Kurrë të mos ‘tërbohemi kundër Jehovait’
«Marrëzia e njeriut e shtrembëron udhën e tij, dhe kështu zemra e tij tërbohet kundër vetë Jehovait.»—PROV. 19:3.
1, 2. Pse nuk duhet të fajësojmë Jehovain për problemet e njerëzimit? Ilustrojeni.
TA ZËMË se po gëzon një martesë të lumtur prej vitesh. Por një ditë, pasi kthehesh në shtëpi, sheh se çdo gjë është përmbys. Mobiliet janë shkatërruar, enët janë bërë copë-copë dhe tapeti është prishur. Në shtëpinë tënde të dashur duket sikur ka ndodhur një katastrofë. A do të shpërtheje gjithë zemërim: «Pse do ta bënte këtë gruaja ime?» Apo do të pyesje: «Kush e ka bërë këtë?» Pa dyshim, do të mendoje menjëherë pyetjen e dytë. Pse? Sepse ti e di se gruaja jote e shtrenjtë nuk do ta bënte këtë akt vandalizmi të pakuptimtë.
2 Sot, shohim që shtëpia e njerëzimit është prishur nga ndotja, dhuna dhe imoraliteti. Nga studimi i Biblës, e dimë se Jehovai kurrsesi nuk mund të jetë shkaktari i gjithë këtyre problemeve. Ai e krijoi këtë planet që të ishte një parajsë e mrekullueshme. (Zan. 2:8, 15) Jehovai është Perëndi i dashurisë. (1 Gjon. 4:8) Studimi i Shkrimeve na ka ndihmuar të identifikojmë shkaktarin e vërtetë të shumë vështirësive. Është Satana Djalli, «sundimtari i kësaj bote».—Gjoni 14:30; 2 Kor. 4:4.
3. Si mund të na shtrembërohet pikëpamja?
3 Megjithatë, nuk mund të fajësojmë Satanain për të gjitha vuajtjet. Pse jo? Sepse disa nga problemet tona janë pasojë e gabimeve që bëjmë vetë. (Lexo Ligjin e përtërirë 32:4-6.) Edhe pse mund ta pranojmë këtë fakt, natyra jonë e papërsosur mund të na shtrembërojë pikëpamjen e kështu futemi në një shteg që çon në shkatërrim. (Prov. 14:12) Si? Në vend që të fajësojmë veten ose Satanain për një problem, mund të fillojmë t’ia hedhim fajin Jehovait. Madje, mund ‘të tërbohemi kundër vetë Jehovait’.—Prov. 19:3.
4, 5. Si mund ‘të tërbohet kundër Jehovait’ një i krishterë?
4 A mund të ndodhë vërtet ‘të tërbohemi kundër Jehovait’? Me siguri kjo do të ishte e kotë. (Isa. 41:11) Çfarë do të arrinim me këtë? Një herë, një poet tha: «E ke krahun shumë të shkurtër që të godasësh Zotin.» Mbase kurrë nuk do të shkonim aq larg, sa të ngrinim zërin kundër Jehovait. Por, te Proverbat 19:3 thuhet se marrëzia e njeriut «e shtrembëron udhën e tij, dhe kështu zemra e tij tërbohet kundër vetë Jehovait». Po, një njeri mund të tërbohet kundër Jehovait në zemrën e vet. Ky qëndrim mund të shfaqet në mënyra tinëzare. Dikush mund t’i mbajë mëri Jehovait. Si pasojë, ai mund të largohet nga kongregacioni ose mund të mos mbështetë plotësisht masat që ka marrë Jehovai për adhurimin.
5 Ç’mund të na shtyjë ‘të tërbohemi kundër Jehovait’? Si mund ta shmangim këtë grackë? Është jetësore të dimë përgjigjet e këtyre pyetjeve pasi përfshihet marrëdhënia jonë me Perëndinë Jehova.
Ç’MUND TË NA SHTYJË ‘TË TËRBOHEMI KUNDËR JEHOVAIT’?
6, 7. Pse izraelitët në kohën e Moisiut filluan të ankoheshin kundër Jehovait?
6 Çfarë mund ta shtyjë zemrën e një shërbëtori besnik të Jehovait që të fillojë të ankohet kundër Perëndisë së tij? Le të shohim pesë faktorë si edhe shembuj biblikë nga e kaluara, që nxjerrin në pah se si disa ranë në këtë grackë.—1 Kor. 10:11, 12.
