A janë lutjet e tua «të përgatitura si temjan»?
«Lutja ime qoftë e përgatitur si temjan përpara teje!»—PSALMI 141:2, BR.
1, 2. Çfarë simbolizonte djegia e temjanit?
PERËNDIA JEHOVA e urdhëroi profetin e tij Moisiun që të përgatiste temjan të shenjtë për ta përdorur në tabernakullin e adhurimit të Izraelit. Formula hyjnore kërkonte që të bëhej një përzierje aromatike prej katër përbërësish. (Dalja [Eksodi] 30:34-38) Ajo doli se qe me të vërtetë erëkëndshme.
2 Besëlidhja e Ligjit në të cilën hyri kombi i Izraelit përcaktonte që të digjej temjan çdo ditë. (Dalja 30:7, 8) A kishte ndonjë domethënie të veçantë përdorimi i temjanit? Po, sepse psalmisti këndoi: «Lutja ime qoftë e përgatitur si temjan përpara teje [Perëndi Jehova], ngritja e pëllëmbëve të mia si oferta në drith e mbrëmjes!» (Psalmi 141:2, BR) Në librin e Zbulesës, apostulli Gjon i përshkruan ata që ishin përreth fronit qiellor të Perëndisë duke mbajtur në duar kupa ari plot me temjan. «Dhe,—thotë tregimi i frymëzuar,—temjani nënkupton lutjet e të shenjtëve.» (Zbulesa 5:8, BR) Prandaj, djegia e temjanit erëkëndshëm simbolizonte lutjet e pranueshme të ofruara ditë e natë nga shërbëtorët e Jehovait.—1. Selanikasve (Thesalonikasve) 3:10; Hebrenjve 5:7.
3. Çfarë duhet të na ndihmojë që t’i ‘përgatitim lutjet tona si temjan përpara Perëndisë’?
3 Nëse duam që lutjet të jenë të pranueshme nga Perëndia, ne duhet t’i lutemi atij në emrin e Jezu Krishtit. (Gjoni 16:23, 24) Por, si mund ta përmirësojmë cilësinë e lutjeve tona? Mirë, pra, marrja në konsideratë e disa shembujve biblikë duhet të na ndihmojë që t’i përgatitim lutjet tona si temjan përpara Jehovait.—Proverbat (Fjalët e urta) 15:8.
Të ofrojmë lutje me besim
4. Si lidhet besimi me lutjet e pranueshme?
4 Nëse duam që lutjet tona të ngjiten deri te Perëndia si temjan erëkëndshëm, ne duhet të lutemi me besim. (Hebrenjve 11:6) Kur pleqtë e krishterë gjejnë një person të sëmurë frymësisht, i cili e mirëpret ndihmën e tyre nga Bibla, «lutja [e tyre] e besimit do ta shërojë atë që është pa qejf». (Jakovit 5:15, BR) Lutjet e ofruara me besim janë të kënaqshme për Atin tonë qiellor dhe po kështu është studimi i Fjalës së Perëndisë me ndihmën e lutjes. Psalmisti shfaqi një qëndrim të shkëlqyer, kur këndoi: «Do t’i ngre pëllëmbët e mia ndaj urdhërimeve të tua që i kam dashur dhe do të merakosem për rregullat e tua. Më mëso vetë mirësinë, ndjeshmërinë dhe njohurinë, sepse në urdhërimet e tua unë kam ushtruar besim.» (Psalmi 119:48, 66, BR) Le t’i ‘shtrijmë pëllëmbët tona’ në lutje të përulura dhe të ushtrojmë besim, duke u përputhur me urdhërimet e Perëndisë!
5. Çfarë duhet të bëjmë nëse na mungon mençuria?
