Kapitulli dhjetë
A pyet përditë: «Ku është Jehovai?»
1, 2. (a) Në ç’gjendje frymore ishin judenjtë e kohës së Jeremisë? (b) Si duhej të kishin reaguar judenjtë ndaj gjendjes së tyre?
JEREMIA i kishte sytë me lot. E kishte prekur gjendja e popullit të tij dhe ajo që Perëndia e udhëzoi të parathoshte për të ardhmen e tyre. Ah, sikur koka e tij të ishte si ujërat dhe sytë si burim lotësh që të qante pa pushim! Jeremia kishte arsye të vajtonte për gjendjen e kombit. (Jer. 9:1-3; lexo Jereminë 8:20, 21.) Judenjtë vazhdimisht e hidhnin poshtë ligjin e Jehovait dhe nuk i bindeshin zërit të Tij, prandaj do t’u vinte gjëma.—Jer. 6:19; 9:13.
2 Megjithatë, banorëve të Judës u pëlqente të dëgjonin udhëheqësit fetarë që thoshin se çdo gjë shkonte mirë, dhe nuk donin të dinin vërtet ç’mendonte Jehovai për sjelljen e tyre. (Jer. 5:31; 6:14) Ishin si pacientë të cilët kërkonin një mjek që t’u thoshte gjëra qetësuese, por të shpërfillte simptomat e tyre të rënda. Po të ishe sëmurë rëndë, a nuk do të doje një diagnozë të saktë, që të kuroheshe pa humbur kohë? Judenjtë e kohës së Jeremisë duhej të kishin kërkuar një shqyrtim të ndershëm të gjendjes së tyre frymore. Duhej të kishin pyetur: «Ku është Jehovai?»—Jer. 2:6, 8.
3. (a) Ç’do të thoshte për judenjtë të pyetnin: «Ku është Jehovai?» (b) Cila ishte një mënyrë si mund ta kërkonin Jehovain judenjtë?
3 Për judenjtë, pyetja «ku është Jehovai» do të nënkuptonte të kërkonin udhëheqjen e tij para se të merrnin vendime, të mëdha a të vogla. Judenjtë e asaj kohe nuk vepruan kështu. Por, pas shkretimit të Jerusalemit dhe kthimit nga Babilonia, ‘do ta kërkonin Jehovain’. Kështu do të arrinin ta gjenin dhe të njihnin udhët e tij. (Lexo Jereminë 29:13, 14.) Si ta bënin këtë? Një mënyrë ishte duke iu lutur sinqerisht Perëndisë për drejtim. Këtë qëndrim kishte mbreti David. Ai i kërkoi Perëndisë: «Më bëj të njoh udhët e tua, o Jehova, më mëso shtigjet e tua.» (Psal. 25:4) Shiko edhe ftesën që Dëgjuesi i lutjeve bëri nëpërmjet Jeremisë, vitin e dhjetë të mbretit Zedekia: «Më thirr dhe do të të përgjigjem, e menjëherë do të të tregoj gjëra të mëdha e të pakuptueshme, që nuk i ke ditur.» (Jer. 33:3) Nëse mbreti dhe kombi renegat do ta thërritnin Perëndinë, Ai do t’u zbulonte gjëra «të pakuptueshme», domethënë shkretimin e Jerusalemit dhe rivendosjen e tij pas 70 vjetësh.
4, 5. Në cilat mënyra të tjera mund ta kishte kërkuar Jehovain populli i tij?
4 Një mënyrë tjetër se si judenjtë mund ta kishin kërkuar Jehovain, ishte duke shfletuar historinë e duke parë si kishte vepruar me popullin e tij. Kështu mund të kishin rikujtuar çfarë kishte sjellë miratimin e Perëndisë ose zemërimin e tij. Kishin shkrimet e Moisiut dhe disa dokumentime historike të frymëzuara, si dhe kronikat e mbretërve të Izraelit e të Judës. Duke medituar rreth tyre e duke dëgjuar profetët e vërtetë të Perëndisë, judenjtë në kohën e Jeremisë mund të kishin kuptuar përgjigjen e pyetjes: «Ku është Jehovai?»
