KAPITULLI 20
«Ndani vendin si trashëgimi»
NË KËTË KAPITULL: Ç’kuptim ka ndarja e vendit
1, 2. (a) Çfarë udhëzimesh i dha Jehovai Ezekielit? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?
EZEKIELI sapo ka parë një vegim që duhet ta ketë kthyer afro 900 vjet pas, në ditët e Moisiut e të Josiut. Në atë kohë Jehovai i përshkroi Moisiut kufijtë e Tokës së Premtuar dhe më vonë i tha Josiut si ta ndante vendin mes fiseve të Izraelit. (Num. 34:1-15; Jos. 13:7; 22:4, 9) Mirëpo tani, në vitin 593 p.e.s., Jehovai udhëzon Ezekielin dhe të mërguarit e tjerë ta ndajnë sërish Tokën e Premtuar mes fiseve të Izraelit.—Ezek. 45:1; 47:14; 48:29.
2 Çfarë mesazhi përmbante ky vegim për Ezekielin dhe të mërguarit e tjerë? Pse ky vegim është një burim inkurajimi për popullin e Perëndisë sot? A do të ketë një përmbushje më të madhe në të ardhmen?
Një vegim me katër garanci
3, 4. (a) Cilat janë katër garancitë që u jepte të mërguarve vegimi i fundit i Ezekielit? (b) Cilën garanci do të shqyrtojmë në këtë kapitull?
3 Vegimi i fundit që mori Ezekieli, zë nëntë kapituj të librit të tij. (Ezek. 40:1–48:35) Ai u dha të mërguarve katër garanci zemërdhënëse për kombin e rivendosur të Izraelit. Cilat janë? Së pari, adhurimi i pastër do të rivendosej në tempullin e Perëndisë. Së dyti, kombin e rivendosur do ta udhëhiqnin priftërinj dhe barinj të drejtë. Së treti, të gjithë ata që do të ktheheshin në Izrael, do të trashëgonin një pjesë toke. Së katërti, Jehovai do të ishte me ta dhe do të banonte sërish mes tyre.
4 Në kapitujt 13 dhe 14 të këtij botimi shqyrtuam si do të dilnin të vërteta dy garancitë e para—rivendosja e adhurimit të vërtetë dhe udhëheqja nga barinj të drejtë. Në këtë kapitull do të përqendrohemi te garancia e tretë, te premtimi për trashëgiminë e vendit. Në kapitullin vijues do të shqyrtojmë premtimin për praninë e Jehovait.—Ezek. 47:13-21; 48:1-7, 23-29.
‘Ky vend ju është caktuar si trashëgimi’
5, 6. (a) Cili territor do t’u caktohej 12 fiseve sipas vegimit të Ezekielit? (Shih figurën hapëse.) (b) Cili ishte qëllimi i këtij vegimi?
5 Lexo Ezekielin 47:14. Në vegim, Jehovai ia drejtoi vëmendjen Ezekielit te një pjesë e vendit që shumë shpejt do të bëhej «si kopshti i Edenit». (Ezek. 36:35) Pas kësaj, Jehovai i tha: «Ky është territori që do t’u caktoni 12 fiseve të Izraelit si trashëgimi.» (Ezek. 47:13) «Territori» që do t’u caktohej, do të ishte toka e Izraelit ku do të riktheheshin të mërguarit. Më pas, siç shohim tek Ezekieli 47:15-21, Jehovai përshkruan me hollësi kufijtë kombëtarë të të gjithë vendit.
6 Cili është qëllimi i këtij vegimi? Përshkrimi i detajuar i kufijve i siguroi edhe një herë Ezekielin dhe të mërguarit e tjerë se nuk kishte pikë dyshimi se Jehovai do ta kthente në gjendjen e mëparshme vendin e tyre të dashur. Imagjino si duhet t’ua ketë ngritur zemrat peshë të mërguarve kjo garanci që Jehovai e përshkroi me detaje dhe me një gjuhë kaq të gjallë! A mori vërtet një vend si trashëgimi populli i lashtë i Perëndisë? Patjetër.
7. (a) Çfarë filloi të ndodhte në vitin 537 p.e.s., dhe çfarë na kujton kjo? (b) Cilën pyetje do të shqyrtojmë në fillim?
