Çfarë është kryesore në jetën tënde?
«Më trego rrugën nëpër të cilën duhet të eci.»—PSALMI 143:8.
1. Çfarë përfundimi nxorri mbreti Solomon, në lidhje me synimet dhe arritjet njerëzore?
NDOSHTA ti e di, si edhe çdokush tjetër, se jeta është e mbushur me aktivitete dhe punë. Kur mendon për to, mund të dallosh se disa prej tyre janë thelbësore. Disa aktivitete dhe punë të tjera janë më pak të rëndësishme, madje edhe të kota. Fakti që arrin ta kuptosh këtë, do të thotë se je në përputhje me një nga njerëzit më të mençur, mbretin Solomon. Pasi rishikoi tërësisht aktivitetet e jetës, ai përfundoi: «Ki frikë Perëndinë e vërtetë dhe mba urdhërimet e tij, pasi ky është gjithë detyrimi i njeriut.» (Eklisiastiu 2:4-9, 11; 12:13, BR) Ç’domethënie ka kjo për ne sot?
2. Cilën pyetje bazë duhet t’i bëjnë vetes njerëzit me frikë Perëndie dhe në cilat pyetje na çon kjo?
2 Nëse dëshiron ‘të kesh frikë Perëndinë e vërtetë dhe të mbash urdhërimet e tij’, atëherë bëji vetes këtë pyetje sfiduese: «Çfarë është kryesore në jetën time?» Vërtet, kjo nuk është një pyetje që mund ta peshosh përditë, por përse të mos e bësh tani? Në fakt, ajo të sjell ndër mend disa pyetje që lidhen me të, të tilla si: «Mos vallë jam duke e theksuar më shumë se duhet punën, zanatin apo gjërat materiale? Çfarë vendi zënë në jetën time shtëpia, familja dhe të dashurit e mi?» Një i ri mund të pyesë: «Deri në ç’masë arsimimi ka thithur vëmendjen dhe kohën time? Vërtet, cili është interesi im numër një, ‘hobby’, sporti, ndonjë formë zbavitjeje apo teknologjia?» Gjithashtu, pavarësisht nga mosha apo gjendja, me të drejtë duhet të pyesim: «Çfarë vendi zë në jetën time shërbimi i Perëndisë?» Ka të ngjarë që të jesh dakort se kemi nevojë për të vënë përparësi. Por në ç’mënyrë dhe ku mund të gjejmë ndihmë, për t’i vendosur ato me mençuri?
3. Çfarë përfshin për të krishterët vendosja e përparësive?
3 Fjala «kryesore» mbart kuptimin bazë të diçkaje që vjen e para ndër gjithë të tjerat apo që duhet konsideruar e para. Çfarëdo qofsh, një nga Dëshmitarët e Jehovait apo një ndër miliona studentët e sinqertë të Fjalës së Perëndisë, që shoqërohen me ta, shqyrto këtë të vërtetë: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar, madje një kohë për të gjitha punët nën qiell.» (Eklisiastiu 3:1, BR) Me të drejtë kjo përfshin shfaqjen e kujdesit të dashur për lidhjet familjare. (Kolosianëve 3:18-21) Përfshin marrjen e masave të ndershme për familjarët e tu, me anë të një pune në botë. (2. Selanikasve 3:10-12; 1. Timoteut 5:8) Dhe sa për të ndryshuar, ti mund të gjesh kohë edhe për një ‘hobby’ ose për ndonjë zbavitje apo argëtim në ndonjë rast. (Krahaso Markun 6:31.) Por, pas një konsiderimi serioz, a nuk vëren se asnjë prej këtyre nuk është kryesore në jetë? Diçka tjetër është edhe më e rëndësishme.
