Bëjeni të suksesshme jetën tuaj!
Lum njeriu që nuk ka ecur sipas këshillës së të ligjve . . . Çdo gjë që ai bën do të ketë sukses.»—PSALMI 1:1, 3, BR.
1. (a) Si e konsiderojnë shumë të rinj në botë suksesin? (b) Si e përshkruan Bibla një person të suksesshëm?
SUKSESI: çfarë do të thotë kjo fjalë për ju? «Synimi më i rëndësishëm në jetën time është të kem sukses në biznes»,—tha një djalë i ri. Një vajzë e re tha: «Ëndrra ime më e madhe është të kem një familje të lumtur.» Por, një tjetër vajzë e re tha: «Ëndrra ime është thjesht të kem një apartament të mirë, një makinë të mirë . . . Unë mendoj për veten.» Puna është se as paratë, as familja dhe as karriera e frytshme nuk janë tregues të suksesit të vërtetë. Në Psalmin 1:1-3 lexojmë: «Lum njeriu që nuk ka ecur sipas këshillës së të ligjve . . . Kënaqësia e tij është në ligjin e Jehovait . . . Çdo gjë që ai bën do të ketë sukses.»—BR.
2. Ku gjendet suksesi i vërtetë dhe cila është e vetmja mënyrë për ta arritur atë?
2 Këtu, Bibla premton diçka që asnjë njeri nuk mund ta ofrojë: suksesin e vërtetë! Por nuk është duke folur për fitimin financiar. Vetë Bibla paralajmëron: «Lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave.» (1. Timoteut 6:10) Suksesi i vërtetë arrihet duke i pëlqyer Perëndisë, gjë që përfshin ndjekjen e ligjit të Jehovait. Vetëm kjo mund të sjellë kënaqësi reale dhe lumturi të vërtetë! Ndoshta nuk ju duket tërheqëse ideja që të jeni nën ligjin e Jehovait dhe t’ju thuhet se çfarë duhet të bëni. Gjithsesi, Jezui tha: «Të lumtur janë ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore.» (Mateu 5:3, BR) E kuptojmë apo jo, ne jemi krijuar me nevoja frymore, duke përfshirë edhe një nevojë të rrënjosur thellë për të njohur Perëndinë dhe për të kuptuar qëllimet e tij. Prandaj, mund të provojmë lumturi të vërtetë vetëm nëse e përmbushim këtë nevojë dhe ndjekim «ligjin e Jehovait».
Përse kemi nevojë për ligjet e Perëndisë?
3. Përse duhet të jemi të lumtur ta lëmë Jehovain që të ‘drejtojë hapat tanë’?
3 Profeti Jeremia shkroi: «O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.» (Jeremia 10:23) Kjo është e vërtetë për të gjithë njerëzit, të rinj e të moshuar. Nuk është se na mungon vetëm mençuria, përvoja dhe njohuria për të drejtuar hapat tona; ne thjesht nuk kemi të drejtën për ta bërë këtë. Në Zbulesën 4:11, Bibla thotë: «Ti je i denjë, o Zot, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha gjërat dhe nëpërmjet vullnetit tënd ekzistojnë dhe u krijuan.» Duke qenë Krijuesi ynë, ai është «burimi i jetës». (Psalmi 36:9) Si i tillë, ai e di më mirë se kushdo tjetër se si duhet ta përdorim jetën tonë. Prandaj, i ka bërë ligjet, jo për të na privuar nga kënaqësia, por për të na ndihmuar që të nxjerrim dobi. (Isaia 48:17) Po ta hedhim poshtë ligjin e Perëndisë, jemi të dënuar të dështojmë.
4. Përse kaq shumë të rinj e shkatërrojnë jetën e tyre?
4 Për shembull, a e keni pyetur ndonjëherë veten se përse kaq shumë të rinj e shkatërrojnë jetën e tyre me drogën, shthurjen seksuale dhe me vese të tjera? Psalmi 36:1, 2 e shpjegon: «Për të ligun shprehja e shkeljes është në mes të zemrës së tij; nuk ekziston asnjë frikë nga Perëndia përpara syve të tij. Sepse në sytë e tij ai ka vepruar tepër butë për të gjetur gabimin e vet, me qëllim që ta urrejë.» Meqë u mungon ‘frika e shëndetshme nga Perëndia’, shumë të rinj e mashtrojnë vetveten, duke besuar se sjellja e rrezikshme nuk ka pasoja. Por, më së fundi, atyre u duhet t’i bëjnë ballë këtij parimi të pandryshueshëm: «Ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë. Sepse ai që mbjell për mish të tij, do të korrë nga mishi i tij prishje, por ai që mbjell për frymë, do të korrë nga fryma jetë të përjetshme.»—Galatasve 6:7, 8.