7 Të folurit negativ të të tjerëve mund të ndikojë te ne. (Lexo Ligjin e përtërirë 1:26-28.) Izraelitët sapo ishin çliruar nga skllavëria në Egjipt. Me anë të mrekullive, Jehovai kishte sjellë dhjetë plagë kundër kombit shtypës e më pas kishte shkatërruar faraonin dhe forcat e tij ushtarake në Detin e Kuq. (Dal. 12:29-32, 51; 14:29-31; Psal. 136:15) Populli i Perëndisë ishte gati të hynte në Tokën e Premtuar. Megjithatë, në atë moment vendimtar, izraelitët filluan të ankoheshin kundër Jehovait. Pse e humbën besimin? Zemrat iu mpakën kur dëgjuan raportin negativ të disa burrave që ishin dërguar të vëzhgonin vendin. (Num. 14:1-4) Çfarë erdhi si pasojë? Një brez i tërë nuk u lejua të hynte në «vendin e mirë». (Ligj. 1:34, 35) A mund të ndodhë që hera-herës të lejojmë që të folurit negativ të të tjerëve të na dobësojë besimin e kështu të ankohemi për mënyrën si vepron Jehovai me ne?
8. Pse populli i Jehovait në ditët e Isaisë filloi ta fajësonte Atë për situatën e tyre?
8 Vuajtjet dhe vështirësitë mund të na shkurajojnë. (Lexo Isainë 8:21, 22.) Në ditët e Isaisë, kombi i Judës u gjend në pikë të hallit. Ishin të rrethuar nga armiqtë. Mezi gjendej ushqim. Shumë vuanin nga uria. Ç’është më e keqja, kishte uri frymore. (Amo. 8:11) Por, në vend që t’i kërkonin ndihmë Jehovait për të përballuar vështirësitë, filluan ‘të mallkonin’ mbretin dhe Perëndinë e tyre. Po, ia hodhën fajin Jehovait për problemet që kishin. Nëse përballemi me një tragjedi ose me probleme personale, mos vallë themi në zemër si izraelitët: «Ku ishte Jehovai kur kisha nevojë për të?»
9. Pse izraelitët në ditët e Ezekielit zhvilluan një pikëpamje të gabuar?
9 Nuk i dimë të gjitha faktet. Ngaqë nuk i dinin të gjitha faktet, izraelitët në ditët e Ezekielit mendonin se udha e Jehovait ‘nuk ishte e drejtë’. (Ezek. 18:29) Si të thuash, ishin bërë gjykatës të Perëndisë, pasi vendosnin normat e tyre të drejtësisë mbi ato të Jehovait, dhe e gjykonin Atë bazuar në kuptueshmërinë e tyre të kufizuar për ngjarjet. Nëse ndonjëherë nuk e kuptojmë plotësisht një tregim biblik ose si na shkojnë gjërat në jetë, a mos ndiejmë thellë-thellë se udha e Jehovait «nuk është e drejtë»?—Jobi 35:2.
10. Si mund të ndjekë dikush shembullin e keq të Adamit?
10 Ua hedhim fajin të tjerëve për mëkatet e gabimet tona. Që në fillim të historisë së njerëzimit, Adami fajësoi Perëndinë për mëkatin e tij. (Zan. 3:12) Edhe pse e shkeli qëllimisht ligjin e Jehovait, duke i ditur fare mirë pasojat, prapëseprapë Adami ia hodhi fajin Atij. Në thelb, tha se Ai i kishte dhënë një grua të keqe. Që nga ajo kohë, të tjerë kanë ndjekur shembullin e Adamit, duke ia hedhur fajin Perëndisë për gabimet e tyre. Bëjmë mirë të pyesim veten: «Nëse zhgënjehem a mërzitem për gabimet e mia, a mund të filloj t’i shoh me sy të shtrembër normat e Jehovait?»
11. Çfarë mësojmë nga Jonai?
11 Përqendrohemi tepër te vetja. Profeti Jona u nxeh kur Jehovai u tregua i mëshirshëm me Ninevinë. (Jon. 4:1-3) Pse? Me sa duket, u shqetësua së tepërmi për reputacionin e tij ngaqë nuk ndodhi shkatërrimi që shpalli. Jonai lejoi që meraku për emrin e tij ta mbyste dhembshurinë që duhej të ketë ndier për ninevitët e penduar. A mund të ndodhë që edhe ne të përqendrohemi aq shumë te vetja, sa ‘të tërbohemi kundër Jehovait’ meqë nuk po e sjell më shpejt fundin? Nëse po predikojmë prej dekadash që dita e Jehovait është afër, a ka rrezik të fillojmë të humbim durimin me Jehovain kur të tjerët na kritikojnë ngaqë shpallim atë që thotë Bibla?—2 Pjet. 3:3, 4, 9.
