Ji i mençur—Përpiqu të fitosh «aftësinë për të drejtuar me mjeshtëri»
Jeta është krahasuar me një lundrim. Por shpesh mençuria njerëzore nuk ka dalë shumë e vlefshme që t’i ndihmojë njerëzit të lundrojnë me sukses në detin e jetës. Shumë vetave, si të thuash, u është shkallmuar anija në ujërat e stuhishme të jetës. (Psal. 107:23, 27) Pse është e përshtatshme kjo metaforë?
Në kohët e lashta, të udhëtoje nëpër det ishte një sfidë që kërkonte përvojë. Ky ishte një art që zakonisht mësohej nga detarë të regjur, mbase nga një timonier. (Vep. 27:9-11) Shumë piktura të lashta e theksojnë rëndësinë e rolit të timonierit duke e paraqitur si më trupmadh se të tjerët. Që të lundronin në det të hapur, detarët mësonin për erërat, yjet dhe pikat e tjera të referimit. Bibla i përshkruan disa detarë si ‘mjeshtra’ dhe përdor një term që mund të ketë kuptimin «të mençur».—Ezek. 27:8.
Sot, të lundrosh në detin e problemeve të jetës, mund të duket po aq e mundimshme sa të lundroje në det në kohët e lashta. Çfarë mund të na ndihmojë?
SI TË FITOJMË «AFTËSINË PËR TË DREJTUAR ME MJESHTËRI»?
Duke pasur në mendje metaforën e jetës që është si një lundrim, shqyrto këtë të vërtetë biblike: «Njeriu i mençur do të dëgjojë e do të marrë më shumë mësim, dhe njeriu me kuptueshmëri fiton aftësinë për të drejtuar me mjeshtëri.» (Prov. 1:5, 6, BR me referime, angl.) Termi hebraik i përkthyer «aftësi për të drejtuar me mjeshtëri» mund të përshkruajë veprimet e kapitenit të një anijeje në lashtësi. Ky term nënkupton aftësinë për të udhëhequr me mjeshtëri.
Ndonëse duhen përpjekje, mund ta fitojmë «aftësinë për të drejtuar me mjeshtëri» dhe të mësojmë «të lundrojmë» me sukses në detin e jetës. Siç tregohet te Proverbat, duhet të lejojmë që ‘mençuria’, ‘kuptueshmëria’ dhe ‘gjykimi i thellë’ të bashkëveprojnë mes tyre. (Prov. 1:2-6; 2:1-9) Gjithashtu, nuk mund të shpërfillim nevojën për të kërkuar drejtim hyjnor, pasi edhe të ligjtë kanë aftësinë ‘për të drejtuar’, por për qëllime të padrejta.—Prov. 12:5.
Kështu, është jetësore të jemi studiues të zellshëm të Fjalës së Perëndisë. Nëpërmjet këtij studimi mund të marrim informacione të çmuara për Jehovain dhe për atë që e pasqyron më mirë, Jezu Krishtin. (Gjoni 14:9) Shumë këshilla të mençura marrim edhe në mbledhjet e krishtere. Përveç kësaj, mund të mësojmë nga përvoja e të tjerëve, përfshirë nga prindërit tanë.—Prov. 23:22.
PARAPRI DHE PLANIFIKO
‘Aftësia për të drejtuar me mjeshtëri’ është e rëndësishme sidomos kur gjendemi në ujëra të trazuara, në kuptimin e figurshëm. Në një situatë të ndërlikuar, dyshimet se si të veprojmë mund të na paralizojnë, duke na sjellë pasoja katastrofike.—Jak. 1:5, 6.
Është interesante që termi i përkthyer ‘aftësi për të drejtuar me mjeshtëri’ është përdorur edhe për luftën. Në Bibël lexojmë: «Luftën bëje me aftësinë për të drejtuar me mjeshtëri [«me strategji mjeshtërore», The Revised English Bible]. Aty ku ka shumë këshilltarë, ka shpëtim.»—Prov. 20:18; 24:6, BR me referime, angl.
