Libri biblik numër 13—1 Kronikave
Shkrimtari: Ezdra
Vendi ku u shkrua: Jerusalem (?)
Shkrimi përfundoi: rr. 460 p.e.s.
Periudha përkatëse: pas 1 Kronikave 9:44: 1077 p.e.s.–1037 p.e.s.
1. Në ç’mënyrë libri i 1 Kronikave është pjesë jetësore dhe e dobishme e tregimeve hyjnore?
A ËSHTË 1 Kronikave një listë e thatë kronologjike? A është thjesht një përsëritje e librave të Samuelit dhe Mbretërve? Aspak! Ky libër është pjesë jetësore e tregimeve hyjnore i cili hedh dritë mbi to. Ishte jetësor dhe i dobishëm jo vetëm për riorganizimin e kombit dhe të adhurimit në kohën kur u shkrua, por edhe për kohët e mëvonshme, përfshirë edhe kohën tonë, pasi tregon modelin e adhurimit hyjnor. Libri i 1 Kronikave përmban disa nga shprehjet më të bukura të lavdisë për Jehovain në të gjithë Shkrimin. Ai jep disa pamje paraprake të mrekullueshme të Mbretërisë së drejtësisë të Jehovait, dhe të gjithë ata që shpresojnë te kjo Mbretëri, duhet ta studiojnë që të nxjerrin dobi. Të dy librat e Kronikave kanë qenë të çmuar përgjatë shekujve si nga judenjtë edhe nga të krishterët. Përkthyesi biblik Jeronimi kishte një mendim kaq të lartë për librat e 1 dhe 2 Kronikave, saqë i quante një «përmbledhje të Besëlidhjes së Vjetër», dhe thoshte se «ata kanë një vlerë e rëndësi kaq të madhe, saqë, kushdo që e mban veten se i njeh mirë shkrimet e shenjta, por nuk i njeh ata, gënjen veten».a
2. Përse u shkruan librat e Kronikave?
2 Me sa duket, fillimisht dy librat e Kronikave ishin një libër ose rrotull e vetme. Përse u shkruan librat e Kronikave? Le të shqyrtojmë sfondin historik. Mërgimi në Babiloni kishte mbaruar rreth 77 vjet më parë. Judenjtë ishin rivendosur në vendin e tyre. Megjithatë, ekzistonte një prirje e rrezikshme për t’u larguar nga adhurimi që i bëhej Jehovait në tempullin e rindërtuar në Jerusalem. Ezdra ishte autorizuar nga mbreti i Persisë që të emëronte gjykatës e mësues të ligjit të Perëndisë (si dhe të ligjit të mbretit) dhe të stoliste shtëpinë e Jehovait. Nevojiteshin lista gjenealogjike të sakta për t’u siguruar që si priftërinj të shërbenin vetëm individë të autorizuar, si dhe për të vërtetuar trashëgimitë fisnore, nga të cilat mbaheshin priftërinjtë. Duke pasur parasysh edhe profecitë e Jehovait në lidhje me Mbretërinë, ishte mjaft e rëndësishme të kishin një regjistrim të qartë e të besueshëm të linjës së Judës dhe të Davidit.
3. (a) Çfarë donte të ringjallte Ezdra te judenjtë? (b) Përse nxori në pah historinë e Judës dhe si e theksoi rëndësinë e adhurimit të pastër?
3 Ezdra kishte dëshirën e sinqertë që t’i nxirrte judenjtë e rivendosur nga apatia dhe të ringjallte tek ata vetëdijen se në të vërtetë ishin trashëgimtarë të dashamirësisë së Jehovait nëpërmjet besëlidhjes. Për këtë arsye, në librat e Kronikave ai u paraqit atyre një tregim të plotë të historisë së kombit e të fillesave të njerëzimit, duke nisur që nga njeriu i parë, Adami. Meqë pika kryesore ishte mbretëria e Davidit, ai nxori në pah mbretërinë e Judës duke mos e përmendur pothuajse aspak historinë e turpshme të mbretërisë dhjetëfisëshe. Ai përshkroi sipërmarrjet e mbretërve më të mëdhenj të Judës për të ndërtuar e meremetuar tempullin dhe për të marrë drejtimin në adhurimin e Perëndisë. Nxori në pah mëkatet fetare që sollën përmbysjen e mbretërisë, duke theksuar njëkohësisht premtimet e Perëndisë për rivendosjen. Theksoi rëndësinë e adhurimit të pastër duke e përqendruar vëmendjen te hollësitë e shumta që lidheshin me tempullin, priftërinjtë, levitët, dirigjuesve të këngëve e kështu me radhë. Sa zemër duhet t’u ketë dhënë izraelitëve ky tregim historik që përqendrohej tek arsyeja për të cilën ishin kthyer nga mërgimi: të rivendosnin adhurimin e Jehovait në Jerusalem!
