A ju kujtohet?
A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
• Në ç’mënyrë mund të jetë një mbrojtje «aftësia për të menduar»? (Fjalët e urta 1:4, BR)
Ajo mund të na paralajmërojë ndaj rreziqeve frymore dhe mund të na motivojë që të përcaktojmë drejtimin e duhur që duhet të ndjekim, si për shembull, duke shmangur tundimet seksuale në vendin e punës. Na ndihmon të kuptojmë se të bashkëkrishterët janë të papërsosur, gjë që mund të na nxitë të shmangim reagimet e nxituara kur na provokojnë. Gjithashtu, mund të na ndihmojë të shmangim presionet për të pasur gjëra materiale, të cilat mund të na largojnë nga udha e së vërtetës.—15/8, faqet 21-24.
• Në ç’mënyrë mund të bëhet një person fqinjë i dobishëm?
Dy mënyrat për të qenë një fqinjë i shkëlqyer janë: të jesh dhënës i gatshëm dhe të jesh marrës mirënjohës. Është shumë e vlefshme të jesh fqinjë i mirë në kohën kur godasin katastrofat. Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të jenë fqinjë të mirë duke i paralajmëruar të tjerët për ngjarjen që do të ndodhë së shpejti, veprimin e Perëndisë për t’i dhënë fund ligësisë.—1/9, faqet 4-7.
• Sipas Biblës, kush janë shenjtorë të vërtetë dhe si do ta ndihmojnë ata njerëzimin?
Të gjithë të krishterët e hershëm ishin shenjtorë të vërtetë ose të shenjtë. Ata ishin të tillë nga Perëndia dhe jo nga njerëzit ose nga ndonjë organizatë. (Romakëve 1:7) Pasi të ringjallen në jetën qiellore, të shenjtët do të marrin pjesë bashkë me Krishtin në bekimin e njerëzve besnikë në tokë. (Efesianëve 1:18-21)—15/9, faqet 5-7.
• Çfarë vlere mund të ketë për të krishterët të dinë diçka rreth garave atletike në Greqinë e lashtë?
Shkrimet e apostujve Pjetër dhe Pavël përmbajnë ilustrime të bazuara në lojërat e lashta dhe referime të tërthorta ndaj tyre. (1 Korintasve 9:26; 1 Timoteut 4:7; 2 Timoteut 2:5; 1 Pjetrit 5:10) Për një atlet të lashtë, ishte e rëndësishme që ai të kishte një trajner të aftë, të ushtronte vetëkontroll dhe t’i drejtonte mirë përpjekjet e tij. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për përpjekjet frymore të të krishterëve sot.—1/10, faqet 28-31.
• Cilat janë vështirësitë dhe shpërblimet e rritjes së fëmijëve në një vend të huaj?
Shumë fëmijë e mësojnë një gjuhë të re më shpejt se prindërit, të cilët mund ta kenë të vështirë të kuptojnë mënyrën e të menduarit dhe reagimet e fëmijëve të tyre. Gjithashtu, fëmijët mund të mos i kapim me lehtësi mësimet biblike në gjuhën e prindërve. Megjithatë, lidhjet familjare mund të forcohen kur prindërit u mësojnë gjuhën e tyre fëmijëve, të cilët në këtë mënyrë mund të dinë dy gjuhë e të ndihen pjesë e të dyja kulturave.—15/10, faqet 22-26.
• Pse është e rëndësishme të mësojmë të kërkojmë falje?
Të kërkosh sinqerisht falje shpesh është një mënyrë për të ndrequr një marrëdhënie të dëmtuar. Bibla jep shembuj se sa fuqi mund të ketë të kërkuarit falje. (1 Samuelit 25:2-35; Veprat 23:1-5) Shpesh, kur dy njerëz kanë mosmarrëveshje, të dyja palët kanë njëfarë faji. Prandaj, kërkohet që të bëhen lëshime dhe të kërkohet falje në mënyrë të ndërsjellë.—1/11, faqet 4-7.
• Pse bixhozi është i gabuar edhe kur bëhet fjalë për shuma të vogla parash?
Bixhozi mund të nxitë frymën e unit, frymën e konkurrencës dhe lakminë, të cilën Bibla e dënon. (1 Korintasve 6:9, 10) Shumë veta që janë në varësi të bixhozit filluan që në moshë të re duke vënë baste të vogla.—1/11, faqja 31.
• Meqë shumë libra të Biblës u shkruan në greqisht, pse ka qenë e nevojshme të përkthehet Bibla në greqisht dhe cilat kanë qenë rezultatet?
Greqishtja e sotme është krejt ndryshe nga greqishtja e përkthimit Septuaginta të Shkrimeve Hebreje dhe nga ajo e Shkrimeve të Krishtere Greke. Gjatë shekujve të fundit janë bërë shumë përpjekje për ta përkthyer një pjesë ose të gjithë Biblën në greqishten e folur. Sot ekzistojnë rreth 30 përkthime të plota ose të pjesshme të Biblës, të cilat janë të lexueshme në greqishten e zakonshme. Një përkthim i rëndësishëm është Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta, botuar më 1997.—15/11, faqet 26-29.
• Pse nuk kërkohet e dhjeta nga të krishterët?
Në Ligjin që iu dha Izraelit të lashtë, të dhjetat ishin një mënyrë për të mbështetur fisin e Levit dhe për t’u kujdesur për ata që ishin në nevojë. (Levitiku 27:30; Ligji i përtërirë 14:28, 29) Vdekja flijuese e Jezuit e shfuqizoi Ligjin dhe kërkesën e tij për të dhjetat. (Efesianëve 2:13-15) Në kongregacionin e hershëm të krishterë, modeli se si duhej të jepte çdo i krishterë ishte që ta bënte këtë sipas të ardhurave të tij dhe siç kishte vendosur në zemër. (2 Korintasve 9:5, 7)—1/12, faqet 4-6.
• A nënkupton Zbulesa 20:8 se në sprovën e fundit, Satanai do të mashtrojë një numër tejet të madh njerëzish?
Shkrimi thotë se ata që do të mashtrohen do të jenë «si rëra e detit». Në Bibël, kjo shprehje shpesh nënkupton një numër të panjohur, pa dhënë ndonjë ide se sa i madh është ai. Fara e Abrahamit, e cila do të ishte «si kokrrizat e rërës në breg të detit», doli se ishte 144.000 veta, përveç Jezu Krishtit. (Zanafilla 22:17, BR; Zbulesa 14:1-4)—1/12, faqja 29.