Ashtu si një strateg që organizon një betejë, edhe ne duhet t’u paraprijmë rreziqeve të mundshme për gjendjen tonë frymore. (Prov. 22:3) Për shembull, ndoshta duhet të vendosësh nëse do të pranosh një punë të re ose një ngritje në detyrë. Logjikisht do të marrësh parasysh pagën, kohën që të duhet për të shkuar e për t’u kthyer nga puna, si edhe hollësi të tjera. Gjithsesi, ka gjëra të tjera që duhen mbajtur parasysh: a do të jetë puna në përputhje me parimet biblike? Si mund të ndikojë tek aktivitetet e krishtere orari i punës, për shembull, në rastin e punës me turne?—Luka 14:28-30.
Loreta, një Dëshmitare e Jehovait, kishte një punë të mirë. Kur firma duhej të transferohej te një vend tjetër, Loretës i ofruan një post të rëndësishëm. «Ky është shansi i jetës,—i thanë drejtuesit e firmës.—Tashmë e dimë se atje afër ka një Sallë Mbretërie.» Por Loreta donte ta thjeshtonte jetën që t’i shërbente Krijuesit në mënyrë më të plotë. Ajo e kuptoi se po të pranonte postin e ri, do të kishte më pak kohë për aktivitetet e krishtere. Prandaj, e la punën, megjithëse një nga drejtuesit i tha privatisht se ishte e vetmja nëpunëse që donin vërtet të mbanin. Loreta, e cila tani bën rreth 20 vjet që shërben si pioniere e rregullt, është e bindur se rezultatet e mira që arriti, lidheshin drejtpërdrejt me faktin që kishte planifikuar me anë të ‘aftësisë për të drejtuar me mjeshtëri’, po, në përputhje me këshillat e Fjalës së Perëndisë. Ajo ka forcuar marrëdhënien me Jehovain dhe ka pasur privilegjin të ndihmojë disa veta të pranojnë të vërtetën biblike.
Patjetër, ‘aftësia për të drejtuar me mjeshtëri’ nevojitet në familje. Të rritësh fëmijë është një punë afatgjatë dhe vendimet që merren në lidhje me aspektet frymore ose materiale ndikojnë tek e ardhmja e të gjithë familjes. (Prov. 22:6) Për shembull, prindërit e krishterë mund të pyesin veten: «A po u mësojmë fëmijëve me bisedat dhe shembullin tonë vlera frymore, që do t’i ndihmojnë të përballojnë me mençuri jetën kur të rriten? A po i ndihmojmë me mënyrën e jetesës që të kuptojnë se do të jenë të kënaqur nëse bëjnë një jetë të thjeshtë e përqendrohen te shërbimi i krishterë?»—1 Tim. 6:6-10, 18, 19.
Suksesi i vërtetë nuk përcaktohet nga synimet materiale ose shoqërore që ndjekin shpesh njerëzit në botë. Mbreti Solomon e kuptoi këtë. Ai u frymëzua të shkruante: «Atyre që i frikësohen Perëndisë së vërtetë do t’u dalë për mirë, sepse kanë pasur frikë nga ai.» (Ekl. 8:12) Sigurisht, kjo dëshmon sa e mençur është të përpiqesh të fitosh «aftësinë për të drejtuar me mjeshtëri» të bazuar te Fjala e Perëndisë dhe në përputhje me të.—2 Tim. 3:16, 17.
[Figura në faqen 30]
Për të theksuar rëndësinë e rolit të tyre, shpesh timonierët paraqiteshin si më trupmëdhenj se detarët e tjerë
[Burimi]
Su concessione del Ministero per i Beni e le Attività Culturali. Është i ndaluar riprodhimi ose shumëfishimi i kësaj figure në çdo mënyrë ose me çdo mjet.