Jehovai ka qenë shkëmbi im
TREGUAR NGA EMANUEL LIONUDAKIS
Mamaja ngrysi vetullat dhe më tha: «Nëse ngul këmbë në vendimin që ke marrë, atëherë do të të duhet të largohesh nga kjo shtëpi.» Unë kisha vendosur të predikoja Mbretërinë e Perëndisë në kohë të plotë. Por, familja nuk mund ta duronte dot poshtërimin që u bëhej kur më arrestonin vazhdimisht.
PRINDËRIT e mi ishin njerëz të thjeshtë e me druajtje Perëndie. Jetonin në fshatin Duliana, në pjesën perëndimore të ishullit grek të Kretës, ku linda unë në vitin 1908. Që nga fëmijëria ime, ata më mësuan t’i druhesha dhe ta respektoja Perëndinë. Unë e doja Fjalën e Perëndisë, edhe pse nuk kisha parë kurrë ndonjë Bibël në duart e mësuesve ose të priftërinjve ortodoksë.
Një fqinj, pasi kishte lexuar gjashtë vëllimet e librit Studime mbi Shkrimet, nga C. T. Russell dhe librin Harpa e Perëndisë, ma tregoi edhe mua plot entuziazëm përmbajtjen e tyre biblike, që të hapte sytë. Ata libra ishin botuar nga Studentët e Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. I gëzuar, mora një Bibël dhe disa kopje librash nga zyra e Shoqatës Watch Tower në Athinë. E kujtoj akoma kohën kur rrija deri natën vonë së bashku me fqinjin tim, duke iu lutur Jehovait dhe duke përpirë nën dritën e qiririt informacionin nga Shkrimet, me anë të atyre botimeve.
Kur fillova ta ndaja me të tjerët njohurinë e re që kisha marrë nga Bibla, isha 20 vjeç dhe punoja si mësues shkolle në një fshat aty afër. Pas pak kohësh, bashkë me tre të tjerë filluam të mbanim mbledhje të rregullta për studimin e Biblës në Duliana. Shpërndanim, gjithashtu, fletushka, broshura, libra dhe Bibla, me qëllim që t’i ndihmonim njerëzit të mësonin rreth shpresës së vetme për njerëzimin, Mbretërisë së Perëndisë.
Në vitin 1931, ishim mes mijëra personave në mbarë botën që morën emrin e bazuar në Bibël, Dëshmitarë të Jehovait. (Isaia 43:10) Gjatë vitit që pasoi, morëm pjesë në një fushatë informative, duke u shpjeguar autoriteteve emrin tonë të ri dhe domethënien e tij. Kjo përfshinte edhe dhënien e një broshure rreth kësaj teme çdo prifti, gjykatësi, polici dhe tregtari të zonës sonë.
Siç pritej, kleri nxiti një valë persekutimi. Herën e parë që më arrestuan, më dënuan me 20 ditë burg. Pak kohë pasi më kishin liruar, më arrestuan përsëri dhe më dënuan me një muaj burgim. Kur një gjykatës kërkoi që të ndalnim predikimin, iu përgjigjëm me fjalët e Veprave 5:29: «Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve.» Më vonë, në vitin 1932, një përfaqësues i Watch Tower-it vizitoi grupin tonë të vogël të Dulianës dhe që të katër u pagëzuam.
Gjej një familje frymore
Për shkak të dëshirës për të bërë më shumë në veprën e predikimit, e lashë punën si mësues. Për nënën time ky ishte kulmi. Ajo kërkoi që të largohesha nga shtëpia. Me miratimin e Zyrës së Degës Watch Tower në Athinë, një vëlla bujar i krishterë, në qytetin e Iraklionit në Kretë, më priti me gëzim në shtëpinë e tij. Kështu, në gusht të vitit 1933, vëllezërit e fshatit tim së bashku me disa persona të interesuar, erdhën deri tek autobusi për të më dhënë lamtumirën. Ky qe një moment shumë prekës dhe që të gjithë qamë, pasi nuk e kishim idenë se kur do ta shihnim përsëri njëri-tjetrin.