7 Në vitin 537 p.e.s., rreth 56 vjet pasi Ezekieli pa vegimin, mijëra të mërguar filluan të ktheheshin në Izrael dhe e zotëruan sërish vendin. Kjo ngjarje e jashtëzakonshme e shekujve më parë na kujton një ngjarje të ngjashme që po ndodh mes shërbëtorëve të Perëndisë në kohët moderne. Në njëfarë mënyre, edhe këta kanë marrë një trashëgimi. Si? Jehovai i ka lejuar të hyjnë në një vend të figurshëm e ta zotërojnë. Prandaj, rivendosja e Tokës së Premtuar në kohët e lashta na mëson shumë për rivendosjen e parajsës së figurshme të popullit të Perëndisë sot. Por, para se të shqyrtojmë këto mësime, le t’i përgjigjemi pyetjes: «Pse arrijmë në përfundimin se parajsa e figurshme ekziston vërtet sot?»
8. (a) Me cilin komb e zëvendësoi Jehovai kombin e Izraelit të lashtë? (b) Çfarë është vendi, ose parajsa, e figurshme? (c) Kur erdhi në ekzistencë dhe kush ka hyrë në të?
8 Në një vegim të mëparshëm të Ezekielit, Jehovai tregoi se profecitë për rivendosjen e Izraelit do të kishin një përmbushje më të madhe pak pasi «shërbëtori [i tij], Davidi», Jezu Krishti, të fillonte të qeveriste si Mbret. (Ezek. 37:24) Kjo ndodhi në vitin 1914. Në atë kohë kombi i Izraelit nuk ishte më populli i zgjedhur i Perëndisë. Ai ishte zëvendësuar prej kohësh nga Izraeli i Perëndisë, i përbërë nga të krishterët e mirosur nga fryma. (Lexo Mateun 21:43; 1 Pjetrit 2:9.) Megjithatë, Jehovai nuk zëvendësoi vetëm kombin e lashtë të Izraelit me një komb të ri me të krishterë të mirosur nga fryma, por edhe vendin e mirëfilltë të Izraelit me një vend, ose parajsë, të figurshme. (Isa. 66:8) Siç e pamë në kapitullin 17, parajsa e figurshme është një mjedis ose një gjendje e sigurt, ku mbetja e të mirosurve ka adhuruar Jehovain që nga viti 1919. (Shih kutinë 9B «Pse viti 1919?») Me kalimin e kohës edhe ata me shpresë tokësore, ‘delet e tjera’, nisën të hynin në këtë vend të figurshëm. (Gjoni 10:16) Edhe pse sot po jetojmë në këtë parajsë të figurshme, bekimet e saj do t’i shijojmë plotësisht vetëm pas Armagedonit.
Vendi ndahet në mënyrë të barabartë
9. Cilat udhëzime të hollësishme dha Jehovai për ndarjen e vendit mes fiseve?
9 Lexo Ezekielin 48:1, 28. Pasi u përcaktuan qartë kufijtë kombëtarë të vendit, Jehovai përshkroi me hollësi si do të ndahej vendi mes fiseve. Ai udhëzoi që toka të ndahej mes 12 fiseve në mënyrë të barabartë dhe me kufij të qartë nga veriu në jug. Ndarja nisi me fisin e Danit nga skaji më verior i vendit dhe përfundoi me fisin e Gadit në skajin më jugor. Secili nga 12 fiset kishte një rrip toke horizontale që në lindje kufizohej me kombe të tjera, ndërsa në perëndim me Detin e Madh, ose Detin Mesdhe.—Ezek. 47:20.
10. Ç’garanci mund t’u ketë dhënë të mërguarve kjo pjesë e vegimit për ndarjen e vendit?
10 Ç’garanci mund t’u ketë dhënë të mërguarve kjo pjesë e vegimit për ndarjen e vendit? Përshkrimi i detajuar i Ezekielit duhet t’i ketë siguruar të mërguarit se ndarja e vendit do të ishte një projekt i mirorganizuar. Për më tepër, kufijtë e qartë mes 12 fiseve theksojnë se çdo i mërguar do të trashëgonte patjetër një pjesë toke. Asnjë nga të rikthyerit nuk do të mbetej pa shtëpi e pa tokë.
11. Ç’mësime nxjerrim nga ky vegim për ndarjen e vendit? (Shih kutinë «Ndarja e vendit».)
11 Ç’mësime besimforcuese nxjerrim sot nga vegimi? Toka e Premtuar do të kishte vend jo vetëm për priftërinjtë, levitët dhe prijësit, por edhe për të gjithë pjesëtarët e 12 fiseve. (Ezek. 45:4, 5, 7, 8) Po njësoj edhe sot, në parajsën e figurshme ka vend jo vetëm për të mirosurit dhe ata që marrin drejtimin mes ‘shumicës së madhe’, por edhe për të gjithë pjesëtarët e tjerë të shumicës së madhe.a (Zbul. 7:9) Pavarësisht sa modest mund të jetë roli ynë në organizatë, secili ka një vend të sigurt dhe një caktim të çmuar në këtë parajsë të figurshme. Ç’garanci që të ngroh zemrën!
