KAPITULLI 6
«Tani të erdhi fundi!»
NË KËTË KAPITULL: Si u plotësuan gjykimet profetike të Jehovait kundër Jerusalemit
1, 2. (a) Çfarë bëri Ezekieli që i çuditi njerëzit? (Shih figurën hapëse.) (b) Ç’parathoshin këto veprime?
LAJMI për sjelljen e çuditshme të profetit Ezekiel mori dhenë mes judenjve të mërguar në Babiloni. Ai ka një javë që qëndron si i mpirë midis të mërguarve, pa thënë asnjë fjalë. Mirëpo, papritur ngrihet dhe mbyllet në shtëpinë e tij. Pastaj del nga shtëpia, merr një tullë, e vë përpara dhe gdhend një qytet në të, ndërsa komshinjtë e hutuar e shohin me vëmendje. Më pas, pa nxjerrë asnjë fjalë, Ezekieli nis të bëjë një mur në miniaturë.—Ezek. 3:10, 11, 15, 24-26; 4:1, 2.
2 Me siguri, kalimtarët që shtoheshin gjithnjë e më shumë, vritnin mendjen: «Po kjo, çfarë kuptimi ka?» Vetëm më vonë këta judenj të mërguar do të kuptonin tamam që sjellja e habitshme e profetit Ezekiel parathoshte një ngjarje të tmerrshme që do të shprehte indinjatën e drejtë të Perëndisë Jehova. Për cilën ngjarje bëhet fjalë? Si ndikoi te kombi i lashtë i Izraelit? Dhe ç’domethënie ka për adhuruesit e vërtetë sot?
«Merr një tullë. . . . Merr grurë. . . . Merr një shpatë të mprehtë»
3, 4. (a) Cilat janë tri skenat profetike të gjykimit të Perëndisë që paraqiti Ezekieli? (b) Si e demonstroi Ezekieli rrethimin e Jerusalemit?
3 Rreth vitit 613 p.e.s., Jehovai udhëzoi Ezekielin të paraqiste tri skena profetike të gjykimit që do të sillte kundër Jerusalemit. Ato ishin: rrethimi i qytetit, vuajtjet e banorëve të tij dhe shkatërrimi i qytetit e i popullit.a Le t’i shqyrtojmë më nga afër këto tri skena.
4 Rrethimi i Jerusalemit. Jehovai i tha Ezekielit: «Merr një tullë, vëre përpara. . . . Pastaj rrethoje.» (Lexo Ezekielin 4:1-3.) Tulla përfaqëson qytetin e Jerusalemit, ndërsa Ezekieli ushtrinë babilonase që do të përdorte Jehovai. Gjithashtu, Ezekieli duhej të bënte një mur në miniaturë, një ledh rrethues e disa desh dhe t’i vinte rreth e qark tullës. Këto përfaqësojnë mjetet e luftës që do të përdornin armiqtë e Jerusalemit kur ta rrethonin dhe ta sulmonin. Për të treguar forcën e hekurt të ushtarëve armiq, Ezekieli duhej të vendoste «një pllakë hekuri» mes vetes dhe qytetit, pastaj ‘të kthehej me fytyrë’ nga qyteti. Këto veprime luftarake shërbenin si «një shenjë për shtëpinë e Izraelit» se do të ndodhte e paimagjinueshmja. Jehovai do të përdorte një ushtri armike për të rrethuar Jerusalemin, qytetin më të rëndësishëm të popullit të Perëndisë, aty ku ishte edhe tempulli.
5. Si e përshkroi Ezekieli se çfarë do të ndodhte me banorët e Jerusalemit?
5 Vuajtjet e banorëve të Jerusalemit. Jehovai e urdhëroi Ezekielin: «Merr grurë, elb, bathë, thjerrëza, mel dhe speltë [lloj gruri] . . . dhe bëj me to bukë. . . . Do ta peshosh ushqimin që do të hash: do të hash 20 sikla në ditë.» Pastaj tha: «Unë do t’i pakësoj rezervat e ushqimit.» (Ezek. 4:9-16) Në këtë skenë, Ezekieli nuk përfaqëson më ushtrinë babilonase, por banorët e Jerusalemit. Veprimet e profetit parathoshin se rrethimi i ardhshëm do t’i pakësonte goxha rezervat ushqimore në qytet. Në atë kohë, buka do të bëhej nga një përzierje e pazakontë. Kjo tregonte se njerëzit do të hanin çfarëdolloj ushqimi që do të gjenin. Sa e rëndë do të ishte zia e bukës? Sikur t’u fliste drejtpërdrejt banorëve të Jerusalemit, Ezekieli tha: «Etërit do të hanë bijtë dhe bijtë do të hanë etërit.» Njerëzit do të vuanin nga «shigjetat vdekjeprurëse të zisë së bukës» dhe ‘do të treteshin’.—Ezek. 4:17; 5:10, 16.