Në Iraklion, u bëra pjesë e një familjeje të dashur frymore. Ishin, gjithashtu, tre vëllezër të tjerë të krishterë dhe një motër, me të cilët mblidheshim rregullisht për të studiuar e për të adhuruar. Munda të shihja me sytë e mi përmbushjen e premtimit të Jezuit: «Nuk ka asnjeri që të ketë lënë shtëpinë, a vëllezërit a motrat, a atin, a nënën, a fëmijët ose arat për hirin tim dhe për ungjillin, që të mos marrë tani, në këtë kohë, njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra dhe nëna.» (Marku 10:29, 30) Caktimi im ishte predikimi në atë qytet dhe në fshatrat përreth. Pasi predikova në gjithë qytetin, fillova të predikoja në provincat e Iraklionit dhe të Lasithionit.
Pionier i vetëm
Kaloja shumë orë duke udhëtuar më këmbë nga një fshat në tjetrin. Për më tepër, duhej të mbaja disa kilogramë me botime të shtypura, pasi dërgimet e literaturës nuk ishin të shpeshta. Ngaqë nuk kisha vend ku të flija, shkoja në ndonjë kafene në fshat, prisja deri sa të ikte klienti i fundit, zakonisht pas mesnate, flija në një divan dhe ngrihesha shpejt mëngjesin tjetër, para se pronari të fillonte të shërbente pije. Një numër i madh pleshtash flinin nëpër ato divane së bashku me mua.
Edhe pse zakonisht njerëzit reagonin ftohtë, unë isha i lumtur që i jepja Jehovait forcën time rinore. Kur gjeja një person që ishte i interesuar për të vërtetën e Biblës, më ripërtërihej vendosmëria për të vazhduar në këtë shërbim jetëshpëtues. Edhe shoqërimi me vëllezërit e mi frymorë ishte freskues. Zakonisht i takoja pas një largimi prej 20 deri në 50 ditësh, në varësi të distancës së Iraklionit nga vendi ku kisha predikuar.
E mbaj mend akoma sa i vetmuar u ndjeva një pasdite, veçanërisht kur mendova që vëllezërit e mi të krishterë dhe motrat e mia të krishtere në Iraklion do të kishin mbledhjen e tyre si zakonisht atë mbrëmje. Dëshira për t’i parë ishte kaq e fortë, saqë vendosa t’i bëja në këmbë më shumë se 25 kilometrat që më ndanin prej tyre. Nuk kisha ecur kurrë aq shpejt. Sa ngushëlluese ishte për mua të gëzoja shoqërinë e këndshme të vëllezërve të mi atë mbrëmje dhe të mbushja përsëri, si të thuash, rezervuarin tim frymor!
S’kaloi shumë kohë dhe përpjekjet e mia të mundimshme në predikim filluan të jepnin fryte. Ashtu si në ditët e apostujve, ‘Jehovai vazhdoi të bashkonte me ne ata që kishin shpëtuar’. (Veprat 2:47, BR) Numri i adhuruesve të Jehovait në Kretë filloi të rritej. Dora-dorës që të tjerë bashkoheshin me mua në shërbim, nuk ndihesha më vetëm. Kemi përjetuar vështirësi fizike dhe kundërshtim të egër. Ushqimi i përditshëm ishte bukë, bashkë me ca vezë, ullinj ose perime, të cilat i merrnim në këmbim të literaturës që pranonin personat të cilëve u predikonim.
Në qytetin e Hierapetras, në pjesën juglindore të Kretës, i dhashë dëshmi Minos Kokinakisit, një tregtari stofrash. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme nga ana ime për të filluar një studim biblik, ai s’kishte shumë kohë, ngaqë bënte një jetë të mbushur me punë. Megjithatë, kur vendosi më së fundi që të mendonte seriozisht për studimin, ai bëri ndryshime rrënjësore në jetë. Gjithashtu, ai u bë një lajmëtar shumë i zellshëm e aktiv i lajmit të mirë. Emanuel Paterakisit, një 18-vjeçar që punonte për Kokinakisin, i bënë shumë përshtypje këto ndryshime dhe pas pak kohësh kërkoi literaturë biblike. Sa i lumtur isha kur e pashë të bënte një përparim të vazhdueshëm frymor e së fundi të bëhej misionar!a
Ndërkohë, kongregacioni që ishte në fshatin tim të lindjes kishte vazhduar të rritej dhe tani kishte 14 lajmëtarë. Nuk do ta harroj kurrë ditën kur lexova një letër që më kishte shkruar motra ime, Despina, ku më thoshte se ajo dhe prindërit e mi kishin përqafuar të vërtetën dhe tani ishin adhurues të pagëzuar të Jehovait.