‘Të numërojmë ditët’
5, 6. (a) Përse të rinjtë duhet t’i ‘numërojnë ditët e tyre’ dhe çfarë do të thotë kjo? (b) Çfarë do të thotë të ‘kujtojmë Krijuesin tonë të Madh’?
5 Si mund ta bëni të suksesshme jetën tuaj dhe të ‘korrni jetë të përjetshme’? Moisiu shkroi: «Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë . . . [Ajo] kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje.» (Psalmi 90:10) Ndoshta rrallëherë mendoni për vdekjen, për të mos thënë kurrë. Në fakt, shumë të rinj sillen sikur të ishin të pashkatërrueshëm. Por Moisiu na vë përballë me realitetin e dhimbshëm se jeta është e shkurtër. Madje nuk ekziston asnjë garanci se do të jetojmë deri në 70 ose 80 vjet. «Koha dhe ngjarja e paparashikuar» mund të vrasin edhe ata që janë të rinj e të shëndetshëm. (Eklisiastiu [Predikuesi] 9:11, BR) Atëherë, si do ta përdorni jetën e çmuar që gëzoni tani? Moisiu u lut: «Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.»—Psalmi 90:12.
6 Çfarë do të thotë të numërojmë ditët tona? Nuk do të thotë që duhet të jemi të fiksuar pas gjatësisë së kohës që mund të jetojmë. Moisiu po lutej që Jehovai t’i mësonte popullit të Tij se si t’i përdornin ditët që u mbeteshin, në një mënyrë që t’i sillte dobi Atij. A po i numëroni ditët e jetës suaj, duke e konsideruar çdo ditë si një pasuri të çmuar që mund të përdoret për t’i sjellë lavdi Perëndisë? Bibla u jep të rinjve këtë inkurajim: «Elimino nga zemra jote trishtimin dhe largo nga trupi yt dhembjen, sepse rinia dhe mituria janë kotësi. Por kujto Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate.» (Predikuesi 11:10–12:1) Të kujtojmë Krijuesin tonë nënkupton më shumë sesa thjesht të mos harrojmë që ai ekziston. Kur krimineli iu lut Jezuit, «kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde», ai donte që Jezui të bënte më shumë sesa thjesht të kujtonte emrin e tij. Ai dëshironte që Jezui të vepronte, ta ringjallte! (Luka 23:42; krahaso Zanafillën 40:14, 23; Jobin 14:13.) Në mënyrë të ngjashme, të kujtojmë Jehovain do të thotë të veprojmë, të bëjmë atë që i pëlqen atij. A mund të thuhet se ju po e kujtoni Jehovain?
Mos i kini zili keqbërësit
7. Përse disa të rinj zgjedhin ta harrojnë Krijuesin e tyre? Jepni një shembull.
7 Shumë të rinj zgjedhin ta harrojnë Jehovain, pasi mendojnë se të jesh Dëshmitar është tepër kufizuese. Një vëlla nga Spanja kujton se si ishte ndier ai, kur ishte adoleshent: «Më tërhiqte bota, sepse e vërteta më dukej e vështirë dhe e ngurtë. Ajo nënkuptonte të uleshe, të studioje, të shkoje në mbledhje, të vije kravatë dhe këto nuk ishin gjëra që më pëlqenin t’i bëja.» A ndiheni ndonjëherë sikur po humbni diçka, ngaqë i shërbeni Perëndisë? Ndoshta do të habiteni kur të mësoni se një nga shkrimtarët e Biblës pati po këto ndjenja. Ju lutemi, hapeni Biblën tuaj dhe lexoni Psalmin 73.