SI TË MOS ‘TËRBOHEMI KUNDËR JEHOVAIT’
12, 13. Çfarë s’duhet të lëmë pas dore, nëse fillojmë të dyshojmë brenda vetes për disa gjëra që bën Jehovai?
12 Ç’mund të bëjmë nëse zemra jonë mëkatare fillon të dyshojë për disa gjëra që bën Jehovai? Të mos harrojmë se është e pamend të veprojmë kështu. Një përkthim tjetër i Proverbave 19:3 thotë: «Shumëkush bie në vështirësi për shkak të marrëzisë së vet dhe me zemërim ia hedh fajin Perëndisë.» (Bibla ECM) Me këtë në mendje, le të shqyrtojmë pesë faktorë që do të na ndihmojnë të mos e fajësojmë kurrë Jehovain, për shkak të zhgënjimeve në jetë.
13 Të mos e lëmë pas dore marrëdhënien me Jehovain. Mund të shmangim prirjen e papërsosur që të tërbohemi kundër Perëndisë, nëse ruajmë një marrëdhënie të ngushtë me të. (Lexo Proverbat 3:5, 6.) Duhet të besojmë te Jehovai. Gjithashtu, s’duhet të na duket vetja të mençur e as të bëhemi egoistë. (Prov. 3:7; Ekl. 7:16) Kështu, vështirë se do të fajësojmë Jehovain kur të përballemi me gjëra të këqija.
14, 15. Ç’do të na ndihmojë të mos ndikohemi nga të folurit negativ të të tjerëve?
14 Të mos lejojmë të folurit negativ të na ndikojë. Izraelitët në ditët e Moisiut kishin plot arsye për të besuar se Jehovai me siguri do t’i fuste në Tokën e Premtuar. (Psal. 78:43-53) Por, kur dëgjuan raportin negativ të dhjetë vëzhguesve jobesnikë, nuk «e kujtuan dorën e tij». (Psal. 78:42) Nëse mendojmë thellë për veprat e Jehovait, duke sjellë ndër mend të mirat që ka bërë për ne, do të forcojmë marrëdhënien me të. Kështu, nuk do të lejojmë që mendimet negative të të tjerëve të krijojnë hendek mes nesh e Jehovait.—Psal. 77:11, 12.
15 Po nëse kemi prirjen t’i kritikojmë bashkëbesimtarët? Atëherë, kjo mund të ndikojë te marrëdhënia jonë me Jehovain. (1 Gjon. 4:20) Kur izraelitët vunë në dyshim emërimin dhe pozitën e Aaronit, Jehovai e konsideroi këtë si murmuritje kundër vetë Atij. (Num. 17:10) Po njësoj, nëse fillojmë të qahemi e të murmuritim kundër atyre që Jehovai përdor për të drejtuar pjesën tokësore të organizatës së tij, kjo mund të nënkuptojë se po ankohemi kundër Jehovait.—Hebr. 13:7, 17.
16, 17. Ç’duhet t’i kujtojmë vetes kur hasim probleme?
16 Të mos harrojmë se problemet nuk na i shkakton Jehovai. Edhe pse izraelitët në ditët e Isaisë ishin larguar nga Jehovai, prapëseprapë Ai donte t’i ndihmonte. (Isa. 1:16-19) Pavarësisht nga problemet që mund të hasim, marrim zemër kur dimë se Jehovai interesohet për ne dhe do që të na ndihmojë. (1 Pjet. 5:7) Në të vërtetë, ai premton se do të na japë forcën e nevojshme që të mos dorëzohemi.—1 Kor. 10:13.
17 Nëse po vuajmë nga ndonjë padrejtësi, siç i ndodhi edhe Jobit besnik, duhet t’i kujtojmë vetes se nuk e shkakton Jehovai. Ai e urren padrejtësinë; e do drejtësinë. (Psal. 33:5) Ashtu si miku i Jobit, Elihu, le të pranojmë këtë të vërtetë: «Larg qoftë që Perëndia i vërtetë të veprojë me ligësi, që i Plotfuqishmi të veprojë me padrejtësi!» (Jobi 34:10) Jehovai jo vetëm që nuk na i shkakton problemet, por na jep ‘çdo dhuratë të mirë dhe çdo gjë të përsosur’.—Jak. 1:13, 17.