4. Si lidhet Filipianëve 1:9, 10 me vendosjen e përparësive?
4 Ti mbase e pranon se parimet drejtuese të Biblës janë ndihmesa të vlefshme në vendosjen e përparësive dhe në marrjen e vendimeve të mençura. Për shembull, në Filipianëve 1:9, 10, të krishterët janë të nxitur ‘të jenë plot gjithnjë e më shumë me njohurinë e saktë dhe me aftësi të plota shquese’. Për çfarë qëllimi? Apostulli Pavël shtoi: «Që të mund të siguroheni për gjërat më të rëndësishme.» (BR) A nuk të duket e arsyeshme? Në bazë të njohurisë së saktë, një i krishterë me aftësi shquese mund të përcaktojë çfarë duhet të jetë e para, apo kryesore, në jetë.
Modeli për të vendosur ç’është kryesore
5. Duke përshkruar modelin e lënë për të krishterët, si tregojnë Shkrimet se ç’ishte kryesore në jetën e Jezuit?
5 Ne gjejmë një aspekt të çmuar të njohurisë, në këto fjalë të apostullit Pjetër: «Në këtë rrugë ju u thirrët, sepse edhe Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model që të ndiqni nga afër hapat e tij.» (1. Pjetrit 2:21, BR) Po, për të gjetur se çfarë është kryesore në jetë, ne mund të shqyrtojmë se ç’mendonte Jezu Krishti. Psalmi 40:8 thoshte në mënyrë profetike për të: «Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është brenda zemrës sime.» Ja, si e shprehu ai të njëjtin mendim: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij.»—Gjoni 4:34; Hebrenjve 12:2.
6. Si mund të kemi të njëjtat rezultate si edhe Jezui, në vendosjen e vullnetit të Perëndisë në vend të parë?
6 Ja, çelësi: bërja e vullnetit të Perëndisë. Shembulli i Jezuit thekson se çfarë duhet të kenë me të drejtë kryesore në jetën e tyre dishepujt e tij, sepse ai tha që «çdokush që është mësuar në mënyrë të përsosur, do të bëhet ngjashëm mësuesit të vet». (Luka 6:40, BR) Ndërsa ecte në rrugën që Ati i tij i kishte vënë si qëllim, Jezui tregoi se ka «gëzim me bollëk» po të mbajmë vullnetin e Perëndisë si gjënë kryesore. (Psalmi 16:11; Veprat 2:28) A e kupton se çfarë nënkupton kjo? Ndërsa zgjedhin bërjen e vullnetit të Perëndisë si gjënë kryesore në jetën e tyre, ithtarët e Jezuit do të kenë «gëzim me bollëk» dhe jetë të vërtetë. (1. Timoteut 6:19) Kështu që kemi më shumë se një arsye, për ta vendosur bërjen e vullnetit të Perëndisë të parën në jetën tonë.
7, 8. Çfarë sprovash përballoi Jezui dhe ç’mund të mësojmë ne prej kësaj?
7 Menjëherë pasi Jezui simbolizoi paraqitjen e vetvetes për të bërë vullnetin e Perëndisë, Djalli u përpoq t’ia kthente mendjen. Në ç’mënyrë? Duke e tunduar në tri fusha. Në çdo rast, Jezui u përgjigj me terma të qartë nga Shkrimet. (Mateu 4:1-10) Por sprova të mëtejshme e pritnin: persekutime, tallje, tradhëtimi nga Juda, akuzat e rreme e më pas vdekja në një shtyllë mundimesh. Gjithsesi, asnjë prej këtyre sprovave nuk e ktheu nga rruga Birin besnik të Perëndisë. Në një çast kritik, Jezui u lut: «Jo si dua unë, por si do ti. . . . U bëftë vullneti yt!» (Mateu 26:39, 42) A nuk duhet të nxitemi thellësisht të gjithë ne nga ky aspekt i modelit që na ka lënë Jezui, duke na bërë që ‘të ngulmojmë në lutje’?—Romakëve 12:12, BR.
