A është e efektshme mësimdhënia jote?
PRINDËRVE, pleqve dhe predikuesve të lajmit të mirë—që të gjithëve u kërkohet të jenë mësues. Prindërit mësojnë fëmijët e tyre, pleqtë mësojnë pjesëtarët e kongregacionit të krishterë dhe predikuesit e lajmit të mirë mësojnë të sapointeresuarit. (Ligji i përtërirë 6:6, 7; Mateu 28:19, 20; 1 Timoteut 4:13, 16) Çfarë mund të bësh që mësimdhënia jote të jetë më e efektshme? Një mënyrë është duke imituar shembullin dhe metodën e mësuesve të aftë të përmendur në Fjalën e Perëndisë. Ezdra ishte një nga këta mësues.
Mëso nga shembulli i Ezdrës
Ezdra ishte një prift që i përkiste familjes së Aaronit dhe jetoi në Babiloni rreth 2.500 vjet më parë. Në vitin 468 p.e.s., ai shkoi në Jerusalem që të nxiste adhurimin e pastër te judenjtë që jetonin atje. (Ezdra 7:1, 6, 12, 13) Kjo detyrë i kërkonte që t’i mësonte popullit Ligjin e Perëndisë. Çfarë bëri Ezdra për t’u siguruar që mësimdhënia e tij të ishte e efektshme? Ndërmori disa hapa të nevojshëm. Vër re këto hapa që i gjejmë tek Ezdra 7:10, ku thuhet:
«Ezdra e kishte [1] përgatitur zemrën e tij [2] për të kërkuar në ligjin e Jehovait, [3] për ta zbatuar atë dhe [4] për të mësuar në Izrael rregullin dhe drejtësinë.» (BR) Le të rishikojmë shkurtimisht secilin nga këta hapa dhe të shohim se çfarë mund të mësojmë prej tyre.
«Ezdra e kishte përgatitur zemrën»
Ashtu si një bujk në fillim e përgatit dhéun duke e punuar me parmendë para se të mbjellë farën, duke u lutur Ezdra e përgatiti zemrën që të pranonte fjalën e Perëndisë. (Ezdra 10:1) Me fjalë të tjera, ‘e priu zemrën’ ndaj mësimit të Jehovait.—Fjalët e urta 2:2.
Në mënyrë të ngjashme, Bibla thotë se mbreti Jehozafat ‘e përgatiti zemrën për të kërkuar Hyjin’. (2 Kronikave 19:3, DSF) Ndryshe nga ai, në Izrael kishte pasur një brez «me zemër të paqëndrueshme», i cili përshkruhet si një brez «kokëfortë dhe rebel». (Psalmi 78:8) Jehovai shikon ‘njeriun e fshehtë të zemrës’. (1 Pjetrit 3:4) Në të vërtetë, ai «do t’u mësojë të përulurve rrugën e tij». (Psalmi 25:9) Sa e rëndësishme është, pra, që mësuesit sot të ndjekin shembullin e Ezdrës, duke vënë së pari zemrën e tyre në gjendjen e duhur, gjë që mund ta bëjnë me anë të lutjes!
«Për të kërkuar në ligjin e Jehovait»
Për të qenë mësues i aftë, Ezdra kërkonte në Fjalën e Perëndisë. Në qoftë se do të shkoje te një mjek për të kërkuar këshilla, a nuk do ta dëgjoje me vëmendje dhe a nuk do të siguroheshe nëse i kuptoje të gjitha ato që po të thoshte ose po të jepte në recetë? Pa dyshim që po, sepse është në lojë shëndeti yt. Atëherë, aq më shumë duhet t’u kushtojmë vëmendje të thellë gjërave që po na thotë ose po na këshillon Jehovai me anë të Fjalës së tij, Biblës, dhe me anë të ‘skllavit të besueshëm e të matur’! Në fund të fundit, këshillat e tij kanë të bëjnë me vetë jetën tonë. (Mateu 4:4; 24:45-47) Sigurisht, një mjek mund të gabohet, kurse «ligji i Zotit është i përsosur». (Psalmi 19:7) Nuk do të kemi kurrë nevojë për ndonjë mendim të dytë siç bëjmë me mjekët.