6. (a) Cilat ishin 2 rolet që luajti Ezekieli në të njëjtën kohë? (b) Çfarë tregonte urdhri i Perëndisë ‘për të marrë një peshore dhe për të ndarë qimet’?
6 Shkatërrimi i Jerusalemit dhe i banorëve të tij. Në këtë skenë profetike, Ezekieli luajti 2 role në të njëjtën kohë. Së pari mori rolin e Jehovait. Jehovai i tha: «Merr një shpatë të mprehtë dhe përdore si brisk berberi.» (Lexo Ezekielin 5:1, 2.) Dora e Ezekielit që përdorte shpatën, përfaqësonte dorën e Jehovait, ose gjykimin e tij, të cilin do ta ekzekutonte nëpërmjet ushtrisë së Babilonisë. Së dyti, Ezekieli tregoi se çfarë do të ndodhte me judenjtë. Jehovai e urdhëroi: «Rruaj kokën dhe mjekrën.» Ky veprim ilustronte se si do t’i sulmonin judenjtë dhe do t’i vritnin. Gjithashtu, urdhri që ‘të merrte një peshore e të ndante qimet në tri tufa’, nënkuptonte se gjykimi i Jehovait kundër Jerusalemit s’do të ishte rastësor, por i qëllimshëm dhe i plotë.
7. Pse Jehovai i kërkoi Ezekielit të ndante qimet në tri tufa dhe të vepronte ndryshe me secilën?
7 Pse Jehovai i kërkoi Ezekielit t’i ndante qimet në tri tufa dhe të vepronte ndryshe me secilën? (Lexo Ezekielin 5:7-12.) Ezekieli dogji një pjesë të qimeve «brenda qytetit» që t’u tregonte kalimtarëve se disa banorë të Jerusalemit do të vdisnin në qytet. Një pjesë tjetër e preu me shpatë «rreth e qark qytetit», për të demonstruar se banorë të tjerë do t’i vritnin jashtë qytetit. Pjesën e fundit e shpërndau që ta merrte era. Kjo tregonte që banorë të tjerë do të shpërndaheshin nëpër kombe, por «një shpatë» ‘do t’i ndiqte nga pas’. Pra, të mbijetuarit nuk do të gjenin paqe në asnjë vend.
8. (a) Çfarë shprese përmbante demonstrimi profetik i Ezekielit? (b) Si u plotësua profecia që i dha Jehovai Ezekielit?
8 Gjithsesi, në demonstrimin profetik të Ezekielit kishte një fije shprese. Jehovai i tha profetit: «Nga tufa e fundit, merr ca dhe mbështilli te palat e veshjes sate.» (Ezek. 5:3) Ky urdhër tregonte se pak nga judenjtë që do të shpërndaheshin nëpër kombe, do të mbeteshin gjallë. Disa prej tyre do të ishin mes të mërguarve që do të ktheheshin në Jerusalem pas robërisë 70-vjeçare në Babiloni. (Ezek. 6:8, 9; 11:17) A u plotësua kjo profeci? Po. Vite më vonë, pas robërisë babilonase, profeti Hage raportoi se disa nga judenjtë e shpërndarë ishin kthyer vërtet në Jerusalem. Ata ishin «të moshuarit që kishin parë shtëpinë e mëparshme», tempullin e Solomonit. (Ezd. 3:12; Hag. 2:1-3) Tamam siç kishte premtuar, Jehovai u kujdes që adhurimi i pastër të ruhej. Në kapitullin 9 të këtij libri do të flasim më tepër për këtë rivendosje të adhurimit.—Ezek. 11:17-20.
Ç’domethënie ka kjo profeci për të ardhmen?
9, 10. Cilat ngjarje të rëndësishme për të ardhmen na sjellin ndër mend skenat që demonstroi Ezekieli?