8 Po, kur vendosim përparësitë tona në jetë, drejtimi hyjnor është veçanërisht i dobishëm, sidomos nëse përballojmë armiqtë e së vërtetës dhe kundërshtarët e vullnetit të Perëndisë. Sill ndër mend lutjen për drejtim, që bëri mbreti besimplotë, Davidi, kur përjetoi kundërshtimin e armiqve. Do ta shohim këtë, ndërsa shqyrtojmë një pjesë të Psalmit 143. Kjo do të na ndihmojë, për të dalluar se si mund ta përforcojmë marrëdhënien tonë personale me Jehovain dhe se si të forcohemi për ta mbajtur bërjen e vullnetit të Perëndisë në vend të parë në jetën tonë.
Jehovai i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve tona
9. (a) Edhe pse ishte një mëkatar, çfarë zbulojnë fjalët dhe veprimet e Davidit? (b) Përse nuk duhet të dorëzohemi, në bërjen e asaj që është e drejtë?
9 Edhe pse ishte një mëkatar i vdekshëm, Davidi kishte besim se Jehovai do t’ia vinte veshin lutjes së tij. Ai u lut me përulësi: «Dëgjo lutjen time, o Zot, vëru veshin lutjeve të mia; përgjigjmu me besnikërinë dhe drejtësinë tënde. Dhe mos hyr në gjyq me shërbëtorin tënd, sepse asnjë i gjallë nuk do të jetë i drejtë para teje.» (Psalmi 143:1, 2) Davidi ishte i ndërgjegjshëm për papërsosmërinë e tij, megjithatë zemra e tij ishte plotësisht nga Perëndia. Prandaj, ai kishte besim se do të merrte një përgjigje në drejtësi. A nuk na inkurajon kjo? Edhe pse kemi dështuar në drejtësinë e Perëndisë, mund të kemi besim se ai na dëgjon, nëse zemrat tona janë plotësisht ndaj tij. (Eklisiastiu 7:20; 1. Gjonit 5:14) Ndërkohë që ngulmojmë në lutje, duhet të kemi si qëllim që në këto ditë të liga ‘të mundim të keqen me të mirën’.—Romakëve 12:20, 21; Jakovit 4:7.
10. Përse Davidi pati disa periudha ankthi?
10 Davidi kishte armiqtë e tij, ashtu sikurse edhe ne. Qoftë si një ikanak i ndjekur nga Sauli, i detyruar të gjente strehë në vende të vetmuara e të paarritshme, apo qoftë edhe si mbret i shqetësuar nga armiqtë, Davidi pati periudhat e tij plot ankth. Ai na përshkroi se si ndikoi kjo mbi të: «Armiku më përndjek . . . më detyron të banoj në vende të errëta . . . Prandaj fryma ime dobësohet brenda meje dhe zemra ime e ka humbur krejt brenda trupit tim.» (Psalmi 143:3, 4) A ke pasur edhe ti arsye për t’u ndier kështu?
11. Çfarë çastesh ankthi kanë kaluar shërbëtorët e sotëm të Perëndisë?
11 Presionet nga armiqtë, sprovat për shkak të vështirësive të rënda ekonomike, sëmundjet serioze apo probleme të tjera shqetësuese, kanë bërë që disa nga shërbëtorët e Perëndisë të ndihen sikur po i lë fryma. Në disa raste, edhe zemrat e tyre kanë qenë si të mpira. Duket sikur ata të kenë thirrur individualisht: «Sepse ti më çove prova shumë të mëdha, por përsëri më kërthndeze në jetë . . . Sillu prej meje e më ngushëllo.» (Psalmi 71:20, 21, DSF) Çfarë ndihme kanë marrë ata?