Librat biblikë të Kronikave (të cilët fillimisht Ezdra i shkroi si një vëllim të vetëm) tregojnë se Ezdra ishte vërtet një studiues i vëmendshëm. Për të shkruar këta libra, ai kërkoi në shumë burime.a Judenjtë, të cilët s’kishin shumë që kishin ardhur nga Babilonia, kishin nevojë për një përmbledhje të historisë së kombit të tyre. Nuk kishin mjaft njohuri për kremtimet e fesë së tyre, për shërbimin në tempull dhe për detyrat e levitëve. Për ta, regjistrimet gjenealogjike kishin rëndësi jetësore. Ezdra u kushtoi vëmendje të veçantë këtyre gjërave. Derisa të vinte Mesia, judenjtë duhej të vazhdonin të ishin një komb me tokën e tyre, tempullin, priftërinë dhe guvernatorin. Falë të dhënave që kishte mbledhur Ezdra, u arrit të ruhej uniteti dhe adhurimi i vërtetë.
Si janë shprehitë e tua të studimit në krahasim me ato të Ezdrës? Studimi i zellshëm i Biblës do të të ndihmojë t’ua mësosh me efektshmëri Biblën të tjerëve.
‘Kërko në ligjin e Jehovait’ si familje
Nuk kërkojmë në ligjin e Jehovait vetëm kur bëjmë studimin personal. Edhe studimi familjar është një mundësi e shkëlqyer për ta bërë këtë.
Jani dhe Julia, një çift nga Holanda, u kanë lexuar me zë dy djemve të tyre që nga dita kur kanë lindur. Sot, Ivo është 15 vjeç dhe Edo 14 vjeç. Një herë në javë bëjnë ende studimin familjar. Jani shpjegon: «Synimi ynë kryesor nuk është të trajtojmë shumë material gjatë studimit, por që djemtë të kuptojnë atë që po trajtohet.» Ai shton: «Djemtë bëjnë shumë kërkime. Kërkojnë fjalët që nuk i njohin dhe personazhet biblike: kur kanë jetuar këta, cilët ishin, çfarë pune bënin e kështu me radhë. Që kur kanë mësuar të lexojnë, kanë kërkuar në libra si Gjykim i thellë për Shkrimet, në fjalorë dhe në enciklopedi. Kjo e bën studimin familjar shumë më të këndshëm. Djemtë gjithnjë e presin me padurim studimin dhe janë të gatshëm për të.» Si një dobi e mëtejshme, të dy djemtë tani janë të parët e klasës së tyre, për sa u përket aftësive gjuhësore.
Xhoni dhe Tinia, një çift tjetër nga Holanda, studionin me djalin e tyre, Eslin (i cili sot është 24 vjeç dhe po shërben si pionier në një kongregacion tjetër) dhe me vajzën, Lindën (e cila tani është 20 vjeçe dhe është martuar me një vëlla shumë të mirë). Megjithatë, në vend që ta studionin një botim sipas metodës së zakonshme me pyetje e përgjigje, ata e përshtatnin studimin familjar sipas moshës dhe nevojave të fëmijëve. Çfarë metode përdornin?
Xhoni shpjegon se djali dhe vajza e tyre zgjidhnin një temë që u interesonte nga rubrika «Pyetje nga lexuesit» (në Kullën e Rojës) dhe «Pikëpamja e Biblës» (në Zgjohuni!). Më pas, paraqitnin materialin që kishin përgatitur dhe kjo sillte gjithnjë biseda interesante familjare. Në këtë mënyrë, të rinjtë fituan përvojë për të bërë kërkime dhe për të diskutuar përfundimet e studimit të tyre. A ‘kërkon në ligjin e Jehovait’ bashkë me fëmijët e tu? Kjo jo vetëm që do të të rritë aftësinë tënde të mësimdhënies, por do të ndihmojë edhe fëmijët që të bëhen mësues më të efektshëm.
«Për ta zbatuar»
Ezdra e zbatonte atë që mësonte. Për shembull, ndërsa ishte ende në Babiloni, mund të ketë bërë një jetë të qetë. Por, kur kuptoi se mund të ndihmonte popullin e tij që ishte jashtë Babilonisë, e la rehatinë që të shkonte në qytetin e largët të Jerusalemit, ku kishte parehati, probleme dhe rreziqe. Është e qartë se Ezdra jo vetëm që kishte mbledhur njohuri biblike, por ishte gati edhe të vepronte sipas asaj që kishte mësuar.—1 Timoteut 3:13.
