KAPITULLI 109
Dënon kundërshtarët fetarë
MATEU 22:41–23:24 MARKU 12:35-40 LUKA 20:41-47
BIRI I KUJT ËSHTË KRISHTI?
JEZUI DEMASKON HIPOKRIZINË E KUNDËRSHTARËVE
Krerët fetarë nuk ia dalin dot ta ulin Jezuin ose ta zënë në grackë që ta dorëzojnë te romakët. (Luka 20:20) Është ende 11 nisan dhe, ndërsa ndodhet në tempull, Jezui fillon të drejtojë bisedën dhe tregon identitetin e tij të vërtetë. Ai merr iniciativën t’i pyesë krerët fetarë: «Ç’mendoni për Krishtin? Bir i kujt është?» (Mateu 22:42) Dihet fare mirë se Krishti, pra Mesia, duhet të vijë nga linja gjenealogjike e Davidit. Kjo është edhe përgjigjja e kundërshtarëve të Jezuit.—Mateu 9:27; 12:23; Gjoni 7:42.
Jezui vazhdon: «Atëherë, si vallë Davidi nën frymëzim e quan ‘Zotëri’ kur thotë: “Jehovai i tha Zotërisë tim: ‘Ulu në të djathtën time derisa t’i vë armiqtë e tu nën këmbët e tua.’” Prandaj, nëse Davidi e quan ‘Zotëri’, si atëherë qenka bir i tij?!»—Mateu 22:43-45.
Farisenjtë nuk flasin, sepse shpresojnë të vijë një pasardhës njerëzor i Davidit që t’i çlirojë nga sundimi romak. Megjithatë, Jezui u referohet fjalëve të frymëzuara të Davidit te Psalmi 110:1, 2, për t’u treguar se Mesia është shumë më tepër se një udhëheqës njerëzor. Ai është Zotëria i Davidit dhe do të fillojë të qeverisë pasi të ulet në të djathtën e Perëndisë. Përgjigjja e Jezuit i bën të heshtin kundërshtarët.
Këtë bisedë po e dëgjojnë dishepujt dhe shumë të tjerë. Atëherë Jezui u drejtohet atyre dhe i paralajmëron për skribët e farisenjtë, të cilët «kanë zënë vendin e Moisiut» duke u mësuar të tjerëve Ligjin e Perëndisë. Ai i udhëzon: «Bëni dhe zbatoni gjithçka që ju thonë, por mos veproni si ata, sepse ata tjetër thonë e tjetër bëjnë.»—Mateu 23:2, 3.
Pastaj, Jezui u tregon me shembuj konkretë sa hipokritë janë: «I zmadhojnë kutizat me shkrime, që i mbajnë si hajmali.» Disa judenj i mbajnë në ballë ose në krah këto kutiza relativisht të vogla që brenda kanë pjesë të shkurtra nga Ligji. Ndërsa farisenjtë i zmadhojnë kutizat që të krijojnë përshtypjen se janë të zellshëm për Ligjin. Gjithashtu, ata «i zgjatin thekët e rrobave». Të gjithë izraelitëve u duhej të bënin thekë në fund të rrobave, por farisenjtë i bëjnë më të gjata se normalisht. (Numrat 15:38-40) E gjitha «për t’u dukur».—Mateu 23:5.
Meqë edhe dishepujt e Jezuit mund të infektohen nga dëshira për të rënë në sy, ai i këshillon: «Mos lejoni t’ju quajnë ‘Rabi’, sepse keni vetëm një Mësues dhe jeni të gjithë vëllezër. Veç kësaj, mbi tokë mos quani askënd ‘atë’, sepse Ati juaj është një i vetëm, Ai që është në qiej. As mos lejoni t’ju quajnë ‘krerë’, sepse Kreu juaj është një i vetëm, Krishti.» Atëherë, çfarë pikëpamjeje duhet të kenë dishepujt për veten dhe si duhet të veprojnë? Jezui u thotë: «Më i madhi ndër ju, të jetë shërbëtori juaj. Kushdo që e lartëson veten, do të përulet, dhe kushdo që e përul veten, do të lartësohet.»—Mateu 23:8-12.
Pas kësaj, Jezui shpall një sërë akuzash kundër skribëve dhe farisenjve hipokritë: «Mjerë ju, skribë dhe farisenj, hipokritë, sepse ua mbyllni njerëzve derën e Mbretërisë së qiejve! Mirë që vetë nuk hyni, por nuk lejoni të hyjnë as ata që duan të hyjnë!»—Mateu 23:13.
Jezui i dënon farisenjtë ngaqë shpërfillin gjërat që janë më të rëndësishme për Jehovain duke vënë rregulla sipas qejfit. Për shembull, ata thonë: «S’ka gjë nëse dikush betohet për tempullin, por nëse dikush betohet për arin e tempullit, është i detyruar ta mbajë betimin.» Kështu tregojnë se janë të verbër në aspektin moral, sepse i japin më shumë rëndësi arit të tempullit, sesa vetë tempullit, vendit ku adhurohet Jehovai. Dhe ‘shpërfillin çështjet më me peshë të Ligjit, domethënë drejtësinë, mëshirën dhe besnikërinë’.—Mateu 23:16, 23; Luka 11:42.
Jezui i quan farisenjtë ‘udhërrëfyes të verbër, që heqin me kullesë harrjen, por gëlltitin devenë’! (Mateu 23:24) Ata heqin harrjen nga vera, meqë ky insekt është i papastër nga ana ceremoniale. Megjithatë, duke lënë pas dore çështjet më me peshë të ligjit, është sikur ‘gëlltitin devenë’, edhe kjo një kafshë e papastër ceremonialisht, vetëm se shumë më e madhe.—Levitiku 11:4, 21-24.