Të veçuar për të qenë lavdërues të gëzuar në botën mbarë
«Lavdëroni Jah, ju njerëz! Ofrojini lavdi, o ju shërbëtorë të Jehovait, lavdëroni emrin e Jehovait.»—PSALMI 113:1, BR.
1, 2. (a) Kush është i denjë për lavdërimin tonë entuziast, në harmoni me Psalmin 113:1-3? (b) Cila pyetje është e përshtatshme që të bëhet?
PERËNDIA JEHOVA është Krijuesi i Madh i qiellit dhe i tokës, Sovrani ynë Universal për gjithë përjetësinë. Ai është plotësisht i denjë për lavdërimin tonë entuziast. Ja, pra, pse Psalmi 113:1-3 na urdhëron: «Lavdëroni Jah, ju njerëz! Ofrojini lavdi, o ju shërbëtorë të Jehovait, lavdëroni emrin e Jehovait. Bekuar qoftë emri i Jehovait nga tani e deri në kohë të pacaktuara! Që nga ku lind dielli e deri ku perëndon, emri i Jehovait duhet lavdëruar.»
2 Si Dëshmitarë të Perëndisë, ne gëzojmë tek e bëjmë këtë. Sa rrëqethës është fakti që Perëndia Jehova së shpejti do të bëjë që kjo këngë e gëzueshme lavdërimi që po këndojmë sot, të mbushë tërë tokën! (Psalmi 22:27) A dëgjohet zëri yt në këtë kor të madh mbarëbotëror? Nëse po, sa të lumtur duhet të të bëjë fakti që je i veçuar nga kjo botë e përçarë e pa gëzim!
3. (a) Ç’gjë e bën popullin e Jehovait të dallueshëm, unik? (b) Në cilat mënyra ne jemi ndarë mënjanë?
3 Lavdërimi i Jehovait njëzëri, sigurisht që na bën të dallueshëm, unikë. Ne flasim e mësojmë, duke qenë në një mendje dhe përdorim të njëjtat metoda për të shpallur ‘bollëkun e mirësisë së Jehovait’. (Psalmi 145:7, BR) Po, si populli i dedikuar i Jehovait, ne jemi veçuar për t’i shërbyer Perëndisë sonë, Jehovait. Perëndia i tha Izraelit, popullit të tij të lashtë të dedikuar që të qëndronte i veçuar nga kombet përreth dhe të mos ndyhej me praktikat e atyre kombeve. (Dalja [Eksodi] 34:12-16) Për ta ndihmuar që ta bënte këtë, ai i dha popullit të tij ligje. Ngjashëm sot, Jehovai na ka dhënë Fjalën e tij të Shenjtë, Biblën. Udhëzimet e saj na tregojnë se si mund të qëndrojmë të ndarë nga kjo botë. (2. Korintasve 6:17; 2. Timoteut 3:16, 17) Ne nuk jemi ndarë me anë të izolimit nëpër manastire dhe kuvende, si murgjit dhe murgeshat e Babilonisë së Madhe. Duke ndjekur shembullin e Jezu Krishtit, ne jemi lavdërues publikë të Jehovait.
Të imitojmë Kryelavdëruesin e Jehovait
4. Si la shembull Jezui lidhur me lavdërimin e Jehovait?
4 Jezui nuk devijoi asnjëherë nga qëllimi i tij për të lavdëruar Jehovain, gjë kjo që e veçoi nga bota. Ai e lavdëroi emrin e shenjtë të Perëndisë nëpër sinagoga dhe në tempullin në Jerusalem. Kudo që të ishte, në majë të malit apo në breg të detit, kurdoherë që mblidheshin turmat, Jezui predikonte publikisht të vërtetat e Jehovait. Ai deklaroi: «Unë të lavdëroj publikisht, o Atë, Zotëri i qiellit dhe i tokës.» (Mateu 11:25, BR) Edhe kur ishte në gjyq përpara Ponc Pilatit, Jezui dha dëshmi: «Për këtë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë, që të jap dëshmi për të vërtetën.» (Gjoni 18:37, BR) Jezui e çmoi rëndësinë e veprës së tij. Kudo që të ishte, ai dha dëshmi për Jehovain dhe e lavdëroi atë publikisht.
