ARTIKULLI I STUDIMIT 1
«Mos ji në ankth, se unë jam Perëndia yt»
«Mos ki frikë, se unë jam me ty. Mos ji në ankth, se unë jam Perëndia yt. Unë do të të jap forcë e do të të ndihmoj.»—ISA. 41:10, NWT, botimi 2013.
KËNGA 7 Jehovai, forca jonë
PËRMBLEDHJEa
1-2. (a) Si ndikoi te motra Joshiko mesazhi që përmban Isaia 41:10? (b) Për dobinë e kujt e ruajti të shkruar Jehovai këtë mesazh?
NJË e krishterë besnike, Joshikoja, mori një lajm të keq. Mjekja i tha se i mbeteshin vetëm pak muaj jetë. Si reagoi ajo? Joshikos i erdhi në mendje një varg i preferuar nga Bibla, Isaia 41:10. (Lexoje.) Pastaj me qetësi i tha mjekes se nuk kishte frikë, sepse Jehovai e kishte kapur fort nga dora.b Mesazhi ngushëllues që përmban ky varg e ndihmoi motrën tonë të dashur të kishte besim absolut te Jehovai. I njëjti varg mund të na ndihmojë edhe ne të qëndrojmë të qetë përballë sprovave të rënda. Për të kuptuar si mund të na e japë këtë ndjenjë paqeje, le të shqyrtojmë në fillim për ç’arsye ia dha Perëndia Isaisë këtë mesazh.
2 Në fillim, Jehovai bëri që Isaia t’i hidhte me shkrim këto fjalë për të ngushëlluar judenjtë që kohë më vonë do të çoheshin në mërgim në Babiloni. Gjithsesi, Jehovai e ruajti atë mesazh jo vetëm për dobinë e mërgimtarëve judenj, por edhe për gjithë shërbëtorët e tij që nga ajo kohë e deri më sot. (Isa. 40:8; Rom. 15:4) Tani jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar» dhe kemi nevojë më shumë se kurrë për inkurajimin që gjendet në librin e Isaisë.—2 Tim. 3:1.
3. (a) Cilat premtime përmban Isaia 41:10, shkrimi i zgjedhur për vitin 2019? (b) Pse kemi nevojë për garancitë që na japin këto premtime?
3 Në këtë artikull do të përqendrohemi te tri premtime besimforcuese të Jehovait të dokumentuara tek Isaia 41:10: (1) Jehovai do të jetë me ne, (2) ai është Perëndia ynë dhe (3) ai do të na ndihmojë. Kemi nevojë për këto garancic sepse, ashtu si Joshikoja, hasim sprova në jetë. Gjithashtu duhet të përballojmë presionet që shkaktojnë kushtet botërore. Disa nga ne madje po durojnë përndjekje nga qeveri të fuqishme. Le t’i shqyrtojmë një nga një këto tri garanci.
«UNË JAM ME TY»
4. (a) Cila është garancia e parë që do të shqyrtojmë? (Shih edhe shënimin.) (b) Si e shpreh Jehovai atë që ndien për ne? (c) Si të bëjnë të ndihesh fjalët e Perëndisë?
4 Në fillim Jehovai na siguron me këto fjalë: «Mos ki frikë, se unë jam me ty.»d Ai na tregon se është me ne duke na kushtuar vëmendje të plotë dhe duke na shprehur përzemërsi të ngrohtë. Shiko si i shpreh Jehovai ndjenjat e buta e të thella që ka për ne: «Në sytë e mi ke qenë i çmuar e i nderuar dhe unë të kam dashur.» (Isa. 43:4) Nuk ka forcë në univers që ta bëjë Jehovain të mos i dojë më ata që i shërbejnë; besnikëria e tij ndaj nesh është e palëkundur. (Isa. 54:10) Dashuria dhe miqësia e tij na mbushin me kurajë. Ai do të na mbrojë sot, ashtu siç mbrojti mikun e tij Abramin (Abrahamin). Jehovai i tha: «Mos ki frikë, Abram. Unë jam mburojë për ty.»—Zan. 15:1.
5-6. (a) Nga e dimë se Jehovai dëshiron shumë të na ndihmojë të përballojmë sprovat personale? (b) Çfarë mësimi mund të nxjerrim nga shembulli i Joshikos?
5 E dimë se Jehovai dëshiron shumë të na ndihmojë në sprovat që kalojmë personalisht, sepse Ai i premton popullit të tij: «Edhe sikur të kalosh përmes ujërave, unë do të jem me ty. Edhe sikur të kalosh përmes lumenjve, ata nuk do të të rrëmbejnë. Edhe sikur të ecësh përmes zjarrit, nuk do të zhuritesh dhe flaka nuk do të të përcëllojë.» (Isa. 43:2) Ç’kuptim kanë këto fjalë?
