Pjesa 8
Të jetosh përgjithmonë në një tokë parajsore
1, 2. Si do të jetë jeta nën qeverisjen e Mbretërisë së Perëndisë?
1 Si do të jetë jeta kur Perëndia të eliminojë poshtërsitë dhe vuajtjet nga toka dhe ta vendosë botën e tij të re nën kontrollin e dashur të Mbretërisë së tij qiellore? Perëndia premton se «hap dorën e tij dhe kënaq dëshirat e çdo gjëje të gjallë».—Psalmi 145:16, BR.
2 Cilat janë dëshirat e tua të drejta? A nuk janë për një jetë të lumtur, për një punë që ia vlen, për bollëk material, mjedise të bukura, për paqe ndërmjet të gjithë njerëzve dhe për të qenë të lirë nga padrejtësitë, sëmundjet, vuajtjet dhe vdekja? Ç’mund të themi për të ardhmen e gëzueshme frymore? Të gjitha këto gjëra do të realizohen së shpejti nën qeverisjen e Mbretërisë së Perëndisë. Vërej se çfarë thonë profecitë biblike për bekimet e mrekullueshme që do të jenë në atë botë të re.
Njerëzimi në paqe të plotë
3-6. Çfarë sigurie kemi se njerëzit do të kenë paqe në botën e re?
3 «Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat, dhe djeg qerret [e luftës] me zjarr.»—Psalmi 46:9, Dio.
4 «Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.»—Isaia 2:4, Dio.
5 «Vetë të butët do të zotërojnë tokën dhe me të vërtetë do të provojnë shijen e këndshme të bollëkut të paqes.»—Psalmi 37:11, BR.
6 «Mbarë dheu pushon i qetë, njerëzit shpërthejnë në britma gëzimi.»—Isaia 14:7, Dio.
Njeriu dhe kafshët në paqe
7, 8. Çfarë paqeje do të ketë ndërmjet njerëzve dhe kafshëve?
7 «Ujku do të banojë bashkë me qengjin dhe leopardi do të rrijë me kecin; viçi, luani i vogël dhe bagëtia e majmur do të rrinë bashkë dhe do të udhëhiqen nga një fëmijë. Lopa do të kullosë bashkë me arushen, të vegjlit e tyre do të rrinë bashkë, dhe luani do të ushqehet me kashtë si kau. Foshnja e gjirit do të lozë mbi vrimën e gjarpërit dhe fëmija e zvjerdhur do të vërë dorën e tij në çerdhen e nëpërkës. Nuk do të bëhet asnjë e keqe, asnjë shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë, sepse vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin.»—Isaia 11:6-9, Dio.
8 «Atë ditë do të bëj për ta një besëlidhje me kafshët e fushave, me shpendët e qiellit dhe me rrëshqanorët e tokës. . . . do të bëj të prehen të qetë.»—Hozea 2:18, Dio.
Shëndet i përsosur dhe jetë e përhershme
9-14. Përshkruaj kushtet shëndetësore në botën e re.
9 «Atëherë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhëve; atëherë çalamani do të kërcejë si një dre dhe gjuha e memecit do të bërtasë nga gëzimi.»—Isaia 35:5, 6, Dio.
10 « [Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre, dhe vdekja nuk do të jetë më, as vaj, as britmë dhe as dhimbje nuk do të ketë më.»—Zbulesa 21:4, BR.
11 «Asnjë banor i përhershëm nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»—Isaia 33:24, BR.
12 «Atëherë mishi i tij do të bëhet më i freskët se kur ishte fëmijë dhe ai do të kthehet në ditët e rinisë së tij.»—Jobi 33:25, Dio.
13 «Dhurata që Perëndia jep është jeta e përhershme nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotërisë sonë.»—Romakëve 6:23, BR.
14 «Çdokush që do të ushtrojë besim në të . . . [do] të ketë jetën e përhershme.»—Gjoni 3:16, BR.
Të vdekurit të kthyer në jetë
15-17. Çfarë shprese ekziston për ata që tashmë janë të vdekur?
15 «Do të ketë një ringjallje si për të drejtët dhe për të padrejtët.»—Veprat 24:15, BR.
16 «Po vjen ora, kur të gjithë ata që gjenden në varret përkujtimore [në kujtesën e Perëndisë], do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin jashtë.»—Gjoni 5:28, 29, BR.
