Të shërbejmë së bashku me rojën
«Mbi kullën e rojës, o Jehova, po qëndroj vazhdimisht gjatë ditës dhe në vendrojën time jam vendosur çdo natë.»—ISAIA 21:8, BR.
1. Për cilat premtime madhështore është vetë dëshmitar Jehovai?
JEHOVAI është Qëllimtari i Madh. Engjëlli rebel që u bë Satana Djalli nuk mund të bëjë asgjë për të prishur qëllimin madhështor që ka Perëndia: të shenjtërojë emrin e Tij dhe të vendosë një qeverisje të lavdishme të Mbretërisë mbi një tokë parajsore. (Mateu 6:9, 10) Nën atë qeverisje, njerëzimi do të jetë vërtet i bekuar. Perëndia «do të shkatërrojë përgjithnjë vdekjen, Zoti, Zoti do t’i thajë lotët nga çdo fytyrë». Njerëz të lumtur e të bashkuar do të gëzojnë paqe dhe begati për gjithë përjetësinë. (Isaia 25:8; 65:17-25) Jehovai është dëshmitar i vetvetes për këto premtime madhështore.
2. Cilët dëshmitarë njerëzorë ka nxjerrë Jehovai?
2 Megjithatë, Krijuesi i Madh ka edhe dëshmitarë njerëzorë. Në kohët para krishterimit «një re dëshmitarësh» që filloi me Abelin, vrapuan në garën e qëndrueshmërisë, shpesh përballë rrethanave fare të pafavorshme. Shembulli i tyre i shkëlqyer i inkurajon të krishterët besnikë sot. Krishti Jezu është shembulli më i lartë i një dëshmitari të guximshëm. (Hebrenjve 11:1–12:2) Kujto, për shembull, dëshminë e fundit që dha ai para Ponc Pilatit. Jezui deklaroi: «Për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë, që të dëshmoj për të vërtetën.» (Gjoni 18:37) Që nga viti 33 i e.s. e deri në këtë vit—2000 të e.s.,—të krishterë të zellshëm kanë ndjekur shembullin e Jezuit dhe kanë vazhduar të dëshmojnë, duke shpallur me guxim «gjërat e mëdha të Perëndisë».—Veprat 2:11.
Sektarizmi babilonas
3. Si i është kundërvënë Satanai dëshmisë së dhënë për Jehovain dhe për vullnetin e tij?
3 Përgjatë mijëvjeçarëve Kundërshtari i madh, Satana Djalli, është përpjekur me ligësi të diskreditojë dëshminë e dëshmitarëve të Perëndisë. Duke qenë «ati i rrenës», ky ‘dragua i madh, gjarpri i lashtë’ ka ‘mashtruar gjithë dheun’. Ai ka qenë i pamëshirshëm në luftën kundër atyre që «ruajnë urdhërimet e Perëndisë», sidomos në këto ditë të fundit.—Gjoni 8:44; Zbulesa 12:9, 17.
4. Cila është origjina e Babilonisë së Madhe?
4 Rreth 4.000 vjet më parë, pas Përmbytjes së ditëve të Noes, Satanai nxori Nimrodin, «një gjahtar i fuqishëm në kundërshtim të Jehovait». (Zanafilla 10:9, 10, BR) Qyteti më i madh i Nimrodit, Babilonia (Babeli), u bë një qendër e fesë demonike. Kur Jehovai u ngatërroi gjuhën ndërtuesve të kullës së Babelit, njerëzit u shpërndanë përreth tokës, duke marrë me vete fenë e tyre të rreme. Kështu, Babilonia u bë burimi i një perandorie mbarëbotërore të fesë së rreme, që në librin e Zbulesës quhet Babilonia e Madhe. Ky libër parathotë gjykimin e këtij sistemi të lashtë fetar.—Zbulesa 17:5; 18:21.
