Të vazhdojmë të kërkojmë në radhë të parë «drejtësinë e Perëndisë»
«Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.»—MAT. 6:33.
1, 2. Çfarë është drejtësia e Perëndisë dhe ku bazohet ajo?
«VAZHDONI të kërkoni në radhë të parë mbretërinë.» (Mat. 6:33) Dëshmitarët e Jehovait sot e njohin mirë këtë këshillë që dha Jezu Krishti në Predikimin e tij në Mal. Në çdo aspekt të jetës, përpiqemi të tregojmë se e duam këtë Mbretëri dhe dëshirojmë të jemi besnikë ndaj saj. Por duhet të mbajmë ndër mend edhe pjesën e dytë të kësaj shprehjeje, domethënë «dhe drejtësinë e Perëndisë». Çfarë është drejtësia e Perëndisë dhe ç’do të thotë të kërkosh në radhë të parë atë?
2 Drejtësia e Perëndisë është drejtësi sipas standardeve dhe vlerave të tij. Si Krijuesi, Jehovai ka të drejtën të përcaktojë standardin se ç’është e mirë dhe ç’është e keqe, ç’është e drejtë dhe ç’është e gabuar. (Zbul. 4:11) Por, drejtësia e Perëndisë nuk është një tërësi ligjesh të ftohta e të ngurta ose një listë e pafund me rregulla. Përkundrazi, bazohet te personaliteti i Jehovait e te cilësia e tij thelbësore e drejtësisë, si edhe te cilësitë e tjera kryesore, si dashuria, mençuria dhe fuqia. Pra, drejtësia e Perëndisë lidhet me vullnetin dhe qëllimin e tij. Kjo drejtësi përfshin atë çka ai pret nga ata që dëshirojnë t’i shërbejnë.
3. (a) Çfarë do të thotë të kërkosh në radhë të parë drejtësinë e Perëndisë? (b) Pse përkrahim standardet e drejta të Jehovait?
3 Çfarë do të thotë të kërkojmë në radhë të parë drejtësinë e Perëndisë? E thënë thjesht, do të thotë të bëjmë vullnetin e Perëndisë me qëllim që t’i pëlqejmë atij. Të kërkojmë drejtësinë e tij nënkupton të përpiqemi të jetojmë sipas vlerave dhe standardeve të tij të përsosura, e jo sipas tonave. (Lexo Romakëve 12:2.) Kjo mënyrë jetese përfshin vetë marrëdhënien tonë me Jehovain. Nuk do të thotë t’u bindemi ligjeve të tij nga frika se mos na ndëshkon. Përkundrazi, dashuria për Perëndinë na nxit të përpiqemi t’i pëlqejmë duke përkrahur standardet e tij, e jo duke vendosur standardet tona. E kuptojmë se kjo është gjëja e drejtë për t’u bërë, pikërisht ajo për të cilën jemi krijuar. Ashtu si Jezu Krishti, Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë, duhet ta duam drejtësinë.—Hebr. 1:8, 9.
4. Pse është e rëndësishme të kërkojmë drejtësinë e Perëndisë?
4 Sa e rëndësishme është të kërkojmë drejtësinë e Jehovait? Shqyrtoni këtë të vërtetë: sprova e parë në kopshtin e Edenit bazohej te fakti nëse Adami dhe Eva do të pranonin të drejtën e Jehovait për të vendosur ose jo standarde. (Zan. 2:17; 3:5) Meqë dështuan në këtë sprovë, mbi ne pasardhësit e tyre erdhi mjerimi dhe vdekja. (Rom. 5:12) Nga ana tjetër, Fjala e Perëndisë thotë: «Ai që ndjek drejtësinë dhe dashamirësinë, do të gjejë jetë, drejtësi dhe lavdi.» (Prov. 21:21) Po, nëse kërkojmë në radhë të parë drejtësinë e Perëndisë, do të kemi një marrëdhënie të harmonishme me Jehovain, e cila si rrjedhim do të çojë në shpëtimin tonë.—Rom. 3:23, 24.