5. Kujt i zbatohet Psalmi 22:22 dhe cili duhet të jetë qëndrimi ynë?
5 Në Psalmin 22:22, gjejmë këtë shpallje profetike për sa i përket Kryelavdëruesit të Jehovait: «Do t’ua deklaroj emrin tënd vëllezërve të mi; në mes të kongregacionit do të të lavdëroj.» (BR) Ndërsa në Hebrenjve 2:11, 12, apostulli Pavël ia zbaton këto vargje Zotërisë Jezu dhe atyre që Perëndia Jehova ka shenjtëruar për lavdinë qiellore. Ngjashëm tij, ata nuk kanë turp të lavdërojnë emrin e Jehovait në mes të kongregacionit. A kemi edhe ne po këtë qëndrim mendor, kur jemi të pranishëm në mbledhjet tona të kongregacionit? Pjesëmarrja jonë entuziaste në mbledhje si duke kushtuar vëmendje, ashtu edhe duke komentuar e kënduar, e lavdëron Jehovain. Por, a mbaron këtu lavdërimi ynë i gëzuar?
6. Me çfarë i ngarkoi Jezui dishepujt e tij dhe si i japin lavdi Perëndisë dashuruesit e dritës?
6 Sipas Mateut 5:14-16, Zotëria Jezu i ngarkoi ndër të tjera ithtarët e tij që të linin dritën e tyre të ndriçonte, me qëllim që të tjerët të lavdëronin Jehovain. Ai tha: «Ju jeni drita e botës. . . . Le të ndriçojë drita juaj përpara njerëzve, që ata të mund të shohin veprat tuaja të shkëlqyera dhe t’i japin lavdi Atit tuaj që është në qiej.» (BR) Dashuruesit e dritës i sjellin lavdi Perëndisë. A e bëjnë ata vallë këtë thjesht, duke thënë e duke bërë gjëra të mira e humanitare? Jo, përkundrazi, ata e bëjnë duke i sjellë lavdi Jehovait të bashkuar. Po, dashuruesit e dritës ia dedikojnë veten Perëndisë dhe bëhen lavdërues të gëzuar të tij. A e ke ndërmarrë këtë hap të lumtur?
Gëzimi që vjen duke lavdëruar Jehovain
7. Përse lavdëruesit e Jehovait janë kaq të gëzuar dhe cili gëzim ishte i tyre në ditën e Rrëshajëve të vitit 33 të e.s.?
7 Përse janë kaq të gëzuar lavdëruesit e Jehovait? Sepse gëzimi është një fryt i frymës së shenjtë të Perëndisë. Në Galatasve 5:22, ai është radhitur fill pas dashurisë. Dishepujt e Jezuit në shekullin e parë e shfaqën këtë fryt të frymës së Jehovait. Ja pra, pse në ditën e Rrëshajëve të vitit 33 të e.s., kur Perëndia derdhi frymën e tij mbi rreth 120 dishepuj të Jezuit, të gjithë ata filluan të lavdëronin Jehovain në gjuhë të ndryshme. Judenjtë me nderim të thellë që kishin ardhur në Jerusalem nga shumë kombe ‘u habitën dhe u mahnitën’. Ata thirrën me habi: «Ne i dëgjojmë ata të flasin në gjuhët tona për gjërat e mrekullueshme të Perëndisë!» (Veprat 2:1-11, BR) Cili qe rezultati i këtij lavdërimi të mrekullueshëm shumëgjuhësh për Jehovain? Rreth 3.000 judenj dhe prozelitë judenj pranuan lajmin e mirë të Mbretërisë lidhur me Mesinë. Ata u pagëzuan, morën frymën e shenjtë dhe me zjarr i bashkuan zërat e tyre si lavdërues të gëzuar të Jehovait. (Veprat 2:37-42) Ç’bekim që ishte ky!
