Imito drejtësinë dhe mëshirën e Jehovait
«Gjykoni me drejtësi të vërtetë, tregojini vazhdimisht njëri-tjetrit dashamirësi dhe mëshirë.»—ZAK. 7:9.
1, 2. (a) Si ndihej Jezui për Ligjin e Perëndisë? (b) Si krijonin përshtypje të gabuar për Ligjin skribët dhe farisenjtë?
JEZUI e donte Ligjin e Moisiut. E kjo nuk na habit aspak. Ai Ligj vinte nga Personi më i rëndësishëm në jetën e Jezuit—nga Ati i tij, Jehovai. Dashuria e thellë e Jezuit për ligjin e Perëndisë u shpreh në mënyrë profetike me këto fjalë të Psalmit 40:8: «O Perëndia im, unë kënaqem kur bëj vullnetin tënd, dhe ligji yt është thellë brenda meje.» Me fjalë e me vepra, Jezui vërtetoi se Ligji i Perëndisë ishte i përsosur, i dobishëm dhe do të plotësohej pa pikë dyshimi.—Mat. 5:17-19.
2 Sa dhimbje, pra, duhet të ketë ndier Jezui kur shihte që skribët dhe farisenjtë krijonin përshtypje të gabuar për Ligjin e Atit të tij! Ata zbatonin gjithë merak disa hollësi të imëta të tij, siç e pranoi edhe Jezui: «Ju jepni të dhjetën e mendrës, të koprës e të barit të gjumit.» Atëherë, ku qëndronte problemi? Jezui shtoi: «Por shpërfillni çështjet më me peshë të Ligjit, domethënë drejtësinë, mëshirën dhe besnikërinë.» (Mat. 23:23) Ndryshe nga ata farisenj që e mbanin veten për të drejtë, Jezui kapte frymën e Ligjit—cilësitë e Perëndisë që pasqyroheshin në çdo urdhërim.
3. Ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Si të krishterë, nuk jemi nën besëlidhjen e Ligjit. (Rom. 7:6) Megjithatë, Jehovai e ruajti atë Ligj për ne në Fjalën e tij, Biblën. Dëshira e tij është jo që të fiksohemi pas hollësive të Ligjit, por që të dallojmë e të zbatojmë «çështjet më me peshë» të tij, parimet e larta që janë në themel të urdhërimeve të Ligjit. Për shembull, cilat parime mund të dallojmë te masa e qyteteve të strehimit? Artikulli i kaluar nënvizoi mësimet që nxjerrim nga hapat që ndërmerrte i arratisuri. Por, nëpërmjet qyteteve të strehimit mësojmë edhe për Jehovain dhe si të pasqyrojmë cilësitë e tij. Prandaj, ky artikull do t’u përgjigjet tri pyetjeve: Si e nxjerrin në pah qytetet e strehimit mëshirën e Jehovait? Ç’na mësojnë rreth pikëpamjes së tij për jetën? Si e pasqyrojnë drejtësinë e përsosur të Perëndisë? Në secilin rast, përpiqu të dallosh mënyra se si ta imitosh Atin tënd qiellor.—Lexo Efesianëve 5:1.
‘QYTETE TË VOLITSHME PËR JU’—NJË SHPREHJE E MËSHIRËS
4, 5. (a) Cilat masa e bënin të lehtë të shkoje te qytetet e strehimit, dhe pse ishin marrë? (b) Çfarë na mëson kjo për Jehovain?
4 Në gjashtë qytetet e strehimit mund të shkoje kollaj. Jehovai e urdhëroi Izraelin që ato qytete të ishin të shpërndara në mënyrë të barabartë në të dyja anët e lumit Jordan. Pse? Me qëllim që çdo i arratisur të gjente strehë shpejt e në mënyrë të volitshme. (Num. 35:11-14) Rrugët që çonin te qytetet e strehimit mirëmbaheshin me kujdes. (Ligj. 19:3) Sipas traditës judaike, për t’u treguar të arratisurve udhën drejt qyteteve, viheshin tabela. Meqë kishte qytete strehimi, ai që vriste dikë pa dashje nuk ishte i detyruar të ikte në dhé të huaj, ku mund të tundohej të përfshihej në adhurimin e rremë.
5 Mendo pak: Jehovai—pikërisht Ai që kishte urdhëruar dënimin me vdekje për ata që bënin vrasje me paramendim—u jepte atyre që vritnin dikë pa dashje plot mundësi për të gjetur mbrojtje e dhembshuri! Një studiues shkroi: «Çdo gjë ishte bërë sa më e qartë, sa më e thjeshtë dhe sa më e lehtë që ishte e mundur. E tillë ishte dhembshuria e Perëndisë.» Jehovai nuk është një gjykatës zemërgur që mezi pret t’i ndëshkojë shërbëtorët e tij. Përkundrazi, ai është «i pasur në mëshirë».—Efes. 2:4.
