Kapitulli 18
A është Bibla me të vërtetë e frymëzuar nga Perëndia?
1. Çfarë aftësie ka Krijuesi në dallim nga njerëzit?
ASNJË njeri nuk mund ta parathotë me saktësi dhe me hollësi të ardhmen. Është një gjë që shkon përtej mundësive njerëzore. Megjithatë, Krijuesi i universit zotëron të gjitha faktet e nevojshme dhe madje mund të ndikojë mbi ngjarjet. Për këtë arsye, për të mund të themi se është Ai që «thotë fundin qysh në fillim dhe prej shumë kohësh më parë gjërat që ende nuk janë bërë».—Isaia 46:10; 41:22, 23.
2. Nga do të dukej qartësisht se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia?
2 Bibla përmban qindra profeci. A janë përmbushur saktësisht deri tani? Nëse është kështu, kjo do të përbënte një dëshmi të qartë të faktit se Bibla është «e frymëzuar nga Perëndia». (2. Timoteut 3:16, 17) Do të ishte, gjithashtu, një arsye e vlefshme për të pasur besim edhe në profecitë që kanë të bëjnë me ngjarje që i përkasin ende së ardhmes. Pra, do të jetë e dobishme të shqyrtojmë disa nga profecitë që tashmë janë për-mbushur.
Rënia e Tirit
3. Çfarë u paratha në lidhje me Tirin?
3 Tiri ishte një qytet i rëndësishëm në bregdetin fenikas, i cili kishte vepruar pabesisht kundrejt Izraelit të lashtë, fqinjit të tij jugor që adhuronte Jehovain. Me anë të një profeti, që quhej Ezekiel, Jehovai paratha shkatërrimin e plotë të atij qyteti, më shumë se 250 vjet më parë. Jehovai deklaroi: «Do të bëj të ngrihen kundër teje shumë kombe . . . Ata do të shkatërrojnë muret e Tiros dhe do të shembin kullat e tij; do të fshij prej tij edhe pluhurin e tij dhe do ta bëj si një shkëmb të zhveshur. Ai do të jetë një vend për të hedhur rrjetat në mes të detit.» Ezekieli përmendi kohë më parë edhe emrin e kombit të parë dhe të udhëheqësit të tij që do të rrethonte Tirin: «Ja, unë sjell nga veriu kundër Tiros Nebukadnetsarin, mbretin e Babilonisë.»—Ezekieli 26:3-5, 7, Dio.
4. (a) Si u përmbush profecia në lidhje me pushtimin e Tirit nga babilonasit? (b) Përse babilonasit nuk morën plaçkë lufte?
4 Ashtu siç qe parathënë, më vonë Nabukodonosori [Nebukadnetsari] e përmbysi në fakt qytetin e Tirit, që ndodhej në kontinent dhe Encyclopœdia Britannica raporton për «një rrethim prej trembëdhjetë vjetësh . . . nga ana e Nabukodonosorit».1 Pas rrethimit u referua se nuk kishte marrë plaçkë lufte: «Nuk kanë nxjerrë nga Tiro ndonjë shpërblim.» (Ezekieli 29:18, Dio) Përse? Sepse një pjesë e Tirit gjendej mbi një ishull, e ndarë prej kontinentit nga një kanal i ngushtë.2 Pjesa më e madhe e thesareve të Tirit ishte transportuar në pjesën ishullore të qytetit, e cila nuk u shkatërrua.
5, 6. Si ia bëri Aleksandri i Madh për të shkatërruar pjesën e Tirit që ndodhej në ishull, duke përmbushur kështu në hollësira atë që ishte profetizuar?
5 Megjithatë, fitorja e Nabukodonosorit nuk ‘fshiu prej Tirit edhe pluhurin e tij dhe nuk e bëri atë si një shkëmb të zhveshur’, siç kishte parathënë Ezekieli. Në atë kohë nuk u përmbush as edhe profecia e Zaharisë, sipas së cilës Tiri duhej hedhur «në det». (Zaharia 9:4) Profeci të pasakta? Jo. Në vitin 332 p.e.s., më shumë se 250 vjet pas profecisë së Ezekielit dhe gati 200 vjet pas asaj të Zaharisë, Tiri u shkatërrua plotësisht nga ushtritë greke të drejtuara nga Aleksandri i Madh. «Me gërmadhat e pjesës së shkatërruar të qytetit në kontinent,—shpjegon Encyclopedia Americana,—ndërtoi një pendë të madhe në vitin 332, për të bashkuar ishullin me kontinentin. Pas një rrethimi prej shtatë muajsh . . . e kapi Tirin dhe e shkatërroi.»3
6 Kështu, pra, siç kishin parathënë Ezekieli dhe Zaharia, pluhuri dhe gërmadhat e Tirit përfunduan në fakt në mes të ujit. Mbeti si një shkëmb i zhveshur, «një vend për të tharë rrjetat», siç mundi të dëshmojë një vizitor.4 Pra, profeci të bëra qindra vjet më parë u përmbushën në hollësirat më të vogla!