Si të përballojmë përpjekjet e armiqve
12. Si i përballoi mbreti David rreziqet dhe sprovat?
12 Psalmi 143:5 tregon se çfarë bëri Davidi, kur gjendej i rrethuar nga rreziqet dhe sprovat e mëdha: «Kujtoj ditët e lashta; bie në mendime të thella [meditoj, BR] mbi tërë veprat e tua; reflektoj mbi gjërat që kanë bërë duart e tua.» Davidi sillte ndër mend se si kishte vepruar Perëndia me shërbëtorët e Tij dhe se si vetë ai kishte përjetuar çlirimin. Ai meditonte mbi atë që kishte bërë Jehovai për hir të emrit të Tij të madh. Po, Davidi mbahej i zënë me veprat e Perëndisë.
13. Kur ballafaqohemi me sprova, si do të na ndihmojë për të qëndruar reflektimi mbi shembujt e lashtë dhe modernë të shërbëtorëve besimplotë?
13 A nuk i kemi kujtuar ndonjëherë veprimet e Jehovait me shërbëtorët e tij? Patjetër! Kjo përfshin historinë e ‘resë së madhe me dëshmitarë’ në kohët para krishterimit. (Hebrenjve 11:32-38; 12:1) Të krishterët e mirosur në shekullin e parë ishin, gjithashtu, të inkurajuar ‘të sillnin ndër mend ditët e mëparshme’ dhe ato që ata kishin duruar. (Hebrenjve 10:32-34) Ç’të themi për përvojat e shërbëtorëve të Perëndisë në kohët moderne, si ato të treguara në librin Dëshmitarët e Jehovait: Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë?a Tregimet e dokumentuara aty dhe në botime të tjera të Shoqatës, na mundësojnë të sjellim ndër mend si e ka ndihmuar Jehovai popullin e tij për t’u qëndruar ndalimeve, burgimeve, sulmeve të turmave dhe kampeve të përqendrimit e të punës. Ka pasur sprova në vende të munduara nga lufta, si në Burundi, Liberi, Ruanda dhe ish-Jugosllavi. Kur kundërshtimi ka nxjerrë kokë, shërbëtorët e Perëndisë kanë qëndruar ngaqë kanë mbajtur një marrëdhënie të fortë me Jehovain. Dora e tij ka mbështetur ata që e bënë kryerjen e vullnetit të tij gjënë kryesore në jetën e tyre.
14. (a) Cili është një shembull i mbështetjes që Perëndia i jep një personi, i cili gjendet në një situatë që mund të ngjajë me tonën? (b) Çfarë mëson prej këtij shembulli?
14 Megjithatë, ti mund të përgjigjesh, duke thënë se nuk ke provuar ndonjë abuzim të tillë brutal dhe mund të mendosh që s’ka të ngjarë ta provosh ndonjëherë. Por mbështetja që Perëndia i ka dhënë popullit të tij, s’ka ardhur gjithmonë vetëm gjatë atyre që disa mund t’i quajnë situata dramatike. Ai ka mbështetur shumë individë «të zakonshëm» në rrethana «normale». Ja, një nga shembujt e shumtë: Kulla e Rojës e 1 dhjetorit 1996 përmbante tregimin e Penellopi Makris. Sa shembull i shkëlqyer i integritetit të krishterë! A mund të sjellësh ndër mend se ç’hoqi ajo nga fqinjët, si luftoi me sëmundjet e ashpra dhe sa përpjekje bëri për të qëndruar në shërbimin e plotë kohor? Por përvojën e saj shpërblyese në Mitileni? Puna është: A i konsideron këta shembuj si ndihmues për të gjithë ne në vënien e përparësive, në vendosjen e bërjes së vullnetit të Perëndisë në vend të parë në jetën tonë?
