjëlli dhe ku më vonë kishte bërë besëlidhjen e Ligjit me Izraelin. Elija u strehua në një shpellë.
Si e ngushëlloi dhe e forcoi Jehovai profetin e tij?
Në Horeb, «fjala» e Jehovait—me sa duket e përcjellë nëpërmjet një lajmëtari engjëllor—iu drejtua me këtë pyetje të thjeshtë: «Ç’bën këtu, Elija?» Ka të ngjarë që pyetja të jetë bërë me ëmbëlsi, pasi Elija e mori si ftesë që të zbrazte zemrën. Dhe pikërisht këtë bëri. Ai tha: «Më pushtoi zelli për ty, o Jehova, Perëndi i ushtrive, sepse bijtë e Izraelit kanë lënë besëlidhjen tënde, kanë shembur altarët e tu dhe kanë vrarë me shpatë profetët e tu. Kam mbetur vetëm unë, dhe ata po kërkojnë të ma marrin shpirtin.» (1 Mbretërve 19:9, 10) Fjalët e Elijas tregojnë të paktën tri arsye pse e kishte lëshuar zemra.
Së pari, Elija mendonte se puna e tij kishte qenë e kotë. Pas gjithë atyre viteve ‘i pushtuar nga zelli’ në shërbim të Jehovait, duke vënë emrin dhe adhurimin e shenjtë të Perëndisë mbi çdo gjë tjetër, Elijas i dukej se rrethanat vetëm sa ishin përkeqësuar. Populli ishte ende i pabesë dhe rebel, kurse adhurimi i rremë po përhapej vrullshëm. Së dyti, Elija ndihej i vetmuar. «Kam mbetur vetëm unë»,—tha ai, sikur të ishte i vetmi nga kombi që ende i shërbente Jehovait. Së treti, Elija ishte i frikësuar. Shumë nga shokët e tij profetë tashmë ishin vrarë dhe ishte i bindur se e kishte ai radhën. Mund të mos ketë qenë e lehtë për Elijan t’i pranonte këto ndjenja, por nuk lejoi të sprapsej nga krenaria ose sikleti. Duke ia hapur zemrën Perëndisë në lutje, ai la një shembull të mirë për të gjithë njerëzit besnikë.—Psalmi 62:8.
Si reagoi Jehovai ndaj frikës dhe shqetësimeve të Elijas? Engjëlli i tha Elijas të qëndronte në hyrje të shpellës. Ai u bind, edhe pse nuk e dinte ç’e priste. Papritur filloi një erë e furishme. Ajo duhet të ketë shkaktuar uturimë shurdhuese, pasi ishte kaq e fortë, sa i çau më dysh malet e kreshtat. Përfytyro Elijan duke u përpjekur të mbrojë sytë, teksa struket fort në veshjen e ashpër e të rëndë prej leshi, që vrulli i erës ia ngjesh pas trupit. Pastaj i duhej të mundohej që të rrinte në vend ngaqë vetë toka nisi të tundej e të dridhej—vendin e tronditi një tërmet. Zor se e kishte marrë veten, kur vendin e përpiu një zjarr i madh që e detyroi të sprapsej në shpellë për t’u mbrojtur nga nxehtësia përvëluese.—1 Mbretërve 19:11, 12.
Në secilin rast, tregimi na kujton se Jehovai nuk gjendej në asnjërën prej këtyre shfaqjeve spektakolare të fuqisë së natyrës. Elija e dinte se Jehovai nuk ishte ndonjë perëndi mitik i natyrës, siç ishte Baali, të cilin adhuruesit e çoroditur e nderonin si «kalorësi i reve» ose ai që sjell shirat. Jehovai është Burimi i vërtetë i gjithë fuqisë së mahnitshme që gjendet në natyrë, por është edhe tejet më i madh se gjithçka që ka bërë. Madje as qiejt fizikë nuk e mbajnë dot. (1 Mbretërve 8:27) Por si e ndihmoi e gjithë kjo Elijan? Kujto frikën që kishte. Me një Perëndi si Jehovain në krahun e tij, me gjithë atë fuqi të mahnitshme që Ai ka në dispozicion, Elija nuk kishte pse të frikësohej nga Akabi dhe Jezebela.—Psalmi 118:6.