9 Skenat që demonstroi Ezekieli, na sjellin ndër mend ngjarjet e rëndësishme që parathuhen në Fjalën e Perëndisë për të ardhmen. Cilat janë disa prej tyre? Siç ndodhi me qytetin e lashtë të Jerusalemit, Jehovai do të përdorë forcat politike për të bërë të paimagjinueshmen: do të sulmojë të gjitha organizatat e rreme fetare në mbarë botën. (Zbul. 17:16-18) Njësoj si shkatërrimi i Jerusalemit që ishte «një e keqe e paparë», edhe «shtrëngimi i madh» që kulmon me luftën e Armagedonit, do të jetë një ngjarje që nuk ka ndodhur asnjëherë.—Ezek. 5:9; 7:5; Mat. 24:21.
10 Fjala e Perëndisë tregon se shumica e përkrahësve të fesë së rreme do t’i mbijetojnë shkatërrimit të institucioneve fetare që po afron. Të tmerruar, të mbijetuarit do t’u bashkohen njerëzve të të gjitha shtresave që po kërkojnë një vend ku të fshihen. (Zak. 13:4-6; Zbul. 6:15-17) Situata e tyre na kujton se çfarë u ndodhi banorëve të Jerusalemit të lashtë që i mbijetuan shkatërrimit dhe që u shpërndanë sikur ‘t’i kishte marrë era’. Siç e shqyrtuam në paragrafin 7, edhe pse jetët e tyre u kursyen për njëfarë kohe, Jehovai nxori ‘një shpatë që t’i ndiqte nga pas’. (Ezek. 5:2) Po njësoj, nuk ka vend të fshehtë që mund t’i mbrojë nga shpata e Jehovait ata që mbijetojnë nga sulmi kundër fesë. Ata do të vdesin në Armagedon, bashkë me këdo që do të gjykohet si cjap.—Ezek. 7:4; Mat. 25:33, 41, 46; Zbul. 19:15, 18.
Për sa i përket predikimit të lajmit të mirë, ne do të bëhemi ‘memecë’
11, 12. (a) Si ndikon profecia e Ezekielit për rrethimin e Jerusalemit te pikëpamja jonë për shërbimin? (b) Si mund të ndryshojë vepra e predikimit dhe mesazhi i saj?
11 Si ndikon njohuria për këtë profeci te pikëpamja jonë për urgjencën e shërbimit? Na thekson sa e domosdoshme është të bëjmë maksimumin që tani për t’i ndihmuar të tjerët të bëhen shërbëtorë të Jehovait. Pse? Sepse ka mbetur pak kohë ‘për të bërë dishepuj njerëz nga të gjitha kombet’. (Mat. 28:19, 20; Ezek. 33:14-16) Kur «shkopi» (forcat politike) të nisë sulmin kundër fesë, nuk do të predikojmë më një mesazh shpëtimi. (Ezek. 7:10) Për sa i përket predikimit të lajmit të mirë, ne do të bëhemi ‘memecë’ njësoj si Ezekieli, që nuk i shpalli më mesazhet e tij, ose u bë memec, gjatë një periudhe shërbimi. (Ezek. 3:26, 27; 33:21, 22) Pas shkatërrimit të fesë së rreme, gjithë dëshpërim, njerëzit «do t’i kërkojnë më kot vegime ndonjë profeti», por askush nuk do t’u japë udhëzime jetëshpëtuese. (Ezek. 7:26) Koha për të marrë udhëzime të tilla dhe për t’u bërë dishepuj të Krishtit do të ketë mbaruar.
12 Gjithsesi, puna jonë si predikues nuk do të ndalojë. Sepse gjatë shtrëngimit të madh, ka shumë mundësi që të predikojmë një mesazh gjykimi që do të jetë si plagë breshri. Ky mesazh do të jetë një shenjë e qartë se fundi i kësaj bote të ligë është te dera.—Zbul. 16:21.
«Ja, po vjen!»