6 Jehovai nuk premton të na i heqë sfidat që na e bëjnë të vështirë jetën, ama nuk do të lejojë që ‘lumenjtë’ ose problemet të na përpijnë, e as që «flaka» ose sprovat të na shkaktojnë ndonjë dëm të përhershëm. Ai na garanton se do të jetë me ne, duke na ndihmuar ‘të kalojmë përmes’ këtyre vështirësive. Çfarë do të bëjë Jehovai? Do të na ndihmojë të qetësojmë çdo frikë në zemër që të arrijmë të mbajmë integritetin ndaj tij, madje edhe nëse jemi përballë vdekjes. (Isa. 41:13) Joshikoja, e përmendur më sipër, e provoi vetë se ndodh tamam kështu. Vajza e saj thotë: «Na bënte përshtypje sa e qetë ishte mami. E pamë vërtet se Jehovai i jepte paqe të brendshme. Deri ditën kur vdiq, mami fliste me infermieret dhe me pacientët për Jehovain e premtimet e tij.» Çfarë na mëson shembulli i Joshikos? Kur kemi besim te premtimi i Perëndisë «unë do të jem me ty», edhe ne do të jemi plot kurajë e forcë ndërsa përballojmë sprova.
«UNË JAM PERËNDIA YT»
7-8. (a) Cila është garancia e dytë që do të shqyrtojmë, dhe çfarë kuptimi ka? (b) Pse Jehovai u tha mërgimtarëve judenj të mos ishin në ankth? (c) Cilat fjalë të Isaisë 46:3, 4 duhet t’i kenë qetësuar zemrën popullit të Perëndisë?
7 Të ndalemi te garancia e dytë që shkroi Isaia: «Mos i hidh sytë rreth e përqark, se unë jam Perëndia yt.» Fjala e gjuhës origjinale që në këtë varg është përkthyer «hedh sytë rreth e përqark», ka kuptimin «të rrish me frikë në zemër në pritje të një rreziku të panjohur» ose «të shohësh përreth në gjendje alarmi». Prandaj, në botimin e rishikuar të 2013-s të Përkthimit Bota e Re (anglisht), shprehja «mos i hidh sytë rreth e përqark» është përkthyer «mos ji në ankth».
8 Pse Jehovai u tha judenjve që do të shkonin në mërgim në Babiloni të mos ishin në ankth? Ngaqë e dinte se banorët e atij vendi do t’i mbërthente frika. Pse? Sepse nga fundi i periudhës 70-vjeçare të mërgimit të judenjve, Babiloninë do ta sulmonte ushtria e fuqishme e Medo-Persisë. Jehovai do ta përdorte atë ushtri për të çliruar popullin e vet nga robëria në Babiloni. (Isa. 41:2-4) Kur babilonasit dhe banorë të kombeve të tjera që jetonin në atë kohë morën vesh se armiku i tyre po afrohej, u përpoqën të merrnin guxim duke i thënë njëri-tjetrit: «Bëhu i fortë!» Gjithashtu bënë më shumë perëndi-idhuj, me shpresën se ato do t’i mbronin. (Isa. 41:5-7) Ndërkohë, Jehovai ua qetësoi zemrën mërgimtarëve judenj me fjalët: «Ti, o Izrael, [ndryshe nga fqinjët e tu] je shërbëtori im . . . Mos ji në ankth, se unë jam Perëndia yt.» (Isa. 41:8-10, NWT, botimi 2013) Vër re që Jehovai tha: «Unë jam Perëndia yt.» Me këto fjalë, ai i siguroi adhuruesit e tij besnikë se nuk i kishte harruar—ai ishte ende Perëndia i tyre, dhe ata ishin ende populli i tij. Jehovai u tha: ‘Unë do t’ju mbaj e do t’ju shpëtoj.’ S’ka dyshim se këto fjalë që të ngrohin zemrën u dhanë forcë mërgimtarëve judenj.—Lexo Isainë 46:3, 4.
9-10. Pse nuk ka asnjë arsye që të na zërë frika? Ilustrojeni.
9 Sot më shumë se kurrë, njerëzit përreth nesh janë në ankth për kushtet botërore që sa vijnë e keqësohen. Sigurisht, edhe ne prekemi nga të njëjtat probleme. Por nuk ka pse të na zërë frika. Jehovai na thotë: «Unë jam Perëndia yt.» Pse këto fjalë janë një arsye e fortë që të qëndrojmë të qetë?