8. Çfarë bënë të krishterët pas Rrëshajëve, për të rritur gëzimin e tyre?
8 Raporti vazhdon: «Ditë pas dite ata ishin vazhdimisht të pranishëm në tempull njëzëri, hanin në shtëpi private dhe merrnin pjesë në ushqim me gëzim të madh e me sinqeritet zemre, duke lavdëruar Perëndinë dhe duke gjetur favor tek të gjithë njerëzit. Në të njëjtën kohë, Jehovai vazhdonte të bashkonte çdo ditë me ta ata që shpëtoheshin.» (Veprat 2:46, 47, BR) Mos vallë ishte vetëm shoqërimi me njëri-tjetrin dhe pjesëmarrja në ushqim, ajo që u sillte atyre gëzim të madh? Jo, gëzimi i tyre kryesor vinte si pasojë e lavdërimit të Perëndisë Jehova ditë për ditë. E gëzimi i tyre u intensifikua tek panë mijëra të tjerë t’i përgjigjeshin mesazhit të tyre për shpëtim. Po ashtu është edhe me ne sot.
Lavdërues të gëzuar në të gjitha kombet
9. (a) Kur dhe si filloi Perëndia t’u jepte të gjitha kombeve mundësinë për të dëgjuar lajmin e mirë të tij? (b) Përse u derdh fryma e shenjtë mbi Kornelin dhe ata që e shoqëronin para pagëzimit të tyre?
9 Jehovai nuk dëshironte që aktiviteti dritëmbajtës i shërbëtorëve të tij të ishte i kufizuar në një komb. Prandaj, duke filluar nga viti 36 i e.s., ai u dha njerëzve të të gjitha kombeve mundësinë për të dëgjuar lajmin e tij të mirë. Nën drejtimin e Perëndisë, Pjetri shkoi në shtëpinë e një oficeri ushtarak johebre në Cesare. Atje ai gjeti Kornelin të mbledhur bashkë me miqtë dhe familjarët e tij më të ngushtë. Ndërsa dëgjonin me vëmendje fjalët e Pjetrit, ata ushtruan besim me zemrën e tyre tek Jezui. Si e dimë këtë? Nga fakti se fryma e shenjtë e Perëndisë shkoi mbi ata besimtarë johebrenj. Normalisht, dhurata e frymës së Perëndisë jepej vetëm pas pagëzimit, por në atë rast, Jehovai tregoi miratimin e tij për këta jojudenj para se të zhyteshin në ujë. Po të mos e kishte bërë Jehovai këtë, Pjetri nuk do të mund të kishte qenë i sigurt se Perëndia tani po pranonte johebrenjtë si shërbëtorë të Tij dhe se ata ishin të kualifikuar për pagëzimin në ujë.—Veprat 10:34, 35, 47, 48.
10. Si ishte parathënë që nga kohët e lashta se njerëz nga të gjitha kombet do ta lavdëronin Jehovain?
10 Që në kohët e lashta, Jehovai paratha se njerëz nga të gjitha kombet do ta lavdëronin atë. Ai do të kishte lavdërues të gëzuar në çdo vend. Për ta provuar këtë, apostulli Pavël, citoi profeci nga Shkrimet Hebraike. Ai i tha kongregacionit ndërkombëtar të të krishterëve në Romë: «Mirëpritni njëri-tjetrin, ashtu si edhe Krishti na mirëpriti ne, me sytë nga lavdia e Perëndisë. Sepse them se Krishti u bë faktikisht shërbëtor i atyre që janë rrethprerë në emër të vërtetësisë së Perëndisë, për të verifikuar premtimet që Ai u bëri etërve të tyre dhe që kombet të mund t’i japin lavdi Perëndisë për mëshirën e tij. Ashtu siç është shkruar [në Psalmin 18:49]: ‘Prandaj, do të të pranoj haptazi mes kombeve dhe emrit tënd do t’i thur melodi.’ Dhe përsëri ai thotë [në Ligjin e përtërirë 32:43]: ‘Gëzohuni, ju kombe, me popullin e tij.’ Dhe përsëri [në Psalmin 117:1]: ‘Lavdëroni Jehovain, të gjitha ju kombe dhe të gjithë popujt le ta lavdërojnë.’»—Romakëve 15:7-11, BR.