13. Pse Jehovai i tha Ezekielit të shtrihej njëherë në krahun e majtë e njëherë në krahun e djathtë?
13 Përveçse të parathoshte se si do të shkatërrohej Jerusalemi, Ezekieli tregoi edhe se kur do të ndodhte. Ja pse Jehovai e urdhëroi të shtrihej në krahun e majtë për 390 ditë dhe në të djathtin për 40 ditë. Çdo ditë përfaqësonte një vit. (Lexo Ezekielin 4:4-6; Num. 14:34) Ky demonstrim, të cilin Ezekieli e bënte vetëm një pjesë të ditës, tregonte vitin e saktë të shkatërrimit të Jerusalemit. Me sa duket, 390 vitet e fajit të Izraelit filluan më 997 p.e.s., kur mbretëria 12-fisëshe u nda në dy pjesë. (1 Mbret. 12:12-20) Ndërsa 40 vitet e mëkatit të Judës ka të ngjarë të kenë filluar në vitin 647 p.e.s., kur Jeremia u caktua profet për të paralajmëruar prerazi mbretërinë e Judës për shkatërrimin që po i vinte. (Jer. 1:1, 2, 17-19; 19:3, 4) Këto periudha do të përfundonin më 607 p.e.s., fiks në vitin kur Jerusalemi ra dhe u shkatërrua, tamam siç e kishte parathënë Jehovai.b
14. (a) Si tregoi Ezekieli që ishte i sigurt se Jehovai do të ishte i përpiktë? (b) Ç’do të ndodhte para se të shkatërrohej Jerusalemi?
14 Kur Jehovai i dha Ezekielit profecinë e 390 ditëve dhe të 40 ditëve, mbase ai nuk e ka kuptuar vitin e saktë të rënies së Jerusalemit. Gjithsesi, vite para shkatërrimit, Ezekieli i paralajmëroi vazhdimisht judenjtë për gjykimin e Jehovait. Ai shpallte: «Tani të erdhi fundi!» (Lexo Ezekielin 7:3, 5-10.) Ezekieli s’kishte pikë dyshimi se Jehovai do të ishte i përpiktë. (Isa. 46:10) Gjithashtu, profeti paratha ç’do të ndodhte para se të binte Jerusalemi: «Do t’u bien të zeza pas të zezash.» Për pasojë do të rrënoheshin strukturat sociale, fetare dhe qeveritare.—Ezek. 7:11-13, 25-27.
15. Cilat pjesë të profecisë së Ezekielit filluan të plotësoheshin në vitin 609 p.e.s.?
15 Profecia për rënien e Jerusalemit filloi të plotësohej disa vjet pas shpalljes së Ezekielit. Më 609 p.e.s. ai mori vesh se sulmi kundër Jerusalemit kishte filluar. Në atë kohë, tingulli i trumbetave i bënte thirrje popullit që të mbronte qytetin, por siç e kishte parathënë Ezekieli, ‘askush nuk shkoi në betejë’. (Ezek. 7:14) Banorët e Jerusalemit nuk luftuan kundër pushtuesve babilonas që të mbronin qytetin. Disa judenj mbase kanë menduar se Jehovai do t’i shpëtonte. Kështu kishte bërë kur asirianët donin të pushtonin Jerusalemin dhe një engjëll i Jehovait shkatërroi pjesën më të madhe të ushtrisë. (2 Mbret. 19:32) Por kësaj here s’kishte ndihmë nga lart. Shumë shpejt, qyteti i rrethuar dukej si «një kazan» që ‘e kishin vënë në zjarr’ dhe banorët e saj ishin zënë brenda si «copa mishi». (Ezek. 24:1-10) Pas rrethimit sfilitës prej 18 muajsh, Jerusalemi u shkatërrua.
«Grumbulloni thesare në qiell»
16. Si e tregojmë që jemi të bindur se Jehovai është i përpiktë?
16 Ç’mund të mësojmë nga kjo pjesë e profecisë së Ezekielit? A lidhet me mesazhin që predikojmë dhe me reagimin e njerëzve ndaj tij? Jehovai e ka vendosur kur do të vijë shkatërrimi i fesë së rreme dhe përsëri do të tregojë se është i përpiktë. (2 Pjet. 3:9, 10; Zbul. 7:1-3) Ne nuk e dimë datën e saktë të kësaj ngjarjeje. Ama, njësoj si Ezekieli, vazhdojmë t’i bindemi urdhrit të Jehovait për të paralajmëruar këdo me fjalët: «Tani të erdhi fundi!» Pse duhet ta përsëritim këtë mesazh? Për të njëjtën arsye që e përsëriste Ezekieli.c Shumica e atyre që dëgjuan profecinë e Perëndisë për rënien e Jerusalemit nuk e besuan. (Ezek. 12:27, 28) Mirëpo më vonë, disa judenj të mërguar në Babiloni treguan se donin sinqerisht t’i pëlqenin Perëndisë dhe u kthyen në atdhe. (Isa. 49:8) Po ashtu, shumë njerëz sot nuk e besojnë se kësaj bote po i vjen fundi. (2 Pjet. 3:3, 4) Pavarësisht nga kjo, derisa të mbarojë koha që ka lejuar Perëndia që njerëzit të pranojnë këtë lajm, duam t’i ndihmojmë ata me zemër të sinqertë të gjejnë rrugën që të çon në jetë.—Mat. 7:13, 14; 2 Kor. 6:2.