Kiri dhe rënia e Babilonisë
7. Çfarë kishte parashikuar Bibla në lidhje me judenjtë dhe Babiloninë?
7 Po kaq të rëndësishme janë edhe profecitë që kanë të bëjnë me judenjtë dhe Babiloninë. Historia tregon se Babilonia i vuri nën skllavëri judenjtë. Por Jeremia e kishte parathënë këtë gjë 40 vjet para se të ndodhte. Isaia e kishte parashikuar pothuajse 150 vjet më parë. Kishte parathënë, gjithashtu, se judenjtë do të ktheheshin nga mërgimi. Po kështu kishte bërë edhe Jeremia, duke thënë se do të ktheheshin në atdheun e tyre mbas 70 vjetësh.—Isaia 39:6, 7; 44:26; Jeremia 25:8-12; 29:10.
8, 9. (a) Kush e pushtoi Babiloninë dhe në ç’mënyrë? (b) Cilën mbështetje historike kemi për profecinë mbi Babiloninë?
8 Ky rikthim u bë i mundur nga rënia e Babilonisë, që u shkaktua nga medët dhe persët në vitin 539 p.e.s. Kjo gjë ishte parathënë nga Isaia rreth 200 vjet më parë dhe nga Jeremia rreth 50 vjet më parë se të ndodhte. Jeremia kishte thënë se ushtarët babilonas nuk do të bënin rezistencë. Si Isaia, ashtu edhe Jeremia, kishin parathënë se ujërat që mbronin Babiloninë, ujërat e Eufratit, «do të thaheshin». Isaia kishte përmendur madje edhe emrin e pushtuesit pers, Kirit dhe kishte thënë se para tij «portat [e Babilonisë] nuk do të mbylleshin».—Jeremia 50:38; 51:11, 30; Isaia 13:17-19; 44:27; 45:1.
9 Historiani grek, Herodoti, shpjegon në fakt se Kiri devijoi rrjedhën e Eufratit dhe «bëri të mundur që, duke ulur nivelin e lumit, shtrati i vjetër të bëhej i kalueshëm në va».5 Kështu, gjatë natës, ushtarët armiq marshuan përgjatë shtratit të lumit dhe hynë në qytet nëpërmjet portave të lëna hapur nga pakujdesia. «Nëse babilonasit do të ishin informuar qysh më parë për atë që kishte ndër mend të bënte Kiri,—vazhdon Herodoti,—do t’i kishin mbyllur portat e vogla mbi lumë . . . Ndërsa tani, persët gjendeshin përballë tyre krejt papritur dhe e morën qytetin.»6 Në fakt, siç shpjegon Bibla dhe siç pohon edhe Herodoti, babilonasit ishin të dhënë në atë kohë pas zdërhalljeve.7 (Danieli 5:1-4, 30) Isaia dhe Jeremia kishin parathënë se më në fund Babilonia do të katandisej në një grumbull rrënojash të pabanuara. Kështu ndodhi, dhe sot Babilonia është një grumbull i shkretë me rrënoja.—Isaia 13:20-22; Jeremia 51:37, 41-43.
10. Cila dëshmi pohon lirimin e judenjve nga Kiri?
10 Veç kësaj, Kiri i ktheu judenjtë në atdheun e tyre. Më se dy shekuj më parë, Jehovai kishte parathënë në lidhje me Kirin: «[Ai] do të çojë në vend tërë dëshirat e mia.» (Isaia 44:28, Dio) Duke përmbushur profecinë, në vitin 537 p.e.s. Kiri i dërgoi të burgosurit në atdheun e tyre, pas 70 vjetësh mërgimi. (Ezdra 1:1-4) Është gjetur një mbishkrim i vjetër pers, Cilindri i Kirit, që e përmend hapur politikën e Kirit për të çuar të burgosurit në atdheun e tyre. «Sa për banorët e Babilonisë [dhe të qyteteve të tjera],—thotë Kiri, sipas mbishkrimit,—të gjithë banorët e tyre i mblodha e i dërgova në vendbanimet e tyre të mëparshme.»8
Medo-Persia dhe Greqia
11. Si e parashikoi Bibla ngritjen e Medo-Persisë dhe rënien e saj para Greqisë?
11 Kur Babilonia ishte ende një fuqi botërore, Bibla paratha pushtimin e saj nga ana e një dashi simbolik me dy brirë, i cili përfaqësonte «mbretërit e Medisë dhe të Persisë». (Danieli 8:20) Siç ishte parathënë, Medo--Persia u bë fuqia pasuese botërore, në kohën kur pushtoi Babiloninë, në 539 p.e.s. Me kalimin e kohës, ama, një «cjap», që u identifikua si Greqia, «i ra me bri dashit dhe copëtoi dy brirët e tij». (Danieli 8:1-7, Dio) Kjo ndodhi në vitin 332 p.e.s., kur Greqia mundi Medo--Persinë dhe u bë fuqia e re botërore.
12. Çfarë thoshte Bibla mbi sundimin që ushtronte Greqia?