11. Si i ka ndihmuar Perëndia njerëzit e të gjitha kombeve për të mësuar të vërtetat e tij dhe cili ka qenë rezultati?
11 Njerëzit nuk mund ta lavdërojnë të bashkuar Jehovain, po të mos i mbështesin shpresat e tyre mbi Jezu Krishtin, atë, të cilin Perëndia e ka emëruar për të sunduar mbi njerëzit e të gjitha kombeve. Për t’i ndihmuar ata të çmojnë të vërtetat e Tij që të çojnë në jetën e përhershme, Perëndia ka ngritur një program ndërkombëtar mësimor. Ai po jep drejtim nëpërmjet klasës së tij të skllavit të besueshëm. (Mateu 24:45-47) Me çfarë rezultati? Më shumë se pesë milionë zëra të gëzuar po i këndojnë lavdi Jehovait në mbi 230 vende. Ndërsa miliona të tjerë po tregojnë interes për të bërë po ashtu. Shiko se sa shumë qenë të pranishëm në Përkujtimin e vitit 1996: 12.921.933. E mrekullueshme!
E parathënë një shumicë e madhe lavdëruesish të gëzuar
12. Çfarë vizioni rrëqethës përjetoi apostulli Gjon dhe cili është realiteti i gjallë i tërë atij vizioni?
12 Apostulli Gjon pa në vizion «një shumicë të madhe» nga të gjitha kombet. (Zbulesa 7:9, BR) Cila është tema e lavdërimeve që kjo shumicë e madhe po këndon bashkë me mbetjen e mirosur të Perëndisë? Gjoni na tregon: «Shpëtimin ia detyrojmë Perëndisë sonë, atij që është ulur mbi fron dhe Qengjit.» (Zbulesa 7:10, BR) Kjo është deklaruar me guxim në çdo pjesë të botës. Duke valëvitur, si të themi, degë palmash, ne përshëndesim njëzëri Perëndinë si Sovran Universal dhe pohojmë me gëzim përpara qiellit dhe tokës se «ia detyrojmë» shpëtimin tonë atij dhe Birit të tij, Qengjit, Jezu Krishtit. Oh, ç’rrënqethje përjetoi apostulli Gjon tek shihte këtë vizion tronditës të shumicës së madhe! E ç’rrënqethje na pushton edhe ne sot, tek shohim dhe madje bëjmë pjesë në realitetin e gjallë të asaj që pa Gjoni!
13. Ç’gjë e veçon popullin e Jehovait nga bota?
13 Si shërbëtorë të Jehovait, ne mbajmë me krenari emrin e tij. (Isaia 43:10, 12) Fakti që jemi Dëshmitarë të Jehovait, na bën të ndryshëm nga kjo botë. Ç’gëzim është të mbash emrin dallues të Perëndisë dhe të kesh si qëllim në jetë kryerjen e veprës së tij hyjnore! Qëllimi i madh i Jehovait për të shenjtëruar emrin e tij të shenjtë dhe për të shfajësuar sovranitetin e tij universal me anë të Mbretërisë, i ka dhënë domethënie jetës sonë. Në fakt, ai na ka ndihmuar të kemi një vend në qëllimin e tij hyjnor lidhur me emrin dhe Mbretërinë e tij. Këtë gjë e ka bërë në tri mënyra.