4. Ç’dëshmi vërtetojnë se shkrimtari i Kronikave është Ezdra?
4 Ç’dëshmi kemi se Ezdra ishte shkrimtari i librave të Kronikave? Dy vargjet e fundit të 2 Kronikave janë njësoj me dy vargjet e para të librit të Ezdrës, kurse 2 Kronikave përfundon me një fjali që lihet përgjysmë dhe mbaron te Ezdra 1:3. Prandaj, shkrimtari i Kronikave duhet të ketë qenë edhe shkrimtari i librit të Ezdrës. Këtë e vërteton më tej edhe fakti që stili, gjuha, renditja e fjalëve dhe ortografia e librave të Kronikave dhe të Ezdrës janë të njëjtë. Disa nga shprehjet që dalin në këta dy libra nuk gjenden në asnjë libër tjetër të Biblës. Ezdra, i cili shkroi librin e Ezdrës, duhet të ketë shkruar edhe Kronikat. Tradita judaike mbështet këtë përfundim.
5. Cilat ishin kualifikimet frymore dhe shekullare të Ezdrës?
5 Askush tjetër përveç Ezdrës nuk ishte i kualifikuar më mirë për të përpiluar këtë histori autentike e të saktë. «Ezdra e kishte përgatitur zemrën e tij për t’u këshilluar me ligjin e Jehovait, për ta zbatuar atë dhe për të mësuar në Izrael rregullin dhe drejtësinë.» (Ezd. 7:10) Jehovai e ndihmoi me frymën e shenjtë. Sundimtari i fuqisë botërore perse pranoi se Ezdra kishte mençurinë e Perëndisë dhe i dha atij pushtet të madh civil në krahinën e Judës. (Ezd. 7:12-26) Në këtë mënyrë, i pajisur me autoritet hyjnor dhe perandorak, Ezdra mundi ta përpilonte tregimin e tij duke u bazuar në dokumentet më të mira të disponueshme.
6. Pse mund të jemi të sigurt për saktësinë e Kronikave?
6 Ezdra ishte një kërkues i jashtëzakonshëm. Ai bëri kërkime në dokumentet më të vjetra të historisë judaike të shkruara nga profetë të besueshëm që kishin jetuar në ato kohë, si dhe në dokumente të hartuara nga regjistrues zyrtarë dhe nga nëpunës të regjistrave publikë. Disa nga shkresat që shqyrtoi ai, mund të kenë qenë dokumente shtetërore të Izraelit e të Judës, regjistra gjenealogjikë, vepra historike të shkruara nga profetë dhe dokumente që zotëroheshin nga krerë fisesh apo familjesh. Ezdra citon të paktën 20 nga këto burime informacioni.b Nëpërmjet këtyre citimeve të qarta, me ndershmëri, Ezdra u dha mundësi bashkëkohësve të tij të kontrollonin burimet ku ishte bazuar ai, nëse dëshironin, dhe nga ana tjetër kjo i shton një peshë të konsiderueshme argumentit të besueshmërisë dhe autenticitetit të fjalës së tij. Sot, ne mund të jemi të sigurt për saktësinë e librave të Kronikave për të njëjtën arsye që ishin edhe judenjtë e kohës së Ezdrës.
