Danieli
6 Darit iu duk me vend të caktonte 120 satrapë* mbi gjithë mbretërinë.+ 2 Në krye të tyre vuri tre zyrtarë të lartë, njëri nga të cilët ishte Danieli;+ satrapët+ u raportonin atyre, me qëllim që interesat e mbretit të mos dëmtoheshin. 3 Tani, Danieli dallohej ndër zyrtarët e lartë dhe satrapët, sepse ishte jashtëzakonisht i mençur,+ dhe mbreti kishte ndër mend ta caktonte mbi gjithë mbretërinë.
4 Në atë kohë, zyrtarët e lartë dhe satrapët kërkonin të gjenin ndonjë pretekst që ta akuzonin Danielin për punët e mbretërisë.* Por nuk arritën të gjenin asnjë bazë për ta akuzuar a ndonjë pandershmëri, sepse ishte i besueshëm dhe tek ai s’gjendej asnjë pakujdesi a korruptim. 5 Kështu, ata burra thanë: «S’kemi për të gjetur asnjë bazë për ta akuzuar Danielin, vetëm nëse gjejmë diçka kundër tij në ligjin e Perëndisë së tij.»+
6 Kështu zyrtarët e lartë dhe satrapët u turrën të gjithë bashkë te mbreti dhe i thanë: «Jetofsh përjetë, o mbret Dar! 7 Të gjithë zyrtarët e mbretërisë, prefektët, satrapët, zyrtarët e lartë mbretërorë dhe guvernatorët, janë konsultuar së bashku që të nxirret një dekret mbretëror e të vihet një ndalim: kushdo që gjatë 30 ditëve i drejton lutje ndonjë perëndie a njeriu tjetër përveç teje, o mbret, të hidhet në gropën e luanëve.+ 8 Tani, o mbret, nxirre dekretin dhe nënshkruaje,+ me qëllim që të mos ndryshohet, sipas ligjit të medëve e të persëve, i cili nuk mund të anulohet.»+
9 Kështu mbreti Dar nënshkroi dekretin dhe ndalimin.
10 Mirëpo, sapo e mori vesh që dekreti ishte nënshkruar, Danieli shkoi në shtëpi; dritaret e dhomës mbi tarracë i kishte të hapura në drejtim të Jerusalemit.+ Siç kishte bërë rregullisht edhe më parë, tri herë në ditë, u ul në gjunjë, u lut dhe thuri lavde para Perëndisë së tij. 11 Atëherë, ata burra hynë rrëmbimthi dhe e gjetën Danielin tek po lutej e po i përgjërohej për miratim Perëndisë së tij.
12 Kështu ata shkuan te mbreti dhe i kujtuan ndalimin mbretëror: «A nuk ke nënshkruar një ndalim ku thuhet se do të hidhet në gropën e luanëve kushdo që gjatë 30 ditëve i drejton lutje ndonjë perëndie a njeriu tjetër përveç teje, o mbret?» Mbreti u përgjigj: «Po, kjo është e vërtetë sipas ligjit të medëve e të persëve, i cili nuk mund të anulohet.»+ 13 Ata ia kthyen menjëherë mbretit: «Danieli, që është nga të mërguarit e Judës,+ nuk të ka përfillur ty, o mbret, dhe as ndalimin që ti ke nënshkruar, por lutet tri herë në ditë.»+ 14 Me të dëgjuar këto fjalë, mbreti u hidhërua shumë dhe u mundua të gjente një mënyrë si ta shpëtonte Danielin; deri në perëndim të diellit u përpoq shumë që ta shpëtonte. 15 Më në fund, ata burra hynë si grup te mbreti dhe i thanë: «Mbaj parasysh, o mbret, se sipas ligjit të medëve dhe të persëve, çdo ndalim a dekret që nxjerr mbreti, nuk mund të ndryshohet.»+
16 Prandaj, mbreti dha urdhër ta sillnin Danielin e ta hidhnin në gropën e luanëve.+ Mbreti i tha Danielit: «Perëndia yt, të cilit i shërben vazhdimisht, do të të çlirojë.» 17 Atëherë sollën një gur, e vunë në grykën* e gropës dhe mbreti e vulosi me unazën e tij me vulë e me unazën me vulë të fisnikëve të tij, me qëllim që asgjë të mos ndryshohej në rastin e Danielit.
18 Pastaj mbreti shkoi në pallatin e tij. E kaloi natën duke agjëruar, nuk pranoi asnjë argëtim* dhe i iku gjumi. 19 Më në fund, sapo agoi dita, mbreti u ngrit dhe nxitoi për te gropa e luanëve. 20 Me t’iu afruar gropës, mbreti i thirri Danielit me një zë të trishtuar: «O Daniel, shërbëtor i Perëndisë së gjallë! A ishte në gjendje Perëndia, të cilit i shërben vazhdimisht, të të çlironte nga luanët?» 21 Menjëherë Danieli iu përgjigj mbretit: «Jetofsh përjetë, o mbret! 22 Perëndia im dërgoi engjëllin e tij dhe ua mbylli gojën luanëve,+ dhe ata s’më kanë bërë asnjë gjë,+ sepse unë dola i pafaj në sytë e tij; as ty, o mbret, nuk të kam bërë ndonjë të keqe.»
23 Mbreti u gëzua shumë dhe urdhëroi ta nxirrnin Danielin nga gropa. Kur e nxorën, ai s’kishte pësuar asgjë, ngaqë kishte pasur besim te Perëndia i tij.+
24 Pastaj mbreti dha urdhër të sillnin burrat që kishin akuzuar* Danielin, dhe ata i hodhën në gropën e luanëve bashkë me bijtë dhe gratë e tyre. Ende nuk kishin arritur në fund të gropës, kur luanët u hodhën mbi ta dhe ua copëtuan kockat.+
25 Atëherë mbreti Dar u shkroi gjithë popujve, kombeve dhe grupeve gjuhësore që banonin në mbarë tokën:+ «E madhe qoftë paqja juaj! 26 Unë po nxjerr një urdhër që, në çdo territor të mbretërisë sime, njerëzit të nderojnë thellësisht* e ta respektojnë Perëndinë e Danielit,+ sepse ai është Perëndia i gjallë që ekziston përjetë. Mbretëria e tij nuk do të shkatërrohet kurrë, dhe sovraniteti* i tij është i përjetshëm.+ 27 Ai shpëton,+ çliron dhe kryen shenja e vepra të mrekullueshme në qiej e në tokë,+ sepse e çliroi Danielin nga panxha e luanëve.»
28 Danieli pati mbarësi në mbretërinë e Darit+ dhe në mbretërinë e Kirit, persit.+