5 Të supozojmë se na mungon mençuria e nevojshme për të vepruar në një sprovë. Ndoshta nuk jemi të sigurt që një profeci e veçantë biblike po përmbushet tani. Në vend se të lejojmë që kjo gjë të na lëkundë nga ana frymore, le të lutemi për mençuri! (Galatasve 5:7, 8; Jakovit 1:5-8) Sigurisht, nuk mund të presim që Perëndia të na përgjigjet në një mënyrë të bujshme. Ne duhet të tregojmë sinqeritetin e lutjeve tona, duke bërë atë që Perëndia pret nga i gjithë populli i tij. Është e nevojshme që të angazhohemi në studimin besimndërtues të Shkrimeve, duke përdorur botimet e siguruara përmes «skllavit të besueshëm e të matur». (Mateu 24:45-47, BR; Josiu [Jozueu] 1:7, 8) Duhet edhe të përparojmë në njohuri, duke marrë pjesë rregullisht në mbledhjet e popullit të Perëndisë.—Hebrenjve 10:24, 25.
6. (a) Çfarë duhet të kuptojmë të gjithë ne në lidhje me ditët tona dhe me përmbushjen e profecive të Biblës? (b) Përveç se të lutemi për shenjtërimin e emrit të Jehovait, çfarë duhet të bëjmë?
6 Sot disa të krishterë po ndjekin interesa dhe karriera, të cilat lënë të kuptohet që ata e kanë humbur vetëdijen se tani jemi të zhytur thellë në «kohën e fundit». (Danieli 12:4, BR) Bashkëbesimtarët fare mirë mund të luten që këta persona ta rigjallërojnë ose ta përforcojnë besimin e tyre në dëshminë biblike se prania e Krishtit filloi në vitin 1914, kur Jehovai e vendosi atë si Mbret qiellor dhe se ai po sundon në mes të armiqve të tij. (Psalmi 110:1, 2; Mateu 24:3) Që të gjithë ne duhet të kuptojmë se ngjarje të tilla të parathëna, si: shkatërrimi i fesë së rreme që është «Babilonia e Madhe», sulmi satanik i Gogut të Magogut mbi popullin e Jehovait dhe çlirimi i tyre nga Perëndia i Plotfuqishëm në luftën e Harmagedonit, mund të shpërthejnë me një befasi tronditëse dhe mund të ndodhin që të gjitha brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohore. (Zbulesa 16:14, 16; 18:1-5; Ezekieli 38:18-23) Prandaj le të lutemi për ndihmën e Perëndisë që të qëndrojmë zgjuar frymësisht! Le të lutemi që të gjithë me zell për shenjtërimin e emrit të Jehovait, për ardhjen e Mbretërisë së tij dhe për bërjen e vullnetit të tij në tokë ashtu siç është në qiell! Po, le të vazhdojmë të ushtrojmë besim e të japim dëshmi se lutjet tona janë të sinqerta! (Mateu 6:9, 10) Vërtet, të gjithë ata që e duan Jehovain le të kërkojnë së pari Mbretërinë dhe drejtësinë e tij, si edhe të kenë pjesëmarrjen më të madhe që të jetë e mundur në predikimin e lajmit të mirë përpara se të vijë fundi!—Mateu 6:33; 24:14.
Të lëvdojmë dhe të falënderojmë Jehovain
7. Çfarë të bën përshtypje në lidhje me lutjen e Davidit, të regjistruar pjesërisht në 1. Kronikave 29:10-13?
7 Një mënyrë e rëndësishme për t’i ‘përgatitur lutjet tona si temjan’ është duke i shprehur Perëndisë lëvdim dhe mirënjohje nga zemra. Mbreti David ofroi një lutje të tillë kur ai dhe populli i Izraelit kontribuan në ndërtimin e tempullit të Jehovait. Davidi u lut: «Qofsh i bekuar, o Jehova, Perëndia i Izraelit, ati ynë, nga koha e pacaktuar e madje në kohë të pacaktuar! Të tuat, o Jehova, janë madhësia, madhështia, bukuria, shkëlqesia dhe dinjiteti, sepse çdo gjë në qiej dhe në tokë është e jotja. E jotja është mbretëria, o Jehova, Ti që lartësohesh si krye mbi gjithçka. Pasuritë dhe lavdia janë në lidhje me ty dhe ti po zotëron gjithçka, dhe në dorën tënde janë fuqia e madhështia, dhe në dorën tënde është aftësia për t’i bërë të mëdhenj e për t’u dhënë forcë të gjithëve. Dhe tani, o Perëndia ynë, ne po të falënderojmë dhe po lëvdojmë emrin tënd të bukur.»—1. Kronikave 29:10-13, BR.