Qëndroj gjatë persekutimit dhe ndalimit
Kisha Ortodokse Greke filloi ta konsideronte aktivitetin tonë të predikimit si një epidemi karkalecash shkretues dhe ishte e vendosur të na mposhtte. Në mars të vitit 1938, më çuan para prokurorit, i cili më kërkoi që të largohesha menjëherë nga ai vend. Iu përgjigja se aktiviteti i predikimit faktikisht ishte dobiprurës dhe se vepra jonë ishte urdhëruar nga një autoritet më i lartë, nga Mbreti ynë Jezu Krisht.—Mateu 28:19, 20; Veprat 1:8.
Ditën tjetër, më thirrën në degën lokale të policisë. Aty më informuan se më kishin klasifikuar si person i padëshirueshëm dhe më dënuan me një vit internim në ishullin Amorgos të Egjeut. Pas disa ditësh, më vunë prangat dhe më çuan me anije në ishull. Në Amorgos nuk kishte Dëshmitarë të tjerë të Jehovait. Imagjinoni habinë time kur, pas gjashtë muajsh, mësova se edhe një Dëshmitar tjetër e kishin internuar në ishull! Cili të ishte vallë? Minos Kokinakis, studenti im në Kretë. Sa i gëzuar isha që më në fund kisha një shok frymor! Ca kohë më vonë pata privilegjin ta pagëzoja në ujërat e Amorgosit.b
Pak kohë pasi u ktheva në Kretë, më arrestuan përsëri dhe kësaj radhe më internuan për gjashtë muaj në qytetin e vogël të Neapolisit, në atë ishull. Pasi përfunduan gjashtë muajt e internimit, më arrestuan, më burgosën për dhjetë ditë dhe më dërguan për katër muaj në një ishull, ku dërgonin vetëm komunistët e internuar. E kuptova se sa të vërteta ishin fjalët e apostullit Pavël: «Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezu do të përndiqen.»—2. Timoteut 3:12.
Rritje pavarësisht nga kundërshtimi
Me pushtimin e Greqisë nga gjermanët, gjatë viteve 1940-1944, aktiviteti ynë i predikimit pothuajse ndaloi. Megjithatë, populli i Jehovait në Greqi u riorganizua shpejt dhe e filluam përsëri aktivitetin e predikimit. Duke u përpjekur të fitonim kohën e humbur, vazhduam me zell dhe në mënyrë aktive në veprën e Mbretërisë.
Siç pritej, kundërshtimi fetar shpërtheu përsëri. Shumë shpesh, ishin priftërinjtë ortodoksë ata që bënin ligjin. Në një fshat, prifti nxiti një turmë kundër nesh. Vetë ai filloi të më qëllonte, kurse djali i tij bënte të njëjtën gjë pas kurrizit tim. Vrapova në një shtëpi aty afër për t’u mbrojtur, kurse shokun tim të shërbimit e tërhoqën zvarrë drejt sheshit kryesor të fshatit. Atje, njerëzit nga turma ia grisën atij literaturën dhe një grua thërriste vazhdimisht nga ballkoni: «Vriteni!» Së fundi, një mjek dhe një polic që po kalonte aty, na erdhën në ndihmë për të na shpëtuar.
Më vonë, në vitin 1952, më arrestuan përsëri dhe më dënuan me katër muaj internim, që i kreva në Kastelli Kisamos, në Kretë. Menjëherë pas kësaj, m’u dha stërvitje për të vizituar kongregacionet dhe për t’i forcuar frymësisht. Pasi kalova dy vjet në këtë lloj vepre udhëtuese, u martova me një motër besnike të krishterë që quhej Despina, si motra ime dhe që ka provuar gjithnjë se është adhuruese besnike e Jehovait. Pas dasmës, më caktuan si pionier special në qytetin Hania, në Kretë, ku dhe shërbej ende.