18, 19. Pse nuk duhet të dyshojmë kurrë te Jehovai? Ilustrojeni.
18 Të mos dyshojmë kurrë te Jehovai. Perëndia është i përsosur dhe mendimet e tij qëndrojnë më lart se mendimet tona. (Isa. 55:8, 9) Prandaj, përulësia dhe modestia do të na ndihmojnë të pranojmë se kemi kuptueshmëri të kufizuar. (Rom. 9:20) Rrallëherë i njohim të gjitha faktet për ndonjë situatë. Pa dyshim, kemi parë sa i vërtetë është ky proverb: «Kush flet i pari në çështjen e vet ligjore, duket se ka të drejtë, por ndërhyn tjetri dhe me siguri e heton fund e krye.»—Prov. 18:17.
19 Nëse kemi një mik të besuar i cili bën diçka që s’e kuptojmë a që na duket e pazakontë, a do ta akuzonim menjëherë se po gabon? Apo me mirëbesim, nuk do t’i vinim në dyshim motivet e tij, sidomos nëse e njohim prej vitesh? Kur trajtojmë me dashuri miqtë tanë të papërsosur, sa më tepër duhet të besojmë tek Ati ynë qiellor, mendimet e veprimet e të cilit qëndrojnë shumë më lart se tonat.
20, 21. Pse është e rëndësishme të fajësojmë shkaktarin e vërtetë?
20 Të fajësojmë shkaktarin e vërtetë. Pse duhet të veprojmë kështu? Për disa nga problemet tona mund të jemi vetë përgjegjës. Nëse është kështu, le ta pranojmë. (Gal. 6:7) Të mos përpiqemi t’ia hedhim fajin Jehovait për to. Pse kjo do të ishte e paarsyeshme? Të marrim një shembull: një makinë mund të jetë në gjendje të udhëtojë me shpejtësi të madhe. Përfytyro sikur shoferi e tejkalon jashtë mase shpejtësinë e lejuar ndërsa merr një kthesë të fortë dhe përplaset. A duhet fajësuar prodhuesi i makinës për aksidentin? S’do mend që jo. Po njësoj, Jehovai na ka krijuar me vullnet të lirë. Por, ndërkaq, na ka siguruar udhëzime se si të marrim vendime të mençura. Atëherë, pse të fajësojmë Krijuesin për gabimet tona?
21 Sigurisht, jo të gjitha problemet që kemi janë pasojë e gabimeve dhe e veprimeve tona të pamenda. Disa gjëra ndodhin ngaqë ‘kalojmë kohë të vështira dhe përjetojmë ngjarje të paparashikuara’. (Ekl. 9:11) Sidoqoftë, të mos harrojmë se shkaktari kryesor i ligësisë është Satana Djalli. (1 Gjon. 5:19; Zbul. 12:9) Armiku është ai, jo Jehovai.—1 Pjet. 5:8.
TË RUAJMË SI THESAR MARRËDHËNIEN E ÇMUAR ME JEHOVAIN
22, 23. Çfarë duhet të sjellim ndër mend nëse shkurajohemi për shkak të problemeve?
22 Kur kalojmë vuajtje e vështirësi, le të sjellim ndër mend shembullin e Josiut dhe të Kalebit. Ndryshe nga dhjetë vëzhguesit e tjerë, ata dy burra besnikë dhanë një raport pozitiv për vendin. (Num. 14:6-9) Treguan besim te Jehovai. Prapëseprapë, iu desh të endeshin në shkretëtirë për 40 vjet bashkë me izraelitët e tjerë. A u ankuan ose a u mbushën me vrer duke e parë këtë si padrejtësi? Jo. Patën besim te Jehovai. A u bekuan për këtë? Pa diskutim! Ndërkohë që një brez i tërë vdiq në shkretëtirë, të dy burrat besnikë në fund hynë në Tokën e Premtuar. (Num. 14:30) Edhe ne do të shijojmë bekimet e Jehovait nëse «nuk lodhemi» duke bërë vullnetin e tij.—Gal. 6:9; Hebr. 6:10.
23 Ç’duhet të bëjmë nëse shkurajohemi për shkak të problemeve, papërsosmërive të të tjerëve ose tonave? Të përqendrohemi te cilësitë e mrekullueshme të Jehovait. Të mbajmë të gjallë para syve shpresën që na ka dhënë Jehovai. Të pyesim veten: «Ku do të isha pa Jehovain?» Le të rrimë gjithmonë afër tij dhe të mos lejojmë kurrë që zemra jonë të tërbohet kundër Jehovait!