Një komb dëshmitarësh
5. Cilin komb organizoi Jehovai për të qenë dëshmitari i tij, por përse ai lejoi që ky komb të shkonte në mërgim?
5 Rreth 500 vjet pas kohës së Nimrodit, Jehovai i organizoi pasardhësit e Abrahamit besimplotë në kombin e Izraelit, që të shërbenin si dëshmitar i Tij në tokë. (Isaia 43:10, 12) Shumë individë të atij kombi i shërbyen me besnikëri Jehovait. Por, përgjatë shekujve besimet e rreme të kombeve fqinje e korruptuan Izraelin dhe populli i besëlidhjes i Jehovait i ktheu shpinën atij, duke adhuruar perënditë e rreme. Prandaj, në vitin 607 p.e.s. ushtria e Babilonisë, e udhëhequr nga mbreti Nabukodonosor, shkatërroi Jerusalemin dhe tempullin e tij, kurse shumicën e hebrenjve i çoi në mërgim në Babiloni.
6. Cilin lajm të mirë shpalli roja profetike e Jehovait dhe kur u përmbush ai?
6 Çfarë triumfi qe ky për fenë e rreme! Megjithatë, epërsia e Babilonisë e pati jetën të shkurtër. Rreth 200 vjet para kësaj ngjarjeje, Jehovai kishte urdhëruar: «Shko, vër një rojë që të njoftojë atë që shikon.» Çfarë lajmi duhej të njoftonte ky rojë? «Ra, ra Babilonia! Të gjitha shëmbëlltyrat e gdhendura të perëndive të saj janë përtokë të copëtuara.» (Isaia 21:6, 9) Në vitin 539 p.e.s. kjo deklaratë profetike u vërtetua pikërisht ashtu siç ishte parathënë. Babilonia e fuqishme ra dhe shpejt populli i besëlidhjes së Perëndisë ishte në gjendje të kthehej në atdheun e vet.
7. (a) Çfarë mësuan hebrenjtë nga disiplinimi që u bëri Jehovai? (b) Në cilat kurthe ranë hebrenjtë e periudhës pas mërgimit dhe cili qe rezultati?
7 Hebrenjtë që u kthyen kishin nxjerrë mësim që të braktisnin idhujtarinë dhe fenë spiritiste. Megjithatë, me kalimin e viteve ata ranë në kurthe të tjera. Disa u zunë në grackën e filozofisë greke. Të tjerë filluan të theksonin traditën njerëzore më shumë se Fjalën e Perëndisë. Të tjerë akoma u joshën nga nacionalizmi. (Marku 7:13; Veprat 5:37) Në kohën kur lindi Jezui, kombi ishte larguar përsëri nga adhurimi i pastër. Edhe pse disa hebrenj iu përgjigjën lajmit të mirë të shpallur nga Jezui, kombi si i tërë e hodhi poshtë atë dhe për këtë arsye Perëndia e hodhi poshtë këtë komb. (Gjoni 1:9-12; Veprat 2:36) Izraeli nuk ishte më dëshmitari i Perëndisë dhe në vitin 70 të e.s. Jerusalemin dhe tempullin e tij i shkretuan përsëri, kësaj radhe ushtria romake.—Mateu 21:43.
8. Cili u bë dëshmitari i Jehovait dhe përse paralajmërimi që i dha Pavli këtij dëshmitari ishte tamam në kohën e duhur?
8 Ndërkohë, kishte lindur një «Izrael i Perëndisë» i krishterë dhe tani ky shërbente si dëshmitar i Perëndisë te kombet. (Galatasve 6:16) Shumë shpejt, Satanai thuri plane për ta korruptuar këtë komb të ri frymor. Aty nga fundi i shekullit të parë, nëpër kongregacione u panë ndikime sektare. (Zbulesa 2:6, 14, 20) Paralajmërimi i Pavlit erdhi në kohën e duhur: «Tregoni kujdes se mos ndokush ju bën prenë e tij me anë të filozofisë dhe me mashtrime të kota, sipas traditës së njerëzve, sipas elementeve [gjërave elementare, BR] të botës dhe jo sipas Krishtit.»—Kolosianëve 2:8.