12 Le të vërejmë se ç’do të ndodhte më pas, sipas profecisë: «Cjapi u bë shumë i madh; por, kur u bë i fuqishëm, briri i tij u thye; në vend të tij dolën katër brirë të mëdhenj.» (Danieli 8:8, Dio) Ç’do të thotë kjo? Bibla shpjegon: «Cjapi leshtor përfaqëson mbretin e Greqisë; e sa për bririn e madh që ndodhej midis syve të tij, përfaqëson mbretin e parë. Dhe pasi ai është thyer, duke qenë se në fund dolën katër në vend të tij, prej kombit të tij do të ngrihen katër mbretëri, por jo me fuqinë e tij.»—Danieli 8:21, 22.
13. Si u përmbush, më shumë se 200 vjet pasi ishte shkruar, profecia që lidhej me Greqinë?
13 Historia tregon se ky «mbret i Greqisë» ishte Aleksandri i Madh. Por pas vdekjes së tij, në vitin 323 p.e.s., perandoria e tij u nda më në fund midis katër prej gjeneralëve të tij, Seleuk Nikatori, Kasandri, Ptoleme Lagu dhe Lisimaku. Pikërisht ashtu siç kishte parathënë Bibla, «në fund dolën katër në vend të tij». Megjithatë, ashtu siç qe parathënë, asnjëri prej tyre nuk e arriti kurrë fuqinë e Aleksandrit. Kështu, pra, më se 200 vjet pasi ishte shkruar, kjo profeci filloi të përmbushej, duke na dhënë një tjetër mbështetje të rëndësishme të frymëzimit të Biblës!
Mesia i parathënë
14. Çfarë tha një studiues në lidhje me profecitë e shumta të përmbushura nga Jezu Krishti?
14 Veçanërisht të rëndësishme janë ato qindra profeci biblike që kanë të bëjnë me Jezu Krishtin. Profesori J. P. Fri vërejti: «Mundësitë që të gjitha këto profeci të përmbusheshin në një njeri të vetëm janë kaq të rralla, saqë tregojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se nuk mund të ishin në asnjë mënyrë supozime të zgjuara të njerëzve të thjeshtë.»9
15. Cilat janë disa profeci të përmbushura në Krishtin dhe mbi të cilat ai nuk kishte asnjë kontroll?
15 Përmbushja e shumë prej këtyre profecive ishte plotësisht jashtë kontrollit të Jezuit. Për shembull, ai nuk ka mundur të vendosë lindjen e vet nga fisi i Judës, apo si pasardhës i Davidit. (Zanafilla 49:10; Isaia 9:6, 7; 11:1, 10; Mateu 1:2-16) As nuk ka pasur mundësinë të manovrojë ngjarjet që çuan në lindjen e tij në Bethlehem. (Mikea 5:2; Luka 2:1-7) As nuk ka pasur mundësi të vendosë që të tradhtohej për 30 copë argjendi (Zaharia 11:12; Mateu 26:15), ose që armiqtë e tij ta pështynin (Isaia 50:6; Mateu 26:67), ose që ta shanin ndërsa gjendej mbi shtyllën e ekzekutimit kapital (Psalmi 22:7, 8; Mateu 27:39-43), ose që ta shponin, por ama, pa i thyer asnjë kockë të trupit (Zaharia 12:10; Psalmi 34:20; Gjoni 19:33-37), ose që ushtarët të hidhnin short për veshjen e tij (Psalmi 22:18; Mateu 27:35). Këto janë vetëm disa nga profecitë që u përmbushën në personin e Jezuit.
Shkatërrimi i Jeruzalemit
16. Çfarë profetizoi Jezui në lidhje me Jeruzalemin?
16 Jezui ishte Profeti më i madh i Jehovait. Le të vëmë re para së gjithash se çfarë tha ai në lidhje me atë që do t’i ndodhte Jeruzalemit. «Armiqtë e tu do të ndërtojnë përreth teje një fortifikatë me shtylla të mprehta dhe do të të rrethojnë e do të të shkaktojnë vajtime nga çdo anë, e do të të hedhin përtokë ty dhe bijtë e tu brenda teje dhe nuk do të lënë në ty gur mbi gur, sepse ti nuk e ke dalluar kohën në të cilën je hetuar.» (Luka 19:43wi-AL f.30, pr.21, 44) Përveç kësaj, Jezui tha: «Kur të shikoni Jeruzalemin të rrethuar nga ushtritë e fushuara, atëherë ta dini se është afruar shkatërrimi i tij. Atëherë, ata që janë në Judejë le të fillojnë të ikin në male.»—Luka 21:20, 21.
17. Si u përmbush profecia e Jezuit mbi faktin se Jeruzalemi do të rrethohej nga ushtritë dhe si u bë e mundur ikja nga qyteti?
