Të mësojmë nga familja e Jezuit në tokë
ÇFARË dini për pjesëtarët e familjes së Jezuit, për ata me të cilët jetoi 30 vitet e para të jetës së tij në tokë derisa u pagëzua? Çfarë na tregojnë tregimet e Ungjillit? Çfarë mund të mësojmë duke vëzhguar familjen e tij? Mund të nxirrni dobi duke lexuar përgjigjet e këtyre pyetjeve.
A lindi Jezui në një familje shumë të pasur? Jozefi, babai që e birësoi, punonte si zdrukthëtar. Kjo ishte një punë e rëndë, e cila shpesh përfshinte prerjen e pemëve për lëndë të parë. Kur prindërit e Jezuit shkuan në Jerusalem afro 40 ditë pas lindjes së tij, ofruan një flijim siç përshkruhej në Ligj. A ofruan një dash bashkë me një turtull ose pëllumb, siç përcaktohej në Ligj? Jo. Me sa duket, ata nuk kishin mundësi ekonomike për të ofruar flijime të tilla. Megjithatë Ligji përmbante një rregull për të varfërit. Në përputhje me këtë rregull, Jozefi dhe Maria ofruan «një çift turtujsh ose dy zogj pëllumbash». Kjo tregon se ishin një familje e varfër.—Luka 2:22-24; Levitiku 12:6, 8.
Siç e shihni, Jezu Krishti, Sundimtari i ardhshëm i gjithë njerëzimit, lindi mes të përulurve, mes atyre që u duhej të punonin shumë për të siguruar jetesën. Ai u rrit si zdrukthëtar, ashtu si babai i tij birësues. (Mateu 13:55; Marku 6:3) «Edhe pse [Jezui] ishte i pasur», si një krijesë e fuqishme frymore në qiell, Bibla thotë se ai «u bë i varfër» për hirin tonë. Mori një pozitë më të ulët, pra një njeri, dhe u rrit në një familje me njerëz të thjeshtë. (2 Korintasve 8:9; Filipianëve 2:5-9; Hebrenjve 2:9) Jezui nuk lindi në një familje të pasur, dhe kjo mund t’i ketë bërë disa njerëz të ndiheshin rehat me të. Ata nuk ngurronin t’i afroheshin për shkak të shtresës së tij shoqërore. Njerëzit e vlerësonin për mësimet, cilësitë e tij tërheqëse dhe për veprat e mrekullueshme që bënte. (Mateu 7:28, 29; 9:19-33; 11:28, 29) Perëndia Jehova tregoi mençuri duke bërë të mundur që Jezui të lindte në një familje të zakonshme.
Tani le të mendojmë pak për pjesëtarët e familjes së Jezuit dhe të shohim se çfarë mund të mësojmë prej tyre.
Jozefi: Një njeri i drejtë
Kur Jozefi zbuloi se e fejuara ishte shtatzënë «përpara se ata të bashkoheshin», mund të jetë trazuar. Nga njëra anë, ai e donte Marinë, por nga ana tjetër ndiente neveri për atë që në dukje mund të ishte imoralitet. E gjithë kjo situatë dukej se ishte një cenim i së drejtës së tij për të qenë burri i ardhshëm i Marisë. Në kohën e tij, një grua e fejuar ishte njësoj si të ishte e martuar. Pasi u mendua gjerë e gjatë vendosi të divorcohej prej saj fshehurazi, kështu që Marinë nuk do ta vritnin me gurë siç veprohej me një kurorëshkelëse.—Mateu 1:18; Ligji i Përtërirë 22:23, 24.
Pastaj Jozefit iu shfaq një engjëll në ëndërr dhe i tha: «Mos ki frikë ta marrësh në shtëpi Marinë, gruan tënde, sepse ç’është ngjizur në të, është prej frymës së shenjtë. Ajo do të lindë një bir dhe ti duhet t’ia vësh emrin Jezu, sepse ai do ta shpëtojë popullin e tij prej mëkateve të tyre.» Sapo mori këtë udhëzim nga Perëndia, Jozefi veproi në përputhje me të dhe e mori në shtëpi Marinë.—Mateu 1:20-24.