Rreziku i mbajtjes së vetes për të drejtë
5. Cilin rrezik duhet të shmangim?
5 Kur u shkroi të krishterëve në Romë, apostulli Pavël theksoi një rrezik që të gjithë duhet ta shmangim nëse duam të kërkojmë me sukses në radhë të parë drejtësinë e Perëndisë. Duke folur për bashkëkombësit e tij judenj, Pavli tha: «Unë dëshmoj për ta se kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë së saktë. Meqë nuk e njohin drejtësinë e Perëndisë, por kërkojnë të vendosin të vetën, ata nuk iu nënshtruan drejtësisë së Perëndisë.» (Rom. 10:2, 3) Sipas Pavlit, ata adhurues nuk e kuptonin drejtësinë e Perëndisë sepse ishin tepër të zënë duke u përpjekur të vendosnin drejtësinë e tyre.a
6. Cilin qëndrim duhet të shmangim dhe pse?
6 Një mënyrë se si mund të biem në këtë grackë është duke e parë shërbimin ndaj Perëndia si një garë, duke e krahasuar veten me të tjerët. Si pasojë e këtij qëndrimi, fare lehtë mund të ndihemi tepër të sigurt për aftësitë tona. Por, në të vërtetë, po të vepronim kështu, do të harronim drejtësinë e Jehovait. (Gal. 6:3, 4) Motivi i duhur për të bërë atë që është e drejtë, është dashuria jonë për Jehovain. Çdo përpjekje për të vendosur drejtësinë tonë mund ta bënte të pavlefshëm pohimin se e duam Atë.—Lexo Lukën 16:15.
7. Si e trajtoi Jezui problemin e mbajtjes së vetes për të drejtë?
7 Jezui ishte i shqetësuar për ata «që kishin besim te vetja se ishin të drejtë dhe që i shihnin të tjerët si të pavlerë». Ai e trajtoi problemin e mbajtjes së vetes për të drejtë me këtë ilustrim: «Dy veta u ngjitën në tempull që të luteshin: njëri ishte farise dhe tjetri taksambledhës. Fariseu qëndroi në këmbë dhe nisi të lutej me vete: ‘O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë: zhvatës, të padrejtë, kurorëshkelës ose edhe si ky taksambledhës. Unë agjëroj dy herë në javë dhe jap të dhjetën e gjithçkaje që fitoj.’ Kurse taksambledhësi qëndronte larg dhe as guxonte të ngrinte sytë drejt qiellit, por rrihte kraharorin dhe thoshte: ‘O Perëndi, ki mëshirë për mua mëkatarin.’» Jezui përfundoi duke thënë: «Unë po ju them se ky zbriti në shtëpinë e vet më i drejtë se i pari, sepse kushdo që e lartëson veten, do të përulet, por ai që e përul veten, do të lartësohet.»—Luka 18:9-14.
Një rrezik tjetër—Të bëhemi ‘të drejtë së tepërmi’
8, 9. Ç’do të thotë të jesh «i drejtë së tepërmi» dhe çfarë mund të vijë si pasojë?
8 Një rrezik tjetër që duhet të shmangim përshkruhet tek Eklisiastiu 7:16: «Mos u bëj i drejtë së tepërmi, as mos u trego i mençur jashtë mase. Përse të shkatërrosh veten?» Më pas, siç theksohet në vargun 20, ky shkrimtar biblik i frymëzuar jep një arsye pse të shmangim një qëndrim të tillë: «Sepse nuk ka asnjë njeri të drejtë në tokë, që vazhdon të bëjë të mirën dhe të mos mëkatojë.» Dikush që bëhet «i drejtë së tepërmi» vendos standardet e veta të drejtësisë dhe i gjykon të tjerët sipas tyre. Megjithatë, nuk arrin të kuptojë se duke bërë këtë, po i ngre standardet e veta mbi ato të Perëndisë dhe kështu po tregohet i padrejtë në sytë e Tij.