8. Përse Asafi ‘i kishte zili mburravecët’?
8 Le të shqyrtojmë disa hollësi të këtij psalmi. Në vargjet 2 dhe 3 thuhet: «Sa për mua, gati gati po më pengoheshin këmbët dhe për pak, hapat e mia do të shkitnin. Sepse i kisha zili mburravecët, duke parë mirëqenien e njerëzve të këqij.» Sipas mbishkrimit, ky psalm u shkrua nga Asafi. Ai ishte një muzikant levit, si edhe bashkëkohës i mbretit David. (1. Kronikave 25:1, 2; 2. Kronikave 29:30) Edhe pse kishte privilegjin e shkëlqyer të shërbimit në tempullin e Perëndisë, ai filloi t’i ‘kishte zili’ njerëzit që mburreshin për paligjshmërinë e tyre. Në pamje të parë ata gëzonin paqe e siguri dhe dukej sikur gjërat u shkonin mirë. Në fakt, sukseset e tyre në dukje ‘[i tejkalonin, BR] përfytyrimet e çoroditura të zemrës së tyre’. (Vargjet 5, 7) Ata flitnin për plaçkitjet e tyre «me një ton fodull», domethënë, me arrogancë. (Vargu 8, BR) ‘Ata e drejtonin gojën e tyre kundër qiellit dhe gjuha e tyre përshkonte gjithë tokën’, duke mos treguar respekt për askënd, qoftë ky në qiell, qoftë në tokë.—Vargu 9.
9. Në ç’mënyrë disa të rinj të sotëm të krishterë mund të ndihen si Asafi?
9 Ndoshta e njëjta gjë mund të thuhet për bashkëmoshatarët tuaj në shkollë. Ndoshta i dëgjoni të mburren paturpësisht për aventurat e tyre seksuale, për festat e shfrenuara dhe për dhënien pas alkoolit dhe drogës. Kur e krahasoni jetën e tyre, që ka të ashtuquajturat kënaqësi, me udhën e ngushtë, nëpër të cilën ju duhet të ecni si të krishterë, disa herë mund t’i ‘keni zili mburravecët’. (Mateu 7:13, 14) Vetë Asafi arriti deri në atë pikë, sa pohoi: «Më kot, pra, pastrova zemrën time dhe i lava duart në pafajësinë time. Sepse jam goditur tërë ditën.» (Vargjet 13, 14) Ja, pra, ai filloi të vinte në dyshim vlerën e shërbimit ndaj Perëndisë dhe bërjen e një jete të ndershme.
10, 11. (a) Çfarë e bëri Asafin që të ndryshonte qëndrimin e tij? (b) Në ç’mënyrë keqbërësit janë «në vende të rrëshqitshme»? Jepni një shembull.
10 Lumturisht, Asafi nuk qëndroi gjatë në këtë gjendje dëshpërimi. Ai menjëherë e kuptoi se paqja në dukje e të ligjve nuk ishte gjë tjetër veçse iluzion dhe e përkohshme. Ai pohoi: «Me siguri ti i vë në vende të rrëshqitshme dhe kështu i bën që të bien në shkatërrim. Si u shkatërruan në një çast! Ata vdiqën të konsumuar nga tmerri!» (Vargjet 18, 19) Në mënyrë të ngjashme, shumë nga bashkëmoshatarët tuaj janë «në vende të rrëshqitshme». Herët a vonë, sjellja e tyre e paperëndishme do t’i dënojë, duke u sjellë ndoshta si pasojë shtatzëni të padëshiruara, sëmundje të transmetuara me rrugë seksuale, e madje edhe burgimin dhe vdekjen! Më keq akoma, ata armiqësohen me Perëndinë.—Jakovit 4:4.
11 Një Dëshmitare në moshë të re nga Spanja e provoi vetë vërtetësinë e këtyre fjalëve. Kur ishte e re, ajo bënte një jetë të dyfishtë, duke u shoqëruar shumë me një grup të rinjsh të paperëndishëm. S’kaloi shumë kohë dhe ra në dashuri me një prej tyre, me një të droguar. Edhe pse vetë nuk e përdorte drogën, ajo blinte drogë për të. «Madje e ndihmoja edhe për të bërë injeksionin»,—pranon ajo. Lumturisht, kjo motër u ndihmua të vinte në vete dhe të rifitonte shëndetin frymor. Por sa u trondit ca kohë më vonë, kur mësoi se i dashuri i saj i droguar kishte vdekur nga SIDA. E pra, ashtu siç tha psalmisti, njerëzit e paperëndishëm janë «në vende të rrëshqitshme». Disa prej tyre mund të vdesin papritur, si pasojë e stilit të tyre të shthurur të jetesës. Sa për pjesën tjetër, nëse nuk i ndryshojnë udhët e tyre, edhe atyre në të ardhmen e afërt do t’u duhet të përballojnë momentin «kur Zoti Jezu Krisht të shfaqet nga qielli me engjëjt e pushtetit të vet, në një zjarr flakërues, për t’u hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi dhe atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë, Jezu Krisht».—2. Thesalonikasve 1:7, 8.