Të besuar me të vërtetën
14, 15. (a) Cila është një mënyrë në të cilën Perëndia na ka ndihmuar për të pasur një vend në qëllimin e tij hyjnor lidhur me emrin dhe Mbretërinë e tij? (b) Në ç’mënyrë Mbretëria e themeluar në vitin 1914 të e.s. ndryshon nga ajo e përmbysur në vitin 607 p.e.s.?
14 Së pari, Jehovai i ka besuar popullit të tij të vërtetën. Zbulimi më nxitës është se Mbretëria e tij filloi të sundonte në 1914-n. (Zbulesa 12:10) Kjo qeveri qiellore është e ndryshme nga mbretëria tipike në Jerusalem, ku ishte zakon që në fron të uleshin mbretërit e linjës së Davidit. Ajo mbretëri u përmbys dhe duke filluar nga viti 607 p.e.s., Jerusalemi iu nënshtrua tërësisht fuqive botërore johebraike. Mbretëria e re që Jehovai themeloi në 1914-n, është një fuqi qiellore që kurrë nuk do t’i nënshtrohet askujt veç Jehovait e as nuk do të çohet në rrënim. (Danieli 2:44) Veç kësaj, sundimi i saj është i ndryshëm. Në ç’mënyrë? Zbulesa 11:15 përgjigjet: «Kishte zëra të lartë në qiell, që thoshin: ‘Mbretëria e botës u bë mbretëria e Zotërisë sonë dhe e Krishtit të tij dhe ai do të sundojë si mbret për jetë të jetëve.’»—BR.
15 «Mbretëria e Zotërisë sonë dhe e Krishtit të tij» ushtron autoritet mbi gjithë botën e njerëzimit. Kjo shprehje e re e sovranitetit të Jehovait, e cila përfshin Birin e tij Mesianik dhe 144.000 vëllezërit e Jezuit, shumica e të cilëve tani janë ringjallur në lavdinë qiellore, nuk është thjesht me interes akademik, diçka teorike që nxënësit mund të kenë dëshirë për ta diskutuar. Jo, kjo Mbretëri qiellore është një qeveri reale. Ndërsa perspektiva jonë e lumtur për të jetuar përgjithmonë në përsosmëri si rezultat i sundimit të saj, na jep arsye të bollshme që të vazhdojmë të gëzohemi. Fakti që na janë besuar të vërteta të tilla nga Fjala e Perëndisë, na nxit që gjithmonë të flasim mirë për të. (Psalmi 56:10) A po e bën rregullisht këtë gjë, duke i treguar çdokujt se Mbretëria Mesianike e Perëndisë është duke sunduar tani në qiej?
Të ndihmuar nga Fryma e Shenjtë dhe një vëllazëri mbarëbotërore
16, 17. Cila është mënyra e dytë dhe e tretë, me të cilën Perëndia na ka ndihmuar për të pasur një vend në qëllimin e tij hyjnor?
16 Një mënyrë e dytë, në të cilën Perëndia na ka ndihmuar për të pasur një vend në qëllimin e tij hyjnor, është duke na dhënë frymën e tij të shenjtë, e cila na mundëson të sjellim frytet e saj të bukura në jetën tonë dhe të fitojmë miratimin e tij. (Galatasve 5:22, 23) Më tej, Pavli u shkroi të krishterëve të mirosur: «Ne morëm . . . frymën që është nga Perëndia, që të mund të dimë gjërat që na janë dhënë me dashamirësi nga Perëndia.» (1. Korintasve 2:12, BR) Duke iu përgjigjur nga ana jonë frymës së Jehovait, të gjithë ne tani mund të dimë dhe të kuptojmë gjërat e mira të tanishme që ai na ka dhënë me dashamirësi: premtimet e tij, ligjet, parimet e kështu me radhë.—Krahaso Mateun 13:11.