Dy ndryshime domethënëse—Ç’kuptim kanë për ne?
12, 13. Cilat udhëzime specifike dha Jehovai për ndarjen e tokës mes fiseve?
12 Disa nga udhëzimet që dha Jehovai për ndarjen e vendit, mund ta kenë habitur pak Ezekielin, sepse ndryshonin nga udhëzimet që i kishte dhënë Moisiut. Le të shqyrtojmë dy prej tyre. Njëri lidhet me vendin, tjetri me banorët e tij.
13 Së pari, vendi. Jehovai e kishte udhëzuar Moisiun që fiseve të mëdha t’u jepte më shumë tokë se fiseve më të vogla. (Num. 26:52-54) Megjithatë, në vegimin e Ezekielit, Jehovai dha udhëzime specifike që të gjitha fiset të merrnin «pjesë të barabarta [«secili sa vëllai i vet», shën.]». (Ezek. 47:14) Prandaj, distanca nga veriu në jug e territorit që i përkiste secilit fis, do të ishte fiks njësoj për të 12 fiset. Çdo izraelit—pavarësisht se cilit fis i përkiste—do të kishte mundësi të barabarta për të shijuar begatinë e vendeve pjellore të Tokës së Premtuar.
14. Ku ndryshonin udhëzimet e Jehovait për të ardhurit nga udhëzimet në Ligjin e Moisiut?
14 Së dyti, banorët. Ligji i Moisiut i mbronte të ardhurit dhe i lejonte të adhuronin Jehovain, por ata nuk trashëgonin pjesë toke. (Lev. 19:33, 34) Megjithatë, ajo që Jehovai po i thoshte tani Ezekielit, shkonte përtej Ligjit. Ai e udhëzoi: «Duhet t’i jepni të ardhurit një trashëgimi brenda territorit të fisit ku banon.» Me këtë urdhër i dha fund ndryshimit të madh mes ‘vendësve në Izrael’ dhe të ardhurve. (Ezek. 47:22, 23) Në vendin që pa Ezekieli në vegim, vuri re se të gjithë banorët ishin të barabartë dhe adhuronin Jehovain në unitet.—Lev. 25:23.
15. Për cilën të vërtetë të pandryshueshme për Jehovain dëshmojnë udhëzimet për vendin dhe banorët e tij?
15 Me siguri, të mërguarit duhet të kenë marrë zemër nga këto dy udhëzime të jashtëzakonshme që mori Ezekieli për vendin dhe banorët e tij. Ata e dinin se Jehovai do t’ua ndante vendin në mënyrë të barabartë, si për izraelitët, si për të ardhurit që e adhuronin. (Ezd. 8:20; Neh. 3:26; 7:6, 25; Isa. 56:3, 8) Përveç kësaj, këto udhëzime dëshmonin për këtë të vërtetë inkurajuese dhe të pandryshueshme: Jehovai i çmon njësoj të gjithë shërbëtorët e tij. (Lexo Hageun 2:7, shën.) Kjo e vërtetë na jep zemër të gjithëve sot, qoftë nëse kemi shpresë qiellore, qoftë tokësore.
16, 17. (a) Si nxjerrim dobi kur shqyrtojmë detajet për vendin dhe për banorët e tij? (b) Çfarë do të shohim në kapitullin vijues?
16 Si nxjerrim dobi kur shqyrtojmë detajet për vendin dhe banorët e tij? Ky vegim thekson se mes vëllazërisë sonë anekënd botës duhet të spikatin barazia dhe uniteti. Jehovai është i paanshëm. Ndaj bëjmë mirë të pyesim veten: «A jam i paanshëm si Ai? A i respektoj me gjithë zemër vëllezërit e motrat, pavarësisht nga raca ose rrethanat që kanë?» (Rom. 12:10) Kënaqemi që Jehovai i ka dhënë secilit prej nesh mundësi të barabarta për të hyrë në parajsën e figurshme, ku i shërbejmë me gjithë shpirt Atit tonë qiellor dhe shijojmë bekimet e tij!—Gal. 3:26-29; Zbul. 7:9.
17 Tani do të shqyrtojmë garancinë e katërt në vegimin e fundit të Ezekielit—premtimin e Jehovait se do të ishte me të mërguarit. Ç’mund të mësojmë nga ky premtim? Përgjigjen e marrim në kapitullin vijues.
a Për të kuptuar se ç’mund të mësojnë nga vegimi i Ezekielit për priftërinjtë dhe prijësit ata që bëjnë pjesë në parajsën e figurshme, shih kapitullin 14 të këtij libri.