10 Mendo për këtë ilustrim: dy pasagjerë, Adi dhe Beni, janë në një avion që po tundet nga erëra të fuqishme. Ndërsa avioni lëkundet fort sa lart poshtë, dëgjojnë një zë nga altoparlanti: «Mbani lidhur rripat e sigurimit. Do të fluturojmë për njëfarë kohe mes turbulencave.» Adi shqetësohet shumë. Por pastaj piloti shton: «Mos jini në ankth. Ju flet piloti juaj.» Adi tund kokën me mosbesim dhe thotë: «E çfarë garancie qenka kjo?!» Mirëpo ndërkohë vëren se Beni nuk duket fare në ankth. Adi e pyet: «Po ti pse je kaq i qetë?» Beni buzëqesh e i thotë: «Sepse e njoh shumë mirë këtë pilot. Është im atë!» Pastaj shton: «Po të tregoj pak për babanë tim. Kur ta njohësh atë dhe aftësitë që ka, jam i sigurt se edhe ti do të jesh i qetë.»
11. Cilat mësime mund të nxjerrim nga ilustrimi për dy pasagjerët?
11 Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga ky ilustrim? Ashtu si Beni, ne jemi të qetë ngaqë e njohim shumë mirë Atin tonë qiellor, Jehovain. E dimë se ai do të na udhëheqë e mbrojë përmes problemeve të stuhishme që ndeshim gjatë ditëve të fundit të këtij sistemi. (Isa. 35:4) Ne kemi besim te Jehovai, prandaj mund të qëndrojmë të qetë ndërkohë që pjesën tjetër të botës e ka mbërthyer frika. (Isa. 30:15) Veç kësaj, veprojmë si Beni kur u tregojmë të tjerëve arsyet pse kemi besim të plotë te Perëndia. Kështu edhe ata mund të ndihen të sigurt se çfarëdo vështirësie të hasin, Jehovai do t’i mbështetë.
«UNË DO TË TË JAP FORCË E DO TË TË NDIHMOJ»
12. (a) Cila është garancia e tretë që do të shqyrtojmë? (b) Cili fakt na kujtohet kur përmendet «krahu» i Jehovait?
12 Mendo për garancinë e tretë që shkroi Isaia: «Unë do të të jap forcë e do të të ndihmoj.» Isaia tashmë kishte treguar si do t’i jepte forcë Jehovai popullit të tij, kur tha: ‘Jehovai do të vijë si një i fortë dhe krahu i vet do të sundojë në emër të tij.’ (Isa. 40:10) Bibla e përdor shpesh fjalën «krahu» si simbol të fuqisë ose pushtetit. Pra, pohimi se ‘krahu i Jehovait do të sundojë’ na kujton se Jehovai është Mbret i fuqishëm. Ai e përdori fuqinë e tij të pathyeshme që t’i mbështeste e t’i ruante shërbëtorët e vet në të kaluarën, dhe vazhdon t’u japë forcë e t’i mbrojë ata që kanë besim tek ai sot.—Ligj. 1:30, 31; Isa. 43:10.
13. (a) Veçanërisht kur e mban Jehovai premtimin e tij se do të na japë forcë? (b) Cila garanci na mbush me siguri dhe forcë?
13 Jehovai e mban premtimin «unë do të të jap forcë» veçanërisht atëherë kur na përndjekin armiqtë. Sot në disa pjesë të botës, armiqtë tanë po përpiqen me të gjitha forcat të ndalin veprën tonë të predikimit ose organizatën tonë. Prapëseprapë, sulme të tilla nuk bëjnë që të na mbytë ankthi. Jehovai na ka dhënë një garanci që na mbush me siguri dhe forcë. Ai na premton: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses.» (Isa. 54:17) Këto fjalë na kujtojnë tri fakte të rëndësishme.
14. Pse nuk çuditemi që armiqtë e Perëndisë na sulmojnë?
14 Së pari, si dishepuj të Krishtit, e presim që njerëzit të na urrejnë. (Mat. 10:22) Jezui paratha se dishepujt e tij do të përndiqeshin egërsisht gjatë ditëve të fundit. (Mat. 24:9; Gjoni 15:20) Së dyti, profecia e Isaisë na paralajmëron se armiqtë tanë nuk do të mjaftohen duke na urryer; ata do të përdorin lloj-lloj armësh kundër nesh. Ndër këto armë kanë qenë mashtrimet tinëzare, gënjeshtrat sheshit dhe përndjekjet brutale. (Mat. 5:11) Jehovai nuk do t’i ndalë armiqtë tanë që t’i përdorin këto armë për të luftuar kundër nesh. (Efes. 6:12; Zbul. 12:17) Por nuk ka asnjë arsye që të kemi frikë. Pse?