17 Ashtu siç qe parathënë, në vitin 66 e.s. ushtritë romake nën komandën e Cestius Galit lëvizën drejt Jeruzalemit. Është për t’u habitur, ama, se ai nuk e përfundoi rrethimin, por, siç referon historiani i shekullit të parë Jozef Flaviu, «pa pasur as më të voglën arsye, u tërhoq nga qyteti».10 Me heqjen e papritur të rrethimit u ofrua mundësia që t’i bindeshin urdhrit të Jezuit për t’u larguar nga Jeruzalemi. Historiani Eusebio raporton se ata që u larguan ishin të krishterët.11
18. (a) Çfarë ndodhi në vitin 70 e.s., më pak se katër vjet pas tërheqjes së ushtrive romake nga Jeruzalemi? (b) Sa i plotë ishte shkatërrimi i Jeruzalemit?
18 Më pak se katër vjet më pas, në vitin 70 e.s., ushtritë romake nën komandën e gjeneral Titit u kthyen dhe e rrethuan Jeruzalemin. Ata prenë pemët për kilometra të tëra përreth qytetit dhe me to ngritën një gardh rreth e rrotull tij, «një fortifikatë me shtylla të mprehta». Si rezultat, Jozefi vërejti: «Tashmë, të gjitha shpresat për t’u arratisur nga qyteti u prenë për judenjtë.»12 Jozefi tregon se pas një rrethimi prej afro pesë muajsh, përveç tri kullave dhe një pjese të mureve, gjithçka që mbeti «ishte rrafshuar përtokë . . . aq sa atje s’kishte mbetur asgjë që t’i bënte ata që do të vinin më pas të besonin se ai vend kishte qenë dikur i banuar».13
19. (a) Sa e rëndë ishte katastrofa që pllakosi mbi Jeruzalemin? (b) Për ç’gjë Arku i Titit është tani një përkujtesë e heshtur?
19 Pothuajse 1.100.000 veta vdiqën gjatë rrethimit dhe 97.000 të tjerë u morën si robër.14 Ende sot, në Romë, është e dukshme një dëshmi e përmbushjes së profecisë së Jezuit, Arku i Titit, i ndërtuar prej romakëve në vitin 81 e.s., në kujtim të pushtimit të Jeruzalemit. Ky ark mbetet një përkujtesë e heshtur e faktit se mosdëgjimi i paralajmërimeve profetike të Biblës mund të çojë në shkatërrim.
Profeci që po përmbushen
20. Në përgjigje të cilës pyetje Jezui dha «shenjën», me anë të së cilës ne mund të dimë se është afër një ndryshim i madh botëror?
20 Sipas Biblës, është afër një ndryshim i jashtëzakonshëm botëror. Ashtu siç paratha ngjarje me anë të së cilave njerëzit e shekullit të parë mundën të kuptonin shkatërrimin e pashmangshëm të Jeruzalemit, Jezui paratha, gjithashtu, edhe ngjarje me anë të së cilave njerëzit sot mund të kuptojnë se është afër një ndryshim në shkallë botërore. Jezui e dha këtë «shenjë» në përgjigje të kësaj pyetjeje që i bënë dishepujt e tij: «Cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e mbarimit të sistemit të gjërave?»—Mateu 24:3.
21. (a) Çfarë është «prania» e Krishtit dhe çfarë është «mbarimi i sistemit të gjërave»? (b) Ku mund të lexojmë në lidhje me shenjën që dha Jezui?
21 Sipas Biblës, kjo «prani» e Krishtit nuk do të ishte në formë njeriu, por përkundrazi, ai do të ishte një sundimtar i fuqishëm në qiell, që do të çlironte njerëzimin e shtypur. (Danieli 7:13, 14) «Prania» e tij do të ndodhte gjatë asaj periudhe që ai e quajti «mbarimi i sistemit të gjërave». Mirë, pra, cila ishte shenja që Jezui dha për të dalluar kohën në të cilën ai do të ishte i pranishëm në mënyrë të padukshme si sundimtar dhe kur fundi i këtij sistemi gjërash do të ishte afër? Në Bibël, në kreun 24 të Mateut, në kreun 13 të Markut dhe në kreun 21 të Lukës, ti mund të shohësh ngjarjet që së bashku përbëjnë shenjën. Disa nga më të mëdhatë janë këto:
22. Në ç’mënyrë luftërat prej 1914-ës e këndej kanë qenë një aspekt i shenjës dhe ç’mund të themi për karakterin e tyre shkatërrimtar?
22 LUFTËRA TË MËDHA: «Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie.» (Mateu 24:7) Qysh prej vitit 1914, këto fjalë po përmbushen në mënyrë të pakundërshtueshme. Lufta e Parë Botërore, që filloi më 1914-ën, solli përdorimin në një shkallë të lartë të mitralozëve, tankeve, nëndetëseve, aeroplanëve dhe të gazeve helmuese. Kur mbaroi më 1918-ën, rreth 14 milionë ushtarë e civilë humbën jetën në këtë masakër. Një historian vërejti: «Lufta e Parë Botërore ishte lufta e parë ‘e përgjithshme’.»15 Lufta e Dytë Botërore (1939-1945) ishte shumë më shkatërrimtare dhe shkaktoi vdekjen e rreth 55 milionë njerëzve, ushtarë e civilë. Solli veç të tjerash një element të tmerrshëm dhe absolutisht të ri: bombën atomike! Që nga ajo kohë, më shumë se 30 milionë njerëz kanë humbur jetën në dhjetra e dhjetra luftëra, të mëdha e të vogla. Gazeta gjermane Der Spiegel pohon: «Prej 1945-ës, në botë nuk ka pasur paqe të vërtetë, as edhe vetëm për një ditë.»16
