Fryma e Jehovait e udhëheq popullin e tij
«Fryma jote është e mirë; le të më udhëheqë ajo në tokën e drejtësisë.»—PSALMI 143:10.
1, 2. Ç’gjë mund t’u shkaktojë dëshpërim shërbëtorëve besnikë të Jehovait?
«NDIHEM kaq i dëshpëruar! Ku mund të gjej pak ngushëllim? A thua, Perëndia më ka braktisur?» A ndihesh ndonjëherë kështu? Nëse po, atëherë nuk je i vetmi. Edhe pse shërbëtorët besnikë të Jehovait banojnë në parajsën e lulëzuar frymore, ata ndonjëherë ballafaqohen me probleme dëshpëruese, me sprova e tundime të zakonshme për njerëzimin.—1. Korintasve 10:13.
2 Ndoshta je i shqetësuar nga ndonjë sprovë që po zgjat shumë apo nga diçka që ju shkakton shtypje të madhe. Ndoshta je i pikëlluar nga vdekja e ndonjë personi të dashur dhe ndoshta ndihesh shumë i vetmuar. Apo zemra jote, ndoshta është e shqetësuar nga sëmundja e ndonjë miku të dashur. Rrethana të tilla mund t’ju privojnë nga gëzimi e paqja dhe mund të kërcënojnë edhe besimin tënd. Ç’duhet të bësh?
Kërkoi Perëndisë frymën e tij
3. Nëse diçka ju privon nga cilësi të tilla si, paqja dhe gëzimi, çfarë do të ishte e mençur të bëhej?
3 Nëse diçka ju privon nga paqja, gëzimi apo ndonjë cilësi tjetër hyjnore do të ishte e mençur të lutesh për frymën e shenjtë, apo fuqinë aktive të Perëndisë. Përse? Sepse fryma e Jehovait prodhon fryt të mirë që e ndihmon një të krishterë për t’u ballafaquar me problemet, sprovat dhe tundimet. Pasi ka paralajmëruar kundër «veprave të trupit», apostulli Pavël shkroi: «Nga ana tjetër, fryti i frymës është dashuria, gëzimi, paqja, shumëdurueshmëria, dashamirësia, mirësia, besimi, butësia dhe vetëkontrolli. Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj.»—Galatasve 5:19-23, NW.
4. Kur ballafaqohesh me ndonjë sprovë apo vështirësi, përse është e përshtatshme të jesh specifik në lutje?
4 Për shkak të llojit të sprovës me të cilën po ballafaqohesh, ndoshta e kupton se po rrezikon të humbësh butësinë tënde, apo temperamentin tënd të butë. Jini, pra, specifikë, duke iu lutur Perëndisë Jehova për frytin e frymës së butësisë. Nëse ballafaqohesh me ndonjë tundim, në mënyrë të veçantë të nevojitet fryti i vetëkontrollit. Natyrisht, do të ishte po ashtu e përshtatshme të luteshe për ndihmën hyjnore që t’i rezistosh tundimit, që të të lirojë nga Satanai dhe për mençurinë e nevojshme që të durosh sprovën.—Mateu 6:13; Jakovit 1:5, 6.
5. Ç’mund të bësh nëse rrethanat janë aq shtrënguese, saqë nuk di se për cilin fryt të frymës duhet lutur?
5 Megjithatë, kohë pas kohe, rrethanat mund të jenë kaq mjeruese apo hutuese, saqë nuk e di se cili fryt i frymës të nevojitet. Në të vërtetë, gëzimi, paqja, butësia dhe cilësitë e tjera hyjnore mund të jenë të gjitha të rrezikuara. Po atëherë? Përse mos t’i kërkosh Perëndisë frymën e shenjtë në përgjithësi dhe të lësh që ajo të shkaktojë lulëzimin e frytit të duhur në rastin tënd? Frytet e nevojshme mund të jenë dashuria, gëzimi, paqja apo një kombinim i fryteve të frymës. Lute, gjithashtu, Perëndinë të të ndihmojë për të udhëhequr në drejtimin e frymës së tij, sepse ai e përdor atë për të udhëhequr popullin e vet.
