Pjesa 10
Bota e re e mrekullueshme që Perëndia do të vendosë
1, 2. Çfarë do të ndodhë pas luftës pastruese të Harmagedonit?
ÇFARË do të ndodhë pas Harmagedonit, luftës pastruese të Perëndisë? Atëherë do të fillojë një epokë e re madhështore. Të mbijetuarit nga Harmagedoni, pasi kanë treguar tashmë besnikëri ndaj sundimit të Perëndisë, do të futen në botën e re. Ç’periudhë e re emocionuese e historisë do të jetë, kur familja njerëzore do të marrë bekime të mrekullueshme nga Perëndia!
2 Nën drejtimin e Mbretërisë së Perëndisë, ata që do të mbijetojnë do të fillojnë ndërtimin e një parajse. Energjitë e tyre do t’i kushtohen aktivitetit vetëmohues që do t’i sjellë dobi të gjitha qenieve të gjalla. Toka do të fillojë të transformohet në një shtëpi të bukur, të paqme e të këndshme për njerëzimin.
Në vend të ligësisë drejtësi
3. Çfarë ngushëllimi të menjëhershëm do të ndiejmë pikërisht pas Harmagedonit?
3 E gjithë kjo do të mundësohet nga shkatërrimi i botës së Satanait. S’do të ketë më fe të rreme përçarëse, sisteme shoqërore ose qeveri. Nuk do të ketë më propagandë satanike që mashtron njerëzit; të gjitha institucionet që i përhapin ato do të zhduken bashkë me sistemin e Satanait. Vetëm mendo: mbarë atmosfera helmuese e botës së Satanait e eliminuar! Çfarë ngushëllimi do të jetë!
4. Përshkruaj ndryshimet që do të ndodhin në marrjen e mësimit.
4 Atëherë idetë shkatërruese të sundimit njerëzor do të zëvendësohen me mësimet ndërtuese që vijnë nga Perëndia. «Të gjithë bijtë tuaj do të jenë njerëz të mësuar nga Jehovai.» (Isaia 54:13, BR) Me këtë mësim të shëndetshëm, vit pas viti, «toka sigurisht do të mbushet me njohurinë e Jehovait si ujërat që mbulojnë detin». (Isaia 11:9, BR) Njerëzit nuk do të mësojnë më atë që është e keqe, por «drejtësia është ajo që banorët e tokës pjellore me siguri do të mësojnë». (Isaia 26:9, BR) Mendimet dhe veprat ndërtuese do të jenë rregull i ditës.—Veprat 17:31; Filipianëve 4:8.
5. Çfarë do t’u ndodhë njerëzve të ligj dhe çdo forme të ligësisë?
5 Kështu, nuk do të ketë më vrasje, dhunë, përdhunime, grabitje dhe krime të tjera. Askush nuk do të vuajë më për shkak të veprave të liga të të tjerëve. Proverbat 10:30, thotë: «I drejti nuk do të lëvizet kurrë, por të pabesët nuk do të banojnë në tokë.»—Dio.
I përtërirë shëndeti i përsosur
6, 7. (a) Cilin realitet të vështirë do të çojë Mbretëria drejt përfundimit? (b) Si e tregoi Jezui këtë kur ishte në tokë?
6 Në botën e re, do të ketë një zhdukje të të gjitha ndikimeve të liga të rebelimit fillestar. Për shembull, sundimi i Mbretërisë do të eliminojë sëmundjen dhe plakjen. Sot, edhe nëse gëzon një farë shëndeti të mirë, realiteti i ashpër është se ti plakesh, sytë e tu veniten, dhëmbët të prishen, dëgjimi topitet, lëkura rrudhoset, organet e brendshme të dëmtohen, derisa përfundimisht vdes.
7 Megjithatë, këto pasoja të mjera që trashëguam nga prindërit tanë të parë, së shpejti do të jenë diçka e së kaluarës. A të kujtohet çfarë tregoi Jezui në lidhje me shëndetin kur ishte në tokë? Bibla tregon: «Iu afrua turmë e madhe e popullit që sillte me vete të shqepët, të verbër, dorëcungë, memecë e shumë të tjerë. I ulën para tij dhe ai i shëroi. Populli u mrekullua duke parë se si memecat flisnin, dorëcungët u shëruan, të shqeptit ecnin drejt, të verbërit shihnin.»—Mateu 15:30, 31, DSF.
8, 9. Përshkruaj gëzimin që do të jetë në botën e re, kur të përtërihet shëndeti i përsosur.
