Kapitulli 27
A duhet të jem gjithmonë i ndershëm?
A JE tunduar ndonjëherë të gënjesh? Donaldi i tha së ëmës se i kishte vënë në vend gjërat e dhomës së tij, kur në të vërtetë i kishte rrasur e plasur të gjitha poshtë krevatit. Po kështu, Eljoni bëri një përpjekje absurde për t’ua hedhur prindërve. Ai u tha se kishte marrë një notë të keqe, jo sepse nuk kishte mësuar, por ‘sepse nuk shkonte mirë me mësuesin’.
Prindërit dhe të rriturit e tjerë në përgjithësi i dallojnë këto dredhi. Megjithatë, kjo gjë nuk i pengon shumë djem dhe vajza që të paktën ta provojnë të gënjejnë, të shtrembërojnë të vërtetën apo të mashtrojnë kur duket se u sjell dobi. Një arsye është se prindërit nuk reagojnë gjithmonë ftohtë ndaj këtyre momenteve kritike. Kështu, kur kthehesh në shtëpi dy orë më vonë nga ç’e mendoje, mund të tundohesh të thuash se kishte një aksident të rëndë në rrugë, në vend se t’u tregosh prindërve të vërtetën shqetësuese se thjesht nuk të ra ndër mend t’i hidhje një sy orës.
Shkolla mund t’i paraqesë një tjetër sfidë ndershmërisë. Nxënësit mendojnë shpesh se janë tepër të rënduar me detyra. Shpesh, ekziston konkurrenca e pamëshirshme. Ja, përse në Shtetet e Bashkuara, sondazhet tregojnë se më shumë se gjysma e të gjithë nxënësve kopjojnë apo kanë kopjuar. Megjithatë, ndërkohë që gënjeshtra mund të duket tërheqëse dhe kopja rruga më e lehtë, a ia vlen me të vërtetë të mos jesh i ndershëm?
Përse nuk ia vlen të gënjesh?
Të gënjesh për t’i shpëtuar ndëshkimit mund të duket me përfitim për momentin. Por Bibla paralajmëron: «Ai që thotë gënjeshtra nuk do të ketë shpëtim.» (Proverbat 19:5) Ka shumë mundësi që gënjeshtra të dalë në shesh e kështu prapëseprapë të ndëshkohesh. Në këtë mënyrë, prindërit nuk do të zemërohen vetëm për shkak të gabimit që ke bërë, por edhe sepse i ke gënjyer.
Po për kopjen në shkollë, ç’mund të thuhet? Një drejtor i ngarkuar me programet disiplinore në një universitet, thotë: «Çdo student që bën hile në shkollë, rrezikon seriozisht dëmtimin e arsimimit të ardhshëm dhe mundësitë për punë.»
Vërtet, duket se shumë ia hedhin pa u lagur. Kopja mund të të sigurojë fare lehtë një notë kaluese, por cilat janë pasojat e mëvonshme? Pa dyshim që je dakort se do të ishte budallallëk të arrije të përfundoje me mashtrim një kurs noti. Në fund të fundit, kujt do t’i pëlqente të qëndronte në breg, ndërkohë që të tjerët kënaqen në ujë! Po sikur dikush të të shtynte e të bije në një pishinë, mashtrimi mund të të shkaktonte mbytjen.
Çfarë mund të themi për kopjen në matematikë apo në lexim? Vërtet, pasojat mund të mos jenë edhe aq dramatike, të paktën jo menjëherë. Nëse nuk ke përvetësuar mirë lëndët bazë, mund ta shohësh veten «duke u fundosur» në tregun e punës. Gjithashtu, diploma e marrë duke kopjuar nuk do të vlente më shumë se një kamerdare. Bibla thotë: «Të përftosh thesare me një gjuhë gënjeshtare është një kotësi kalimtare.» (Proverbat 21:6) Çdo përfitim që mund të sjellë një gënjeshtër, është po aq jetëshkurtër sa edhe avulli. Do të ishte shumë më mirë t’i përvisheshe punës e të studioje, në vend se të gënjeje e të kopjoje gjatë gjithë kohës së shkollës. «Planet e të zellshmit janë sigurisht për të mirë»,—thotë Proverbat 21:5, BR.
