Fundi i veprimeve të liga është i sigurt!
PERËNDIA na ka dhënë Fjalën e tij të frymëzuar, e cila shpjegon arsyet pse njerëzit bëjnë gjëra të këqija. Gjithashtu, ai na ka dhënë vullnetin e lirë dhe aftësinë për të ushtruar vetëkontroll, që kështu të zgjedhim të mos i bëjmë këto gjëra. (Ligji përtërirë 30:15, 16, 19) Të pajisur në këtë mënyrë, jemi në gjendje të dallojmë ndonjë prirje të keqe që mund të kemi dhe të ndërmarrim hapat e nevojshëm për ta rregulluar. Në fund, kur përmbahemi nga veprimet e këqija, kjo do të na sjellë lumturi neve dhe të tjerëve përreth.—Psalmi 1:1.
Sidoqoftë, edhe pse individualisht përpiqemi shumë që të mos bëjmë gjëra të këqija, bota vazhdon të jetë e mbushur me vepra të liga të cilat i kryejnë të tjerët. Bibla paralajmëron: «Dije se në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar.» Për të treguar se çfarë i bën «të vështira për t’u përballuar» këto ditë, ajo vazhdon të thotë: «Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur, kënaqësidashës në vend se perëndidashës, që duket sikur kanë një formë të përkushtimit hyjnor, por në jetën e tyre nuk ndikohen nga fuqia e tij. Nga këta largohu.»—2 Timoteut 3:1-5.
Ndoshta e vure re shprehjen «ditët e fundit» në thënien profetike të cituar më sipër. Çfarë do të thotë kjo për ty? Siç kuptohet gjerësisht, shprehja «ditët e fundit» tregon se po i vjen fundi diçkaje. Kujt po i vjen fundi? Ja çfarë premton Perëndia në Fjalën e tij.
Të ligjtë do të zhduken plotësisht.
«Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më. Do ta këqyrësh me kujdes vendin e tij, por ai nuk do të jetë më. Kurse zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»—PSALMI 37:10, 11.
«Jehovai i ruan të gjithë ata që e duan, kurse të ligjtë do t’i shfarosë të tërë.»—PSALMI 145:20.
Shtypje nuk do të ketë më.
«Ai do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë, si dhe të munduarin e këdo që nuk ka kush e ndihmon. Nga shtypja dhe dhuna, do t’ua shpengojë shpirtin.»—PSALMI 72:12, 14.
«Edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavëria e prishjes dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë.»—ROMAKËVE 8:21.
Nevojat materiale të njerëzve do të plotësohen.
«Kanë për t’u ulur secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë.»—MIKEA 4:4.
«Ata do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta e do të hanë frytin e tyre. Nuk do të ndërtojnë që të banojë një tjetër dhe nuk do të mbjellin që të hajë një tjetër. Ditët e popullit tim do të jenë si ditët e një peme dhe të zgjedhurit e mi do të nxjerrin dobi të plotë nga vepra e duarve të tyre.»—ISAIA 65:21, 22.
Drejtësia do të mbizotërojë.
«A nuk do t’u japë, pra, Perëndia të drejtën të zgjedhurve të vet, që i thërrasin ditë e natë për ndihmë . . . ? Unë po ju them se Ai do ta bëjë, madje edhe shpejt.»—LUKA 18:7, 8.
«Jehovai e do drejtësinë dhe nuk do t’i braktisë besnikët e vet. Ata do të jenë gjithmonë të mbrojtur.»—PSALMI 37:28.
«Banorët e vendit mësojnë drejtësinë.»—ISAIA 26:9.
«Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj e një tokë të re, dhe në ta do të banojë drejtësia.»—2 PJETRIT 3:13.
Njerëzit po ndryshojnë, që tani
S’ka pikë dyshimi se të gjithëve na ngrohet zemra nga premtime të tilla. Por, çfarë sigurie kemi se do të përmbushen? Faktikisht, që tani kemi dëshmi se premtimet e Perëndisë do të dalin të vërteta. Çfarë dëshmie? Sot miliona njerëz në mbarë botën ia kanë dalë mbanë të ç’rrënjosin egoizmin, imoralitetin ose tiparet e dhunshme të personalitetit, si dhe kanë mësuar të jenë individë të ndershëm, paqësorë e mirëdashës. Sot Dëshmitarët e Jehovait, mbi shtatë milionë, janë një vëllazëri ndërkombëtare që i kapërcen pengesat raciale, etnike, kombëtare, politike dhe ekonomike, të cilat kanë shkaktuar kaq shumë urrejtje, dhunë e gjakderdhje përgjatë gjithë historisë.a Fakti që sot po ndodhin ndryshime të tilla, është një bazë e fortë për të besuar se premtimet e Perëndisë do të përmbushen në një shkallë shumë më të madhe.