Jehovai është i gatshëm të të ndihmojë
6. Si ua theksoi Jezui ithtarëve të vet nevojën për t’u lutur pandërprerë?
6 Kur dishepujt e Jezu Krishtit kërkuan udhëzime për lutjen, ai i nxiti, ndër të tjera, që të luten për frymën e Perëndisë. Së pari, Jezui përdori një ilustrim për t’i nxitur që të luten pa pushim. Ai tha: «Cili prej jush, duke pasur një mik, i shkon në mesnatë dhe i thotë: ‘Mik, më jep hua tri bukë, sepse sapo më erdhi prej një udhëtimi një miku im e nuk kam se çfarë t’i nxjerrë përpara’? Dhe ai nga brenda i përgjigjet: ‘Mjaft më shqetësove! Dera tashmë është e mbyllur dhe fëmijët e mi janë me mua në shtrat! Nuk mund të çohem e të të japë asgjë!’ Unë po ju them: Edhe nëse nuk do të çohet për t’i dhënë, sepse e ka mik, me siguri për shkak të insistimit të tij të zjarrtë, do të çohet e do t’i japë gjërat që i duhen.»—Luka 11:5-8.
7. Cila është esenca e fjalëve të Jezuit nga Luka 11:11-13 dhe çfarë sigurie na japin ato në lidhje me Perëndinë dhe frymën e tij?
7 Jehovai është i gatshëm t’i ndihmojë gjithë shërbëtorët e tij të përkushtuar besnikë dhe i dëgjon kërkesat e tyre. Por, nëse një njeri i tillë «vazhdon të lutet», sikurse nxiti Jezui, kjo tregon dëshirë të përzemërt dhe është një shfaqje besimi. (Luka 11:9, 10, NW) Krishti shtoi: «Në fakt, cili prej jush është babai që, nëse i biri i kërkon një peshk, në vend të peshkut do t’i japë një gjarpër? Apo, edhe nëse i kërkon një vezë, do t’i japë një akrep? Pra, nëse ju, edhe pse jeni të këqinj, dini si t’i jepni fëmijëve tuaj dhurata të mira, sa më tepër Ati në qiell do t’u japë frymën e shenjtë atyre që ia kërkojnë!» (Luka 11:11-13) Nëse një prind tokësor, edhe pse është pak a shumë i lig për shkak të mëkatshmërisë së trashëguar, i jep gjëra të mira fëmijës së vet, me siguri Ati ynë qiellor do të vazhdojë t’i japë frymën e tij të shenjtë secilit prej shërbëtorëve të vet besnikë që me përulësi e kërkon atë.
8. Si aplikohet Psalmi 143:10 për Davidin, Jezuin dhe për shërbëtorët bashkëkohorë të Perëndisë?
8 Që të përfitojmë nga fryma e Perëndisë, duhet të jemi të gatshëm të ndjekim udhëheqjen e tij, sikurse ishte Davidi. Ai u lut: «Mësomë të kryej vullnetin tënd, sepse ti je Perëndia im. Fryma jote është e mirë; le të më udhëheqë ajo në tokën e drejtësisë.» (Psalmi 143:10) Davidi, që ishte shpallur i jashtëligjshëm nga mbreti izraelit Saul, dëshironte që fryma e Perëndisë ta udhëhiqte për të qenë i sigurt se kursi i tij ishte i drejtë. Në kohën e tij, Abiatari erdhi me një efod priftëror që përdorej për verifikimin e vullnetit të Perëndisë. Si përfaqësues priftëror i Perëndisë, Abiatari e mësoi Davidin për rrugën që duhej ndjekur në mënyrë që t’i pëlqehej Jehovait. (1. Samuelit 22:17–23:12; 30:6-8) Ngjashëm Davidit, Jezui u udhëhoq nga fryma e Jehovait, gjë që mund të thuhet dhe për ithtarët e mirosur të Krishtit si një klasë. Në vitet 1918-1919, ata konsideroheshin të përjashtuar nga shoqëria njerëzore dhe armiqtë e tyre fetarë mendonin se mund t’i shkatërronin ata. Të mirosurit u lutën për të dalë nga ajo gjendje joaktive dhe më 1919, Perëndia iu përgjigj lutjeve të tyre, duke i liruar dhe duke i riaktivizuar në shërbimin e vet. (Psalmi 143:7-9) Me siguri, fryma e Jehovait e ndihmoi dhe e udhëhoqi atëherë popullin e vet, sikurse bën edhe në ditët tona.