9. Pikërisht siç kishte parathënë Pavli, cilat zhvillime çuan në lindjen e të ashtuquajturit krishterim?
9 Me kalimin e kohës filozofia greke, idetë fetare babilonase e më vonë «mençuria» njerëzore, siç ishte teoria e evolucionit dhe kritika letrare e Biblës, e ndotën fenë e shumë vetave që pohonin se ishin të krishterë. Ishte pikërisht siç kishte parathënë Pavli: «E di se pas largimit tim do të hyjnë midis jush ujqër grabitqarë, që nuk do ta kursejnë tufën, edhe vetë midis jush do të dalin njerëz që do të flasin gjëra të çoroditura që të tërheqin pas vetes dishepujt.» (Veprat 20:29, 30) Si pasojë e kësaj apostazie, lindi i ashtuquajturi krishterim.
10. Cilat zhvillime e bënë të dukshme se jo të gjithë ishin dhënë pas adhurimit të korruptuar të praktikuar në të ashtuquajturin krishterim?
10 Atyre që i ishin dedikuar vërtet adhurimit të pastër iu desh të ‘luftonin për besimin që u qe transmetuar shenjtorëve njëherë e përgjithmonë’. (Judës 3) A do të zhdukej nga toka dëshmia për adhurimin e pastër dhe për Jehovain? Jo. Me afrimin e kohës së shkatërrimit të rebelit Satana dhe të të gjitha veprave të tij, u bë e dukshme se jo të gjithë ishin dhënë pas adhurimit apostat që praktikohej në të ashtuquajturin krishterim. Në pjesën e fundit të shekullit të 19-të, në Pitsburg, Pensilvani, SHBA, një grup studentësh të sinqertë të Biblës u organizuan dhe u bënë bërthama e klasës së dëshmitarit të Perëndisë në kohët moderne. Këta të krishterë e drejtuan vëmendjen nga dëshmitë biblike se përfundimi i sistemit të tanishëm botëror ishte afër. Në vërtetim të profecive biblike, «mbarimi» i kësaj bote filloi në vitin 1914 dhe u shënua nga shpërthimi i Luftës I Botërore. (Mateu 24:3, 7) Ekzistojnë dëshmi të forta se që nga ai vit Satanai dhe hordhitë e tij demonike u dëbuan nga qielli. Shekulli i 20-të, i mbushur me trazira, ka siguruar prova të qarta të aktivitetit të Satanait dhe të një përmbushjeje domethënëse të shenjës së pranisë mbretërore të Jezuit në pushtetin e Mbretërisë qiellore.—Mateu, kapitujt 24 dhe 25; Marku, kapitulli 13; Luka, kapitulli 21; Zbulesa 12:10, 12.
11. Çfarë u përpoq të bënte Satanai, por si dështuan përpjekjet e tij?
11 Në qershor të vitit 1918, Satanai u përpoq me tërbim t’i zhdukte ata studentë të Biblës, të cilët në atë kohë po predikonin në disa vende. Ai u përpoq, gjithashtu, të shkatërronte korporatën e tyre ligjore, Watch Tower Bible and Tract Society. Zyrtarët përgjegjës të Shoqatës u burgosën nën akuzën e rreme për kryengritje, siç ishte akuzuar Jezui në shekullin e parë. (Luka 23:2) Por në vitin 1919, këta zyrtarë u liruan, gjë që u dha mundësinë të vazhdonin shërbimin. Më vonë, ata u shpallën plotësisht të pafajshëm.