9 Nëse jemi ‘të drejtë së tepërmi’ ose siç thonë disa përkthime ‘tepër të drejtë’, si pasojë mund të vëmë madje në diskutim mënyrën si i trajton Jehovai gjërat. Mirëpo duhet të kujtojmë që, nëse vëmë në diskutim drejtësinë e vendimeve të Jehovait, në të vërtetë po fillojmë të vendosim standardin tonë të drejtësisë mbi atë të Jehovait. Kjo është sikur ta vëmë Jehovain në provë dhe ta gjykojmë sipas standardeve tona të së drejtës dhe të së gabuarës. Por është Jehovai ai që ka të drejtën të vendosë standardin e drejtësisë e jo ne.—Rom. 14:10.
10. Çfarë mund të na shtyjë ta gjykojmë Perëndinë siç bëri edhe Jobi?
10 Megjithëse asnjë nga ne nuk do të donte ta gjykonte me dashje Perëndinë, për shkak të natyrës sonë të papërsosur mund ta bëjmë. Kjo mund të ndodhë fare lehtë kur shohim diçka që nuk na duket e drejtë ose nëse kemi ndonjë vështirësi personale. Madje edhe besniku Job e bëri këtë gabim. Në fillim Jobi u përshkrua si «i paqortueshëm dhe i drejtë, [që] kishte frikë nga Perëndia dhe i largohej së keqes». (Jobi 1:1) Por më pas Jobit i ranë një sërë gjëmash që, sipas tij, ishin të padrejta. Nga kjo Jobi e shpalli «veten më të drejtë se Perëndia». (Jobi 32:1, 2) Atij iu desh të ndreqte pikëpamjen. Kështu, nuk duhet të habitemi nëse ndonjëherë mund të gjendemi në një situatë të ngjashme. Çfarë mund të na ndihmojë të ndreqim mënyrën tonë të të menduarit nëse ndodh kjo?
Nuk i kemi gjithnjë të gjitha faktet
11, 12. (a) Çfarë duhet të kemi parasysh nëse mendojmë që diçka është e padrejtë? (b) Pse dikush mund të mendojë se ilustrimi i Jezuit për punëtorët e vreshtit përshkruan diçka të padrejtë?
11 Gjëja e parë që duhet të kemi parasysh është se nuk i kemi gjithnjë të gjitha faktet. Kështu ishte në rastin e Jobit. Ai nuk dinte gjë për mbledhjet e bijve engjëllorë të Perëndisë në qiell, ku Satanai e akuzoi padrejtësisht. (Jobi 1:7-12; 2:1-6) Jobi nuk e kuptonte se faktikisht problemet ia shkaktoi Satanai. Madje nuk mund të jemi të sigurt nëse Jobi e dinte tamam kush ishte Satanai. Prandaj, gabimisht mendoi se problemet ia shkaktoi Perëndia. Po, është e lehtë të nxjerrim përfundimin e gabuar kur nuk i dimë të gjitha faktet.
12 Shqyrtoni, për shembull, ilustrimin e Jezuit për punëtorët e vreshtit. (Lexo Mateun 20:8-16.) Këtu Jezui përshkruan një pronar që u jep të njëjtën sasi parash të gjithë punëtorëve të tij, pavarësisht nëse punuan gjithë ditën ose vetëm një orë. Çfarë mendoni për këtë? A ju duket e drejtë? Ndoshta menjëherë ju vjen keq për punëtorët që punuan gjithë ditën nën diellin e nxehtë. Me siguri ata meritonin të paguheshin më shumë! Në bazë të këtij përfundimi, i zoti i vreshtit mund të shihet si njeri i padrejtë dhe pa dashuri. Edhe përgjigjja që u dha punëtorëve që u ankuan, mund të duket një abuzim arbitrar i autoritetit. Por, a i kemi të gjitha faktet?