23. Deri në ç’masë e ka goditur botën mungesa e ushqimeve qysh prej 1914-ës?
23 MUNGESË USHQIMESH: «Do të ketë mungesa ushqimi.» (Mateu 24:7) Lufta e Parë Botërore u pasua nga një zi e përhapur buke. Pas Luftës së Dytë Botërore, zija e bukës ishte akoma më e rëndë. Ç’mund të themi për sot? «Sot, urija ka marrë përmasa krejtësisht të reja. . . . Plot 400 milionë njerëz jetojnë vazhdimisht në buzë të vdekjes nga urija»,—ka shkruar Times e Londrës.17 Sipas një gazete të Torontos, The Globe and Mail, «më shumë se 800 milionë veta hanë nën nivelin e duhur të ushqimit».18 Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë referon se «çdo vit, dymbëdhjetë milionë fëmijë vdesin si rrjedhojë e të ushqyerit të keq përpara se të mbushin një vjeç».19
24. Ç’rritje kanë regjistruar tërmetet qysh prej 1914-ës?
24 TËRMETE: «Do të ketë tërmete të mëdha.» (Luka 21:11) Një specialist në çështjen e ndërtimeve antisizmike, Xhorxh W. Husner, e ka përcaktuar tërmetin e Tangshanit, në Kinë, në 1976-ën, «shkatërrimin më të madh sizmik në historinë e njerëzimit», shkatërrim që shkaktoi qindra e mijëra viktima.20 Gazeta italiane Il Piccolo ka shkruar: «Brezi ynë jeton në një periudhë me rrezikshmëri të lartë sizmike, siç tregojnë statistikat.»21 Që nga 1914-a, mesatarisht, tërmetet kanë shkaktuar çdo vit dhjetë herë më shumë viktima se në shekujt e kaluar.
25. Cilat epidemi vdekjeprurëse kanë ndodhur prej 1914-ës në përmbushje të kësaj pjese të shenjës?
25 SËMUNDJE: «Nga njëri vend në tjetrin murtaja.» (Luka 21:11) Revista Science Digest shkroi: «Epidemia e gripit spanjoll në 1918-ën u përhap në të gjithë tokën, duke shkaktuar 21 milionë viktima.» Dhe shton: «Gjatë gjithë historisë nuk ka pasur kurrë një plagë vdekjeprurëse më të shpejtë, më të ashpër. . . . Sikur epidemia të kishte vazhduar me atë ritëm, njerëzimi do të ishte shfarosur në pak muaj.»22 Nga ajo kohë, shqetësimet kardiake, kanceri, sëmundjet veneriane dhe plagë të tjera kanë lënë invalidë apo kanë vrarë qindra milionë njerëz.
26. Sa për paligjshmërinë, ç’rritje ka pasur qysh prej vitit 1914?
26 KRIMINALITET: «Rritje e paligjshmërisë.» (Mateu 24:12) Vrasje, rrëmbime, përdhunime, terrorizëm, korrupsion: lista është e gjatë dhe shumë e njohur. Në shumë vende njerëzit kanë frikë të ecin rrugëve. Duke konfirmuar këtë prirje ndaj paligjshmërisë që prej 1914-ës, një ekspert në çështjen e terrorizmit pohon: «Periudha para Luftës së Parë Botërore ishte, në përgjithësi, më humane.»23
27. Si përmbushet sot profecia në lidhje me frikën?
27 FRIKË: «Njerëzit do të shohin pamje të frikshme.» (Luka 21:11) Die Welt, një gazetë e Hamburgut, e ka përcaktuar kohën tonë si «shekulli i frikës».24 Njerëzimi kërcënohet nga rreziqe tërësisht të reja. Për herë të parë në histori, rreziqe të tilla si shfarosja bërthamore dhe ndotja kërcënojnë të «shkatërrojnë dheun». (Zbulesa 11:18, Dio) Shtimi i kriminalitetit, inflacionit, armëve bërthamore, urisë, sëmundjeve dhe i të këqijave të tjera rrit tek njerëzit frikën për sigurinë dhe për vetë jetën e tyre.
Çfarë e bën të ndryshme?