Një «vrojtues» vigjilent
12. Kush e përbën sot klasën e rojës ose të ‘vrojtuesit’ të Jehovait dhe çfarë qëndrimi kanë pasur ata?
12 Pra, kur filloi ‘koha e mbarimit’, Jehovai kishte përsëri një rojë në vendngjarje, duke i vënë në dijeni njerëzit për ngjarjet që kishin të bënin me përmbushjen e qëllimeve të Tij. (Danieli 12:4; 2. Timoteut 3:1) Deri më sot, kjo klasë e rojës—të krishterët e mirosur, Izraeli i Perëndisë,—po vepron në harmoni me përshkrimin e Isaisë për rojën profetike: «Ai tregoi vëmendje të veçantë, me shumë vëmendje. Dhe vazhdoi të thërriste si një luan: ‘Mbi kullën e rojës, o Jehova, po qëndroj vazhdimisht gjatë ditës dhe në vendrojën time jam vendosur çdo natë.’» (Isaia 21:7, 8, BR) Ky është një rojë që e merr seriozisht detyrën e tij.
13. (a) Çfarë mesazhi ka shpallur roja e Jehovait? (b) Në ç’kuptim mund të thuhet që Babilonia e Madhe ka rënë?
13 Çfarë pa ky rojë? Edhe një herë, roja e Jehovait, klasa e dëshmitarit të tij, njoftoi: «Ra, ra Babilonia! Të gjitha shëmbëlltyrat e gdhendura të perëndive të saj janë përtokë të copëtuara [nga Jehovai].» (Isaia 21:9) Kësaj radhe, pas Luftës I Botërore, ishte Babilonia e Madhe, perandoria botërore e fesë së rreme, ajo që u përmbys nga pozita e saj e lartë e autoritetit. (Jeremia 50:1-3; Zbulesa 14:8) S’është aspak çudi! Lufta e Madhe, siç u quajt atëherë, filloi në të ashtuquajturin krishterim, ku kleri i secilës palë luftuese i frynte zjarrit të konfliktit duke nxitur me predikimin e vet ajkën e rinisë për të shkuar në luftë. Çfarë turpi! Në vitin 1919, Babilonia e Madhe nuk mundi t’i pengonte Studentët e Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait, që të iknin nga gjendja joaktive dhe të fillonin një fushatë mbarëbotërore dëshmie që vazhdon ende. (Mateu 24:14) Kjo shënoi një rënie për Babiloninë e Madhe, ashtu siç shënoi rënie për Babiloninë e lashtë çlirimi i Izraelit në shekullin e gjashtë p.e.s.
14. Cilën revistë ka përdorur në mënyrë të dukshme klasa e rojës e Jehovait dhe si e ka bekuar ai përdorimin e kësaj reviste?
14 Klasa e rojës e ka kryer gjithnjë detyrën e saj me zell dhe me një dëshirë të fortë për të bërë atë që është e drejtë. Në korrik të vitit 1879, Studentët e Biblës filluan të botonin këtë revistë, që atëherë njihej si Kulla e Rojës e Sionit dhe Shpallësja e Pranisë së Krishtit. Çdo numër i saj, nga viti 1879 deri më 15 dhjetor 1938, kishte në kapakun e parë fjalët: «‘Rojë, në ç’pikë ka arritur nata?’—Isaia 21:11.»a Për 120 vjet me radhë, Kulla e Rojës ka vrojtuar me besueshmëri ngjarjet botërore dhe kuptimin e tyre profetik. (2. Timoteut 3:1-5, 13) Klasa e rojës e Perëndisë dhe shokët e saj, «delet e tjera», e kanë përdorur këtë revistë për t’i shpallur me zell njerëzimit se po afrohet shfajësimi i sovranitetit të Jehovait me anë të Mbretërisë së Krishtit. (Gjoni 10:16) A e ka bekuar Jehovai këtë mjet dëshmie? Po ja, që nga numri i parë me 6.000 kopje në vitin 1879, Kulla e Rojës ka arritur një qarkullim mbarëbotëror prej më shumë se 22.000.000 kopjesh në 132 gjuhë dhe në 121 nga këto gjuhë ajo botohet njëkohësisht. Sa e përshtatshme është që revista fetare më e shpërndarë në tokë të jetë ajo që lartëson emrin e Perëndisë të vërtetë, Jehovait!