Si ndihmon fryma
9. (a) Në ç’mënyrë fryma e shenjtë shërben si «ndihmës»? (b) Si e dimë se fryma e shenjtë nuk është një person? (Shiko shënimin.)
9 Jezu Krishti e quajti frymën e shenjtë një «ndihmës». Për shembull, ai u tha ithtarëve të vet: «Unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një ndihmës tjetër që të jetë me ju përgjithmonë, frymën e së vërtetës, të cilën bota s’mund ta marrë, sepse as që e sheh atë e as që e njeh. Ju e njihni, sepse ajo mbetet me ju dhe është tek ju.» Përveç të tjerash, ky «ndihmës» do të ishte një mësues, sepse Krishti premtoi: «Ndihmësi, fryma e shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, ai do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju sjellë ndër mend të gjitha gjërat që ju kam thënë.» Fryma, po ashtu do të dëshmonte mbi Krishtin dhe ai i siguroi dishepujt e tij: «Është në dobinë tuaj që unë të shkoj. Sepse nëse nuk shkoj, ndihmësi nuk do të vijë tek ju assesi; por nëse shkoj, do t’jua dërgoj.»—Gjoni 14:16, 17, 26; 15:26; 16:7.a
10. Në cilat mënyra, fryma e shenjtë tregoi se është një ndihmës?
10 Ditën e Rrëshajave të vitit 33 e.s., Jezui derdhi nga qielli, mbi ithtarët e tij, frymën e shenjtë të premtuar. (Veprat 1:4, 5; 2:1-11) Si një ndihmës, fryma u dha atyre kuptueshmëri më të madhe mbi vullnetin dhe qëllimin e Perëndisë dhe u hapi atyre Fjalën e vet profetizuese. (1. Korintasve 2:10-16; Kolosianëve 1:9, 10; Hebrenjve 9:8-10) Ky ndihmës u dha, gjithashtu, dishepujve të Jezuit forcë për të qenë dëshmitarë në gjithë tokën. (Luka 24:49; Veprat 1:8; Efesianëve 3:5, 6) Sot, fryma e shenjtë mund ta ndihmojë një të krishterë të rrisë njohurinë, nëse i shfrytëzon përgatitjet frymore të bëra nga Perëndia përmes «skllavit besnik e të matur». (Mateu 24:45-47, NW) Fryma e Perëndisë mund të ofrojë ndihmë, duke siguruar kurajon dhe fuqinë e nevojshme për të dëshmuar si një nga shërbëtorët e Jehovait. (Mateu 20:19, 20; Veprat 4:29-31) Megjithatë, fryma e shenjtë e ndihmon popullin e Perëndisë edhe në mënyra të tjera.
«Me psherëtima të pazëshme»
11. Ç’duhet të bëjë një i krishterë, nëse një sprovë i duket mbizotëruese?
11 Nëse një i krishterë është i shqetësuar nga ndonjë sprovë që duket mbizotëruese, ç’duhet të bëjë? Lutu, pra, për frymën e shenjtë dhe lëre të veprojë! «Edhe fryma i vjen në ndihmë dobësisë tonë», tha Pavli, «sepse nuk dimë të lutemi si duhet për problemin për të cilin duhet lutur, por vetë fryma lutet për ne me psherëtima të pazëshme. Ai që i kërkon zemrat e di se cili është qëllimi i frymës, sepse ajo ndërhyn për të shenjtët në pajtim me Perëndinë.»—Romakëve 8:26, 27, NW.
