«Të harlisur, edhe kur të jenë flokëzbardhur»
SHUMË njerëz në vendet e Mesdheut mbjellin në oborr hurma Arabie, një lloj palme. Këto pemë njihen për bukurinë dhe për frytin e shijshëm. Veç kësaj, hurma e Arabisë është një pemë e harlisur e që jep fryt për më shumë se njëqind vjet.
Me fjalë poetike, mbreti Solomon i Izraelit të lashtë e krahasoi shtatin e shulamites së hijshme me këtë palmë. (Kënga e Solomonit 7:7) Në një libër thuhet: «Fjala në hebraisht për këtë lloj palme është ‘tàmâr’. . . . Për judenjtë ajo u bë simboli i hijeshisë dhe i elegancës dhe shpesh ata e përdornin si emër vajze.» (Bimët e Biblës, anglisht) Për shembull, motra e Solomonit nga babai, një vajzë mjaft e bukur, quhej Tamara. (2 Samuelit 13:1) Edhe sot, disa prindër u vënë këtë emër vajzave të tyre.
Me këtë palmë nuk krahasohen vetëm gratë e bukura. Psalmisti këndoi: «I drejti do të lulëzojë si palma e do të rritet madhështor si cedri në Liban. Ata që janë mbjellë në shtëpinë e Jehovait, do të lulëzojnë në oborret e Perëndisë tonë. Do të jenë të harlisur, edhe kur të jenë flokëzbardhur, të bëshëm e të freskët do të jenë gjithnjë.»—Psalmi 92:12-14.
Ata që i shërbejnë Perëndisë me besnikëri edhe në moshë të shkuar kanë shumë gjëra të përbashkëta me këtë pemë elegante. «Flokët e bardhë janë një kurorë bukurie kur gjenden në udhën e drejtësisë»,—thotë Bibla. (Proverbat 16:31) Sado që me kalimin e viteve fuqia e tyre nuk është më ajo e para, të moshuarit mund ta ruajnë fuqinë frymore duke u ushqyer nëpërmjet studimit të rregullt të Fjalës së Perëndisë, Biblës. (Psalmi 1:1-3; Jeremia 17:7, 8) Me fjalët plot hir dhe shembullin e shkëlqyer, të moshuarit besnikë janë një gurrë e pashtershme inkurajimi për të tjerët dhe sjellin fryt vit për vit. (Titit 2:2-5; Hebrenjve 13:15, 16) Ashtu si hurma e Arabisë, të moshuarit mund të jenë të harlisur e të frytshëm, edhe pse në moshë të shkuar.