7. Kur u shkruan Kronikat, cilët i konsideronin ato si autentike dhe ç’periudhë kohore trajtojnë?
7 Meqë Ezdra «doli nga Babilonia» vitin e shtatë të mbretit pers Artakserks Dorëgjati, domethënë në vitin 468 p.e.s., dhe përderisa nuk e përmend ngjarjen e rëndësishme të mbërritjes së Nehemisë në vitin 455 p.e.s., librat e Kronikave duhet të kenë përfunduar mes këtyre datave, ka shumë të ngjarë aty rreth vitit 460 p.e.s. në Jerusalem. (Ezd. 7:1-7; Neh. 2:1-18) Judenjtë e kohës së Ezdrës i pranuan Kronikat si pjesë të vërtetë të ‘të gjithë Shkrimit që është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm’. Ata i quanin Divréh Haijamím, që do të thotë «Çështjet e ditëve», domethënë, histori e ditëve ose e kohëve. Pothuajse 200 vjet më vonë, edhe përkthyesit e Septuagintës greke i përfshinë Kronikat si libra kanunorë. Ata e ndanë librin në dy pjesë dhe, duke menduar se ishte një shtesë e librave të Samuelit dhe të Mbretërve, apo e tërë Biblës së asaj kohe, e quajtën Paraleipoménon, që do të thotë «Gjëra të kaluara (të pathëna; të fshira)». Edhe pse emri nuk është edhe aq i përshtatshëm, gjithsesi, kjo tregon se ata i shihnin Kronikat si Shkrime autentike e të frymëzuara. Kur përgatiste Vulgatën latine, Jeronimi sugjeroi: «Në mënyrë më domethënëse mund [t’i] quajmë Khronikón e gjithë historisë hyjnore.» Që këtej duket se rrjedh titulli «Kronikat». Një kronikë është një përmbledhje ngjarjesh sipas kohës kur kanë ndodhur. Pasi rendit së pari gjenealogjitë, libri i 1 Kronikave merret kryesisht me kohën e mbretit David, që nga viti 1077 p.e.s. e deri në vdekjen e tij.
PËRMBAJTJA E 1 KRONIKAVE
8. Cilat janë dy pjesët e librit të 1 Kronikave?
8 Libri i 1 Kronikave ndahet natyrshëm në dy pjesë: 9 kapitujt e parë, që kryesisht merren me gjenealogji, dhe 20 kapitujt e fundit, që përshkruajnë ngjarje të ndodhura gjatë 40 vjetëve, që nga vdekja e Saulit deri në fund të mbretërimit të Davidit.
9. Përse s’ka arsye të mendojmë se Kronikat janë shkruar në një datë më të vonë?
9 Gjenealogjitë (1:1–9:44). Këta kapituj renditin gjenealogjinë që nga Adami deri te linja e Zorobabelit. (1:1; 3:19-24) Shumë përkthime e gjurmojnë linjën e Zorobabelit deri në brezin e dhjetë. Por, meqë ai u kthye në Jerusalem në vitin 537 p.e.s., duket që koha ka qenë e pamjaftueshme që të lindin kaq shumë breza deri në vitin 460 p.e.s., kohë kur Ezdra me sa duket përfundoi shkrimin. Megjithatë, teksti hebraik është i paplotë në këtë pjesë, prandaj s’mund të përcaktohet se sa nga burrat që renditen aty kanë lidhje me Zorobabelin. Prandaj, s’ka arsye të mendojmë, sikurse bëjnë disa, se Kronikat janë shkruar në një datë më të vonë.
10. (a) Cilët breza renditen të parët? (b) Cila gjenealogji renditet logjikshëm në fillim të kapitullit të dytë? (c) Cilat janë listat e tjera dhe me çfarë përfundojnë?
10 Së pari, renditen dhjetë brezat nga Adami te Noeja, dhe më pas dhjetë brezat deri tek Abrahami. Pastaj vijnë bijtë e Abrahamit dhe pasardhësit e tyre; pasardhësit e Esaut dhe të Seirit, që jetuan në rajonin malor të Seirit; dhe mbretërit e hershëm të Edomit. Por nga kapitulli i dytë tregimi përqendrohet te pasardhësit e Izraelit, ose Jakobit, nga të cilët gjenealogjia renditet së pari përmes Judës dhe pastaj dhjetë brezat deri te Davidi. (2:1-14) Jepet edhe një listë e fiseve të tjera, veçanërisht e fisit të Levit dhe të kryepriftërinjve, e cila përfundon me fisin e Beniaminit dhe të çon deri te mbreti Saul, një beniaminit, me cilin zë fill tregimi i mirëfilltë historik. Disa herë mund të duket sikur ka kontradikta mes gjenealogjive të Ezdrës dhe pjesëve të tjera të Biblës. Megjithatë, duhet mbajtur parasysh se disa personazhe njiheshin edhe me emra të tjerë dhe se gjuha është në ndryshim e me kalimin e kohës ndryshon edhe mënyra si shkruhen disa emra. Një studim i kujdesshëm kapërcen pjesën më të madhe të vështirësive.