5 Një mënyrë e tretë se si ata judenj mund ta kishin kërkuar Jehovain, ishte duke mësuar nga përvoja e tyre dhe e të tjerëve. Jo se çdo gjë duhej ta mësonin duke e hequr mbi kurriz, por mund të nxirrnin dobi duke shqyrtuar ç’kishin bërë në të kaluarën dhe ç’mendonte Jehovai për mënyrën si kishin vepruar. Po të kishin qenë vëzhgues të mirë, mund ta kishin kuptuar si e shihte Perëndia sjelljen e tyre.—Prov. 17:10.
6. Çfarë inkurajimi mund të gjesh në shembullin e Jobit?
6 Por, le të vijmë në ditët tona. A pyet rregullisht «ku është Jehovai» kur merr vendime dhe zgjedh drejtimin që do të ndjekësh? Disa mund ta ndiejnë se nuk e kanë bërë aq shpesh këtë pyetje kur kanë marrë vendime. Mos u shkurajo nëse deri diku kjo të ka ndodhur edhe ty. Me këtë prirje luftoi edhe patriarku besnik Job. Kur ishte nën presion, ai u përqendrua te vetja. Elihut iu desh t’i kujtonte prirjen normale të njerëzimit: «Asnjë nuk thotë: ‘Ku është Perëndia, Bërësi im i Madh?’» (Jobi 35:10) Elihu e inkurajoi Jobin: «Vëru mendjen mrekullive të Perëndisë.» (Jobi 37:14) Jobi duhej të vërente mrekullitë e Jehovait në krijimin që e rrethonte dhe në mënyrën si vepronte Ai me njerëzit. Jobi i kuptoi nga përvoja e tij udhët e Jehovait. Pasi kishte qëndruar në sprovën e rëndë që i ra dhe kishte parë si e trajtoi Jehovai çështjen, ai tha: «Unë fola, por pa i kuptuar gjërat që janë tepër të mrekullueshme për mua e që nuk i njoh. Veç kisha dëgjuar për ty, por tani syri im të sheh.»—Jobi 42:3, 5.
7. Ç’do të trajtojmë në vazhdim, siç paraqitet në faqen 116?
7 Sa për Jereminë, ai vazhdoi ta kërkonte Jehovain dhe arriti ta gjente. Ndryshe nga bashkëkombësit e tij, gjatë dekadave të shërbimit besnik Jeremia vazhdoi të pyeste: «Ku është Jehovai?» Në vazhdim të këtij kapitulli, do të shohim nga shembulli i Jeremisë si mund ta kërkojmë Jehovain e ta gjejmë me anë të lutjes, studimit dhe përvojave tona.—1 Kron. 28:9.
Ç’do të thotë të pyesësh: «Ku është Jehovai?» Në cilat mënyra mund ta kishin kërkuar Jehovain judenjtë e kohës së Jeremisë?
JEREMIA IU DREJTUA NË LUTJE JEHOVAIT
8. Në cilat rrethana iu lut Perëndisë Jeremia?
8 Gjatë viteve kur shërbente si zëdhënësi i Perëndisë për kombin e Judës, Jeremia e kërkoi Jehovain me anë të lutjeve të ndiera. Iu drejtua për ndihmë kur duhej të shpallte mesazhe që s’do të pëlqeheshin, kur ndjeu se nuk vazhdonte dot më dhe kur kishte pyetje se përse ndodhnin disa gjëra. Perëndia iu përgjigj dhe i dha një drejtim. Shqyrto nja dy shembuj.
9. (a) Si u shpreh profeti te Jeremia 15:15, 16 dhe si iu përgjigj Jehovai? (b) Pse mendon se është e rëndësishme t’i shprehësh ndjenjat në lutje?