8. (a) Cilat fjalë lëvdimi, të thëna në Psalmet nga 148 deri në 150 të prekin veçanërisht në zemër? (b) Nëse kemi të njëjtat ndjenja si ato të shprehura në Psalmin 27:4, çfarë do të bëjmë?
8 Sa shprehje të bukura lëvdimi dhe falënderimi! Lutjet tona mund të mos jenë po kaq shprehëse, por mund të jenë po kaq të ndiera nga zemra. Libri i Psalmeve është i mbushur me lutje falënderimesh dhe lëvdimi. Fjalë të zgjedhura lëvdimi gjenden në Psalmet nga 148 deri në 150. Mirënjohja ndaj Perëndisë shprehet në shumë psalme. «Një gjë kam kërkuar nga Jehovai,—këndoi Davidi.—Është ajo që do të kërkoj, që të mund të banoj në shtëpinë e Jehovait të gjitha ditët e jetës sime, për të parë kënaqësinë e Jehovait dhe për të vështruar me vlerësim tempullin e tij.» (Psalmi 27:4, BR) Le të veprojmë në harmoni me këto lutje, duke marrë pjesë me zell në të gjitha aktivitetet e morive të mbledhura të Jehovait! (Psalmi 26:12) Bërja e kësaj dhe meditimi i përditshëm mbi Fjalën e Perëndisë do të na japin shumë arsye për t’iu afruar Jehovait me lëvdim dhe mirënjohje nga zemra.
Të kërkojmë me përulësi ndihmën e Jehovait
9. Si u lut mbreti Asa dhe me çfarë rezultati?
9 Nëse po i shërbejmë Jehovait me gjithë zemër si Dëshmitarë të tij, ne mund të jemi të sigurt se ai i dëgjon lutjet tona për ndihmë. (Isaia 43:10-12) Merr në shqyrtim mbretin Asa të Judës. Gjatë mbretërimit të tij 41-vjeçar (977-937 p.e.s), 10 vitet e para u karakterizuan nga paqja. Pastaj Juda u pushtua nga një ushtri me një milion burra të drejtuar nga Zerahu, etiopasi. Edhe pse ishin shumë më të paktë në numër, Asa dhe njerëzit e tij dolën për t’u bërë ballë pushtuesve. Por, përpara betejës, Asa u lut me zjarr. Ai pranoi fuqinë e Jehovait për të çliruar. Duke u lutur për ndihmë, mbreti tha: «Te ti ne mbështetemi dhe në emrin tënd kemi ardhur kundër kësaj shumice. O Jehova, ti je Perëndia ynë. Mos lër që njeriu i vdekshëm të ruajë fuqi kundër teje.» Rezultati qe fitorja totale, pasi Jehovai e shpëtoi Judën për hir të emrit të tij të madh. (2. Kronikave 14:1-15, BR) Si në rastin kur Perëndia na çliron nga një sprovë, ashtu edhe kur na forcon për ta duruar atë, nuk ka dyshim se ai i dëgjon lutjet tona për të pasur ndihmën e tij.
10. Kur nuk dimë se si të veprojmë në njëfarë rrethane të vështirë, si mund të na dalë e dobishme lutja e mbretit Jozafat?