12, 13. (a) Si aplikohet Romakëve 8:26, 27 në lutjet e ofruara në situata veçanërisht të vështira? (b) Ç’bëri Pavli dhe shoqëruesit e tij, kur qenë nën vështirësi të mëdha, në rajonin e Azisë?
12 Këta të shenjtë, për të cilët ndërhyn fryma e Perëndisë, janë ithtarët e mirosur të Jezuit, me shpresë qiellore. Por, pavarësisht, nëse ke një ftesë qiellore apo një shpresë tokësore, si një i krishterë ti mund ta përfitosh ndihmën e frymës së shenjtë të Perëndisë. Jehovai, ndonjëherë i jep përgjigje të drejtpërdrejtë një lutjeje specifike. Mirëpo, ndonjëherë mund të jesh kaq i dëshpëruar, saqë nuk je në gjendje t’i shndërrosh ndjenjat e tua në fjalë dhe ndoshta je në gjendje vetëm t’i lutesh Jehovait me psherëtima të pazëshme. Në fakt, mund të mos e dish se çfarë është më e mirë dhe mund të kërkosh ndonjë gjë të gabuar, nëse nuk lutesh për frymën e shenjtë. Perëndia e di se ti dëshiron të bëhet vullneti i tij dhe është i vetëdijshëm se çfarë të nevojitet me të vërtetë. Përveç kësaj, përmes frymës së vet të shenjtë, ai bëri që shumë lutje, të cilat kanë të bëjnë me situatat e vështira, të shënohen në Fjalën e tij. (2. Timoteut 3:16, 17; 2. Pjetrit 1:21) Prandaj, Jehovai mund t’i konsiderojë disa ndjenja të shprehura në këto lutje të frymëzuara, si shprehje që ti dëshiron t’ia drejtosh si një nga shërbëtorët e tij dhe mund t’u përgjigjet atyre në dobinë tënde.
13 Pavli dhe shoqëruesit e tij, ndoshta nuk kanë ditur se për çfarë të luten, kur përjetuan vështirësi në rajonin e Azisë. Duke qenë «në vështirësi përtej masës, përmbi fuqitë e tyre, e ndjenin në vetvete se kishin marrë dënimin e vdekjes.» Por kërkuan që të tjerët të luteshin për ta dhe besuan tek Perëndia, që mund t’i ringjallë të vdekurit dhe ai në fakt i shpëtoi ata. (2. Korintasve 1:8-11) Sa ngushëlluese është që Perëndia Jehova i dëgjon dhe vepron mbi lutjet e shërbëtorëve të vet besnikë!
14. Ç’të mira mund të sjellë, nëse Jehovai lejon që një sprovë të zgjasë për disa kohë?
14 Populli i Perëndisë, si një organizatë, shpeshherë u nënshtrohet sprovave. Siç u përmend më parë, ata u persekutuan gjatë Luftës së Parë Botërore. Edhe pse atëherë nuk kishin një kuptim të qartë të pozitës së tyre dhe si rrjedhojë nuk dinin saktësisht se për çfarë të luteshin, Fjala e Jehovait përmbante lutje profetizuese, të cilave ai iu përgjigj në dobi të tyre. (Psalmet 69, 102, 126; Isaia, kreu 12) Por, ç’mund të themi, nëse Jehovai lejon që një sprovë të zgjasë për disa kohë? Kjo mund të përfundojë në një dëshmi, mund të nxitë dikë për të përqafuar të vërtetën dhe u ofron të krishterëve mundësinë që të tregojnë dashurinë vëllazërore, duke u lutur apo duke i ndihmuar në ndonjë mënyrë tjetër bashkëbesimtarëve që vuajnë. (Gjoni 13:34, 35; 2. Korintasve 1:11) Mbaj mend, se Jehovai e udhëheq popullin e tij përmes frymës së vet të shenjtë, bën çka është më e mirë për ta dhe gjithmonë i zgjidh gjërat në mënyrë që t’i sjellin nder dhe ta shenjtërojnë emrin e tij të shenjtë.—Të Dalët 9:16; Mateu 6:9.