Një pastrim progresiv
15. Çfarë pastrimi progresiv kishte filluar edhe përpara vitit 1914?
15 Për pothuajse 40 vjet derisa filloi sundimi qiellor i Krishtit në vitin 1914, Studentët e Biblës ishin çliruar nga shumë doktrina jobiblike të të ashtuquajturit krishterim, si për shembull: pagëzimi i foshnjave, pavdekësia e shpirtit të njeriut, purgatori, torturimi në zjarrin e ferrit dhe një Perëndi Trinitet. Por u desh edhe ca kohë për të hequr qafe të gjitha idetë e gabuara. Për shembull, në vitet 20, shumë Studentë të Biblës mbanin stema në formë karfice me një kryq e një kurorë dhe festonin Krishtlindjet, si edhe festat e tjera pagane. Megjithatë, që adhurimi të jetë i pastër, duhet të hiqen të gjitha gjurmët e idhujtarisë. E vetmja bazë për besimin e krishterë dhe për mënyrën e krishterë të jetesës duhet të jetë Fjala e Perëndisë, Bibla e Shenjtë. (Isaia 8:19, 20; Romakëve 15:4) Është e gabuar t’i shtosh Fjalës së Perëndisë diçka, ose të heqësh ndonjë gjë prej saj.—Ligji i përtërirë 4:2; Zbulesa 22:18, 19.
16, 17. (a) Cilën ide të rreme kishte adoptuar për disa dekada klasa e rojës? (b) Cili është shpjegimi i saktë i «altarit» dhe i «shtyllës» në «Egjipt»?
16 Një shembull do të na ilustrojë se sa i rëndësishëm është ky parim. Në vitin 1886, kur C. T. Russell botoi librin që u quajt Plani hyjnor i epokave, ky vëllim përmbante një diagram që bënte lidhjen mes epokave të njerëzimit dhe Piramidës së Madhe të Egjiptit. Mendohej se kjo përmendore e faraonit Keops ishte shtylla për të cilën bënte fjalë Isaia 19:19, 20: «Atë ditë do të ketë në mes të vendit të Egjiptit një altar kushtuar Zotit dhe një shtyllë të ngritur për Zotin pranë kufirit të tij. Do të jetë një shenjë dhe një dëshmi për Zotin e ushtrive në vendin e Egjiptit.» Çfarë lidhjeje mund të kishte piramida me Biblën? Po ja, për shembull, mendohej se gjatësia e disa korridoreve të Piramidës së Madhe tregonte kohën se kur do të fillonte «mjerimi i madh» i Mateut 24:21, siç kuptohej atëherë. Disa Studentë të Biblës u angazhuan për të matur përmasat e ndryshme të piramidës, ngaqë donin të përcaktonin për shembull, ditën kur do të shkonin në qiell.
17 Kjo e ashtuquajtur Bibël prej Guri u vlerësua shumë për disa dekada, derisa numrat e 15 nëntorit dhe 1 dhjetorit 1928, të Kullës së Rojës e bënë të qartë se Jehovai nuk kishte nevojë për një monument guri të ndërtuar nga faraonët paganë dhe që mbante shenja demonike astrologjie, për të konfirmuar dëshminë e dhënë në Bibël. Në vend të kësaj, u kuptua se profecia e Isaisë kishte një zbatim nga ana frymore. Ashtu si te Zbulesa 11:8, «Egjipti» simbolizon botën e Satanait. ‘Altari kushtuar Zotit’ na kujton flijimet e pranueshme të bëra nga të krishterët e mirosur ndërsa janë banorë të përkohshëm në këtë botë. (Romakëve 12:1; Hebrenjve 13:15, 16) Shtylla «pranë kufirit të [Egjiptit]» tregon kongregacionin e të krishterëve të mirosur, i cili është «shtylla dhe mbështetja e së vërtetës» e që qëndron si dëshmitar në «Egjipt», në botën të cilën janë duke e lënë.—1. Timoteut 3:15.