Gjatë pothuajse 70 vjetëve të shërbimit të plotkohor, kam predikuar në pjesën më të madhe të Kretës, një ishull me sipërfaqe 8.300 kilometra katrorë dhe me gjatësi 250 kilometra. Lumturinë time më të madhe e kam provuar kur kam parë një grusht Dëshmitarësh në këtë ishull, në vitet 30, të rriten tani në më shumë se 1.100 lajmëtarë aktivë të Mbretërisë së Perëndisë. Falënderoj Jehovain që më dha mundësinë të marr pjesë për të ndihmuar shumë prej tyre të fitojnë njohuri të saktë nga Bibla dhe një shpresë të mrekullueshme për të ardhmen.
Jehovai, «Siguruesi i shpëtimit tim»
Përvoja më ka mësuar se duhet durim dhe qëndrueshmëri për t’i ndihmuar njerëzit që të njohin Perëndinë e vërtetë. Jehovai me bujari na i siguron këto cilësi kaq të nevojshme. Gjatë 67 vjetëve të shërbimit të plotkohor, kam medituar vazhdimisht mbi fjalët e apostullit Pavël: «Por në çdo gjë e rekomandojmë veten tonë si shërbëtorë të Perëndisë në shumë vuajtje, në shtrëngime, në nevoja, në ngushtica, në rrahje, në burgosje, në kryengritje, në mundime, në të pafjetura, në agjërime.» (2. Korintasve 6:4, 5) Në veçanti gjatë viteve të para të shërbimit, gjendja ime financiare ishte shumë e keqe. Por Jehovai nuk na braktisi kurrë mua dhe familjen time. Ai ka provuar se është një Ndihmues i vazhdueshëm dhe i fuqishëm. (Hebrenjve 13:5, 6) E kemi parë gjithnjë dorën e tij të dashur, si në mbledhjen e deleve të tij, ashtu edhe në sigurimin e nevojave tona.
Kur shoh prapa dhe vërej se, në kuptimin frymor, shkretëtira ka lulëzuar, jam i sigurt se puna ime nuk qe e kotë. E shfrytëzova fuqinë time rinore në mënyrën më dobiprurëse. Karriera ime në shërbimin e plotkohor ka qenë më domethënëse se çdo karrierë tjetër. Tani që jam në moshë të shkuar, mund t’i inkurajoj me gjithë zemër të rinjtë që të ‘kujtojnë Krijuesin e tyre në ditët e rinisë së tyre’.—Predikuesi 12:1.
Edhe pse jam në moshën 91-vjeçare, kam akoma mundësi të kushtoj më shumë se 120 orë në muaj, në veprën e predikimit. Çdo ditë, ngrihem në orën 7.30 dhe u dëshmoj njerëzve në rrugë, në dyqane ose në parqe. Mesatarisht shpërndaj 150 revista çdo muaj. Problemet me dëgjimin dhe kujtesën tani ma bëjnë të vështirë jetën, por vëllezërit dhe motrat e mia të dashura frymore, familja ime e madhe frymore, si edhe familjet e dy vajzave të mia, janë një ndihmë e vërtetë.
Mbi të gjitha, kam mësuar të vendos besimin tim në Jehovain. Gjatë gjithë kohës, ai ka provuar se është «shkëmbi im, kështjella ime dhe Siguruesi i shpëtimit tim».—Psalmi 18:2.
[Shënimet]
a Për jetëshkrimin e Emanuel Paterakisit, shiko Kullën e Rojës, 1 nëntor 1996, faqet 22-27.
b Për fitoren ligjore që përfshinte Minos Kokinakisin, shiko Kullën e Rojës, 1 shtator 1993, faqet 27-31, anglisht. Minos Kokinakis vdiq në janar 1999.
[Figurat në faqet 26, 27]
Poshtë: me gruan time; majtas: në vitin 1927; në faqen tjetër: me Minos Kokinakisin (majtas) dhe me një Dëshmitar tjetër, në Akropol, 1939, pak kohë pasi u ktheva nga internimi