8 Ç’gëzim të madh do të ketë në botën e re, kur të gjitha sëmundjet tona të eliminohen! Vuajtjet që vijnë nga shëndeti i dobët, nuk do të na torturojnë më kurrë. «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë.’ » «Atëherë do hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhërve; atëherë çalamani do të kërcejë si një dre dhe gjuha e memecit do të bërtasë nga gëzimi.»—Isaia 33:24; 35:5, 6, BR.
9 A nuk do të jetë emocionuese që çdo mëngjes të çohesh dhe të kuptosh se gëzon një shëndet të plotë? A nuk do të jetë kënaqësi për të moshuarit që të dinë se janë rikthyer në energjitë e plota të tyre të rinisë dhe se do të arrijnë përsosmërinë që Adami dhe Eva gëzonin fillimisht? Premtimi i Biblës është: «Atëherë mishi i tij do të bëhet më i freskët se kur ishte fëmijë dhe ai do të kthehet në ditët e rinisë së tij.» (Jobi 33:25, Dio) Ç’gëzim do të jetë kur të flakim syzet, aparatet që ndihmojnë për të dëgjuar, patericat, karrocat e invalidëve dhe ilaçet! Spitalet, doktorët dhe dentistët nuk do të nevojiten më.
10. Çfarë do të ndodhë me vdekjen?
10 Kush gëzon një shëndet të tillë të plotë, me siguri nuk do të dojë të vdesë. Dhe nuk do duhet të vdesë, pasi njerëzimi nuk do të jetë më nën shtrëngimin e papërsosmërisë dhe vdekjes së trashëguar. Krishti «duhet të sundojë si mbret, derisa Perëndia t’i vërë të gjithë armiqtë nën këmbët e tij. Si armik i fundit, vdekja do të kthehet në asgjë». «Dhurata që Perëndia jep, është jeta e përhershme.»—1. Korintasve 15:25, 26. BR; Romakëve 6:23, BR; shiko gjithashtu Isaia 25:8.
11. Si i përmbledh Zbulesa bekimet e botës së re?
11 Duke përmbledhur bekimet që do t’i vijnë familjes njerëzore në parajsë nga Perëndia i kujdesshëm, libri i fundit i Biblës thotë: «[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre, dhe vdekja nuk do të jetë më, as vaj, as britmë dhe as dhimbje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.»—Zbulesa 21:3, 4, BR.
Të vdekurit kthehen në jetë
12. Si e tregoi Jezui fuqinë e dhënë nga Perëndia për të ringjallur?
12 Jezui bëri më shumë sesa shëroi të sëmurët dhe sakatët. Ai, gjithashtu, nxori nga varri e solli në jetë njerëz. Kështu, ai tregoi fuqinë madhështore të ringjalljes që Perëndia i kishte dhënë. A të kujtohet rasti kur Jezui shkoi në shtëpinë e një njeriu, vajza e të cilit kishte vdekur? Jezui i tha vajzës së vdekur: «Vajzë, të thashë ‘Çohu’!» Çfarë ndodhi? «Menjëherë vajza u çua dhe filloi të ecte.» Duke parë këtë, njerëzit «mbetën pamasë të habitur». Ata nuk mund ta përmbanin gëzimin.—Marku 5:41, 42, BR; shiko gjithashtu Luka 7:11-16; Gjoni 11:1-45.
13. Çfarë lloj njerëzish do të ringjallen?
13 Në botën e re «do të ngjallen të drejtët dhe të këqijtë». (Veprat 24:15) Atëherë Jezui do ta përdorë fuqinë e dhënë nga Perëndia për të ngritur të vdekurit, sepse siç tha: «Unë jam ringjallja dhe jeta. Ai që ushtron besim tek unë, edhe nëse vdes, do të vijë në jetë.» (Gjoni 11:25, BR) Ai gjithashtu, tha: «Të gjithë ata që gjenden në varre përkujtimore [në kujtesën e Perëndisë], do ta dëgjojnë zërin e tij [Jezuit] dhe do të dalin jashtë.»—Gjoni 5:28, 29, BR.
14. Pasi vdekja nuk do të ekzistojë më, cilat gjëra do të eliminohen bashkë me të?
14 Gëzim i madh do të jetë në mbarë tokën, kur grupe njerëzish të vdekur do të kthehen njëri pas tjetrit në jetë për t’iu bashkuar të dashurve të tyre! Rubrikat nekrologjike nuk do t’u sjellin më trishtim të mbijetuarve. Në vend të kësaj, do të jetë krejt e kundërta: lajmërime të ringjallurish të rinj, që i gëzojnë ata që i duan. Kështu, nuk do të ketë më funerale, turra drush, krematoriume ose varreza!