18. (a) Si ka vazhduar t’i qartësojë Jehovai gjërat për studentët e sinqertë të Biblës? (b) Nëse një i krishterë e ka të vështirë të kuptojë një qartësim biblik, cili është qëndrimi i mençur që duhet të ketë?
18 Me kalimin e viteve, Jehovai vazhdon të na japë qartësim të mëtejshëm të së vërtetës, duke përfshirë një kuptueshmëri më të qartë për fjalën e tij profetike. (Fjalët e urta [Proverbat] 4:18) Vitet e fundit, jemi inkurajuar t’i rishikojmë edhe një herë me kuptueshmëri më të thellë disa gjëra. Mes të tjerash ishin: brezi që nuk do të kalojë para se të vijë fundi, shëmbëlltyra e deleve dhe e cjepve, gjëja e neveritshme dhe koha kur ajo do të qëndrojë në një vend të shenjtë, besëlidhja e re, shpërfytyrimi dhe vizioni i tempullit i librit të Ezekielit. Në ndonjë rast mund ta kemi të vështirë t’i kuptojmë këto shpjegime të përditësuara, por arsyet se përse bëhen ato qartësohen në kohën e duhur. Nëse një i krishterë nuk e kupton plotësisht shpjegimin e ri të një shkrimi, ai bën mirë të përsëritë me përulësi fjalët e profetit Mikea: «Do të tregoj një qëndrim pritës për Perëndinë e shpëtimit tim.»—Mikea 7:7, BR.
19. Si kanë treguar guxim ngjashëm luanit mbetja e mirosur dhe shokët e tyre, delet e tjera, në këto ditë të fundit?
19 Sill ndër mend se roja «vazhdoi të thërriste si një luan: ‘Mbi kullën e rojës, o Jehova, po qëndroj vazhdimisht gjatë ditës dhe në vendrojën time jam vendosur çdo natë’». (Isaia 21:8, BR) Mbetja e mirosur ka treguar një guxim ngjashëm luanit, duke demaskuar fenë e rreme dhe duke u treguar njerëzve udhën drejt lirisë. (Zbulesa 18:2-5) Në rolin e ‘skllavit të besueshëm e të matur’, kjo mbetje ka siguruar Bibla, revista dhe botime të tjera në një shumicë gjuhësh, një «ushqim në kohën e duhur». (Mateu 24:45, BR) Ata kanë marrë drejtimin për të mbledhur ‘shumicën e madhe . . . nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët’. Edhe këta janë pastruar nga gjaku shpërblyes i Jezuit dhe e tregojnë veten me zemër luani, duke i bërë Perëndisë «shërbim të shenjtë ditë e natë». (Zbulesa 7:9, 14, 15, BR) Çfarë frytesh kanë korrur vitin e kaluar grupi i vogël i mbetjes së Dëshmitarëve të mirosur të Jehovait dhe shokët e tyre, shumica e madhe? Artikulli vijues do të na e thotë.
[Shënimi]
a Duke filluar me 1 janarin 1939, këto fjalë u ndryshuan në: «‘Ata duhet ta njohin se unë jam Jehovai.’—Ezekieli 35:15, BR.»
A të kujtohet?
• Cilët dëshmitarë ka nxjerrë Jehovai përgjatë viteve?
• Cila ishte origjina e Babilonisë së Madhe?
• Përse Jehovai lejoi që Jerusalemi, kryeqyteti i kombit të dëshmitarëve të tij, të shkatërrohej në vitin 607 p.e.s.? Në vitin 70 të e.s.?
• Çfarë fryme kanë treguar klasa e rojës e Jehovait dhe shokët e tyre?
[Figura në faqen 7]
«Mbi kullën e rojës, o Jehova, po qëndroj vazhdimisht»
[Figurat në faqen 10]
Klasa e rojës e Jehovait e merr seriozisht detyrën e vet