Duke marrë këtë vendim, ky njeri i drejtë dhe besnik u përfshi në përmbushjen e asaj që Jehovai kishte folur nëpërmjet profetit Isaia: «Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel.» (Isaia 7:14) Jozefi ishte sigurisht një njeri frymor që e çmoi privilegjin për t’u bërë babai birësues i Mesisë, megjithëse djali i parëlindur i Marisë nuk do të ishte i tij.
Jozefi ushtroi vetëkontroll dhe nuk pati marrëdhënie seksuale me Marinë derisa ajo lindi djalin e saj. (Mateu 1:25) Kjo mund të ketë qenë një sfidë për këtë çift të sapomartuar, por, me sa duket, ata nuk deshën të krijonin asnjë keqkuptim në lidhje me faktin se kush do të ishte Ati i foshnjës. Çfarë shembulli i shkëlqyer vetëkontrolli! Jozefi vuri vlerat frymore përpara dëshirave të tij të natyrshme.
Në katër raste engjëjt e drejtuan Jozefin për të rritur djalin që birësoi. Tri nga këto kishin të bënim me vendin ku do të rritej fëmija. Bindja e menjëhershme ishte jetëshpëtuese për Jezuin. Në të gjitha rastet, Jozefi veproi menjëherë, duke e marrë foshnjën në fillim në Egjipt dhe më pas përsëri në Izrael. Kështu Jezui i vogël i shpëtoi masakrës së Herodit për të vrarë foshnjat. Bindja e Jozefit solli si pasojë edhe përmbushjen e profecive në lidhje me Mesinë.—Mateu 2:13-23.
Jozefi i mësoi Jezuit një zanat në mënyrë që të mund të kujdesej për veten. Prandaj, Jezui u bë i njohur jo vetëm si «biri i zdrukthëtarit», por edhe si «zdrukthëtari». (Mateu 13:55; Marku 6:3) Apostulli Pavël shkroi se Jezui ‘u sprovua në çdo aspekt si ne’. Kjo natyrisht duhet të ketë përfshirë edhe punën e madhe për të mbështetur familjen.—Hebrenjve 4:15
Së fundi, shohim dëshmi të përkushtimit të Jozefit ndaj adhurimit të vërtetë herën e fundit kur ai përmendet në Shkrimet e Krishtere Greke. Jozefi mori familjen e tij për të shkuar në Jerusalem për të festuar Pashkën. Edhe pse kërkohej që të merrnin pjesë vetëm meshkujt, Jozefi e kishte zakon që të shkonte bashkë me familjen e tij «vit për vit». Ai bënte shumë sakrifica. Në të vërtetë u duhej të udhëtonin 100 kilometra nga Nazareti në Jerusalem. Në rastin që përmendet në Shkrime, Jezui u nda nga grupi. Atë e gjetën në tempull, tek dëgjonte dhe pyeste mësuesit e Ligjit. Ndonëse ishte vetëm 12 vjeç, Jezui shfaqi shumë mençuri dhe njohuri nga Fjala e Perëndisë. Nga ky rast kuptojmë që prindërit duhet ta kenë mësuar mirë Jezuin dhe duhet ta kenë rritur si një djalë me mendje frymore. (Luka 2:41-50) Me sa duket Jozefi vdiq jo shumë kohë pas këtij rasti, meqenëse nuk përmendet më vonë në Shkrime.
Pa dyshim, Jozefi ishte një njeri i drejtë që u kujdes shumë për familjen e tij si fizikisht, edhe frymësisht. Po ju, ashtu si Jozefi, a vendosni përpara çdo gjëje në jetë interesat frymore, kur dalloni se cili është vullneti i Perëndisë për njerëzit sot? (1 Timoteut 2:4, 5) A i bindeni me gatishmëri zërit të Perëndisë ashtu si shprehet në Fjalën e Tij, duke treguar kështu një nënshtrim si ai i Jozefit? A i mësoni fëmijët tuaj të bëjnë biseda frymore domethënëse me të tjerët?