Një botë me të vërtetë paqësore
15. Në ç’mënyrë profecia e Mikeas do të kuptohet në kuptimin e vërtetë të fjalës?
15 Paqja e vërtetë do të arrihet në të gjitha fushat e jetës. Luftërat, nxitësit e luftërave dhe prodhimi i armëve do të jenë gjëra të së kaluarës. Përse? Sepse interesat përçarëse nacionaliste, fisnore dhe raciale do të zhduken. Kështu, në kuptimin e plotë të fjalës, «nuk do të ngrenë shpatën, komb kundër kombi, as do të mësojnë më luftën».—Mikea 4:3, BR.
16. Në ç’mënyrë Perëndia do të bëjë të mundur që të mos ketë më luftëra?
16 Një gjë e tillë mund të duket e mahnitshme, duke pasur parasysh historinë e përgjakur të njerëzimit nga luftërat e vazhdueshme. Por, e gjithë kjo ka ndodhur sepse njerëzimi ka qenë nën sundimin e njerëzve dhe të demonëve. Ja çfarë do të ndodhë në botën e re, nën sundimin e Mbretërisë: «Ejani dhe admironi veprat e Zotit . . . Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat, dhe djeg qerret me zjarr.»—Psalmi 46:8, 9, Dio.
17, 18. Ç’marrëdhënie do të ekzistojë ndërmjet njerëzve dhe kafshëve në botën e re?
17 Gjithashtu, njerëzit dhe kafshët do të jenë në paqe, siç ishin në Eden. (Zanafilla 1:28; 2:19) Perëndia thotë: «Atë ditë do të bëj për ta një besëlidhje me kafshët e fushave, me shpendët e qiellit dhe me rrëshqanorët e tokës . . . do të bëj të prehen të qetë.»—Hozea 2:18, Dio.
18 Deri në ç’pikë do të arrijë kjo paqe? «Ujku do të banojë bashkë me qengjin dhe leopardi do të rrijë me kecin; viçi, luani i vogël dhe bagëtia e majmur do të rrinë bashkë dhe do të udhëhiqen nga një fëmijë.» Kurrë më kafshët nuk do të jenë një kërcënim për njeriun ose për kafshët e tjera. Madje «luani do të hajë kashtën porsi kau»!—Isaia 11:6-9; 65:25, Dio.
Toka e transformuar në një parajsë
19. Në çfarë do të transformohet toka?
19 Mbarë toka do të transformohet në një shtëpi parajsore për njerëzimin. Prandaj, Jezui i premtoi një burri që besoi tek ai: «Ti do të jesh me mua në parajsë.» Bibla thotë: «Shkretëtira dhe toka e thatë do të gëzohen dhe vendet e shkreta do të gëzohen dhe do të lulëzojnë si shafrani. . . . Sepse në shkretëtirë ujërat do të shpërthejnë dhe përrenjtë në vendet e shkreta.»—Luka 23:43, BR; Isaia 35:1, 6, BR.
20. Përse uria nuk do t’i shkaktojë më kurrë dhembje njerëzimit?
20 Nën Mbretërinë e Perëndisë, uria nuk do t’u shkaktojë më dhembje miliona njerëzve. «Do të ketë bollëk gruri në tokë; në majë të maleve do të ketë një vërshim.» «Druri i fushës do të japë frytin e tij dhe toka do të japë prodhimet e saj. Ato do të jenë të sigurta në tokën e tyre.»—Psalmi 72:16, BR; Ezekieli 34:27, Dio.
21. Çfarë do t’u ndodhë të pastrehëve, të varfërve dhe lagjeve të rrezikshme?
21 Nuk do të ketë më varfëri, njerëz të pastrehë, lagje të varfra ose fqinjësi ku vlojnë krimet. «Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të hanë frytin. Nuk do të ndërtojnë më që të banojë një tjetër, nuk do të mbjellin më që të hajë një tjetër.» «Do të ulet secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë më.»—Isaia 65:21, 22, Dio; Mikea 4:4, Dio.