Gënjeshtra dhe ndërgjegjja jote
Një vajzë e re me emrin Briseida, duke gënjyer e akuzonte të vëllanë se kishte thyer një stoli shumë të dashur për prindërit. Megjithatë, më vonë ajo u ndie e detyruar të pranonte para prindërve se kishte gënjyer. «Pjesën më të madhe të kohës ndihesha në faj,—shpjegon Briseida.—Prindërit kishin krijuar besim tek unë, kurse unë i kisha zhgënjyer.» Kjo gjë e tregon mirë se si Perëndia vuri brenda njerëzve aftësinë e ndërgjegjes. (Romakëve 2:14, 15) Ndërgjegjja e Briseidës ishte e trazuar nga ndjenjat e fajit.
Pa dyshim, një person mund të preferojë ta shpërfillë ndërgjegjen e vet. Por, sa më shumë të praktikosh gënjeshtrën, aq më shumë bëhesh i pandjeshëm ndaj të keqes dhe ‘i damkosur në ndërgjegje’. (1. Timoteut 4:2) A dëshiron me të vërtetë të kesh një ndërgjegje të pandjeshme?
Si e sheh Perëndia gënjeshtrën?
«Gjuha gënjeshtare» ishte dhe është një nga gjërat që «Zoti i urren». (Proverbat 6:16, 17) Në fund të fundit, Satana Djalli është «ati i gënjeshtrës». (Gjoni 8:44, BR) Bibla nuk bën asnjë dallim mes gënjeshtrave të vogla dhe të mëdha. «Asnjë gënjeshtër nuk del nga e vërteta.»—1. Gjonit 2:21.
Prandaj, kushdo që dëshiron të jetë mik me Perëndinë, duhet të veprojë me ndershmëri. Kapitulli 15 i Psalmeve pyet: «O Jehova, kush do të jetë mysafir në tendën tënde? Kush do të banojë në malin tënd të shenjtë?» (Vargu 1, BR) Le të shohim përgjigjen e dhënë në katër vargjet vijuese:
«Ai që ecën me ndershmëri dhe bën atë që është e drejtë dhe thotë të vërtetën që ka në zemër.» (Vargu 2) A të ngjan kjo me përshkrimin e një mashtruesi apo hajduti dyqanesh? Apo me dikë që i gënjen prindërit ose hiqet për dikë që në të vërtetë nuk është? Vështirë! Prandaj, nëse dëshiron të jesh mik me Perëndinë, duhet të jesh i ndershëm jo vetëm në veprime, por edhe në zemër.
Ai «që nuk shan me gjuhën e tij, nuk i bën asnjë të keqe shokut të tij dhe nuk shpif të afërmin e tij». (Vargu 3) A e ke lejuar ndonjëherë veten të shoqërohesh me një grup djemsh e vajzash që flasin në mënyrë të pahijshme dhe lënduese për dikë tjetër? Kultivo vullnetin e duhur për të mos pranuar të marrësh pjesë në biseda të tilla!
«Këdo që është i përçmuar në sytë e tij, ai me siguri nuk e pranon, por ata që i frikësohen Jehovait, ai i nderon. Edhe sikur të jetë betuar në dëm të tij, ai përsëri nuk ndryshon.» (Vargu 4, BR) Mos prano të kesh shok asnjë djalë apo vajzë që gënjen, mashtron apo mburret për bëma imorale; ata do të presin që edhe ti të bësh të njëjtat gjëra. Një djalë me emrin Dori vërente: «Një shok me të cilin thua gënjeshtra, të fut në telashe. Nuk është shok të cilit mund t’i besosh.» Gjej shokë që i respektojnë normat e ndershmërisë!—Krahaso Psalmin 26:4.