11. Jep shembuj të informacioneve të tjera të dobishme që ndërfuten në renditjen e gjenealogjive.
11 Në gjenealogjitë që përmend, Ezdra ndërfut aty-këtu copëza informacionesh historike dhe gjeografike, që shërbejnë për të sqaruar e për të dhënë përkujtues të rëndësishëm. Për shembull, teksa rendit pasardhësit e Rubenit, Ezdra shton këtë informacion të rëndësishëm: «Bijtë e Rubenit, të parëlindurit të Izraelit. Në të vërtetë, ai ishte i parëlinduri, por meqë përdhosi shtratin e të atit, e drejta e të parëlindurit iu dha bijve të Jozefit, birit të Izraelit, prandaj ai nuk u regjistrua sipas gjenealogjisë me të drejtën e të parëlindurit. Juda kishte epërsi ndër vëllezërit e tij, dhe ai që do të bëhej udhëheqës do të vinte prej tij, por e drejta e të parëlindurit ishte e Jozefit.» (5:1, 2) Këto pak fjalë shpjegojnë shumë. Për më tepër, vetëm te Kronikat mësojmë se Joabi, Amasa dhe Abishai ishin të gjithë nipër të Davidit, dhe kjo na ndihmon të kuptojmë ngjarjet e ndryshme që lidhen me ta.—2:16, 17.
12. Në ç’rrethana vdes Sauli?
12 Jobesnikëria e çon Saulin në vdekje (10:1-14). Tregimi hapet me filistinët që e kanë ashpërsuar sulmin në malin Gilboa. Tre nga bijtë e Saulit, ndër të cilët edhe Jonatani, vriten. Pastaj plagoset edhe Sauli. Duke mos dashur të kapet rob nga armiqtë, ai i thotë shqytarit të vet: «Zhvishe shpatën dhe shpomë tejpërtej, që të mos vijnë këta të parrethprerë e të më keqtrajtojnë.» Mirëpo shqytari nuk pranon, prandaj Sauli vret veten. Kështu, Sauli vdes «për shkak të jobesnikërisë, sepse nuk tregoi besim te Jehovai, duke mos respektuar fjalën e Jehovait, si edhe sepse kërkoi një medium për ta pyetur. Ai nuk pyeti Jehovain». (10:4, 13, 14) Jehovai ia jep mbretërinë Davidit.
13. Si del i suksesshëm mbretërimi i Davidit?
13 Konfirmohet pozita e Davidit si mbret (11:1–12:40). Me kalimin e kohës, 12 fiset mblidhen së bashku te Davidi në Hebron dhe e mirosin si mbret i të gjithë Izraelit. Ai pushton Sionin dhe ‘bëhet gjithnjë e më i madh, sepse Jehovai i ushtrive është me të’. (11:9) Në krye të ushtrisë vihen burra të fuqishëm dhe nëpërmjet tyre Jehovai sjell «një shpëtim të madh». (11:14) Davidi gjen mbështetje unanime dhe burrat e luftës mblidhen së bashku me zemër të plotë që ta bëjnë mbret. Në Izrael ka festë e hare.
14. Ç’sukses korr Davidi në betejë kundër filistinëve, dhe nga ç’rast që të ngjall besim lind një këngë e gëzueshme?
14 Davidi dhe arka e Jehovait (13:1–16:36). Davidi këshillohet me krerët e kombit dhe bien dakord që ta marrin Arkën nga Kiriat-Jearimi, ku kishte qëndruar për 70 vjet, e ta sjellin në Jerusalem. Rrugës, Uzahu vdes ngaqë shpërfill pa pikë respekti udhëzimet e Perëndisë, dhe Arkën e lënë për njëfarë kohe në shtëpinë e Obed-Edomit. (Num. 4:15) Filistinët ia nisin sërish me mësymjet e tyre, mirëpo Davidi i thyen dy herë, në Baal-Perazim dhe në Gibeon. Të udhëzuar nga Davidi, levitët ndjekin tani procedurën teokratike për ta çuar Arkën shëndoshë e mirë në Jerusalem, ku, mes valleve e haresë, e vendosin në një tendë që Davidi ka ngritur enkas për të. Paraqiten flijime dhe këngë; Davidi vetë bën një këngë falënderimi për Jehovain në atë rast. Kjo këngë arrin kulmin me fjalët e titullit të saj: «Le të gëzojnë qiejt e të ketë hare toka, le të thonë ata ndër kombe: ‘Jehovai është bërë mbret!’» (1 Kron. 16:31) Ç’rast emocionues që të frymëzon besim! Më vonë, kjo këngë e Davidit përshtatet si bazë për këngë të reja, një nga cilat është edhe Psalmi 96. Një tjetër e gjejmë në 15 vargjet e para të Psalmit 105.