10 Nëse nuk dimë se si të veprojmë në njëfarë rrethane të vështirë, ne mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’i dëgjojë kërkesat tona për ndihmë. Kjo u ilustrua në ditët e mbretit jude Jozafat, mbretërimi 25-vjeçar i të cilit filloi në vitin 936 p.e.s. Kur Juda u kërcënua nga forcat e bashkuara të Moabit, Amonit dhe të rajonit malor të Seirit, Jozafati u lut: «O Perëndia ynë, a nuk do të ekzekutosh gjykim mbi ta? Sepse te ne nuk ka fuqi përpara kësaj shumice të madhe që po vjen kundër nesh dhe ne vetë nuk dimë se çfarë duhet të bëjmë, por sytë tanë janë drejt teje.» Jehovai iu përgjigj kësaj lutjeje të përulur, duke luftuar për Judën e duke i goditur radhët e armikut me kaos, kështu që ata vranë njëri-tjetrin. Si rezultat, kombet përreth u frikësuan dhe në Judë mbizotëroi paqja. (2. Kronikave 20:1-30, BR) Kur na mungon mençuria e duhur për të përballuar një rrethanë të vështirë, ashtu si Jozafati mund të lutemi: ‘Ne nuk dimë se çfarë duhet të bëjmë, por sytë tanë janë drejt teje, Jehova.’ Fryma e shenjtë mund të bëjë që ne të kujtojmë pikat e nevojshme nga Shkrimet, të cilat na duhen për të zgjidhur problemin ose Perëndia mund të na ndihmojë në një mënyrë që e tejkalon arsyetimin njerëzor.—Romakëve 8:26, 27.
11. Çfarë mund të mësojmë për lutjen nga veprimet e Nehemisë në lidhje me muret e Jerusalemit?
11 Mund të na duhet të këmbëngulim në lutje për ndihmën e Perëndisë. Nehemia vajtoi, qau, agjëroi dhe u lut për ditë të tëra në lidhje me muret e rrënuara të Jerusalemit dhe me situatën e mjerueshme të banorëve të Judës. (Nehemia 1:1-11) Lutjet e tij me sa duket u ngjitën deri te Perëndia si temjan erëkëndshëm. Një ditë mbreti pers Artakserksi e pyeti Neheminë e pikëlluar: «Çfarë është kjo që po kërkon të sigurosh?» «Menjëherë,—raporton Nehemia,—iu luta Perëndisë së qiejve.» Ajo lutje e shkurtër në heshtje mori përgjigje, sepse Nehemisë iu dha leja për të përmbushur dëshirën e zemrës së tij, duke shkuar në Jerusalem për të rindërtuar muret e tij të rrënuara.—Nehemia 2:1-8, BR.
Të lëmë që Jezui të na mësojë se si të lutemi
12. Si do t’i përmblidhje me fjalët e tua pikat kryesore të lutjes model të Jezuit?
12 Nga të gjitha lutjet e regjistruara në Shkrime, veçanërisht ndërtuese është lutja model e paraqitur si temjan erëkëndshëm nga Jezu Krishti. Në Ungjillin e Lukës thuhet: «Njëri nga dishepujt [e Jezuit] i tha atij: ‘Zotëri, na mëso se si të lutemi, ashtu si i mësoi edhe Gjoni dishepujt e tij.’ Atëherë ai u tha atyre: ‘Kurdo që të luteni, thoni: Atë, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. Na jep bukën tonë për ditën sipas nevojave të ditës. Dhe na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne vetë falim këdo që është në borxh ndaj nesh, dhe mos na ço në tundim.’» (Luka 11:1-4, BR; Mateu 6:9-13) Le ta shqyrtojmë këtë lutje, që nuk kishte për qëllim të recitohej, por që të shërbente si udhërrëfyese.
13. Si do ta shpjegoje domethënien e fjalëve «Atë, u shenjtëroftë emri yt»?
13 «Atë, u shenjtëroftë emri yt.» Një privilegj të veçantë që kanë shërbëtorët e dedikuar të Jehovait është që t’i drejtohen atij si Atë. Ashtu si fëmijët, të cilët i afrohen me lehtësi një ati të mëshirshëm për çdo shqetësim, ne duhet të kalojmë kohë në lutje të rregullta, me dinjitet dhe plot nderim, drejtuar Perëndisë. (Psalmi 103:13, 14) Lutjet tona duhet të pasqyrojnë interesimin tonë për shenjtërimin e emrit të Jehovait, sepse dëshirojmë me zjarr ta shohim atë të pastruar nga e gjithë sharja që është grumbulluar mbi të. Po, ne duam që emri i Jehovait të veçohet dhe të mbahet si i shenjtë.—Psalmi 5:11; 63:3, 4; 148:12, 13; Ezekieli 38:23.