Maria: Një shërbëtore altruiste e Perëndisë
Maria, nëna e Jezuit, ishte një shërbëtore e shkëlqyer e Perëndisë. Kur engjëlli Gabriel e njoftoi se do të lindte një fëmijë, ajo mbeti e habitur. Duke qenë se ishte virgjëreshë, nuk kishte pasur «marrëdhënie me një burrë». Kur mësoi se lindja do të bëhej me anë të frymës së shenjtë, ajo me përulësi e pranoi mesazhin duke thënë: «Ja, skllavja e Jehovait! Le të më ndodhë sipas deklaratës sate.» (Luka 1:30-38) E çmoi kaq shumë privilegjin, saqë ishte gati të duronte çdo lloj vështirësie që mund të shkaktonte vendimi i saj.
Vërtet, pranimi i këtij privilegji ndryshoi krejtësisht jetën e saj si grua. Kur shkoi në Jerusalem për t’u pastruar siç e kërkonte Ligji, një i moshuar plot nderim për Perëndinë, i quajtur Simeon, i tha: «Një shpatë e gjatë do të ta tejshpojë shpirtin.» (Luka 2:25-35) Me sa dukej ai e kishte fjalën se si do të ndihej Maria kur të shikonte Jezuin të hidhej poshtë nga shumë veta dhe më në fund ta gozhdonin në një shtyllë torture.
Ndërsa Jezui hidhte shtat, Maria ruante në mendje se çfarë i ndodhte Jezuit «duke nxjerrë përfundime në zemrën e saj». (Luka 2:19, 51) Ngjashëm Jozefit, ajo ishte një person frymor dhe i vlerësonte ngjarjet dhe thëniet që përmbushnin profecitë. Ajo që i tha engjëlli Gabriel duhet t’i jetë ngulitur në mendje: «Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Bir i Më të Lartit, dhe Perëndia Jehova do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij, dhe ai do të sundojë si mbret përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë fund.» (Luka 1:32, 33) Po, ajo e mori seriozisht privilegjin për të qenë nëna njerëzore e Mesisë.
Gjendja frymore e Marisë u bë përsëri e dukshme kur takoi Elizabetën, kushërirën e saj, e cila po ashtu kishte ngelur shtatzënë në mënyrë të mrekullueshme. Sa e pa, Maria lëvdoi Jehovain dhe zbuloi dashurinë e saj për Fjalën e Perëndisë. Ajo përmendi në mënyrë të tërthortë lutjen e Hanës të dokumentuar te 1 e Samuelit kapitulli 2 dhe përfshiu mendime nga libra të tjerë të Shkrimeve Hebraike. Një njohuri e tillë nga Shkrimet tregoi se ajo ishte e kualifikuar për të qenë një nënë e përkushtuar dhe me frikë Perëndie. Ajo do të bashkëpunonte me Jozefin për ta edukuar frymësisht djalin e saj.—Zanafilla 30:13; 1 Samueli 2:1-10; Malakia 3:12; Luka 1:46-55.
Maria kishte besim të fortë se djali i saj ishte Mesia dhe ky besim nuk iu venit as edhe pas vdekjes së Jezuit. Pak pas ringjalljes, ajo ishte mes dishepujve besnikë që u mblodhën për t’u lutur së bashku me apostujt. (Veprat 1:13, 14) Maria qëndroi besnike, ndonëse vuajti shumë duke parë djalin e saj të dashur të vdiste në një shtyllë torture.
Si mund të nxjerrim dobi duke mësuar për jetën e Marisë? A e pranoni privilegjin për t’i shërbyer Perëndisë pavarësisht nga sakrificat që përfshihen? A e keni kuptuar vërtet seriozitetin e këtij privilegji sot? A e mbani në mendje se çfarë paratha Jezui dhe këtë ta krahasoni me atë ç’ka po ndodh sot, ‘duke nxjerrë përfundime në zemrën tuaj’? (Mateu, kapitujt 24, 25; Marku, kapitulli 13; Luka, kapitulli 21) A e imitoni Marinë duke njohur mirë vargjet në Fjalën e Perëndisë dhe duke i përdorur ato shpesh në bisedat tuaja? A do ta mbani besimin te Jezui pavarësisht nga angështia mendore që mund të provoni për shkak se jeni ithtarë të tij?