13. Nga cili këndvështrim tjetër mund ta shohim ilustrimin e Jezuit për punëtorët e vreshtit?
13 Le ta analizojmë këtë ilustrim nga një këndvështrim tjetër. Me sa duket, i zoti i vreshtit në ilustrim e kuptonte se të gjithë këta burra kishin nevojë të ushqenin familjet e tyre. Në kohën e Jezuit, ata që punonin në bujqësi paguheshin çdo ditë. Familjet e tyre vareshin nga rroga që merrnin çdo ditë. Me këtë në mendje, mendoni për gjendjen e atyre që i zoti i vreshtit i gjeti në fund të ditës dhe punuan vetëm një orë. Ndoshta ata nuk do të mund ta ushqenin familjen vetëm me pagën e një ore, megjithatë kishin qenë të gatshëm të punonin dhe kishin pritur tërë ditën për të gjetur punë. (Mat. 20:1-7) Nuk ishte faji i tyre që nuk iu dha mundësia të punonin tërë ditën. Nuk tregohet askund se u përpoqën me dashje të shmangnin punën. Imagjinoni sikur të kishit pritur gjithë ditën, duke e ditur se të tjerët vareshin nga ajo që do të fitonit atë ditë. Sa mirënjohës do të ndiheshit po të gjenit pak punë dhe sa do të befasoheshit po të merrnit një pagë të mjaftueshme për të ushqyer familjen!
14. Ç’mësim të vlefshëm nxjerrim nga ilustrimi për vreshtin?
14 Tani le të rishqyrtojmë veprimet e të zotit të vreshtit. Ai nuk pagoi asnjërin më pak. Përkundrazi, i trajtoi të gjithë punëtorët si njerëz që kishin të drejtë të siguronin jetesën. Me tërë ata punëtorë në dispozicion, i zoti i vreshtit mund të kishte përfituar nga situata që të merrte krah pune të lirë. Por nuk veproi kështu. Të gjithë punëtorët e tij u kthyen në shtëpi me mjaft para për të ushqyer familjet. Kur marrim parasysh këto hollësi shtesë, mund të ndryshojmë pikëpamje për veprimet e të zotit të vreshtit. Vendimi i tij ishte i dashur dhe jo një abuzim arbitrar i autoritetit. Ç’mësim mund të nxjerrim? Që nga shqyrtimi i vetëm disa fakteve mund të arrijmë menjëherë në përfundimin e gabuar. Në të vërtetë, ky ilustrim nxjerr në pah sa e lartë është drejtësia e Perëndisë, e cila nuk bazohet vetëm në rregulla ligjore dhe as te fakti nëse njerëzit e meritojnë t’u tregohet kjo drejtësi.
Pikëpamja jonë mund të jetë e shtrembëruar ose e kufizuar
15. Pse pikëpamja jonë për drejtësinë mund të jetë e shtrembëruar ose e kufizuar?
15 Faktori i dytë që duhet të kemi parasysh kur jemi përballë një situate që duket e padrejtë, është se pikëpamja jonë mund të jetë e shtrembëruar ose e kufizuar. Ajo mund të shtrembërohet nga papërsosmëria, paragjykimi, ose prejardhja kulturore. Gjithashtu, kufizohet nga paaftësia jonë për të dalluar motivet dhe për të ditur se çfarë kanë vërtet në zemër njerëzit. Krejt ndryshe nga ne, edhe Jehovai, edhe Jezui nuk kanë kufizime të tilla.—Prov. 24:12; Mat. 9:4; Luka 5:22.
16, 17. Pse Jehovai mund të mos ketë zbatuar ligjin për kurorëshkeljen kur Davidi mëkatoi me Betshebën?