17 «Deti i dorëzoi të vdekurit që ishin në të dhe vdekja dhe Hadesi [varri] i dorëzuan të vdekurit që ishin në ta.»—Zbulesa 20:13, BR.
Toka një parajsë bollëku
18-22. Në çfarë do të transformohet mbarë toka?
18 «Dhe do t’ua bëj të bekuara vendet rreth kodrës sime; do të bëj të bjerë shiu në kohën e duhur dhe do të jenë shira bekimi. Druri i fushës do të japë frytin e tij dhe toka do të japë prodhimet e saj. Ato do të jenë të sigurta në tokën e tyre.»—Ezekieli 34:26, 27, Dio.
19 «Vetë toka do të japë sigurisht prodhimet e saj; Perëndia, Perëndia ynë do të na bekojë.»—Psalmi 67:6, BR.
20 «Shkretëtira dhe toka e thatë do të gëzohen dhe vendet e shkreta do të gëzohen dhe do të lulëzojnë si shafrani.»—Isaia 35:1, BR.
21 «Malet dhe kodrat do të shpërthejnë në britma gëzimi përpara jush dhe tërë drurët e fushave do të duartrokasin. Në vend të ferrave do të rritet selvia, në vend të hithrave do të rritet mersina.»—Isaia 55:12, 13, BR.
22 «Ti do të jesh me mua në parajsë.»—Luka 23:43, BR.
Shtëpi të bukura për të gjithë
23, 24. Çfarë sigurie kemi se do të ketë shtëpi të bukura dhe të mjaftueshme për të gjithë?
23 «Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to . . . Nuk do të ndërtojnë më që të banojë një tjetër, nuk do të mbjellin më që të hajë një tjetër; . . . dhe të zgjedhurit e mi do të gëzojnë për një kohë të gjatë veprën e duarve të tyre. Nuk do të lodhen më kot dhe nuk do të lindin fëmijë për të përballuar një shkatërrim të papritur.»—Isaia 65:21-23, Dio.
24 «Do të ulet secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë më.»—Mikea 4:4, Dio.
Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë
25. Çfarë perspektive të mrekullueshme kemi për të ardhmen?
25 Çfarë perspektive e mrekullueshme për të ardhmen! Jeta që tani mund të ketë një qëllim të vërtetë nëse mbahemi fort në shpresën e qëndrueshme se në botën e re të Perëndisë, të gjitha problemet e përditshme do të jenë gjëra të së kaluarës! «Gjërat e mëparshme nuk do të kujtohen dhe as nuk do të vijnë në zemër.» (Isaia 65:17, BR) Sa ngushëlluese është të dimë se atëherë jeta do të jetë e përjetshme: «[Perëndia] do të shkatërrojë vdekjen përgjithmonë.»—Isaia 25:8, BR.
26. Cili është sekreti për të jetuar përgjithmonë në botën e re të Perëndisë?
26 A dëshiron të jetosh në këtë botë të re parajsore tashmë kaq afër? Mund të pyesësh: «Çfarë duhet të bëj për të pasur favorin e Perëndisë në këtë fund të botës dhe për të jetuar në botën e tij të re?» Duhet të bësh atë që tregoi Jezui kur iu lut Perëndisë: «Kjo do të thotë jeta e përhershme, të fitojnë njohuri mbi ty, Perëndinë e vetëm të vërtetë dhe mbi atë që dërgove, Jezu Krishtin.»—Gjoni 17:3, BR.
27. Çfarë duhet të bësh për të marrë pjesë në qëllimin e Perëndisë?
27 Prandaj, merr Biblën dhe vërteto atë që ke lexuar në këtë broshurë. Kërko të tjerë që i studiojnë dhe i mësojnë këto të vërteta biblike. Çlirohu nga fetë hipokrite që mësojnë dhe bëjnë gjëra që janë në kundërshtim me Biblën. Mëso se si ti bashkë me miliona të tjerë që tashmë bëjnë vullnetin e Perëndisë, mund të marrësh pjesë në qëllimin e Perëndisë për të bërë që njerëzit të jetojnë përgjithmonë në një tokë parajsore. Merr për zemër atë që deklaron për të adhmen e afërt Fjala e frymëzuar e Perëndisë: «Bota kalon e po kështu edhe dëshirat e saj, por kush kryen vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë.»—1. Gjonit 2:17, BR.
[Figura në faqen 31]
Qëllimi i Perëndisë për të rivendosur një parajsë tokësore do të realizohet së shpejti