Eliseu i pa karrocat e zjarrta—Po ti?
Mbreti i Sirisë po kërkonte Eliseun, profetin e Perëndisë, dhe zbuloi se ishte në Dotan, qytet kodrinor i rrethuar me mure. Natën, sundimtari sirian dërgoi atje kuaj, karroca lufte dhe trupa ushtarake. Në agim, forcat e tij e kishin rrethuar qytetin.—2 Mbret. 6:13, 14.
Kur shërbëtori i Eliseut u ngrit dhe doli jashtë, pa armiqtë që donin ta zinin rob profetin. Ai thirri: «Oh, zotëria im! Ç’do të bëjmë?» Eliseu ia ktheu: «Mos ki frikë, sepse ata që janë me ne, janë më shumë se ata që janë me ta.» Pastaj profeti u lut: «O Jehova, të lutem, hapja sytë që të shohë.» Më tej, tregimi thotë: «Menjëherë Jehovai ia hapi sytë shërbëtorit, dhe ai pa. Ja, rajoni malor ishte plot me kuaj dhe karroca të zjarrta lufte rreth e qark Eliseut.» (2 Mbret. 6:15-17) Çfarë mund të mësojmë nga kjo dhe nga ngjarje të tjera në jetën e Eliseut?
Eliseu nuk u trondit kur e rrethuan sirianët, sepse kishte besim te Jehovai dhe pa si vepronte dora mbrojtëse e Perëndisë. Sot nuk presim mrekulli, por e dallojmë që Jehovai po e mbron popullin e tij si grup. Në njëfarë mënyre edhe ne jemi të rrethuar me kuaj e karroca të zjarrta. Nëse «i shohim» me sytë e besimit dhe mbështetemi gjithmonë te Jehovai, ai ‘do të na japë siguri’ e do të shijojmë bekimet e Tij. (Psal. 4:8) Le të shohim si të nxjerrim dobi nga ndodhi të tjera të jetës së Eliseut.
ELISEU FILLON T’I SHËRBEJË ELIJAS
Në një rast, ndërsa Eliseu po lëronte arën, profeti Elija iu afrua dhe i hodhi sipër veshjen e vet zyrtare. Eliseu e dinte ç’do të thoshte kjo. Ai shtroi një gosti, u nda me të atin e të ëmën dhe u largua nga shtëpia që t’i shërbente Elijas. (1 Mbret. 19:16, 19-21) Ngaqë e vuri veten në dispozicion pa ngurruar që t’i shërbente Perëndisë sa më plotësisht, Eliseu u bë i dobishëm në dorën e Jehovait dhe më vonë shërbeu si profet në vend të Elijas.
Eliseu i shërbeu Elijas për rreth gjashtë vjet. Gjatë kësaj kohe, Eliseu ishte ai «që hidhte ujë mbi duart e Elijas». (2 Mbret. 3:11) Në ato ditë, njerëzit e kishin zakon të hanin me duar, e nuk përdoreshin pirunë, thika ose mjete të tilla. Pas një vakti, shërbëtori i hidhte ujë zotërisë, që ky të lante duart. Pra, të paktën, një pjesë e detyrave të Eliseut ishin të rëndomta. Prapëseprapë, ai e quante privilegj të ishte shërbëtor i Elijas.
Edhe sot, shumë të krishterë marrin pjesë në forma të ndryshme të shërbimit të plotkohor. Për këtë, i motivon besimi dhe dëshira që t’i përdorin energjitë e tyre sa më plotësisht në shërbim të Jehovait. Disa caktime kërkojnë që të largohen nga shtëpia dhe të bëjnë punë që shumë mund t’i shohin si të rëndomta—qoftë në Bethel, në projekte ndërtimi e kështu me radhë. Asnjë i krishterë nuk duhet ta konsiderojë këtë shërbim si të parëndësishëm a poshtërues, pasi Jehovai e çmon jashtëzakonisht.—Hebr. 6:10.
ELISEU QËNDROI NË CAKTIMIN E TIJ
Para se «ta ngrinte Elijan në qiej me anë të një stuhie», Perëndia e dërgoi profetin nga Gilgali në Bethel. Elija i tha shokut të tij që s’kishte pse të shkonte me të, por Eliseu ia ktheu: «Unë nuk do të të lë.» Gjatë udhëtimit, Elija e nxiti edhe dy herë të tjera të mos e shoqëronte më, por më kot. (2 Mbret. 2:1-6) Ashtu si Rutha që nuk i ishte ndarë Naomit, edhe Eliseu qëndroi me Elijan. (Rutha 1:8, 16, 17) Përse? Me sa duket, ngaqë Eliseu e çmonte privilegjin që i kishte dhënë Perëndia për t’i shërbyer Elijas.
Eliseu na la një shembull të shkëlqyer. Po të marrim ndonjë privilegj shërbimi në organizatën e Perëndisë, do ta vlerësojmë shumë nëse mbajmë parasysh që po i shërbejmë Jehovait. Nuk ka nder më të madh se ky.—Psal. 65:4; 84:10.