15. Cilat janë disa nga bëmat e Jehovait, mbi të cilat mund të meditojmë?
15 Ne forcohemi duke medituar mbi aktivitetet e Jehovait, sikurse bënte edhe Davidi. Në plotësim të qëllimit të tij, Jehovai mori masa për shpëtimin nëpërmjet vdekjes, ringjalljes dhe lavdërimit të Birit të tij. (1. Timoteut 3:16) Ai ka vendosur Mbretërinë e tij qiellore, ka pastruar qiejt nga Satanai dhe demonët e tij dhe ka rikthyer adhurimin e pastër mbi tokë. (Zbulesa 12:7-12) Ai ka ndërtuar një parajsë frymore dhe e ka bekuar popullin e tij me rritje. (Isaia 35:1-10; 60:22) Shërbëtorët e tij po japin tani një dëshmi përfundimtare, përpara shpërthimit të mjerimit të madh. (Zbulesa 14:6, 7) Po, ne kemi shumë gjëra, për të cilat mund të meditojmë.
16. Mbi çfarë jemi të inkurajuar të përqendrohemi dhe ç’do të ngulitë kjo te ne?
16 Duke u përqendruar në veprën e duarve të Perëndisë dhe duke mos u shqetësuar për përpjekjet njerëzore, ngulitim tek vetja se fuqia që përdor Jehovai është e papërballueshme. Megjithatë, këto vepra, nuk kufizohen me veprat e mrekullueshme fizike të krijimit në qiej dhe këtu mbi tokë. (Jobi 37:14; Psalmi 19:1; 104:24) Veprat e tij të mrekullueshme përfshijnë çlirimin e popullit të tij nga armiqtë shtypës, siç tregohet nga përvojat e popullit të tij të zgjedhur në lashtësi.—Dalja 14:31; 15:6.
Të njohim rrugën ku të ecim
17. Sa real ishte Jehovai për Davidin dhe si mund të jemi ne të sigurt për këtë?
17 Davidi u lut për ndihmë, i trembur se lëngu i jetës brenda tij po thahej: «I zgjas duart e mia drejt teje; shpirti im është i etur për ty, si një tokë e thatë. Nxito të më përgjigjesh, o Zot, fryma ime po dobësohet; mos më fshih fytyrën tënde, që të mos bëhem i ngjashëm me ata që zbresin në gropë.» (Psalmi 143:6, 7) Davidi, një mëkatar, e dinte se Perëndia ishte i vetëdijshëm për gjendjen e tij. (Psalmi 31:7) Disa herë, edhe ne mund të mendojmë se gjendja jonë frymore ka marrë teposhtën. Por gjendja nuk është e pashpresë. Jehovai, që i dëgjon lutjet tona, mund ta përshpejtojë mëkëmbjen tonë, duke na freskuar me anë të pleqve të dashur, artikujve në Kullën e Rojës, apo me pjesë nëpër mbledhje, të cilat duken se janë bërë tamam për ne.—Isaia 32:1, 2.
18, 19. (a) Cila duhet të jetë lutja jonë e zjarrtë ndaj Jehovait? (b) Për çfarë mund të jemi të sigurt?
18 Besimi që kemi në Jehovain, na nxit t’i lutemi: «Më bëj të ndjej mirësinë tënde . . . , sepse unë e kam besimin te ti; më trego rrugën nëpër të cilën duhet të eci.» (Psalmi 143:8) A e zhgënjeu ai motrën Makris, e cila ishte e izoluar në një ishull grek? A do të të zhgënjejë ty, ndërsa e bën kryerjen e vullnetit të tij gjënë kryesore në jetë? Djallit dhe larove të tij do t’u pëlqente të pengonin apo edhe të ndalonin plotësisht veprën tonë në shpalljen e Mbretërisë së Perëndisë. Kudo qofshim, duke shërbyer në vende ku adhurimi i vërtetë është në përgjithësi i lejuar apo në vende ku ai shtypet, lutjet tona të bashkuara përputhen me kërkesën e Davidit: «Më çliro nga armiqtë e mi, o Zot, te ti unë fshihem.» (Psalmi 143:9) Siguria jonë kundër të këqijave frymore varet nga banimi në vendin e shenjtë të Më të Lartit.—Psalmi 91:1.