6. Si ndryshonte qëndrimi i farisenjve nga mëshira e Perëndisë?
6 Në kontrast me këtë, farisenjtë ngurronin të tregonin mëshirë. Për shembull, sipas traditës, ata nuk ishin të gatshëm ta falnin më shumë se tri herë të njëjtin gabim. Jezui e vuri në dukje qëndrimin e tyre ndaj njerëzve që gabonin duke treguar këtë ilustrim për një farise që lutej: «O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë: zhvatës, të padrejtë, kurorëshkelës ose edhe si ky taksambledhës»—duke e hedhur fjalën për një taksambledhës që po i lutej me përulësi Perëndisë për mëshirë. Pse farisenjtë nuk ishin aspak të gatshëm të tregonin mëshirë? Bibla thotë se ata «i shihnin të tjerët si të pavlerë».—Luka 18:9-14.
7, 8. (a) Si mund të imitosh Jehovain kur dikush mëkaton kundër teje? (b) Pse falja vë në provë përulësinë?
7 Imito Jehovain, jo farisenjtë. Trego dhembshuri. (Lexo Kolosianëve 3:13.) Një mënyrë është duke ua bërë të lehtë të tjerëve të të kërkojnë falje. (Luka 17:3, 4) Pyet veten: «A mund të arrijnë lehtë te falja ime ata që më lëndojnë, qoftë edhe herë pas here? A jam i etur të rivendos paqen me dikë që më ka fyer ose lënduar?»
8 Falja në të vërtetë vë në provë përulësinë. Farisenjtë e humbën këtë provë, sepse i shihnin të tjerët si më të ulët. Por, si të krishterë, duhet që me përulësi ‘t’i shohim të tjerët si më të lartë se veten’, si të denjë për faljen tonë. (Filip. 2:3) A do të imitosh Jehovain dhe ta kalosh provën e përulësisë? Mbaje të hapur dhe të mirëmbajtur «rrugën» që çon te falja jote. Ji i gatshëm të tregosh mëshirë dhe mos u fyej shpejt.—Ekl. 7:8, 9.
RESPEKTOJE JETËN DHE ‘NUK DO TË KESH ASNJË FAJ GJAKU’
9. Si ua nguliti në mendje Jehovai izraelitëve se jeta e njeriut është e shenjtë?
9 Një qëllim i rëndësishëm i qyteteve të strehimit ishte t’i mbronte izraelitët nga faji i gjakut. (Ligj. 19:10) Jehovai e do jetën dhe i urren duart vrastare «që derdhin gjak të pafaj». (Prov. 6:16, 17) Si Perëndi i drejtë dhe i shenjtë, ai nuk mund t’i mbyllte sytë as para gjakderdhjeve aksidentale. Është e vërtetë se dikujt që vriste pa dashje një njeri, i tregohej mëshirë. Ama, ai duhej t’ia parashtronte çështjen e tij pleqve, dhe nëse gjykohej se vrasja ishte aksidentale, duhej të qëndronte në qytetin e strehimit derisa të vdiste kryeprifti. Kjo mund të nënkuptonte që ta kalonte tërë jetën atje. Ato pasoja serioze u ngulitën në mendje gjithë izraelitëve se jeta e njeriut është e shenjtë. Për të nderuar Jetëdhënësin e tyre, duhej të shmangnin çdo veprim ose mosveprim që mund të vinte në rrezik jetën e dikujt.
10. Sipas Jezuit, si tregonin skribët dhe farisenjtë një shpërfillje moskokëçarëse për jetën?
10 Ndryshe nga Jehovai, skribët dhe farisenjtë tregonin një shpërfillje moskokëçarëse për jetën. Në ç’mënyrë? Jezui u tha: «E hoqët çelësin e njohurisë. Le që vetë nuk hytë, por i penguat edhe ata që hynin!» (Luka 11:52) Nga ata pritej t’u shpjegonin të tjerëve domethënien e Fjalës së Perëndisë dhe t’i ndihmonin të ecnin në rrugën drejt jetës së përhershme. Në vend të kësaj, ata i larguan njerëzit nga ‘Kryepërfaqësuesi i jetës’, Jezui, dhe i çuan drejt një udhe që mund të përfundonte në shkatërrim të përhershëm. (Vep. 3:15) Të mbushur me krenari dhe egoizëm, skribëve e farisenjve nuk u bëhej vonë për jetën dhe mirëqenien e të tjerëve. Sa mizorë e të pamëshirshëm që ishin!