17. Cilat ngjarje do të shohim gjatë shtrëngimit të madh?
17 Profecia e Ezekielit na kujton edhe se kur të sulmohen organizatat fetare, anëtarët e tyre nuk ‘do të shkojnë në betejë’ për t’i mbrojtur. Përkundrazi, kur të kuptojnë se askush s’po u përgjigjet thirrjeve të tyre për ndihmë «Zotëri, Zotëri», «do t’i lëshojë zemra» dhe ‘do të dridhen’. (Ezek. 7:3, 14, 17, 18; Mat. 7:21-23) Ç’gjë tjetër do të bëjnë? (Lexo Ezekielin 7:19-21.) Jehovai thotë: «Do ta hedhin argjendin nëpër rrugë.» Ky pohim për banorët e Jerusalemit të lashtë na ilustron qartë se çfarë do të ndodhë gjatë shtrëngimit të madh. Në atë kohë njerëzit do të kuptojnë se paratë nuk i shpëtojnë dot nga gjëma që po vjen.
18. Ç’mësim nxjerrim nga profecia e Ezekielit kur bëhet fjalë për përparësitë?
18 A nxjerrim ndonjë mësim nga kjo pjesë e profecisë së Ezekielit? Duhet të vendosim përparësitë e duhura. Mendo për këtë: banorët e Jerusalemit i ndryshuan kryekëput përparësitë vetëm pasi e kuptuan që atyre dhe qytetit të tyre po u vinte fundi dhe se gjërat materiale nuk mund t’i shpëtonin. Vetëm pas kësaj i flakën zotërimet e tyre dhe filluan ‘t’i kërkonin më kot vegime ndonjë profeti’. Mirëpo ishte tepër vonë. (Ezek. 7:26) Ndryshe nga ata, ne e dimë mirë se fundi i kësaj bote të ligë është te pragu. Prandaj, ngaqë besojmë te premtimet e Perëndisë, kemi vendosur përparësitë e duhura në jetë. Kështu po grumbullojmë thesare në qiell, që s’do t’u humbë ndonjëherë vlera dhe që kurrë nuk do të hidhen «nëpër rrugë».—Lexo Mateun 6:19-21, 24.
19. Si ndikojnë te ne shpalljet profetike të Ezekielit?
19 Atëherë, si ndikojnë te ne disa nga shpalljet profetike të Ezekielit për rënien e Jerusalemit? Ato na kujtojnë se ka mbetur pak kohë për të ndihmuar të tjerët që të bëhen shërbëtorë të Perëndisë. Ndaj e kryejmë me urgjencë caktimin për të bërë dishepuj. Gëzojmë jashtë mase kur njerëz me zemër të sinqertë fillojnë të adhurojnë Atin tonë, Jehovain. Gjithsesi do të ketë njerëz që nuk do ta hedhin këtë hap. Ama, njësoj si Ezekieli, ne vazhdojmë t’i paralajmërojmë me fjalët: «Tani të erdhi fundi!» (Ezek. 3:19, 21; 7:3) Në të njëjtën kohë, jemi të vendosur të besojmë plotësisht te Jehovai dhe ta mbajmë në vend të parë në jetën tonë adhurimin e pastër.—Psal. 52:7, 8; Prov. 11:28; Mat. 6:33.
a Është e arsyeshme të arrijmë në përfundimin se Ezekieli i demonstroi të gjitha këto skena para kalimtarëve. Pse? Sepse Jehovai e kishte urdhëruar specifikisht Ezekielin që të bënte shenja, si pjekja e bukës dhe mbajtja e plaçkave «para syve të tyre».—Ezek. 4:12; 12:7.
b Duke lejuar shkatërrimin e Jerusalemit, Jehovai jo vetëm që ekzekutoi gjykimin mbi mbretërinë 2-fisëshe të Judës, por edhe kundër mbretërisë 10-fisëshe të Izraelit. (Jer. 11:17; Ezek. 9:9, 10)
c Në fragmentin e shkurtër të Ezekielit 7:5-7, Jehovai i përmend 6 herë fjalët «po vjen» dhe «erdhi».