9 Një herë, kur Perëndia i tha të shpallte një mesazh denoncues, Jeremia e ndjeu se të gjithë po e mallkonin. Prandaj, profeti iu lut Perëndisë që ta kujtonte. Shqyrto lutjen e tij, të dokumentuar te Jeremia 15:15, 16, ku na thotë si u ndie kur mori përgjigjen e Perëndisë. (Lexoje.) Në atë lutje, Jeremia shprehu ndjenjat e tij të ankthit. Megjithatë, kur i gjeti fjalët e Perëndisë dhe i përpiu ose ‘i hëngri’ (BR, me referime), u gëzua. Jehovai e ndihmoi të kuptonte ç’privilegj ishte të mbante emrin hyjnor e të shpallte një mesazh hyjnor. Jeremia e shihte qartë ku ishte Jehovai në këtë çështje. Ç’mësim nxjerrim ne?
10. Si u përgjigj Jehovai kur profeti tha se nuk do të fliste më në emër të Tij?
10 Në një rast tjetër, pasi e kishte goditur prifti Pashkur, biri i Imerit, Jeremia tha se nuk do të fliste më në emër të Jehovait. Si iu përgjigj Perëndia fjalëve që tha në lutje Jeremia? (Lexo Jereminë 20:8, 9.) Bibla nuk na thotë se iu përgjigj duke i folur nga qielli. Por fjala e Perëndisë u bë si një zjarr përvëlues i mbyllur në kockat e tij dhe s’mund të rrinte pa e shpallur. Pra, Jeremia iu shpreh sinqerisht Perëndisë dhe pranoi të nxitej nga ajo që dinte për vullnetin e Tij, e kështu u motivua të vazhdonte të bënte atë që Perëndia donte prej tij.
11, 12. Si mori përgjigje Jeremia për pyetjen se përse të ligjtë dukeshin se kishin sukses?
11 Jeremia kishte një pyetje që s’e linte rehat ndërsa shihte se të ligjtë kishin sukses. (Lexo Jereminë 12:1, 3.) Edhe pse nuk po vinte aspak në dyshim drejtësinë e Jehovait, profeti kërkonte një përgjigje për ‘ankesën’ që paraqiti. Çiltërsia e tij tregoi qartë se kishte një lidhje të fortë me Perëndinë, si ajo e një fëmije me atin e tij të dashur. Jeremia thjesht nuk arrinte të kuptonte pse shumë judenj po begatoheshin, ndonëse ishin të ligj. A mori një përgjigje të kënaqshme? Jehovai e siguroi se do t’i shkulte me rrënjë të ligjtë. (Jer. 12:14) Jeremisë duhet t’i jetë shtuar siguria te drejtësia hyjnore teksa shihte përmbushjen e gjërave që i thoshte Perëndisë në lutje. Si rezultat, duhet t’i jetë lutur më tepër Atit të tij, duke i shprehur çfarë ndiente.
12 Aty nga fundi i mbretërimit të Zedekisë, kur babilonasit kishin rrethuar Jerusalemin, Jeremia foli për Jehovain si ai që «i mban sytë te tërë udhët e bijve të njerëzve, që t’i [japë] secilit sipas udhëve të veta dhe sipas frytit të veprimeve të tij». (Jer. 32:19) Jeremia e kuptonte se Jehovai e do vërtet drejtësinë. E kuptonte se Ai sheh çfarë bën secili dhe dëgjon lutjet e zjarrta të shërbëtorëve të tij. Si pasojë, me kalimin e kohës shërbëtorët e tij do të shihnin gjithnjë e më tepër dëshmi se Ai i jep «secilit sipas udhëve të veta dhe sipas frytit të veprimeve të tij».
13. Pse je i sigurt për përmbushjen e vullnetit të Perëndisë?
13 Ndoshta mendojmë se s’kemi asnjë dyshim për drejtësinë e Perëndisë dhe për mençurinë me të cilën e përmbush vullnetin e tij dhe do ta përmbushë në të ardhmen. Megjithatë, mund të nxjerrim dobi duke medituar për atë që kaloi Jeremia dhe duke përfshirë në lutjet tona se ç’ndiejmë në zemër. Kur shprehemi në këtë mënyrë, përforcojmë sigurinë se Jehovai do ta përmbushë patjetër vullnetin e tij. Edhe nëse tani për tani nuk e kuptojmë plotësisht pse gjërat po zhvillohen në njëfarë mënyre ose pse vullneti i Perëndisë po ecën me këtë ritëm, mund t’i shprehim atij në lutje sigurinë tonë se i ka plotësisht nën kontroll gjërat. Vullneti i tij do të bëhet në mënyrën dhe në kohën më të mirë sipas tij. Kjo është e garantuar, s’kemi arsye pse të dyshojmë. Do të vazhdojmë të pyesim «ku është Jehovai» në kuptimin që me lutje të vazhdueshme, do të përpiqemi të kuptojmë vullnetin e tij dhe të shohim dëshmi se si po përmbushet.—Jobi 36:5-7, 26.