12. Si e kuptoi një djalë i ri nga Japonia se sa marrëzi është të kesh zili keqbërësit?
12 Prandaj, sa marrëzi është që t’i kemi zili «ata që nuk e njohin Perëndinë»! Në të vërtetë, ata që e njohin Jehovain dhe që kanë shpresën e jetës së përhershme janë për t’u pasur zili. Një vëlla në moshë të re nga Japonia arriti në këtë përfundim. Si i ri, edhe ai «donte më shumë liri». Ai shpjegon: «Mendoja se po humbisja diçka. Pastaj e kuptova se si do të ishte jeta ime pa të vërtetën. E përfytyrova veten sikur të jetoja 70 ose 80 vjet e më pas të vdisja. Por Jehovai na ofron shpresën e jetës së përhershme! Njohja e kësaj më ndihmoi për të çmuar atë që kisha në të vërtetë.» Megjithatë, të mbetesh besnik kur je i rrethuar nga njerëz që nuk ndjekin ligjet e Perëndisë s’është aspak e lehtë. Çfarë mund të bëni për t’u rezistuar këtyre presioneve?
Kujdes nga shoqëritë!
13, 14. Përse është e rëndësishme të jemi përzgjedhës kur bëhet fjalë për shoqëritë?
13 Le ta shohim përsëri përshkrimin e njeriut të suksesshëm, të cilin e gjejmë në Psalmin 1:1-3: «Lum njeriu që nuk ka ecur sipas këshillës së të ligjve dhe që nuk ka qëndruar në udhën e mëkatarëve e që nuk është ulur në vendin e tallësve. Por kënaqësia e tij është në ligjin e Jehovait dhe në ligjin e tij ai lexon nën zë ditë e natë. Ai do të bëhet me siguri si një pemë e mbjellë buzë rrjedhave të ujërave, që jep frutin e vet në stinën e saj dhe që gjethnaja e së cilës nuk fishket dhe çdo gjë që ai bën do të ketë sukses.»—BR.
14 Para së gjithash, vini re se shoqëritë luajnë një rol të rëndësishëm. Në Fjalët e urta 13:20 thuhet: «Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.» Kjo nuk do të thotë të jeni të ftohtë, jo miqësorë ose të ashpër me të rinjtë që nuk janë Dëshmitarë të Jehovait. Bibla na bën thirrje që t’i duam të afërmit dhe të jemi «në paqe me gjithë njerëzit». (Romakëve 12:18; Mateu 22:39) Gjithsesi, nëse keni një shoqëri tepër të ngushtë me ata që nuk ndjekin normat e Biblës, mund të gjendeni ‘duke ecur sipas këshillës’ së tyre.
Dobitë e leximit të Biblës
15. Si mund të kultivojnë të rinjtë një dëshirë të fortë për leximin e Biblës?
15 Psalmisti vërejti, gjithashtu, se njeriu i suksesshëm gjen kënaqësinë e tij, duke e lexuar ligjin e Perëndisë «nën zë, ditë e natë». (Psalmi 1:1, 2, BR) Kuptohet, Bibla nuk është e lehtë për t’u lexuar dhe në të ka «disa gjëra të vështira për t’u kuptuar». (2. Pjetrit 3:16) Por leximi i Biblës nuk duhet të jetë një barrë. Ekziston mundësia për ta ‘dëshiruar fort qumështin e pastër’ të Fjalës së Perëndisë. (1. Pjetrit 2:2) Përpiquni të lexoni vetëm një pjesë të vogël çdo ditë. Nëse ka pika që nuk i kuptoni, bëni ca kërkime. Pas kësaj, mendoni për atë që keni lexuar. (Psalmi 77:11, 12) Nëse e keni të vështirë të përqendroheni, përpiquni të lexoni «nën zë». Të jeni të sigurt se me kalimin e kohës dashuria për leximin e Biblës do t’ju rritet. Një motër në moshë të re nga Brazili kujton: «Jehovai më dukej gjithnjë i largët. Por, tani ka disa muaj që jam përmirësuar në studimin personal dhe në leximin e Biblës. Tani e ndiej se marrëdhënia ime me Jehovain është më e fortë. Ai është më real për mua.»