Kurrë mos e hidhëro frymën
15. Për çfarë mund të besojnë të krishterët, se fryma e Jehovait do të bëjë në dobi të tyre?
15 Prandaj, nëse je një shërbëtor i Jehovait, lutu për frymën e shenjtë gjatë sprovave dhe në raste të tjera. Mandej, sigurohu për të ndjekur udhëheqjen e saj, sepse Pavli shkroi: «Mos e hidhëroni frymën e shenjtë të Perëndisë, me të cilën jeni vulosur për ditën e çlirimit përmes shpërblesës.» (Efesianëve 4:30, NW) Fryma e Perëndisë ka qenë dhe është një vulë, apo një «shenjë e asaj që duhet të vijë», për të krishterët besnikë të mirosur—përkatësisht, jeta e pavdekshme qiellore. (2. Korintasve 1:22; Romakëve 8:15; 1. Korintasve 15:50-57; Zbulesa 2:10) Si të krishterët e mirosur edhe ata me shpresë tokësore mund të mbështeten në frymën e Jehovait, se ajo mund të bëjë shumë në dobi të tyre. Ajo mund t’i drejtojë në një jetë me besnikëri dhe mund t’u ndihmojë t’i shmangen veprave mëkatare, që të çojnë në mosmiratimin e Perëndisë, në humbjen e frymës së tij të shenjtë dhe jetës së përhershme.—Galatasve 5:19-21.
16, 17. Si mund ta hidhërojë frymën një i krishterë?
16 Si mund ta hidhërojë frymën një i krishterë me apo pa vetëdije? Mirë, pra, Jehovai e përdor frymën e tij që të nxisë unitetin dhe për të emëruar burrat me përgjegjësi në kongregacion. Prandaj, nëse një pjesëtar i kongregacionit murmurit kundër pleqve të emëruar, përhap përgojime shpifëse dhe ngjashëm, ai nuk do të ndiqte udhëheqjen e frymës së Perëndisë drejt paqes dhe unitetit. Në përgjithësi, ai do ta hidhëronte frymën.—1. Korintasve 1:10; 3:1-4, 16, 17; 1. Selanikasve 5:12, 13; Juda 16.
17 Duke u shkruar të krishterëve në Efes, Pavli paralajmëroi kundër prirjeve ndaj falsitetit, zemërimit të zgjatur, vjedhjes, të folurit të papërshtatshëm, interesimit lapërdhar për kurvëri, sjelljes së turpshme dhe shakave të pahijshme. Nëse një i krishterë lejon të tërhiqet nga këto gjëra, ai do të shkonte kundër këshillës së Biblës të frymëzuar nga fryma. (Efesianëve 4:17-29; 5:1-5) Po, duke vepruar kështu, deri në një farë mase do ta hidhëronte frymën e Perëndisë.
18. Ç’mund t’i ndodhë çdo të krishteri që fillon ta injorojë këshillën e Fjalës së frymëzuar të Perëndisë?
18 Vërtet, çdo i krishterë që fillon ta injorojë këshillën e Fjalës së frymëzuar të Jehovait, mund të fillojë së zhvilluari qëndrime apo veçori që mund të rezultojnë me mëkat të qëllimshëm dhe me humbjen e favorit hyjnor. Edhe pse momentalisht ai, ndoshta nuk po mëkaton, mund të shkojë në atë drejtim. Një i krishterë i tillë, që shkon në drejtim të kundërt me udhëheqjen e frymës e hidhëron atë. Duke vepruar kështu, ai do ta kundërshtonte dhe pikëllonte Jehovain, Burimin e frymës së shenjtë. Ai që e do Perëndinë kurrë nuk do të dëshironte ta bënte këtë!