15. Me cilin premtim të mrekullueshëm i përgjigjet Jehovai dëshirës së Davidit për të ndërtuar një shtëpi për adhurimin e njësuar?
15 Davidi dhe shtëpia e Jehovait (16:37–17:27). Një situatë e pazakontë krijohet tani në Izrael. Arka e besëlidhjes gjendet në një tendë në Jerusalem, ku shërbejnë Asafi dhe vëllezërit e tij, kurse në Gibeon, pak kilometra në veri-perëndim të Jerusalemit, kryeprifti Sadok dhe vëllezërit e tij paraqesin flijimet e caktuara në tabernakull. Gjithmonë me qëllimin për të lartësuar e njësuar adhurimin e Jehovait, Davidi shpreh dëshirën të ndërtojë një shtëpi për arkën e besëlidhjes së Jehovait. Mirëpo Jehovai thotë se nuk do të jetë Davidi, por i biri, që do të ndërtojë për Të një shtëpi dhe se Ai ‘do ta bëjë të patundur fronin e tij përgjithmonë’, duke i treguar dashamirësi si ati kundrejt birit. (17:11-13) Ky premtim i mrekullueshëm i Jehovait—besëlidhja për një mbretëri të përhershme—e prek Davidin në zemër. Mirënjohja e tij vërshon si lumë kur lutet që emri i Jehovait ‘të jetë i besueshëm e të bëhet i madh përjetë’ dhe që bekimet e Tij të jenë mbi shtëpinë e Davidit.—17:24.
16. Ç’premtim nis të përmbushë Jehovai nëpërmjet Davidit, por si mëkaton Davidi?
16 Fitoret e Davidit (18:1–21:17). Nëpërmjet Davidit, Jehovai nis të përmbushë tani premtimin që kishte bërë për t’ia dhënë Tokën e Premtuar farës së Abrahamit. (18:3) Në një sërë fushatash të rrufeshme, Jehovai ‘i vjen në ndihmë Davidit’ kudo që shkon. (18:6) Davidi arrin disa fitore të mahnitshme, ku nënshtron filistinët, shkatërron moabitët, mposht zobahitët, detyron sirianët t’i paguajnë haraç dhe mund Edomin, Amonin dhe Amalekun. Mirëpo, Satanai e nxit Davidit të numërojë Izraelin, duke kryer kështu një mëkat. Jehovai dërgon një murtajë si ndëshkim, por, pasi kishte ekzekutuar 70.000 veta, me mëshirë i jep fund kësaj gjëme në lëmin e Ornanit.
17. Ç’përgatitje bën Davidi për ndërtimin e shtëpisë së Jehovait dhe si i jep zemër Solomonit?
17 Përgatitjet e Davidit për tempullin (21:18–22:19). Gadi i përcjell Davidit urdhrin engjëllor «për t’i ngritur një altar Jehovait në lëmin e Ornan jebusitit». (21:18) Davidi ia blen atë vend Ornanit dhe me bindje i paraqet atje flijime e thërret Jehovain, që i përgjigjet «duke dërguar nga qiejt zjarr mbi altarin e blatimit të djegur». (21:26) Davidi nxjerr përfundimin se Jehovai dëshiron që shtëpia e tij të ndërtohet në këtë vend, prandaj i futet punës për të përgatitur materiale e për t’i mbledhur ato, duke thënë: «Solomoni, biri im, është i ri e i papërvojë, dhe shtëpia që do të ndërtohet për Jehovain duhet të jetë tejet madhështore, me një bukuri që do ta bëjë të dallohet në gjithë vendet. Prandaj do të bëj përgatitje për të.» (22:5) Davidi i shpjegon Solomonit se Jehovai nuk e ka lejuar t’ia ndërtojë shtëpinë, ngaqë ai ka qenë njeri i luftës dhe ka derdhur gjak. Pastaj e nxit të birin të jetë i guximshëm e i fortë në këtë sipërmarrje, dhe i thotë: «Ngrihu e vepro, dhe Jehovai qoftë me ty!»—22:16.