Çfarë sigurie të japin përvojat e Jeremisë ndërsa kërkonte Jehovain në lutje?
JEREMIA E USHQENTE ZEMRËN ME NJOHURI
14. Si e dimë se Jeremia bëri kërkime për historinë e popullit të Perëndisë?
14 Jeremia e dinte shumë mirë se për t’iu përgjigjur pyetjes «ku është Jehovai», duhej të kishte ‘njohuri për të’. (Jer. 9:24) Ndërsa përpilonte librat që tani njihen si 1 dhe 2 Mbretërve, ai duhet të ketë studiuar historinë e popullit të Perëndisë. Përmendi në mënyrë specifike «librin e ngjarjeve të Solomonit», «librin e ngjarjeve të mbretërve të Izraelit» dhe «librin e ngjarjeve të mbretërve të Judës». (1 Mbret. 11:41; 14:19; 15:7) Kështu arriti të kuptonte si kishte vepruar Jehovai në situata të ndryshme. Jeremia e kuptonte çfarë e kënaqte Jehovain dhe si i shihte Ai vendimet që merrnin njerëzit. Gjithashtu, mund të shfletonte shkrimet e frymëzuara që ekzistonin në atë kohë, si shkrimet e Moisiut, Josiut, Samuelit, Davidit dhe Solomonit. Pa dyshim, ishte i mirinformuar për profetët e mëparshëm, si edhe për ata bashkëkohës. Si nxori dobi Jeremia nga ky studim personal?
15. Ç’dobi mund të ketë nxjerrë Jeremia nga kërkimet që bëri për profecinë e Elijas?
15 Jeremia dokumentoi tregimin për Jezebelën, gruan e ligë të mbretit Akab të Samarisë. Në tregim përfshiu deklaratën e Elijas se Jezebelën do ta hanin qentë në ngastrën e tokës së Jezreelit. (1 Mbret. 21:23) Sipas asaj që dokumentoi Jeremia, e dimë se rreth 18 vjet më vonë, Jezebelën e hodhën nga dritarja, e shkelën kuajt e Jehut dhe e hëngrën qentë. (2 Mbret. 9:31-37) Kërkimet rreth profecisë së Elijas dhe përmbushjes së saj deri në hollësi, duhet t’ia kenë forcuar besimin Jeremisë te fjala e Perëndisë. Po, Jeremia ngulmoi si profet sepse kishte krijuar një besim të fortë duke studiuar veprat që Jehovai kishte bërë në të kaluarën.
16, 17. Si mendon, pse Jeremia mund të ngulmonte për t’i paralajmëruar mbretërit e ligj të kohës së tij?
16 Le të marrim një shembull tjetër. Si mendon, çfarë e shtyu Jereminë të vazhdonte të paralajmëronte mbretërit e këqij si Jehojakimi dhe Zedekia, edhe pse e përndoqën? Një arsye kryesore ishte se Jehovai e bëri Jereminë «si një qytet të fortifikuar, si një shtyllë hekuri dhe si mure prej bakri» përpara mbretërve të Judës. (Jer. 1:18, 19) Por s’duhet harruar se ai kishte bërë kërkime të thella për mbretërit e mëparshëm të Judës e të Izraelit. Kishte dokumentuar se Manaseu «në dy oborret e shtëpisë së Jehovait ndërtoi altarë për gjithë ushtrinë e qiejve», flijoi në zjarr të birin dhe derdhi shumë gjak të pafaj. (2 Mbret. 21:1-7, 16; lexo Jereminë 15:4.) Gjithsesi, Jeremia duhet ta ketë ditur se, kur Manaseu u përul dhe vazhdoi t’i lutej Jehovait, «Ai e pranoi përgjërimin e tij» dhe e rivendosi në fron.—Lexo 2 Kronikave 33:12, 13.