16 Le të analizojmë tregimin për kurorëshkeljen e Davidit me Betshebën. (2 Sam. 11:2-5) Sipas Ligjit të Moisiut, ata meritonin të ekzekutoheshin. (Lev. 20:10; Ligj. 22:22) Ndonëse Jehovai i ndëshkoi, nuk e zbatoi ligjin e tij. A u tregua i padrejtë Jehovai? A e mbajti me hatër Davidin dhe shkeli standardet e Tij të drejta? Disa lexues të Biblës kanë menduar se po.
17 Megjithatë, këtë ligj për kurorëshkeljen Jehovai ua kishte dhënë gjykatësve të papërsosur, të cilët nuk mund të lexonin zemrat. Pavarësisht nga kufizimet e tyre, ky ligj u jepte mundësi të ishin koherentë në gjykimet që jepnin. Nga ana tjetër, Jehovai mund të lexojë zemrat. (Zan. 18:25; 1 Kron. 29:17) Prandaj, nuk duhet të presim që të kufizohet nga një ligj që e nxori për gjykatës të papërsosur. Po të vepronim kështu, a nuk do të ishte sikur të detyronim dikë me shikim të përsosur të mbante syze, që janë për të ndrequr shikimin e atyre që kanë probleme me sytë? Jehovai mund të lexonte zemrën e Davidit e të Betshebës dhe të shihte pendimin e tyre të sinqertë. Duke marrë parasysh një faktor të tillë, ai i gjykoi në përputhje me të, me mëshirë e dashuri.
Të vazhdojmë të kërkojmë drejtësinë e Jehovait
18, 19. Çfarë do të na ndihmojë të mos e gjykojmë kurrë Jehovain sipas standardeve tona të drejtësisë?
18 Kështu, nëse ndonjëherë shohim diçka që na duket e padrejtë nga ana e Jehovait—qoftë nëse e lexojmë në një tregim biblik, qoftë nëse e përjetojmë në jetën tonë—kurrë të mos e gjykojmë Atë sipas standardeve tona të drejtësisë. Të mbajmë parasysh se nuk i kemi gjithnjë të gjitha faktet dhe se pikëpamja jonë mund të jetë e shtrembëruar ose e kufizuar. Kurrë të mos harrojmë se «zemërimi i njeriut nuk sjell drejtësinë e Perëndisë». (Jak. 1:19, 20) Në këtë mënyrë, zemra jonë kurrë nuk ‘do të tërbohet kundër vetë Jehovait’.—Prov. 19:3.
19 Ashtu si Jezui, le të pranojmë gjithmonë se vetëm Jehovai ka të drejtën të përcaktojë standardin se ç’është e drejtë dhe e mirë. (Mar. 10:17, 18) Le të përpiqemi fort të marrim ‘njohuri të saktë’ për standardet e tij. (Rom. 10:2; 2 Tim. 3:7) Duke i pranuar ato dhe duke e përputhur jetën me vullnetin e Perëndisë, tregojmë se po kërkojmë në radhë të parë ‘drejtësinë e tij’.—Mat. 6:33.
[Shënimet]
a Sipas një studiuesi, fjala në gjuhën origjinale e përkthyer «vendos» mund të ketë edhe kuptimin ‘ngre një monument’. Pra, në fakt këta judenj ishin duke ngritur në kuptimin e figurshëm një monument për lavdi të tyre e jo të Perëndisë.
A ju kujtohet?
• Pse është e rëndësishme të kërkojmë drejtësinë e Jehovait?
• Cilat janë dy rreziqet që duhet të shmangim?
• Si mund të kërkojmë në radhë të parë drejtësinë e Perëndisë?
[Figura në faqen 9]
Ç’mësim nxjerrim nga ilustrimi i Jezuit për dy burrat që u lutën në tempull?
[Figura në faqen 10]
A ishte e padrejtë që punëtorët që punuan një orë të paguheshin njësoj sa ata që punuan tërë ditën?