18. Për ç’qëllim bëhet regjistrimi i popullsisë?
18 Davidi organizon adhurimin e Jehovait (23:1–29:30). Që të organizohen shërbesat priftërore e të levitëve, bëhet një regjistrim i popullsisë, kësaj here në përputhje me vullnetin e Jehovait. Shërbimet e levitëve këtu përshkruhen më hollësisht se kudo tjetër në Shkrime. Pastaj, përcaktohen edhe ndarjet për shërbimin e mbretit.
19. Ç’detyrë i ngarkon Davidi Solomonit, ç’plane i jep dhe ç’shembull të shkëlqyer lë ai?
19 Afër fundit të mbretërimit të tij plot ngjarje, Davidi mbledh përfaqësuesit e mbarë kombit, «kongregacionit të Jehovait». (28:8) Mbreti ngrihet në këmbë. «Më dëgjoni, o vëllezërit e mi dhe populli im!» Pastaj u flet për dëshirën që ka në zemër, për ‘shtëpinë e Perëndisë së vërtetë’. Në prani të tyre, ai i jep këtë detyrë Solomonit: «Dhe ti biri im Solomon, njihe Perëndinë e atit tënd dhe shërbeji atij me gjithë zemër e me shpirt plotësisht të kënaqur, sepse Jehovai heton gjithë zemrat dhe dallon çdo prirje të mendimeve. Nëse e kërkon, ai do të të lërë që ta gjesh, por nëse e lë, ai do të të hedhë tej përgjithmonë. Shih tani, sepse vetë Jehovai të ka zgjedhur për të ndërtuar një shtëpi si shenjtërore. Ji guximtar dhe vepro.» (28:2, 9, 10, 12) Ai i jep Solomonit të ri plane të hollësishme arkitekturore që i kishte marrë nën frymëzim nga Jehovai dhe jep një kontribut personal tejet të madh për projektin e ndërtimit: 3.000 talenta ari dhe 7.000 talenta argjendi, që i kishte ruajtur për këtë qëllim. Përballë një shembulli kaq të shkëlqyer, princat dhe populli dhurojnë ar me vlerë 5.000 talenta e 10.000 darikë, argjend me vlerë 10.000 talenta dhe shumë hekur e bakër.c (29:3-7) Populli nuk e mban dot gëzimin për këtë privilegj.
20. Ç’maja sublime arrin lutja përfundimtare e Davidit?
20 Pastaj, Davidi e lavdëron Jehovain në lutje dhe pranon se gjithçka që kishte dhënë, faktikisht kishte ardhur nga dora e Tij dhe kërkon që Ai të vazhdojë ta bekojë popullin dhe Solomonin. Lutja e fundit e Davidit arrin maja sublime kur lartëson mbretërinë e Jehovait dhe emrin e Tij të lavdishëm: «Qofsh i bekuar, o Jehova, Perëndia i Izraelit, ati ynë, në jetë të jetëve! Të tuat, o Jehova, janë madhështia, fuqia, bukuria, shkëlqimi dhe lavdia, sepse çdo gjë në qiej dhe në tokë është jotja. Jotja është mbretëria, o Jehova, o Ti që ngrihesh si krye mbi gjithçka. Pasuritë dhe lavdia janë falë teje dhe ti sundon mbi çdo gjë. Në dorën tënde është fuqia dhe pushteti, në dorën tënde është aftësia për ta bërë dikë të madh dhe për t’u dhënë forcë të gjithëve. E tani, o Perëndia ynë, ne po të falënderojmë dhe po lëvdojmë emrin tënd të bukur.»—29:10-13.
21. Me ç’ton të lartë mbyllet libri i 1 Kronikave?
21 Solomonin e mirosin për herë të dytë dhe ai ‘ulet në fronin e Jehovait’ në vend të Davidit të moshuar. Pasi ka mbretëruar për 40 vjet, Davidi vdes «në pleqëri të mbarë, i ngopur me ditë, pasuri dhe lavdi». (29:23, 28) Pastaj, Ezdra e mbyll librin e 1 Kronikave me një ton të lartë, duke nxjerrë në pah epërsinë e mbretërisë së Davidit mbi të gjitha mbretëritë e kombeve.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
22. Ç’inkurajim morën izraelitët e kohës së Ezdrës nga libri i 1 Kronikave?