17 Në shkrimet e tij, Jeremia nuk përmendi mëshirën që i tregoi Jehovai Manaseut. Por ky i fundit vdiq pak a shumë 15 vjet para se Jeremia të niste shërbimin si profet. Prandaj, profeti duhet të ketë dëgjuar ç’ndodhi kur mbreti u pendua për ligësinë e mëparshme. Kërkimet për sjelljen e tmerrshme të Manaseut dhe ç’i ndodhi më pas, duhet ta kenë ndihmuar Jereminë të kuptonte pse duhej t’i nxiste mbretërit si Zedekia, të kërkonin mëshirën dhe dashamirësinë e Jehovait. Edhe një mbret famëkeq për idhujtarinë e gjakderdhjen, mund të pendohej e të falej. Po të ishe në vend të Jeremisë, a do të të inkurajonin ngjarjet që lidheshin me Manaseun, duke të dhënë arsye të vazhdoje shërbimin gjatë sundimit të mbretërve të tjerë të këqij?
MËSOI NGA PËRVOJA
18. Ç’mund të mësonte Jeremia nga shembulli i Urijahut dhe pse përgjigjesh kështu?
18 Gjatë shërbimit si profet, Jeremia patjetër mësoi duke parë si vepronin bashkëkombësit e tij në situata të caktuara. Një prej tyre ishte profeti Urijah, i cili profetizoi kundër Jerusalemit dhe Judës gjatë mbretërimit të Jehojakimit. Por, nga frika e Jehojakimit, Urijahu ia mbathi në Egjipt. Më pas, mbreti dërgoi burra që e sollën nga Egjipti, dhe e vrau. (Jer. 26:20-23) A mendon se Jeremia mësoi diçka nga përvoja e Urijahut? Fakti që vazhdoi t’i paralajmëronte judenjtë për gjëmën që po u vinte, madje e bëri këtë në zonën e tempullit, tregon se duhet të ketë mësuar diçka. Jeremia nuk e humbi guximin dhe Jehovai nuk e braktisi. Ai duhet të ketë shtyrë Ahikamin, birin e Shafanit, që t’i mbronte jetën Jeremisë së guximshëm.—Jer. 26:24.
19. Ç’mund të kuptonte Jeremia nga këmbëngulja e Jehovait për të dërguar profetë te populli i Tij?
19 Jeremia mësoi edhe nga përvoja e vet kur Jehovai e përdori për të paralajmëruar popullin e Tij. Vitin e katërt të mbretit Jehojakim, Jehovai i tha Jeremisë t’i hidhte me shkrim të gjitha fjalët që i kishte thënë, që nga koha e Josisë e deri atë ditë. Për ç’arsye u dha ky urdhër hyjnor? Që t’i nxiste individët të ktheheshin nga udha e ligë dhe Ai t’i falte. (Lexo Jereminë 36:1-3.) Madje, Jeremia, i cili çohej herët për të dhënë paralajmërime nga Perëndia, iu lut popullit t’u jepte fund praktikave të neveritshme. (Jer. 44:4) A s’është e qartë se ai duhet të ketë kuptuar nga përvoja e vet se Perëndia i kishte dërguar profetët ngaqë i dhimbsej populli i Tij? A nuk do të ketë nxitur kjo gjë dhembshuri edhe te Jeremia? (2 Kron. 36:15) Pra, kuptohet pse, kur mbijetoi nga shkatërrimi i Jerusalemit, Jeremia mundi të thoshte: «Falë veprave të dashamirësisë së Jehovait nuk kemi marrë fund, sepse mëshira e tij s’ka për të mbaruar. Ato janë të reja çdo mëngjes.»—Vajt. 3:22, 23.
Si duhet të kenë ndikuar te Jeremia kërkimet për veprat e Perëndisë në të kaluarën dhe meditimi për atë që kishin përjetuar ai dhe të tjerët? Ç’mësojmë ne nga kjo?