11. (a) Si e tregoi apostulli Pavël se kishte të njëjtën pikëpamje si Perëndia për jetën? (b) Ç’do të na ndihmojë të kemi të njëjtin qëndrim si Pavli ndaj shërbimit?
11 Si mund ta shmangim qëndrimin e skribëve dhe farisenjve e të imitojmë Jehovain? Duhet të respektojmë dhuratën e jetës dhe ta shohim si dritën e syve. Apostulli Pavël e bëri këtë duke dhënë dëshmi të plotë. Ja pse mund të thoshte: «Unë jam i pastër nga gjaku i të gjithë njerëzve.» (Lexo Veprat 20:26, 27.) Ama, ajo që e nxiste Pavlin të predikonte nuk ishte ndjenja e fajit ose e detyrës. Përkundrazi, ai i donte njerëzit, dhe jeta e tyre ishte e çmuar për të. (1 Kor. 9:19-23) Edhe ne duhet të përpiqemi të përvetësojmë pikëpamjen e Perëndisë për jetën. Jehovai «dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin». (2 Pjet. 3:9) Po ti, a e ke këtë dëshirë? Mund të vëresh se duke ndezur dhe ushqyer në zemër një qëndrim të mëshirshëm, do të motivohesh të tregosh më shumë zell në shërbim, e kjo do të të sjellë më tepër gëzim.
12. Pse siguria është e rëndësishme për shërbëtorët e Perëndisë?
12 Tregojmë se kemi të njëjtën pikëpamje si Jehovai për jetën edhe kur kultivojmë qëndrimin e duhur ndaj sigurisë. Duhet të kujdesemi gjithmonë për sigurinë ndërsa i japim makinës dhe punojmë, edhe në rastet kur ndërtojmë, mirëmbajmë a udhëtojmë për në vendet e adhurimit. Kurrë mos i vër rendimentin, shpenzimet ose programin para sigurisë dhe shëndetit. Perëndia ynë i drejtë bën gjithmonë atë që është e drejtë dhe e përshtatshme. Ne duam të jemi si ai. Pleqtë në veçanti përpiqen të kujdesen edhe për sigurinë e tyre, edhe për atë të të tjerëve që kanë pranë. (Prov. 22:3) Prandaj, nëse një plak të kujton rregullat dhe normat e sigurisë, pranoje këshillën e tij. (Gal. 6:1) Shihe jetën siç e sheh Jehovai dhe ‘nuk do të kesh asnjë faj gjaku’.
‘GJYKONI . . . SIPAS KËTYRE PARIMEVE GJYQËSORE’
13, 14. Si mund ta pasqyronin pleqtë izraelitë drejtësinë e Jehovait?
13 Jehovai i ngarkoi pleqtë izraelitë të imitonin standardin e tij të lartë të drejtësisë. Së pari, pleqtë duhej të siguroheshin për faktet. Pastaj duhej të peshonin me kujdes motivin, qëndrimin dhe sjelljen e mëparshme të atij që kishte vrarë dikë, kur të vendosnin nëse do t’i tregohej mëshirë. Që të pasqyronin drejtësinë e Perëndisë, ata duhej të përcaktonin nëse i arratisuri kishte vepruar «nga urrejtja» dhe ‘kishte zënë pritë’, domethënë kishte ‘synim keqdashës’. (Lexo Numrat 35:20-24.) Nëse shqyrtohej dëshmia e dëshmitarëve, akuzën për vrasje me dashje duhej ta mbështetnin të paktën dy dëshmitarë.—Num. 35:30.
14 Pra, pasi siguroheshin për faktet e një çështjeje, pleqtë duhej të shihnin personin, jo thjesht veprimin. Atyre u duhej gjykim i thellë—aftësi për të parë përtej asaj që dukej, për të parë në thellësi të një situate. Mbi të gjitha, u duhej fryma e shenjtë e Jehovait, që do t’i ndihmonte të pasqyronin gjykimin e thellë, mëshirën dhe drejtësinë e tij.—Dal. 34:6, 7.