17 Për sa i përket mënyrës së tretë, me anë të së cilës Perëndia po na ndihmon, ne kemi vëllazërinë tonë mbarëbotërore dhe rregullimin e këndshëm organizativ të Jehovait për adhurimin. Apostulli Pjetër foli për këtë, kur na bëri thirrje «të kemi dashuri për të gjithë shoqërinë e vëllezërve». (1. Pjetrit 2:17, BR) Familja jonë e dashur ndërkombëtare e vëllezërve dhe e motrave na ndihmon t’i shërbejmë Jehovait me gëzim të madh në zemër, siç urdhëron Psalmi 100:2: «Shërbejini Jehovait me gëzim. Dilni para tij me një britmë gëzimi.» (BR) Më tej, vargu 4 thotë: «Hyni në portat e tij me falënderime, në oborret e tij me lavdërime. Jepini falënderime atij, bekoni emrin e tij.» (BR) Prandaj, ne mund të përjetojmë gëzim, si duke predikuar publikisht, ashtu edhe duke qenë të pranishëm në mbledhjet tona. Ç’paqe dhe siguri kemi gjetur në oborret e bukura të tempullit frymor të Jehovait!
Lavdëroni Jehovain me gëzim!
18. Përse mund të gëzojmë duke lavdëruar Jehovain, pavarësisht nga persekutimi apo problemet e tjera që na ndjekin këmba-këmbës?
18 Pavarësisht se ç’rrethana të vështira, persekutime apo probleme të tjera mund të na ndjekin këmba-këmbës, le të gëzojmë që jemi në shtëpinë e adhurimit të Jehovait. (Isaia 2:2, 3) Mos harro se gëzimi është një cilësi e zemrës. Vëllezërit dhe motrat tona të hershme të krishtere ishin lavdërues të gëzuar të Jehovait pavarësisht nga vështirësitë e shumta dhe humbjet që përjetuan. (Hebrenjve 10:34) Bashkëbesimtarët tanë sot janë tamam si ata.—Mateu 5:10-12.
19. (a) Cilët urdhra të përsëritur na nxisin për të lavdëruar Jehovain? (b) Nga çfarë varet jeta jonë e përhershme dhe cila është vendosmëria jonë?
19 Të gjithë ne që i shërbejmë Jehovait gjejmë kënaqësi duke iu bindur urdhrave të Biblës për ta lavdëruar atë. Libri i Zbulesës thekson në mënyrë të përsëritur lavdërimet e Perëndisë me shprehjen: «Lavdëroni Jah!» (Zbulesa 19:1-6, BR) Në gjashtë vargjet e Psalmit 150, na thuhet 13 herë që të lavdërojmë Jehovain. Kjo është një thirrje universale që i bëhet gjithë krijimit për t’u bashkuar në këngë të gëzuara për të lavdëruar Jehovain. Jeta jonë e përhershme varet nga bashkimi ynë me këtë kor të madh Halelujah! Po, të vetmit që do të jetojnë përgjithmonë janë ata që do t’i thurin pa reshtur lavdërime Jehovait. Prandaj, ne jemi të vendosur që të kapemi ngushtësisht pas kongregacionit besnik të tij në mbarë botën, ndërsa fundi afrohet. Atëherë, mund të shpresojmë të shohim plotësisht të përmbushura fjalët përmbyllëse të Psalmit 150: «Çdo gjë që merr frymë le të lavdërojë Jah. Lavdëroni Jah, ju njerëz!»—BR.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Ç’gjë e bën popullin e Jehovait të dallueshëm, unik?
◻ Përse shërbëtorët e Jehovait janë kaq të gëzuar?
◻ Ç’gjë na ndan nga bota?
◻ Në cilat tri mënyra na ka ndihmuar Perëndia që të kemi një vend në qëllimin e tij hyjnor?
[Figura në faqen 17]
Kudo që qe, Jezui dha dëshmi për Jehovain dhe e lavdëroi atë publikisht