Vëllezërit e Jezuit: Të ndryshosh është e mundur
Duket se vëllezërit e Jezuit nuk ushtruan besim te Jezui deri pas vdekjes së tij. Ka mundësi që kjo të jetë arsyeja se përse ata nuk ishin të pranishëm kur ai vdiq në shtyllën e torturës, prandaj Jezui ia besoi nënën apostullit Gjon. Pjesëtarët e familjes së Jezuit treguan se nuk e respektonin. Madje njëherë thanë se ai ‘kishte luajtur mendsh’. (Marku 3:21) Meqenëse pjesëtarë të familjes së Jezuit ishin jobesimtarë, sot ata që kanë jobesimtarë në shtëpi mund të jenë të sigurt që Jezui i kupton se si ndihen kur familjarët i tallin për besimin që kanë.
Megjithatë, pas ringjalljes së Jezuit, vëllezërit e tij filluan të ushtronin besim tek ai. Ata ishin në grupin që u mblodh në Jerusalem para festës së Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s. dhe u lutën me zjarr bashkë me apostujt. (Veprat 1:14) Pa dyshim ringjallja e gjysmëvëllait të tyre i nxiti të ndryshonin qëndrimin e zemrës deri në pikën që të bëheshin dishepujt e tij. Nuk duhet të humbim kurrë shpresën që pjesëtarët jobesimtarë të familjes sonë të ndryshojnë një ditë.
Jakovi, vëllai i Jezuit nga nëna, që Ai iu shfaq personalisht, sipas Shkrimeve luante një rol të rëndësishëm në kongregacionin e krishterë. Ai u shkroi të bashkëkrishterëve një letër të frymëzuar nga Perëndia, duke i këshilluar të ruanin besimin. (Veprat 15:6-29; 1 Korintasve 15:7; Galatasve 1:18, 19; 2:9; Jakovit 1:1) Juda, një vëlla tjetër i Jezuit shkroi një letër të frymëzuar për t’i inkurajuar bashkëbesimtarët të luftonin shumë për besimin. (Juda 1) Është për t’u vërejtur që si Jakovi, ashtu edhe Juda, për të bindur të bashkëkrishterët, në letrat e tyre nuk përmendën lidhjen e gjakut që kishin me Jezuin. Çfarë mësimi i shkëlqyer i shfaqjes së modestisë është ky për ne!
Mirë, pra, cilat janë gjërat që mësuam nga familja e Jezuit? Mësuam pa dyshim për përkushtimin të cilin mund ta shfaqim në mënyra të tilla si: (1) t’i nënshtrohemi me besim vullnetit të shprehur të Perëndisë dhe të përballojmë të gjitha sprovat që mund të hasim kur veprojmë kështu. (2) Të vendosim në vend të parë vlerat frymore, edhe nëse kjo nënkupton të bëjmë sakrifica. (3) T’i stërvitim fëmijët në përputhje me Shkrimet. (4) Të mos heqim dorë nga shpresa që një ditë pjesëtarët jobesimtarë të familjes të ndryshojnë. (5) Të mos mburremi për marrëdhëniet që mund të kemi me ndonjë anëtar të shquar në kongregacionin e krishterë. Vërtet, duke mësuar për familjen e Jezuit ndihemi më afër tij dhe na rritet më shumë mirënjohja për Jehovain i cili zgjodhi një familje të thjeshtë për t’u kujdesur për Jezuin gjatë fëmijërisë së tij.
[Figurat në faqet 4, 5]
Jozefi e mori Marinë për grua dhe u përfshi në përmbushjen e profecive mesianike
[Figurat në faqen 6]
Jozefi dhe Maria u mësuan fëmijëve vlerat frymore dhe rëndësinë e punës
[Figurat në faqen 7]
Ndonëse të rritur në një familje frymore, vëllezërit e Jezuit nuk besuan në të deri pas vdekjes së tij
[Figurat në faqen 8]
Jakovi dhe Juda, vëllezër të Jezuit nga nëna, u dhanë zemër të bashkëkrishterëve