14. Çfarë do të thotë të lutemi «ardhtë mbretëria jote»?
14 «Ardhtë mbretëria jote.» Mbretëria është sundimi i Jehovait, i shprehur nëpërmjet qeverisë qiellore Mesianike në duart e Birit të tij dhe «të shenjtëve» që do të sundojnë bashkë me Jezuin. (Danieli 7:13, 14, 18, 27; Zbulesa 20:6) Së shpejti ajo do të «vijë» kundër të gjithë kundërshtarëve tokësorë të sovranitetit të Perëndisë, duke i fshirë ata nga faqja e dheut. (Danieli 2:44) Pastaj vullneti i Jehovait do të bëhet në tokë, ashtu siç është në qiell. (Mateu 6:10) Sa gëzim do t’i sjellë kjo të gjitha krijesave që i shërbejnë besnikërisht Sovranit Universal!
15. Çfarë tregon fakti që i kërkojmë Jehovait «bukën tonë për ditën»?
15 «Na jep bukën tonë për ditën sipas nevojave të ditës.» T’i kërkojmë Jehovait ushqimin «për ditën» tregon se nuk kërkojmë furnizime me një bollëk të madh, por vetëm për nevojat tona të përditshme. Edhe pse besojmë që Perëndia do të na i sigurojë këto gjëra, ne, gjithashtu, punojmë dhe përdorim çfarëdo mjeti të përshtatshëm që kemi në dispozicion për të pasur ushqim dhe gjëra të tjera të domosdoshme. (2. Selanikasve 3:7-10) Sigurisht, ne duhet ta falënderojmë Siguruesin tonë qiellor për shkak të dashurisë, mençurisë dhe fuqisë së tij, të cilat gjenden pas këtyre sigurimeve.—Veprat 14:15-17.
16. Si mund të marrim faljen e Perëndisë?
16 «Na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne vetë falim këdo që është në borxh ndaj nesh.» Duke qenë të papërsosur dhe mëkatarë, ne nuk mund t’u përmbahemi plotësisht standardeve të përsosura të Jehovait. Prandaj, na duhet të lutemi për faljen e tij mbi bazën e flijimit shpërblyes të Jezuit. Por nëse duam që «Dëgjuesi i lutjes» ta zbatojë vlerën e atij flijimi për mëkatet tona, ne duhet të jemi të penduar dhe të gatshëm për të marrë çfarëdo disipline që na jep ai. (Psalmi 65:2; Romakëve 5:8; 6:23; Hebrenjve 12:4-11) Për më tepër, mund të presim që Perëndia të na falë vetëm nëse «kemi falur borxhlinjtë tanë», ata që mëkatojnë kundër nesh.—Mateu 6:12, 14, 15, BR.
17. Çfarë nënkuptohet me fjalët «mos na ço në tundim»?
17 «Mos na ço në tundim.» Disa herë Bibla thotë se Jehovai bën gjëra, kur në fakt, ai thjesht i lejon ato. (Rutha [Ruthit] 1:20, 21) Perëndia nuk na tundon që të kryejmë mëkat. (Jakovit 1:13) Tundimet për të bërë të keqen e kanë origjinën nga Djalli, nga mishi ynë mëkatar dhe nga kjo botë. Satanai është Tunduesi, i cili përpiqet të na manovrojë për të mëkatuar kundër Perëndisë. (Mateu 4:3; 1. Selanikasve 3:5) Kur bëjmë kërkesën «mos na ço në tundim», ne po i kërkojmë Perëndisë që të mos na lejojë të dështojmë kur tundohemi për të mos iu bindur atij. Ai mund të na udhëheqë që të mos dorëzohemi dhe të mos na mashtrojë Satanai, «i ligu».—Mateu 6:13; 1. Korintasve 10:13.