19 Bindja jonë për gjërat që janë kryesore ka një bazë të fortë. (Romakëve 12:1, 2) Bëju ballë, pra, përpjekjeve të botës për të të imponuar ato që ajo mendon se janë të rëndësishme për njerëzit. Çdo aspekt i jetës sate le të vazhdojë të pasqyrojë atë që ti e di se është kryesore: bërjen e vullnetit të Perëndisë.—Mateu 6:10; 7:21.
20. (a) Çfarë kemi mësuar për Davidin nga Psalmi 143:1-9? (b) Si e pasqyrojnë të krishterët sot frymën e Davidit?
20 Nëntë vargjet e para të Psalmit 143 nënvizojnë marrëdhënien e ngushtë personale të Davidit me Jehovain. Kur u gjend i shtrënguar nga armiqtë, ai lirisht iu lut Perëndisë për drejtim. Ai e zbrazi zemrën, duke kërkuar ndihmë për të ecur në rrugën e drejtë. Sot është njësoj për mbetjen e të mirosurve me frymë mbi tokë dhe për shokët e tyre. Ndërsa i luten Jehovait për drejtim, ata e konsiderojnë marrëdhënien e tyre me të si diçka të vyer. Ata mbajnë ne vend të parë bërjen e vullnetit të Perëndisë, pavarësisht nga presionet e Djallit dhe të botës.
21. Përse është e rëndësishme që të lëmë një shembull të mirë, nëse duam t’u mësojmë të tjerëve se çfarë duhet të jetë kryesore në jetën e tyre?
21 Miliona njerëz që studiojnë Biblën me Dëshmitarët e Jehovait duhet të pranojnë se bërja e vullnetit të Perëndisë është kryesore. Ne mund t’i ndihmojmë që ta kuptojnë këtë, kur të zhvillojmë kapitullin 13 të librit Njohuria që të çon në jetën e përhershme, i cili thekson parimet e përfshira për të qenë të bindur ndaj Fjalës.b Natyrisht, ata duhet të shohin te ne shembullin e atyre që po u mësojmë. Pas një periudhe relativisht të shkurtër, ata vetë do të dinë rrugën në të cilën duhet të ecin. Ndërsa këta miliona kuptojnë personalisht se çfarë duhet të ketë rëndësi më të madhe në jetën e tyre, shumë prej tyre do të jenë të nxitur të ndërmarrin hapat e dedikimit e të pagëzimit. Pas kësaj, kongregacioni mund t’i ndihmojë që të vazhdojnë të ecin në rrugën e jetës.
22. Cilat pyetje do të konsiderohen në artikullin vijues?
22 Shumë veta e pranojnë menjëherë se vullneti i Perëndisë duhet të ketë rëndësi të dorës së parë në jetën e tyre. Në ç’mënyrë, pra, i mëson vazhdimisht Jehovai shërbëtorët e vet, për të bërë vullnetin e tij? Çfarë dobish u sjell kjo atyre? Këto pyetje, bashkë me trajtimin e një vargu kyç, Psalmi 143:10, do të trajtohen në artikullin vijues
[Shënimet]
a Botuar në anglisht në 1993 nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
b Botuar në 1995 nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Si mund të vendosim përparësi, duke zbatuar Filipianëve 1:9, 10?
◻ Si tregoi Jezui se çfarë ishte kryesore në jetën e tij?
◻ Çfarë mund të mësojmë nga veprimet e Davidit, kur gjendej në sprova?
◻ Në ç’mënyrë na ndihmon sot Psalmi 143:1-9?
◻ Çfarë duhet të jetë kryesore në jetën tonë?
[Figura në faqen 10]
Veprimet e Davidit provuan mbështetjen e tij në Jehovain
[Burimi]
Riprodhuar nga Illustrirte Pracht - Bibel/Heilige Schrift des Alten und Neuen Testaments, nach der deutschen Uebersetzung D. Martin Luther’s