Më vonë, kur jetonte në Jerusalem, Ezdra tregoi edhe një herë se e zbatonte atë që kishte mësuar vetë e që po u mësonte të tjerëve. Kjo u bë e dukshme kur mori vesh se burrat izraelitë ishin martuar me gra pagane. Bibla na thotë se ai ‘grisi rrobat dhe mantelin, shkuli flokët e kokës dhe mjekrën dhe u ul i shtangur deri në mbrëmje’. Madje ‘i vinte turp të ngrinte fytyrën ndaj’ Jehovait.—Ezdra 9:1-6.
Sa shumë kishte ndikuar tek ai studimi i Ligjit të Perëndisë! Ezdra i kishte të qarta në mendje pasojat e tmerrshme të mosbindjes së popullit. Numri i judenjve të riatdhesuar ishte i vogël. Po të fillonin të bënin martesa të përziera, me kalimin e kohës mund të përziheshin me kombet pagane përreth tyre dhe adhurimi i pastër mund të zhdukej me lehtësi nga faqja e dheut.
Lumturisht, shembulli që la Ezdra për sa i përket zellit dhe frikës besnike i shtyu izraelitët të ndreqnin rrugët e tyre. I larguan gratë e huaja. Brenda tre muajsh, çdo gjë ishte vënë në rregull. Besnikëria që tregoi Ezdra ndaj Ligjit të Perëndisë ndihmoi shumë për ta bërë të efektshme mësimdhënien e tij.
E njëjta gjë mund të thuhet sot. Një baba i krishterë tha: «Fëmijët nuk bëjnë siç u thua ti, por siç bën ti.» I njëjti parim zbatohet brenda kongregacionit të krishterë. Pleqtë që lënë një shembull të shkëlqyer mund të presin që kongregacioni të reagojë mirë ndaj mësimeve të tyre.
«Për të mësuar në Izrael rregullin dhe drejtësinë»
Ka edhe një arsye tjetër përse mësimdhënia e Ezdrës ishte e efektshme. Ai nuk u mësonte të tjerëve idetë e tij, por «rregullin dhe drejtësinë». Pra, ai mësonte rregullat ose ligjet e Jehovait. Kjo ishte përgjegjësia e tij si prift. (Malakia 2:7) Ai u mësonte të tjerëve edhe drejtësinë dhe jepte shembullin për atë që mësonte, duke u kapur fort pas asaj që është e drejtë me ndershmëri dhe paanësi, sipas një norme. Kur personat me autoritet tregojnë drejtësi, do të ketë stabilitet dhe fryte të mira. (Fjalët e urta 29:4) Në mënyrë të ngjashme, pleqtë e krishterë, prindërit dhe lajmëtarët e Mbretërisë që e njohin mirë Fjalën e Perëndisë do të bëjnë që të ketë stabilitet frymor, kur mësojnë rregullat dhe drejtësinë e Jehovait në kongregacion, në familjet e tyre dhe me personat e interesuar.
A nuk je edhe ti i mendimit se mësimdhënia jote mund të bëhet më e efektshme kur imiton në mënyrë të plotë shembullin e Ezdrës besnik? Prandaj, ‘përgatite zemrën tënde, kërko në ligjin e Jehovait, zbatoje atë dhe mëso rregullin e drejtësinë e Jehovait’.—Ezdra 7:10, BR.
[Shënimi]
a Një listë e 20 burimeve që përdori ai mund të gjendet në librin Gjykim i thellë për Shkrimet, Vëllimi 1, faqet 444-445, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait në anglisht.
[Kutia dhe figura në faqen 22]
ÇFARË E BËRI TË EFEKTSHME MËSIMDHËNIEN E EZDRËS?
1. Ai e vuri zemrën në gjendjen e duhur
2. Kërkoi në Ligjin e Jehovait
3. La një shembull të mirë duke zbatuar atë që mësonte
4. Bëri përpjekje të zellshme për t’u mësuar të tjerëve pikëpamjen biblike