A e ke vënë re se Jehovai i çmon dhe «i nderon» ata që e mbajnë fjalën? Ndoshta ke premtuar të ndihmosh në punët e shtëpisë këtë të diel, por atë pasdite shokët të ftojnë për një lojë me top. A do ta kthesh fjalën e dhënë e të shkosh me shokët, duke i lënë vetëm prindërit të bëjnë punët, apo do ta mbash fjalën?
«Nuk i jep paratë e tij me kamatë dhe nuk pranon dhurata kundër të pafajshmit. Ai që bën këto gjëra nuk do të hiqet kurrë.» (Vargu 5) A nuk është e vërtetë se lakmia është një shkak i madh për mashtrim dhe pandershmëri? Nxënësit që kopjojnë në provime, janë lakmitarë për nota që nuk i meritojnë. Njerëzit që marrin rryshfet vlerësojnë më shumë paranë sesa drejtësinë.
Vërtet, disa bëjnë me gisht nga udhëheqësit politikë dhe tregtarët, që i shtrembërojnë normat e ndershmërisë për të arritur atë që duan. Por sa i qëndrueshëm është suksesi i këtyre personave? Psalmi 37:2 përgjigjet: «Ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë.» Nëse nuk kapen e të turpërohen nga të tjerët, në fund ata do të përballojnë gjykimin e Perëndisë Jehova. Ndërsa miqtë e Perëndisë ‘nuk do të hiqen kurrë’. E ardhmja e tyre e përjetshme është e sigurt.
Zhvillo «një ndërgjegje të ndershme»!
A ka, atëherë, arsye të forta për të shmangur çdo lloj gënjeshtre? Apostulli Pavël tha për veten dhe për shokët e tij: «Ne besojmë se kemi një ndërgjegje të ndershme.» (Hebrenjve 13:18, BR) A është ndërgjegjja jote e ndjeshme ndaj gjërave të rreme? Nëse jo, stërvite duke studiuar Biblën dhe literaturën e bazuar në Bibël, si Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!
Djali i ri me emrin Dori, bëri kështu dhe arriti rezultate të mira. Ai ka mësuar të mos i mbulojë problemet me një rrjetë gënjeshtrash. Ndërgjegjja e nxit atë t’i afrohet prindërve dhe t’i diskutojë me ndershmëri gjërat. Nganjëherë, kjo gjë ka çuar në disiplinim. Megjithatë, ai pranon se «ndihet më mirë nga brenda», sepse ka qenë i ndershëm.
Nuk është gjithmonë e lehtë të thuash të vërtetën. Por ai që vendos të thotë të vërtetën, do të ketë një ndërgjegje të mirë, një marrëdhënie të mirë me shokët e tij të vërtetë dhe ajo që vlen më shumë, privilegjin për të qenë «mysafir» në tendën e Perëndisë. Të veprosh me ndershmëri, pra, nuk është vetëm diçka e mirë, por është diçka e drejtë për të gjithë të krishterët.
Pyetje për t’u trajtuar
◻ Cilat janë disa situata, në të cilat mund të tundohesh për të gënjyer?
◻ Përse nuk ia vlen të gënjesh apo të mashtrosh? A mund ta ilustrosh me ndonjë përvojë apo vërejtje personale?
◻ Si e dëmton një gënjeshtar ndërgjegjen e tij?
◻ Lexo Psalmin 15! Si zbatohen vargjet në lidhje me parimin e ndershmërisë?
◻ Si mund të zhvillojë një ndërgjegje të ndershme një i ri në moshë?
[Diçitura në faqen 213]
‘Çdo student që bën hile në shkollë, rrezikon seriozisht dëmtimin e mundësive të ardhshme’
[Diçitura në faqen 216]
Bibla nuk bën asnjë dallim mes gënjeshtrave të vogla dhe të mëdha
[Figura në faqen 214]
Prindërit zakonisht i dallojnë përpjekjet e çala për të justifikuar mosbindjen