Gjithsesi, çfarë i sjell këto ndryshime? Përgjigjja gjendet në një premtim tjetër të Biblës, të dokumentuar nga profeti Isaia. Ai shkroi:
«Ujku do të rrijë hera-herës me qengjin; leopardi do të shtrihet me kecin. Viçi, luani i ri me krifë dhe kafsha e majme do të jenë të gjithë bashkë, dhe një djalë i vogël do t’u prijë. . . . Edhe luani do të hajë kashtë si kau. Foshnja e gjirit do të luajë mbi vrimën e kobrës dhe fëmija i zvjerdhur do ta vërë dorën te vrima e folesë së një gjarpri helmues. Në tërë malin tim të shenjtë askush nuk do të bëjë asnjë dëm dhe nuk do të prishë asgjë, sepse toka do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbushin detin.»—Isaia 11:6-9.
A parathotë kjo profeci thjesht një kohë kur të gjitha kafshët do të jetojnë në harmoni me njerëzit? Jo, ka diçka më tepër. Vër re se pjesa e fundit e vargjeve tregon çfarë e shkakton këtë transformim: «Toka do të mbushet me njohurinë e Jehovait.» A e ndryshon sjelljen e kafshëve njohuria e Perëndisë? Jo. Por ajo mund të ndryshojë njerëzit, dhe e bën vërtet! Kjo profeci parathotë se ata që mund të kenë prirje shtazarake do t’i ç’rrënjosin dhe do të zhvillojnë një personalitet ngjashëm Krishtit, ngaqë mësojnë dhe zbatojnë mësimet e Biblës.
Të marrim shembullin e Pedros.b Ai besonte se po luftonte për drejtësi kur u bashkua me një organizatë terroriste. Pasi u stërvit, u urdhërua që të hidhte në erë një kazermë policie. Ndërsa po përgatitej për këtë, u arrestua. Pedroja kaloi 18 muaj në burg, ku e vazhdoi veprimtarinë subversive. Ndërkohë gruaja e Pedros filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Pasi Pedroja u lirua, edhe ai filloi të studionte Biblën. Ajo që mësoi për Perëndinë Jehova e shtyu të bënte ndryshime të mëdha në qëndrim dhe në pikëpamjen që kishte për jetën. «Falënderoj Jehovain që nuk kam vrarë asnjë njeri gjatë viteve që isha terrorist. Tani përdor shpatën e frymës së Perëndisë, Biblën, për t’u dhënë njerëzve një mesazh paqeje dhe drejtësie të vërtetë: lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë»,—thotë Pedroja. Madje, edhe kazermat që pati planifikuar t’i shkatërronte, i ka vizituar që t’u japë mesazhin për paqen e për një botë pa dhunë.
Ndikimi i fuqishëm që ka Fjala e Perëndisë te njerëzit na jep më shumë arsye për të besuar në premtimin e Perëndisë se fundi i të gjitha veprimeve të liga është i sigurt. Po, njerëzit nuk do të bëjnë përgjithmonë gjëra të këqija, por do të ndryshojnë për mirë. Së shpejti, Jehovai do të shkatërrojë nismëtarin e veprave të liga, Satana Djallin, i cili qëndron prapa skenës dhe, si të thuash, manovron çështjet në botë. Bibla thotë: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (1 Gjonit 5:19) Por së shpejti i ligu nuk do të jetë më. Gjithashtu nuk do të jenë më edhe ata që me kokëfortësi refuzojnë të braktisin rrugët e këqija. Sa jetë të mrekullueshme do të bëjmë në një kohë të tillë të bekuar!
Çfarë duhet të bëjë dikush për ta pasur të sigurt një të ardhme të tillë? Sill ndër mend se është ‘njohuria e Jehovait’ ajo që po i ndryshon njerëzit sot dhe që do të ndryshojë gjithë botën në të ardhmen e afërt. Duke marrë njohuri të saktë për Biblën dhe duke e zbatuar atë, siç bëri Pedroja, edhe ti mund ta presësh me padurim jetën në një botë ku «do të banojë drejtësia». (2 Pjetrit 3:13) Prandaj të nxitim ta shfrytëzosh mundësinë, sa ka ende kohë, të marrësh njohuri për Perëndinë dhe Jezu Krishtin, sepse kështu mund të marrësh jetën e përhershme.—Gjoni 17:3.
[Shënimet]
a Për më shumë informacion, shih broshurën Dëshmitarët e Jehovait—Kush janë? Çfarë besojnë?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
b Emri është ndryshuar.
[Diçitura në faqen 9]
Edhe ti mund ta presësh me padurim jetën në një botë ku «do të banojë drejtësia».—2 PJETRIT 3:13