Të veprojmë në harmoni me lutjet tona
18. Si mund të veprojmë në harmoni me lutjet tona për një martesë dhe një jetë familjare të lumtur?
18 Lutja model e Jezuit mbuloi pikat kryesore, por ne mund të lutemi për çdo çështje. Për shembull, mund të lutemi për dëshirën që kemi për një martesë të lumtur. Për të mbajtur dëlirësinë deri në martesë, ne mund të lutemi për vetëkontroll. Por më pas le të veprojmë në harmoni me lutjet tona, duke shmangur literaturën dhe zbavitjen imorale! Le të jemi, gjithashtu, të vendosur që të ‘martohemi vetëm në Zotërinë’! (1. Korintasve 7:39, BR; Ligji i përtërirë 7:3, 4) Kur të martohemi, do të na duhet të veprojmë në harmoni me lutjet që kemi bërë për lumturi, duke zbatuar këshillat e Perëndisë. Dhe nëse kemi fëmijë, nuk mjafton të lutemi që ata të bëhen shërbëtorë besimplotë të Jehovait. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i ngulitur të vërtetat e Perëndisë në mendjet e tyre, nëpërmjet studimit biblik dhe duke marrë pjesë rregullisht në mbledhjet e krishtere me ta.—Ligji i përtërirë 6:5-9; 31:12; Proverbat 22:6.
19. Çfarë duhet të bëjmë nëse po lutemi për shërbimin tonë?
19 A po lutemi për bekime në shërbim? Atëherë le të veprojmë në harmoni me këto lutje, duke pasur një pjesëmarrje domethënëse në veprën e predikimit të Mbretërisë! Nëse lutemi për raste që të ndihmojmë të tjerët për të hyrë në shtegun e jetës së përhershme, duhet të mbajmë regjistrime të mira për personat e interesuar dhe të jemi të gatshëm për të përfshirë në programin tonë drejtimin e studimeve biblike në shtëpi. Po nëse dëshirojmë të ndërmarrim veprën e predikimit në kohë të plotë si pionierë? Atëherë le të bëjmë hapa në harmoni me lutjet tona, duke rritur aktivitetin tonë të predikimit dhe duke marrë pjesë në shërbim me pionierët! Bërja e këtyre hapave do të tregojë se po veprojmë në harmoni me lujet tona.
20. Çfarë do të marrë në shqyrtim artikulli vijues?
20 Nëse po i shërbejmë Jehovait plot besim, mund të jemi të sigurt se ai do t’u përgjigjet lutjeve tona që janë në harmoni me vullnetin e tij. (1. Gjonit 5:14, 15) Patjetër, nga ky shqyrtim i disa lutjeve të regjistruara në Bibël kemi nxjerrë shumë pika të dobishme. Artikulli vijues do të marrë në shqyrtim udhëzime të tjera biblike për ata që dëshirojnë t’i ‘përgatitin lutjet e tyre si temjan përpara Jehovait’.
Si do të përgjigjesh?
◻ Pse duhet t’i ofrojmë lutjet me besim?
◻ Çfarë roli duhet të luajnë lëvdimi dhe falënderimet në lutjet tona?
◻ Pse mund të kërkojmë të sigurt ndihmën e Jehovait në lutje?
◻ Cilat janë disa pika kryesore të lutjes model?
◻ Si mund të veprojmë në harmoni me lutjet tona?
[Figura në faqen 12]
Ashtu si mbreti Jozafat, disa herë mund të na duhet të lutemi: ‘Nuk dimë se çfarë duhet të bëjmë, por sytë tanë janë drejt teje, Jehova’
[Figura në faqen 13]
A lutesh në harmoni me lutjen model të Jezuit?