16. Si mund të përfitojmë më shumë nga mbledhjet e kongregacionit?
16 Pjesëmarrja në mbledhjet e krishtere është, gjithashtu, jetësore për rritjen tuaj frymore. Nëse ‘tregoni kujdes se si dëgjoni’, mund të merrni shumë inkurajim. (Luka 8:18) A ju duket ndonjëherë sikur mbledhjet nuk janë shumë interesante? Mirë, atëherë, pyetni veten: ‘Çfarë bëj unë për ta bërë interesante mbledhjen? A kushtoj vëmendje? A përgatitem? A bëj komente?’ Në fund të fundit, Bibla na thotë të «kujdesemi për njëri-tjetrin, për t’u nxitur në dashuri dhe vepra të mira, . . . të nxitim njëri-tjetrin». (Hebrenjve 10:24, 25) Për të bërë këtë, ju duhet të merrni pjesë! Sigurisht, për të bërë këtë, duhet të studioni më përpara. Një motër në moshë të re pranon: «Është vërtet më e lehtë të marrësh pjesë në mbledhje, kur je i përgatitur.»
Ndjekja e udhës së Perëndisë çon në sukses
17. Në ç’mënyrë lexuesi i zellshëm i Biblës është «si një pemë e mbjellë buzë rrjedhave të ujërave»?
17 Psalmisti e përshkruan më tej njeriun e suksesshëm «si një pemë e mbjellë buzë rrjedhave të ujërave». Rrjedhat e ujërave mund t’u jenë referuar kanaleve ujitës që përdoreshin për të ujitur pemët nëpër pemëtore. (Isaia 44:4) Leximi i përditshëm i Biblës është si të jesh i lidhur me një nga këto burime të sigurta ushqimi dhe freskimi. (Jeremia 17:8) Do të merrni përditë forcën që ju nevojitet për të qëndruar nën sprova dhe vështirësi. Pasi të keni mësuar mënyrën se si mendon Jehovai, do të keni mençurinë që ju duhet për të marrë vendime të mençura.
18. Ç’gjë mund ta sigurojë suksesin e një të riu në shërbimin e Jehovait?
18 Disa herë, mund t’ju duket e vështirë t’i shërbeni Jehovait. Por, kurrë mos mendoni se është tepër e vështirë për ta bërë! (Ligji i përtërirë 30:11) Bibla premton se ‘çdo gjë që do të bëni, do të ketë sukses’ në fund të fundit, për sa kohë që objektivi juaj kryesor është t’i pëlqeni Jehovait dhe t’ia gëzoni zemrën atij! (Fjalët e urta 27:11) Gjithashtu, mos harroni se nuk jeni të vetëm në bërjen e kësaj. Keni mbështetjen e Jehovait dhe të Jezu Krishtit. (Mateu 28:20; Hebrenjve 13:5) Ata i dinë presionet që hasni ju dhe nuk do t’ju braktisin kurrë. (Psalmi 55:22) Gjithashtu, keni edhe mbështetjen e ‘gjithë shoqërisë së vëllezërve’ dhe të prindërve tuaj, nëse janë me druajtje Perëndie. (1. Pjetrit 2:17, BR) Me një mbështetje të tillë, së bashku me vendosmërinë dhe përpjekjet tuaja, mund të gëzoni një jetë të suksesshme jo vetëm tani, por përjetësisht!
Pyetje për rishikim
◻ Çfarë është suksesi i vërtetë?
◻ Përse kemi nevojë që Jehovai të na drejtojë hapat?
◻ Si mund t’i ‘numërojnë ditët e tyre’ të rinjtë?
◻ Përse është marrëzi t’i kesh zili keqbërësit?
◻ Si do t’i ndihmojë të rinjtë leximi i përditshëm i Biblës dhe prania e rregullt në mbledhje, për të pasur një jetë të suksesshme?
[Figura në faqen 20]
Meqë u mungon ‘frika e shëndetshme nga Perëndia’, shumë të rinj kanë një sjellje shkatërrimtare
[Figura në faqen 22]
Shpesh të rinjtë harrojnë se veprimet e tyre kanë pasoja
[Figura në faqen 23]
Kultivoni dashurinë për leximin e Biblës
[Figura në faqen 23]
Mbledhjet do t’ju pëlqejnë më shumë, nëse merrni pjesë në to