28. Përse aspektet e shenjës së sotme i identifikojnë ditët tona si «mbarimi i sistemit të gjërave»?
28 Megjithatë, disa kundërshtojnë se shumë prej këtyre gjërave ndodhnin edhe në shekujt e kaluar. Çfarë i bën, pra, të ndryshme? Së pari, të gjitha aspektet e shenjës janë vërejtur nga një brez, brezi që jetonte në 1914-ën dhe miliona veta që i përkasin atij brezi janë ende në jetë. Jezui deklaroi se «ky brez në asnjë mënyrë nuk do të kalojë pa ndodhur gjithë këto gjëra». (Luka 21:32) Së dyti, ndikimet e kësaj shenje po ndihen në shkallë botërore, «nga një vend në tjetrin». (Mateu 24:3, 7, 9; 25:32) Së treti, kushtet janë keqësuar në mënyrë progresive gjatë kësaj periudhe: «Të gjitha këto janë fillim i dhembjeve të mjerimit»; «njerëz të këqinj e mashtrues do të shkojnë keq e më keq». (Mateu 24:8; 2. Timoteut 3:13) Dhe së katërti, ashtu siç paratha Jezui, të gjitha këto gjëra janë shoqëruar nga një ndryshim në mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit të njerëzve: «Dashuria e shumicës do të ftohet.»—Mateu 24:12.
29. Cili paralel vihet re midis përshkrimit biblik të «kohëve të fundit» dhe gjendjes morale të njerëzve sot?
29 Një nga dëshmitë më të forta se jetojmë në kohën e fundit e vendimtare të parathënë është, në fakt, rënia morale që vihet re tek njerëzit. Krahasoje gjendjen e botës me këto fjalë profetike që lidhen me kohën tonë: «Dhe dije këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira, sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë, të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s’e duan të mirën, tradhtarë, kokëshkretë, fodullë, dëfrimdashës më fort se perëndidashës, të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj.»—2. Timoteut 3:1-5, Dio.
1914-a: një kthesë në histori
30, 31. (a) Çfarë mendonin për kushtet e botës ata që jetonin në 1914-ën dhe cilën të ardhme shpresonin të arrinin? (b) Përveç shenjës, ç’gjë tjetër përmban Bibla në mbështetje të faktit se jetojmë në «ditët e fundit»?
30 Nga pikëpamja njerëzore, vështirësitë në të gjithë tokën dhe luftërat botërore që parashikonte Bibla nuk hynin në parashikimet e botës para vitit 1914. Burri i shtetit gjerman, Konrad Adenauer, tha: «Më vijnë ndër mend mendime dhe pamje, . . . mendime të viteve përpara 1914-ës, kur mbi këtë tokë kishte paqe të vërtetë, qetësi dhe siguri, një kohë në të cilën nuk e njihnim frikën. . . . Nga 1914-a, siguria dhe qetësia u zhdukën nga jeta e njerëzve.»25 Siç pohoi burri i shtetit, britaniku Harold Makmilan, njerëzit që jetonin përpara vitit 1914 mendonin se në të ardhmen do të shkonin «mirë e më mirë».26 Libri 1913: Amerika midis dy botëve (1913: America Between Two Worlds) vëren: «Sekretari i atëhershëm i shtetit, Braian, tha [në 1913-ën] se ‘premisat për një paqe botërore s’kishin qenë kurrë më të favorshme’ se atëherë.»27
31 Pra, në fakt, deri në prag të Luftës I Botërore, krerët e botës parathoshin një epokë të ndritur të zhvillimit të shoqërisë. Por shumë kohë më parë, Bibla kishte parathënë të kundërtën, d.m.th., që lufta pa precedent e viteve 1914-1918, do të shënonte fillimin e «ditëve të fundit». (2. Timoteut 3:1) Bibla dha edhe një provë kronologjike që 1914-a do të shënonte lindjen e Mbretërisë qiellore të Perëndisë, ngjarje që do të ndiqej nga vuajtje botërore pa precedent.28 Po midis atyre që jetonin në atë kohë, a ekzistonte dikush që e priste një kthesë të tillë historike në 1914-ën?
32. (a) Dhjetra vjet para 1914-ës, çfarë lajmëronin në lidhje me këtë datë ata që njihnin kronologjinë biblike? (b) Sipas pasqyrës prapa, çfarë kanë thënë të tjerët mbi vitin 1914?
32 Dhjetra vjet më parë se të vinte kjo datë, ekzistonte një organizatë, anëtarët e së cilës lajmëronin domethënien e vitit 1914. Një gazetë njujorkeze, World, e 30 gushtit 1914, shpjegoi: «Shpërthimi i tmerrshëm i luftës në Evropë përmbushi një profeci të jashtëzakonshme. Në çerekun e shkuar të shekullit, me anë të lajmëtarëve dhe të shtypit, ‘Studentët biblikë ndërkombëtarë’ [Dëshmitarët e Jehovait] . . . i shpallën botës se Dita e Zemërimit e profetizuar në Bibël do të vinte në 1914-ën. ‘Kujdes nga 1914-a!’ ishte thirrja e qindra ungjillëtarëve.»29
Një popull që përmbush profecinë
33. Cilin aspekt të mëtejshën të shenjës po përmbushin Dëshmitarët e Jehovait?
33 Bibla parathoshte, gjithashtu, se «në pjesën e fundit të ditëve», njerëz nga të gjitha kombet do të ngjiteshin në mënyrë simbolike «në malin e Jehovait», ku ai ‘do t’i mësonte mbi rrugët e tij’. Duke treguar një nga rezultatet e këtij mësimi, profecia thotë: «Duhet t’i bëjnë shpatat e tyre plugje dhe shtizat e tyre gërshërë për krasitje. . . . as do të mësojnë më luftën.» (Isaia 2:2-4) Qëndrimi i mirënjohur i Dëshmitarëve të Jehovait në lidhje me luftën është një përmbushje e qartë e kësaj profecie.