«KËRKO ÇFARË DO QË TË BËJ PËR TY»
Rrugës, Elija i tha Eliseut: «Kërko çfarë do që të bëj për ty para se të më ndajnë nga ti.» Ashtu si kërkesa e Solomonit vite më parë, edhe kërkesa e Eliseut përqendrohej në gjërat frymore. Ai kërkoi që ‘të kalonin tek ai dy pjesë të frymës së Elijas’. (1 Mbret. 3:5, 9; 2 Mbret. 2:9) Në Izrael, biri i parëlindur duhej të trashëgonte dy pjesë të gjithçkaje që kishte i ati. (Ligj. 21:15-17) Pra, në thelb, Eliseu po kërkonte të pasonte Elijan si profet të Perëndisë. Gjithashtu, duket se dëshironte të tregonte qëndrimin e guximshëm të Elijas, që e ‘kishte pushtuar zelli për Jehovain’.—1 Mbret. 19:13, 14.
Si iu përgjigj Elija kërkesës së shërbëtorit? «Gjë të vështirë kërkove. Nëse më sheh të më marrin prej teje, do të të ndodhë ashtu, por nëse jo, nuk do të ndodhë»,—i tha profeti. (2 Mbret. 2:10) Siç duket, përgjigjja e Elijas kishte dy kuptime. Së pari, vetëm Perëndia mund të vendoste nëse Eliseu do ta merrte atë që kishte kërkuar. Së dyti, për ta marrë atë çka kishte kërkuar, Eliseu duhej të mbetej i vendosur që të rrinte me Elijan, të ndodhte ç’të ndodhte.
ÇFARË PA ELISEU
Si iu duk Perëndisë kërkesa e Eliseut që të merrte dy pjesë nga fryma e Elijas? Tregimi thotë: «Kur po ecnin udhës e po bisedonin, një karrocë lufte e zjarrtë dhe kuaj të zjarrtë i ndanë ata të dy, dhe, me anë të një stuhie, Elija u ngjit në qiej. Ndërkaq Eliseu e shikonte këtë.»a Kjo ishte përgjigjja që i dha Jehovai kërkesës së tij. Eliseu e pa Elijan të ndahej prej tij, mori dy pjesë të frymës së Elijas dhe e pasoi si profet të Perëndisë.—2 Mbret. 2:11-14.
Eliseu mori veshjen zyrtare që i kishte rënë Elijas dhe e veshi. Kjo veshje tani e identifikonte Eliseun si profetin e Perëndisë. Një provë tjetër e emërimit të tij ishte mrekullia që bëri më vonë, duke ndarë ujërat e lumit Jordan.
Pa dyshim që Eliseut i bëri shumë përshtypje kur pa Elijan teksa ngjitej në qiej me anë të një stuhie. Në fund të fundit, njeriu nuk sheh çdo ditë një karrocë lufte të zjarrtë dhe kuaj të zjarrtë. Kjo ishte një provë se Jehovai i kishte dhënë përgjigje pozitive kërkesës së Eliseut. Kur Perëndia u përgjigjet lutjeve tona, nuk shohim ndonjë vegim me një karrocë lufte flakëruese dhe kuaj të zjarrtë. Por, mund të dallojmë se Perëndia përdor fuqi të madhe për t’u siguruar që të bëhet vullneti i tij. Dhe, kur vërejmë se Jehovai e bekon pjesën tokësore të organizatës së tij, «shohim» karrocën e tij qiellore që ecën para.—Ezek. 10:9-13.
Eliseu pati plot përvoja që e bindën se Jehovai ka fuqi marramendëse. Në të vërtetë, falë frymës së shenjtë të Perëndisë, profeti bëri 16 mrekulli, dyfishi i mrekullive të Elijas.b Hera e dytë që Eliseu pa kuaj dhe karroca të zjarrta lufte ishte situata kritike në Dotan, e cila u përshkrua në hyrje të artikullit.
ELISEU PATI BESIM TE JEHOVAI
Edhe pse ishte i rrethuar nga armiqtë në Dotan, Eliseu nuk u trondit. Pse? Ngaqë kishte zhvilluar besim të fortë te Jehovai. Edhe ne kemi nevojë për një besim të tillë. Prandaj, le të lutemi për frymën e shenjtë të Perëndisë që të shfaqim besim dhe cilësi të tjera të frytit të frymës.—Luka 11:13; Gal. 5:22, 23.
Edhe ngjarja në Dotan i dha arsye të forta Eliseut që të besonte te Jehovai dhe tek ushtria e tij e padukshme mbrojtëse. Profeti e kuptoi se Perëndia kishte përdorur forcat engjëllore që të rrethonin qytetin dhe armiqtë që e kishin rrethuar qytetin. Perëndia e shpëtoi Eliseun dhe shërbëtorin e tij me anë të një mrekullie, duke i verbuar armiqtë. (2 Mbret. 6:17-23) Si në atë kohë kritike, edhe në situata të tjera, Eliseu tregoi besim dhe u mbështet plotësisht te Jehovai.
Ashtu si Eliseu, le të besojmë te Perëndia Jehova. (Prov. 3:5, 6) Atëherë «Perëndia do të na japë hir dhe do të na bekojë». (Psal. 67:1) Kuptohet, nuk jemi të rrethuar vërtet nga kuaj dhe karroca të zjarrta. Megjithatë, gjatë ‘shtrëngimit të madh’ që presim, Jehovai do të na mbrojë si një vëllazëri mbarëbotërore. (Mat. 24:21; Zbul. 7:9, 14) Deri atëherë, të mos harrojmë kurrë se «Perëndia është streha jonë».—Psal. 62:8.
a Elija nuk u ngjit në qiejt që janë vendbanimi frymor i Jehovait dhe i bijve të tij engjëllorë. Shih Kullën e Rojës të 15 shtatorit 1997, faqja 15.