15-16. (a) Cili është fakti i tretë që duhet të kujtojmë, dhe si e mbështet këtë Isaia 25:4, 5? (b) Si e përshkruan Isaia 41:11, 12 fundin e atyre që luftojnë kundër nesh?
15 Të ndalemi te fakti i tretë që duhet të kujtojmë. Jehovai tha se «asnjë armë» e përdorur kundër nesh «nuk do të ketë sukses». Si një mur që na mbron nga forca e një shtrëngate shkatërrimtare, ashtu na mbron Jehovai «kur tiranët shfryjnë». (Lexo Isainë 25:4, 5.) Armiqtë tanë nuk do të kenë kurrë sukses e s’do na shkaktojnë dot as edhe një dëm të përhershëm.—Isa. 65:17.
16 Jehovai na e forcon më tej besimin tek ai duke përshkruar me hollësi çfarë fundi i pret ata që «janë zemëruar» me ne. (Lexo Isainë 41:11, 12.) Sado fort të luftojnë kundër nesh armiqtë tanë dhe sado intensive të bëhet lufta, fundi është i njëjti: të gjithë armiqtë e popullit të Perëndisë «do të katandisen në hiç dhe do të zhduken».
SI TA THELLOJMË BESIMIN TE JEHOVAI
17-18. (a) Si na ndihmon leximi i Biblës ta thellojmë besimin te Perëndia? Jepni një shembull. (b) Si mund të na ndihmojë meditimi për shkrimin e vitit 2019?
17 Besimin te Jehovai e thellojmë duke e njohur më mirë. Dhe e vetmja mënyrë si mund ta njohim mirë Perëndinë, është duke lexuar me vëmendje Biblën e duke bluar në mendje atë që lexojmë. Në Bibël është dokumentuar një histori e besueshme se si e mbrojti Jehovai popullin e tij në të kaluarën. Kjo histori na jep sigurinë se ai do të kujdeset për ne sot.
18 Të shohim një ilustrim të bukur që përdor Isaia për të treguar si na mbron Jehovai. Ai e përshkruan Jehovain si një bari dhe shërbëtorët e Perëndisë si qengja. Isaia thotë për Jehovain: «Do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij e do t’i mbajë në gji.» (Isa. 40:11) Kur ndiejmë si na mbështjell Jehovai me krahët e tij të fortë, ndihemi të mbrojtur e të qetë. Për të na ndihmuar të qëndrojmë të qetë pavarësisht nga problemet që përballojmë, skllavi i besueshëm e i matur ka zgjedhur si shkrim të vitit 2019 Isainë 41:10 (NWT, botimi 2013): «Mos ji në ankth, se unë jam Perëndia yt.» Medito për këto fjalë siguruese e zemërdhënëse. Ato do të të japin forcë ndërsa përballon vështirësi në të ardhmen.
KËNGA 38 Ai të bën të fortë
a Shkrimi i zgjedhur për vitin 2019 na jep tri arsye pse mund të qëndrojmë të qetë edhe kur ndodhin gjëra të këqija në botë ose në jetën tonë. Artikulli do të shqyrtojë këto arsye dhe do të na ndihmojë të ndiejmë më pak ankth e të kemi më shumë besim te Jehovai. Medito për shkrimin e vitit. Nëse mundesh, fiksoje në mendje fjalë për fjalë. Ai do të të japë forcë për vështirësitë që ke përpara.
b Shih Kullën e Rojës të korrikut 2016, f. 18.
c SHPJEGIMI I FJALËS: Një garanci është një pohim i vërtetë ose një premtim se diçka do të ndodhë pa pikë dyshimi. Garancitë që na jep Jehovai mund të na e lehtësojnë shqetësimin për problemet që ka të ngjarë të ndeshim në jetë.
d Shprehja «mos ki frikë» del katër herë tek Isaia 41:10, 13 dhe 14. Në këto vargje del shpesh edhe fjala «unë» (që nënkupton Jehovain). Pse Jehovai e frymëzoi Isainë ta përdorte kaq shpesh fjalën «unë»? Për të theksuar një fakt të rëndësishëm—çdo frikë që ndiejmë në zemër mund ta qetësojmë vetëm duke pasur besim te Jehovai.
e PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një familje përballon me sukses sprova të ndryshme: probleme shëndetësore, kundërshtim në punë, në shërbim dhe në shkollë
f PËRSHKRIMI I FIGURËS: Policë të armatosur mësyjnë në një mbledhje të Dëshmitarëve që po mbahet në një shtëpi private
g PËRSHKRIMI I FIGURËS: Adhurimi Familjar i rregullt na jep forcë të qëndrojmë