34. Cila provë ekziston se Dëshmitarët e Jehovait ‘i kanë bërë shpatat e tyre plugje’?
34 Martin Nimëler, përfaqësues protestant në Gjermani, para dhe pas Luftës II Botërore, flet për Dëshmitarët e Jehovait si për «studiues seriozë të Biblës, që me qindra e mijëra përfunduan nëpër kampet e përqendrimit dhe vdiqën pasi refuzuan të merrnin pjesë në luftë e të vritnin njerëz të tjerë». Duke bërë pastaj një kontrast, ai shkruan: «Kishat e krishtere gjithmonë kanë pranuar të bekojnë luftëra, trupa dhe armë e . . . në mënyrë fare pak të krishterë janë lutur për shfarosjen e armikut.»30 Cilët përputhen, pra, me shenjën karakteristike të të krishterëve të vërtetë, të përmendur nga Jezui? Ai tha: «Nga kjo të gjithë do të kuptojnë se jeni dishepujt e mi, nëse do të kini dashuri mes jush.» (Gjoni 13:35) Siç tregon qartësisht 1. Gjonit 3:10-12, shërbëtorët e Perëndisë nuk vriten me njëri-tjetrin. Kështu veprojnë bijtë e Satanait.
35. (a) Çfarë i bashkon Dëshmitarët e Jehovait? (b) Çfarë baze biblike ka besnikëria e tyre ndaj Mbretërisë së Perëndisë?
35 Faktorët bashkues të Dëshmitarëve të Jehovait në një vëllazëri botërore janë besnikëria e tyre e përbashkët ndaj Mbretërisë së Perëndisë dhe përmbajtja me besnikëri ndaj parimeve biblike. Ata pranojnë plotësisht atë që mëson Bibla, pra, që Mbretëria është një qeveri me ligje dhe autoritet dhe që së shpejti do të qeverisë mbarë tokën. Ajo ka tashmë mbi tokë miliona nënshtetas që po brumosen si themel i qytetërimit të ardhshëm dhe numri i tyre vazhdon të rritet. Në lidhje me Mbretërinë, profeti Daniel u frymëzua për të shkruar: «Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. . . . Ajo do të thërmojë të gjitha këto mbretëri [që ekzistojnë tani] e do t’u japë fund atyre dhe ajo vetë do të qëndrojë në kohë të pacaktuara.» (Danieli 2:44) Jezui e theksoi Mbretërinë kur tha: «Ju, pra, duhet të luteni kështu: ‘Ati ynë që je në qiej . . . Ardhtë mbretëria jote.’ »—Mateu 6:9, 10.
36. (a) Çfarë dëshiron Perëndia që të shpallet? (b) Cilët po e bëjnë këtë?
36 Ngjarjet e ndryshme që kanë përmbushur profecitë biblike nga viti 1914 e këndej tregojnë se shumë shpejt Mbretëria qiellore e Perëndisë ‘do të thërmojë të gjitha qeveritë e tjera dhe do t’u japë fund atyre’. Dhe Perëndia dëshiron që kjo gjë të shpallet, siç tregon edhe ky aspekt tjetër i rëndësishëm i shenjës: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar për dëshmi në të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14) Miliona Dëshmitarë të Jehovait, të bashkuar në një vëllazëri ndërkombëtare, përmbushin tani këtë profeci.
37. Përse fundi i këtij sistemi gjërash në Harmagedon do të jetë një lajm i mirë?
37 Kur Mbretëria të jetë predikuar në masën që dëshiron Perëndia, atëherë bota do të shohë, siç tha Jezui, një «mjerim të madh i tillë që nuk ka ndodhur kurrë qysh nga fillimi i botës e deri tani, jo, as do të ndodhë përsëri». Ky mjerim do të arrijë kulmin në betejën e Harmagedonit dhe do t’i japë fund ndikimit të lig të Satanait. Do të pastrojë mbarë tokën nga kombet dhe nga njerëzit e ligj dhe do t’i shtrojë rrugën Parajsës së ardhshme, në të cilën «do të banojë drejtësia».—Mateu 24:21; 2. Pjetrit 3:13; Zbulesa 16:14-16; 12:7-12; 2. Korintasve 4:4.
38. (a) Çfarë tregojnë për Biblën të gjitha këto profeci të përmbushura? (b) Ç’mund të themi atëherë për profecitë që lidhen me të ardhmen?