15. Tregoni kontrastin mes pikëpamjes së Jezuit për mëkatarët dhe asaj të farisenjve.
15 Farisenjtë përqendroheshin vetëm tek ajo që kishte bërë mëkatari, jo te kush ishte në zemër. Kur panë se Jezui po merrte pjesë në një gosti në shtëpinë e Mateut, farisenjtë i pyetën dishepujt e tij: «Përse mësuesi juaj ha me taksambledhësit dhe mëkatarët?» Jezui iu përgjigj: «Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët po. Shkoni dhe mësoni ç’do të thotë: ‘Unë dua mëshirë, dhe jo flijim.’ Sepse nuk erdha të thërras të drejtët, por mëkatarët.» (Mat. 9:9-13) Mos vallë Jezui po justifikonte mëkatet serioze? Aspak. Në të vërtetë, mesazhi kryesor i Jezuit përfshinte thirrjen që njerëzit të pendoheshin për mëkatet. (Mat. 4:17) Megjithatë, duke treguar gjykim të thellë, Jezui vërejti se të paktën disa nga ata «taksambledhës e mëkatarë» donin të ndryshonin. Ata nuk kishin vajtur në shtëpinë e Mateut thjesht për të ngrënë. Përkundrazi, ‘shumë nga ata kishin filluar ta ndiqnin Jezuin’. (Mar. 2:15) Mjerisht, shumica e farisenjve nuk arrinin të shihnin atë që shihte Jezui tek ata njerëz. Ndryshe nga Perëndia i drejtë dhe i mëshirshëm që pohonin se adhuronin, farisenjtë u vinin vulën të tjerëve si mëkatarë, duke u hequr kështu vizën si të pashpresë.
16. Çfarë përpiqet të dallojë një komitet gjyqësor?
16 Pleqtë sot duhet të sigurohen se po imitojnë Jehovain, i cili «e do drejtësinë». (Psal. 37:28) Së pari, ata duhet ‘të hulumtojnë e të pyesin hollësisht’, për t’u siguruar nëse është kryer një mëkat. Nëse vërtetohet se po, do ta trajtojnë çështjen sipas udhëzimeve biblike. (Ligj. 13:12-14) Kur shërbejnë në komitete gjyqësore, duhet të përcaktojnë me kujdes nëse një i krishterë që ka kryer mëkat serioz është i penduar. Pendimi—ose mungesa e tij—nuk është gjithmonë i dukshëm. Ai përfshin pikëpamjen, qëndrimin dhe gjendjen e zemrës së njeriut. (Zbul. 3:3) Që t’i tregohet mëshirë, mëkatari duhet të jetë penduar.a
17, 18. Si mund ta dallojnë pleqtë pendimin nga zemra? (Shih figurën hapëse.)
17 Ndryshe nga Jehovai dhe Jezui, pleqtë nuk mund të lexojnë zemrën. Atëherë, nëse je plak, si mund t’ia dalësh të dallosh pendimin nga zemra? Së pari, lutu për mençuri dhe aftësi dalluese. (1 Mbret. 3:9) Së dyti, këshillohu me Fjalën e Perëndisë dhe botimet e skllavit të besueshëm, që të të ndihmojnë të dallosh ‘trishtimin e botës’ nga «trishtimi në mënyrë të perëndishme», ose pendimi i sinqertë. (2 Kor. 7:10, 11) Vër re si i portretizojnë Shkrimet individët e penduar dhe të papenduarit. Si i përshkruan Bibla ndjenjat, qëndrimin dhe sjelljen e tyre?
18 Në fund, përpiqu të shohësh personin në tërësi. Mbaj parasysh formimin, motivet dhe kufizimet e fajtorit. Në Bibël gjejmë këtë profeci për kreun e kongregacionit, Jezuin: «Ai nuk do të gjykojë nga ajo që i shohin sytë dhe as do të qortojë vetëm sipas fjalëve që i kanë rënë në vesh. Do t’i gjykojë të përvuajturit me drejtësi dhe do të qortojë me ndershmëri, në mënyrë që zemërbutët e tokës të nxjerrin dobi.» (Isa. 11:3, 4) Ju pleq jeni nënbarinj të Jezuit, dhe ai do t’ju ndihmojë të gjykoni siç gjykon vetë. (Mat. 18:18-20) A nuk jemi mirënjohës që kemi pleq të dashur, të cilët përpiqen të veprojnë kështu? Sa i çmojmë përpjekjet e tyre të palodhura për të nxitur mëshirën dhe drejtësinë brenda kongregacionit!
19. Cilin mësim nga qytetet e strehimit ke si synim të zbatosh?
19 Ligji i Moisiut pasqyronte ‘një formë të njohurisë e të së vërtetës’ për Jehovain dhe për parimet e tij të drejta. (Rom. 2:20) Qytetet e strehimit, për shembull, u mësojnë pleqve si ‘të gjykojnë me drejtësi të vërtetë’ dhe na mësojnë të gjithëve ne si ‘t’i tregojmë vazhdimisht njëri-tjetrit dashamirësi dhe mëshirë’. (Zak. 7:9) Sot nuk jemi më nën Ligj. Megjithatë, Jehovai nuk ndryshon, dhe drejtësia e mëshira vazhdojnë të jenë të rëndësishme për të. Çfarë privilegji të adhurojmë një Perëndi që na ka krijuar sipas shëmbëlltyrës së vet, që mund ta imitojmë në cilësitë që ka dhe tek i cili mund të gjejmë strehë!
a Shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të 15 shtatorit 2006, f. 30.