A PYET TI PËRDITË: «KU ËSHTË JEHOVAI?»
20. Si mund ta imitosh Jereminë kur bëhet fjalë për të kërkuar Jehovain?
20 Në vendimet që duhet të marrësh përditë, a vë si synim të kërkosh cili është vullneti i Perëndisë, të pyesësh: «Ku është Jehovai?» (Jer. 2:6-8) Ndryshe nga judenjtë e kohës së tij, Jeremia gjithnjë i drejtohej të Plotfuqishmit për ndihmë që të dallonte në ç’udhë të shkonte. Pa dyshim, gjëja më e mençur që duhet të bëjmë kur marrim vendime është të imitojmë Jereminë, duke kërkuar përditë pikëpamjen e Jehovait.
21. Ç’lloj lutjeje mund të të ndihmojë për shërbimin, si për shembull kur dikush reagon ashpër?
21 Nuk është e thënë që vendimi të jetë patjetër për një çështje madhore ose një pikë kthese në jetë. Për shembull, ç’të themi për vendimin që të dalësh në shërbim ditën që ke planifikuar? Ndoshta zgjohesh në mëngjes dhe shikon qiellin e vrenjtur, që nuk të fton për shërbim. Territori që është caktuar për predikimin shtëpi më shtëpi atë ditë, mund të jetë bërë kushedi sa herë. Ndoshta të kujtohet se disa njerëz të kanë përcjellë gjoja me edukatë ose me ashpërsi. Që atë çast të ditës, mund të kërkosh në lutje: «Ku është Jehovai?» Kjo të ndihmon të mendosh për bukurinë e mesazhit që shpall e ta ndiesh më thellë se është vullneti i Perëndisë që ta shpallësh atë mesazh. Pastaj mund të ndiesh se fjala e Jehovait bëhet për ty një burim gëzimi e ngazëllimi, siç ishte për Jereminë. (Jer. 15:16, 20) Nëse gjatë shërbimit takon dikë që të trajton ashpër ose edhe të kërcënon, sërish mund t’ia shprehësh ndjenjat në lutje Perëndisë. A do ta bësh këtë? Mos harro se ai mund të të japë frymën e shenjtë që të përgjigjesh siç duhet, dhe dëshira për të thënë mesazhin e Perëndisë do t’i mposhtë ndjenjat negative.—Luka 12:11, 12.
22. Pse mund të bllokohen disa lutje?
22 Është mirë të mbajmë në mendje se disa lutje mund të pengohen ose bllokohen. (Lexo Vajtimet 3:44.) Jehovai nuk i dëgjoi lutjet e judenjve rebelë, sepse ‘po e largonin veshin nga ai’ dhe po vazhdonin të praktikonin paligjshmërinë. (Prov. 28:9) Mësimi duhet të ketë qenë i qartë për Jereminë, siç duhet të jetë edhe për ne: nëse një njeri nuk vepron në përputhje me lutjet e veta, kjo do ta zhgënjejë Perëndinë dhe mund ta bëjë të mos ia dëgjojë më lutjet. Natyrisht që këtë duhet të përpiqemi ta shmangim me çdo kusht.
23, 24. (a) Çfarë është thelbësore që të zbulojmë vullnetin e Jehovait? (b) Si mund ta bësh më dobiprurës studimin tënd personal?
23 Përveçse të lutemi sinqerisht për drejtim nga Jehovai, duhet të vazhdojmë të studiojmë personalisht, pasi kjo është një mënyrë kryesore për të zbuluar cili është vullneti i tij. Këtu kemi një avantazh në krahasim me Jereminë. Ne kemi Biblën e plotë. Ashtu si Jeremia, që bëri kërkime të thella për të përpiluar tregimin e tij të frymëzuar historik, mund të endesh në Fjalën e Perëndisë e të kërkosh udhëheqjen e Tij, duke pyetur: «Ku është Jehovai?» Kur kërkon të mësosh vullnetin e Jehovait, tregon se po i beson atij dhe do të bëhesh «si një pemë e mbjellë pranë ujërave, që i lëshon rrënjët pranë rrjedhës së ujit».—Lexo Jereminë 17:5-8.