Vazhdo të lutesh për frymën e shenjtë
19. Përse popullit të Jehovait, veçanërisht sot, i nevojitet fryma e tij?
19 Nëse je një shërbëtor i Jehovait, vazhdo të lutesh për frymën e tij të shenjtë. Veçanërisht në këto «ditë të fundit», me kohë kritike, të cilave vështirë t’u dilet në fund, të krishterëve u nevojitet ndihma e frymës së Perëndisë. (2. Timoteut 3:1-5) Djalli dhe demonët e tij, të hedhur nga qielli dhe tani në afërsi të Tokës, janë tërbuar kundër organizatës së Jehovait. Prandaj, tani më tepër se kurrë më parë, populli i Perëndisë ka nevojë që fryma e tij e shenjtë ta udhëheqë, apo ta drejtojë dhe ta bëjë të aftë që të durojë vështirësitë dhe persekutimet.—Zbulesa 12:7-12.
20, 21. Përse duhet ndjekur udhëheqja e Fjalës, frymës dhe e organizatës së Jehovait?
20 Trego gjithmonë çmueshmëri për ndihmën që Perëndia Jehova e siguron përmes frymës së vet të shenjtë. Ndiqe udhëheqjen e Fjalës së tij të frymëzuar, Biblës. Bashkëpuno plotësisht me organizatën tokësore të Perëndisë, të udhëhequr nga fryma. Kurrë mos i lejo vetes të të çojë në një drejtim jobiblik, që do të thoshte të hidhëroje frymën e shenjtë, sepse kjo mund të përfundonte me humbjen e saj dhe në katastrofë frymore.—Psalmi 51:11.
21 Udhëheqja nga fryma e Jehovait është mënyra e vetme për t’i pëlqyer atij dhe për të pasur një jetë të qetë dhe të gëzuar. Kujtohu, gjithashtu, se Jezui e quajti frymën e shenjtë «ndihmës», apo «ngushëllues». (Gjonit 14:16, shënimi) Përmes saj, Perëndia i ngushëllon të krishterët dhe i fortëson për t’u ballafaquar me sprovimet e tyre. (2. Korintasve 1:3, 4) Fryma i jep fuqi popullit të Jehovait për të predikuar lajmin e mirë dhe e ndihmon për të kujtuar pikat e nevojshme të Shkrimeve që të japë një dëshmi të shkëlqyer. (Luka 12:11, 12; Gjoni 14:25, 26; Veprat 1:4-8; 5:32) Përmes lutjes dhe udhëheqjes së frymës, të krishterët mund t’u bëjnë ballë sprovave të besimit me mençuri qiellore. Prandaj, në çdo rrethanë të jetës, ata vazhdojnë të luten për frymën e shenjtë të Perëndisë. Si rezultat, fryma e Jehovait e udhëheq popullin e tij.
[Shënimi]
a Edhe pse e personifikuar si një «ndihmës», fryma e shenjtë nuk është një person, sepse përemri asnjanës grek (i përkthyer «atë») është përdorur për frymën. Përemrat hebrenj të gjinisë femërore janë përdorur në mënyrë të ngjashme si personifikim i mençurisë. (Proverbat 1:20-33; 8:1-36) Përveç kësaj, fryma e shenjtë u «derdh», gjë që nuk mund të bëhet me një person.—Veprat 2:33.
Pyetjet për përsëritje
◻ Përse duhet lutur për frymën e shenjtë të Jehovait?
◻ Në ç’mënyrë fryma e shenjtë është një ndihmës?
◻ Ç’do të thotë të hidhërohet fryma dhe si mund ta shmangim këtë?
◻ Përse duhet të vazhdojmë të lutemi për frymën e shenjtë dhe të ndjekim udhëheqjen saj?
[Figura në faqen 15]
Ashtu si një baba i dashur i jep gjëra të mira birit të vet, edhe Jehovai u jep frymën e shenjtë shërbëtorëve të tij që i luten për të
[Figura në faqen 17]
A e di se si lutet fryma e Perëndisë për të krishterët e sinqertë?