22. Si i përshkruan Bibla bekimet e sundimit të Perëndisë?
22 Në parajsë njerëzit do të bekohen me të gjitha këto gjëra dhe akoma më shumë. Psalmi 145:16, thotë: «Ti [Perëndi] e hap dorën tënde dhe kënaq dëshirat e çdo gjëje të gjallë.» Nuk është për t’u habitur që profecia biblike deklaron: «Zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe. . . . Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.»—Psalmi 37:11, 29, Dio.
E kaluara është fshirë
23. Si do t’i fshijë Mbretëria e Perëndisë të gjitha vuajtjet që kemi përjetuar?
23 Qeveria e Mbretërisë së Perëndisë do të fshijë dëmet e bëra nga familja njerëzore gjatë gjashtë mijë viteve të kaluara. Atëherë gëzimi do të tejkalojë çdo vuajtje që kanë përjetuar njerëzit. Jeta nuk do të shqetësohet nga asnjë kujtim i keq i vuajtjeve të mëparshme. Mendimet dhe aktivitetet ndërtuese që do të jenë jeta e përditshme e njerëzve, do të fshijnë gradualisht kujtimet e dhimbshme.
24, 25. (a) Çfarë paratha Isaia se do të ndodhë? (b) Përse jemi të sigurt se kujtimet e vuajtjeve të kaluara do të fshihen?
24 Perëndia i kujdesshëm deklaron: «Po krijoj qiej të rinj [një qeveri të re qiellore mbi njerëzimin] dhe një tokë të re [një shoqëri njerëzore të drejtë]; dhe gjërat e kaluara nuk do të vijnë më ndër mend dhe as në zemër. Por ngazëllohuni, ju njerëz dhe gëzohuni përgjithmonë në atë që po krijoj.» «Mbarë toka ka pushuar dhe është liruar nga shqetësimet. Njerëzit janë bërë të gëzuar me britma gëzimi.»—Isaia 14:7; 65:17, 18, BR.
25 Kështu, me anë të Mbretërisë së tij, Perëndia do të përmbysë plotësisht situatën e ligë që ka zgjatur kaq shumë. Gjatë gjithë përjetësisë ai do të tregojë kujdesin e tij të madh, duke dhënë bekime që do të kalojnë çdo dëm që kemi pasur në të kaluarën. Shqetësimet e mëparshme që kemi përjetuar do të veniten në një kujtim të turbullt, edhe nëse do të donim t’i kujtonim.
26. Përse Perëndia do të na shpërblejë për çdo vuajtje të kaluar?
26 Kështu, Perëndia do të na e shpërblejë për vuajtjet që mund të kemi duruar në këtë botë. Ai e di se nuk ishte faji ynë që lindëm të papërsosur, pasi e trashëguam papërsosmërinë nga prindërit tanë të parë. Nuk ishte faji ynë që lindëm në një botë satanike, sepse nëse Adami dhe Eva do të kishin qenë besnikë, në vend të kësaj do të kishim lindur në një parajsë. Kështu, me mëshirë të madhe Perëndia do të bëjë më shumë se shpërblimi për të kaluarën e vështirë që ka krijuar dhimbje të mëdha tek ne.
27. Cilat profeci do të kenë plotësimin e tyre të mrekullueshëm në botën e re?
27 Në botën e re, njerëzimi do të përjetojë lirinë e parathënë tek Romakëve 8:21, 22: «Vetë krijesa do të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë. Sepse e dimë se deri tani mbarë bota e krijuar rënkon dhe është në mundim.» (Dio) Njerëzit atëherë do të shohin plotësimin e lutjes: «Ardhtë mbretëria jote. Le të bëhet vullneti yt si në qiell, ashtu edhe në tokë.» (Mateu 6:10, BR) Kushtet e mrekullueshme në tokën parajsore do të pasqyrojnë kushtet në qiell.
[Figurat në faqen 23]
Në botën e re, të moshuarit do të kthehen në energjitë e rinisë
[Figura në faqen 24]
Të gjitha sëmundjet dhe paaftësitë do të eliminohen në botën e re
[Figura në faqen 25]
Në botën e re, të vdekurit do të ringjallen në jetë
[Figura në faqen 26]
«Ata nuk do të mësojnë më luftë»
[Figurat në faqen 27]
Në parajsë, njerëzit dhe kafshët do të jenë në paqe të plotë
[Figura në faqen 27]
«Perëndia do të hapë dorën e tij dhe do të kënaqë dëshirat e çdo gjëje të gjallë»
[Figura në faqen 28]
Mbretëria e Perëndisë do të bëjë më shumë se shpërblimi për të gjitha vuajtjet që kemi përballuar