38 Me gjithë këto profeci të përmbushura tashmë në favor të saj, Bibla ka treguar besueshmërinë e saj si libër «i frymëzuar nga Perëndia». (2. Timoteut 3:16) Pranoje, pra, ‘jo si fjalën e njerëzve, por, siç është në të vërtetë, si fjalën e Perëndisë’. (1. Selanikasve 2:13) Përveç kësaj, pasi Autori i saj, Perëndia Jehova, është ‘Ai që lajmëron fundin që në fillim’, mund të kesh besim absolut në profecitë që duhet të përmbushen akoma. (Isaia 46:10) Dhe ajo që duhet të ndodhë është me të vërtetë e mrekullueshme. Mund ta lexosh në kapitullin që vijon: ka për të të mahnitur.
[Diçitura në faqen 216]
Profecitë e përmbushura japin besim
[Diçitura në faqen 222]
Shkatërrimi i Jeruzalemit ishte parathënë nga Jezui
[Diçitura në faqen 226]
Të gjitha aspektet e shenjës janë vërejtur nga një brez
[Diçitura në faqen 227]
«Përpara 1914-ës . . . mbi tokë kishte paqe të vërtetë, qetësi dhe siguri.»
[Diçitura në faqen 229]
«Nuk do të mësojnë më luftën»
[Diçitura në faqen 231]
Bibla e ka treguar besueshmërinë e saj si një libër i frymëzuar nga Krijuesi
[Kutia në faqen 228]
1914—NJË PIKË KTHESE NË HISTORI
Edhe pas një lufte të dytë botërore, shumë veta do të flasin për 1914-ën si për kthesën e madhe në historinë moderne:
«Në të vërtetë është 1914-a dhe jo ai i Hiroshimës, viti që shënoi kthesën në kohën tonë.»—René Albrecht-Carrié, The Scientific Monthly, korrik 1951.
«Qysh prej vitit 1914, cilido që i kupton prirjet e kësaj bote, është thellësisht i shqetësuar për atë që duket si një marshim fatal dhe i paracaktuar drejt shkatërrimeve gjithnjë e më të mëdha. Shumë persona seriozë kanë filluar të ndiejnë se nuk mund të bëhet më asgjë për të shmangur zhytjen në rrënim. E shohin racën njerëzore, si heroin e një tragjedie greke, të nxitur nga perëndi të zemëruara dhe që s’është më e zonja e fatit të saj.»—Bertrand Russell, The New York Times Magazine, 27 shtator 1953.
«Epoka moderne . . . filloi në vitin 1914 dhe askush nuk e di se kur e si do të mbarojë. . . . Ka mundësi të mbarojë si një zhdukje në masë.»—Seattle Times, 1 janar 1959.
«Në 1914-ën, bota, ashtu siç ishte njohur dhe pranuar në atë kohë, arriti fundin.»—James Cameron, 1914, botuar në 1959.
«Në të vërtetë e gjithë bota shpërtheu aty nga Lufta e Parë Botërore dhe akoma nuk e dimë përse. . . . Në horizont po dukej utopia. Kishte paqe dhe begati. Kur, ja, çdo gjë shpërtheu. Qysh atëherë gjendemi në një gjendje kome.»—Dr. Walker Percy, American Medical News, 21 nëntor 1977.
«Në 1914-ën bota humbi atë koherencë, të cilën qysh nga ajo kohë nuk ka mundur ta rifitojë. . . . Kjo ka qenë kohë e një çrregullimi dhe e një dhune të jashtëzakonshme, si jashtë ashtu edhe brenda kufijve kombëtarë.»—The Economist, Londër, 4 gusht 1979.
«Në 1914-ën, qytetërimi u sëmur nga një e keqe mizore dhe ndoshta e fundit.»—Frank Peters, Post-Dispatch, Seint Luis, 27 janar 1980.
«Gjithçka po shkonte si jo më mirë. Kjo ishte bota në të cilën linda. . . . Papritur, një mëngjes të 1914-ës, çdo gjë papritmas arriti fundin.»—Harold Macmillan, burrë shteti britanik, The New York Times, 23 nëntor 1980.
[Figura në faqen 217]
Ndërtimi i një pende për të mbërritur qytetin ishullor të Tirit përmbushi profecinë biblike
[Figura në faqen 218]
Devijimi i rrjedhës së Eufratit përmbushi profecinë biblike
[Figura në faqen 219]
Cilindri i Kirit (i riprodhuar këtu vertikalisht) përmend zakonin e Kirit për t’i kthyer në atdhe të burgosurit
[Figura në faqen 220]
Medaljon ari me portretin e Aleksandrit të Madh, bëmat e të cilit ishin parathënë nga profecia
[Figurat në faqen 221]
Jezui nuk ka pasur mundësi të përmbushë me dashje shumë nga profecitë që lidheshin me të
[Figura në faqen 223]
Ky reliev në brendësi të Arkut të Titit, që përshkruan marrjen e thesareve mbas shkatërrimit të Jeruzalemit, përbën një dëshmi të heshtur
[Figura në faqen 230]
Kur të mbarojë ky sistem, ata që do të mbijetojnë do të hyjnë në një sistem të ri të drejtësisë