24 Ndërsa lexon e mediton rreth Shkrimeve të Shenjta, përpiqu të dallosh çfarë dëshiron Jehovai të bësh në situata të ndryshme. Mund të kërkosh parime që dëshiron t’i mbash mend e t’i zbatosh në jetë. Ndërsa lexon tregime historike, urdhra hyjnorë, parime biblike dhe thënie të mençura në Fjalën e Perëndisë, mendo se si duhet të ndikojnë ato në vendimet që merr përditë. Në përgjigje të pyetjes sate «ku është Jehovai», ai mund të të zbulojë me anë të Fjalës së tij të shkruar si të veprosh edhe në rrethanat e vështira që mund të hasësh. Madje, mund të shohësh se Bibla do të hedhë dritë mbi ‘gjëra të pakuptueshme, që nuk i ke ditur’ ose kuptuar më parë.—Jer. 33:3.
25, 26. Pse mund të nxjerrim dobi nga përvojat?
25 Veç kësaj, mund të shqyrtosh përvoja të ndryshme, të tuat e të të tjerëve. Për shembull, mund të shohësh se disa nuk mbështeten më te Jehovai, ashtu si Urijahu. (2 Tim. 4:10) Mund të mësosh nga mënyra si veprojnë dhe të shmangësh fundin e tyre shkatërrimtar. Sill shpesh ndër mend dashamirësinë me të cilën ka vepruar Jehovai me ty, duke kujtuar se edhe Jeremia e vlerësonte mëshirën dhe dhembshurinë e Tij. Sado e rëndë të jetë situata jote, mos mendo se Më i Larti s’do t’ia dijë. Ai kujdeset për ty, siç u kujdes për Jereminë.
26 Ndërsa mediton se si vepron Jehovait sot me njerëzit, do të kuptosh se ai jep çdo ditë udhëheqje në mënyra të ndryshme. Aki, një motër e re në Japoni, mendonte se nuk ishte një e krishterë e denjë. Një ditë, kur ishte në shërbim me gruan e mbikëqyrësit qarkor, Aki u shpreh: «Më duket sikur Jehovai është gati të më vjellë nga goja, por unë jam kapur fort te buzët e tij, duke i kërkuar të më japë edhe pak kohë.» Gruaja e mbikëqyrësit qarkor e pa në sy dhe i tha: «Mua s’më je dukur kurrë një e krishterë e vakët!» Më vonë, Aki meditoi për këto fjalë qetësuese. Në fakt, s’kishte asnjë shenjë se Jehovai e kishte parë ndonjëherë si të vakët. Më pas, iu lut Jehovait: «Më dërgo ku të dëshirosh. Do të bëj ç’të duash ti.» Rreth asaj kohe, vizitoi një vend të huaj ku kishte një grup të vogël japonez, i cili kishte nevojë për dikë që e fliste gjuhën dhe që mund të rrinte e t’i ndihmonte. Meqë Aki kishte lindur në atë vend, e kishte më të lehtë të transferohej atje. Po ku të rrinte? Një motër, vajza e së cilës sapo ishte transferuar diku tjetër, i ofroi një dhomë. «Ishte sikur çdo pjesë e mozaikut të binte në vendin e vet. Jehovai po më hapte udhën»,—përfundoi Aki.
27. Pse pyetja «ku është Jehovai» duhet të motivojë çdo gjë që bën?
27 Shumë vëllezër e motra mund të tregojnë raste kur kanë ndier personalisht udhëheqjen e Perëndisë, ndoshta ndërsa lexonin Biblën ose bënin studimin personal. Edhe ti mund të kesh pasur përvoja të ngjashme. Këto duhet të ta forcojnë lidhjen me Jehovain e të të nxitin t’i lutesh më shpesh e më me zjarr. Ki besim se, nëse pyet përditë «ku është Jehovai», ai do të ta tregojë udhën.—Isa. 30:21.
Ç’do të thotë për ty personalisht të pyesësh: «Ku është Jehovai?» Në cilat mënyra mund të kërkosh udhëheqjen e tij?