Pasi zjarri u zhduk, u bë qetësi dhe Elija dëgjoi ‘një zë të qetë e të ulët’. Ai e ftoi Elijan të shprehej sërish dhe Elija bëri ashtu, duke i zbrazur shqetësimet për të dytën herë.b Mbase kjo i solli lehtësim të mëtejshëm. Por s’ka dyshim që Elija u ngushëllua edhe më tepër nga ajo që i tha më pas ‘zëri i qetë e i ulët’. Jehovai e siguroi Elijan se nuk ishte i pavlerë. Pse nuk ishte i tillë? Perëndia zbuloi shumë gjëra rreth qëllimit që kishte për të ardhmen në lidhje me luftën kundër adhurimit të Baalit në Izrael. Qartë, puna e Elijas nuk kishte qenë e kotë, pasi qëllimi i Perëndisë po shkonte përpara pa u ndalur. Për më tepër, Elija kishte ende rol në atë qëllim, pasi Jehovai e dërgoi sërish në caktim duke i dhënë udhëzime specifike.—1 Mbretërve 19:12-17.
Por, ç’të themi për ndjenjat e vetmisë që provonte Elija? Jehovai bëri dy gjëra për këtë. Së pari, i tha Elijas të miroste Eliseun si profetin që më vonë do ta pasonte. Ky burrë më i ri do të bëhej shoku dhe ndihmësi i Elijas për disa vjet. Sa ngushëllim praktik! Së dyti, Jehovai zbuloi këtë lajm emocionues: «Unë kam lënë shtatë mijë veta në Izrael, të gjithë ata, gjunjët e të cilëve nuk janë përkulur para Baalit dhe goja e të cilëve nuk e ka puthur atë.» (1 Mbretërve 19:18) Elija nuk ishte aspak vetëm. Sa duhet t’i jetë ngrohur zemra kur dëgjoi për ata mijëra njerëz besnikë që nuk pranuan të adhuronin Baalin! Ata kishin nevojë që Elija të vazhdonte shërbimin besnik, që të linte një shembull besnikërie të patundur ndaj Jehovait në ato kohë të errëta. Elija duhet të jetë prekur thellë kur dëgjoi ato fjalë të lajmëtarit të Jehovait, ‘zërit të qetë e të ulët’. Për të ishte sikur t’i fliste vetë Perëndia.
Ashtu si Elija, me të drejtë mund të mrekullohemi nga forcat natyrore tejet të mëdha që duken në krijim. Krijimi e pasqyron në mënyrë të gjallë fuqinë e Krijuesit. (Romakëve 1:20) Jehovai ka ende shumë dëshirë ta përdorë fuqinë e pakufishme për të ndihmuar shërbëtorët e tij besnikë. (2 Kronikave 16:9) Megjithatë, Perëndia na flet më plotësisht nëpërmjet faqeve të Fjalës së tij, Biblës. (Isaia 30:21) Në njëfarë kuptimi, Bibla është si ai «zë i qetë e i ulët» me anë të të cilit sot Jehovai na drejton, na ndreq, na nxit dhe na siguron për dashurinë e tij.
A e pranoi Elija ngushëllimin që i dha Jehovai në malin Horeb? Pa dyshim që po. Shpejt ndodhej sërish në caktim; ishte përsëri ai profet i guximshëm e besnik që iu kundërvu ligësisë së adhurimit të rremë. Nëse edhe ne i marrim për zemër fjalët e frymëzuara të Perëndisë, ‘ngushëllimin nga Shkrimet’, do të arrijmë të imitojmë besimin e Elijas.—Romakëve 15:4.
[Shënimet]
a Shih artikujt «Imitoni besimin e tyre» me temë «Ai mbrojti adhurimin e pastër» dhe «Qëndroi vigjilent dhe priti» në numrat e Kullës së Rojës të 1 janarit dhe të 1 prillit 2008.
b Burimi i këtij ‘zëri të qetë e të ulët’ mund të ketë qenë i njëjti engjëll që u përdor për të përcjellë ‘fjalën e Jehovait’ siç përmendet te 1 Mbretërve 19:9. Vargu 15 i referohet këtij engjëlli thjesht me emrin ‘Jehova’. Kjo mund të na kujtojë përfaqësuesin engjëllor të cilin Jehovai e përdori si udhërrëfyes të Izraelit në shkretëtirë dhe për të cilin Perëndia tha: «Emri im është në të.» (Dalja 23:21) Patjetër që nuk mund të jemi të prerë për këtë pikë, por ia vlen të vërejmë se gjatë ekzistencës paranjerëzore, Jezui shërbeu si «Fjala», Zëdhënësi i veçantë për shërbëtorët e Jehovait.—Gjoni 1:1
[Figura në faqen 19]
Jehovai e bekoi tej mase Elijan si në kohë të mira, edhe në të këqija
[Figura në faqen 20]
Në dëshpërim të thellë, Elija ia zbrazi zemrën Jehovait
[Figura në faqen 21]
Jehovai përdori fuqinë e tij të mahnitshme që ta ngushëllonte dhe t’i jepte zemër Elijas