22 Izraelitët e kohës së Ezdrës nxorën mjaft dobi nga libri i tij. Kjo histori e përmbledhur, e shkruar me një pikëpamje të gjallë e optimiste, i ndihmoi ata të kuptonin mëshirën e Jehovait kundrejt tyre për hir të besnikërisë së tij ndaj besëlidhjes së Mbretërisë me mbretin David dhe për hir të emrit të tij. Të inkurajuar, ata qenë në gjendje t’i futeshin adhurimit të pastër të Jehovait me një zell të përtërirë. Gjenealogjitë forcuan besimin e tyre te priftëria që shërbente në tempullin e rindërtuar.
23. Si e përdorën librin e 1 Kronikave Mateu, Luka dhe Stefani?
23 Libri i 1 Kronikave ishte mjaft i dobishëm edhe për kongregacionin e hershëm të krishterë. Mateu dhe Luka, në bazë të gjenealogjive të këtij libri, arritën në përfundimin e qartë se Jezu Krishti ishte «biri i Davidit» dhe Mesia që kishte të drejtën ligjore. (Mat. 1:1-16; Luka 3:23-38) Në përfundim të dëshmisë së tij të fundit, Stefani përmendi kërkesën e Davidit për të ndërtuar një shtëpi për Jehovain dhe Solomonin që e ndërtoi. Pastaj, ai tha se «Më i Larti nuk banon në shtëpi të bëra me dorë», duke treguar se tempulli i kohës së Solomonit përfaqësonte gjëra qiellore shumë më të lavdishme.—Vep. 7:45-50.
24. Ç’mund të përfitojmë sot nga shembulli i shkëlqyer i Davidit?
24 Ç’të themi për të krishterët e vërtetë sot? Libri i 1 Kronikave duhet të ndërtojë e të nxitë besimin tonë. Ka shumë për të përfituar nga shembulli i shkëlqyer i Davidit. Sa shumë ndryshonte nga Sauli pa besim, pasi kërkonte gjithnjë Jehovain! (1 Kron. 10:13, 14; 14:13, 14; 17:16; 22:17-19) Kur çoi arkën e Jehovait në Jerusalem, kur shkroi psalmet plot lavde, kur organizoi levitët për shërbim dhe kur bëri kërkesën për të ndërtuar një shtëpi të lavdishme për Jehovain, Davidi tregoi se Jehovai dhe adhurimi i Tij ishin gjërat e para që kishte në mendje. (16:23-29) Ai nuk ankohej. Nuk kërkoi privilegje të veçanta për veten, por u përpoq vetëm të bënte vullnetin e Jehovait. Ja përse, kur Jehovai ia caktoi të birit ndërtimin e tempullit, ai me gjithë zemër e udhëzoi atë dhe nuk e kurseu kohën, energjitë dhe pasuritë që të përgatiste punën që do të fillonte pas vdekjes së tij. (29:3, 9) Vërtet, ç’shembull i shkëlqyer përkushtimi!—Hebr. 11:32.
25. Ç’vlerësim për emrin e Jehovait dhe për Mbretërinë e tij duhet të ngjallë tek ne libri i 1 Kronikave?
25 Ç’të themi pastaj për kapitujt e fundit kulmorë? Gjuha e mrekullueshme që përdor Davidi për të lëvduar Jehovain e për të lavdëruar «emrin [e tij] të bukur» duhet të ngjallin tek ne gëzim e mirënjohje për privilegjin që kemi sot për të shpallur lavditë e Jehovait dhe Mbretërinë e tij të drejtuar nga Krishti. (1 Kron. 29:10-13) Qoftë gjithnjë besimi dhe gëzimi ynë si i Davidit, teksa shprehim mirënjohje për Mbretërinë e përhershme të Jehovait duke u dhënë tërësisht në shërbim të Tij. (17:16-27) Vërtet, libri i 1 Kronikave bën që tema e Biblës—Mbretëria e Jehovai e drejtuar nga Fara e tij—të shkëlqejë më bukur se kurrë më parë, duke na lënë në pritje të zbulimeve të tjera edhe më emocionuese të qëllimeve të Jehovait.
[Shënimet]
a Commentary, nga Klark, vëll. II, faqja 574.
b Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 444, 445, anglisht.
c Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqja 1076, anglisht.