Dita e Jehovait është afër
«Dëgjoni këtë, ju pleq, dhe vini veshin, të gjithë ju banorë të vendit.»—JOELI 1:2, BR.
1, 2. Për shkak të cilës situatë në Judë, e frymëzoi Jehovai Joelin të shpallte profecinë e tij të fuqishme?
«MEDET për ditën, sepse dita e Jehovait është afër dhe do të vijë si një plaçkitje nga i Plotfuqishmi!» Ç’njoftim dramatik! Ishte mesazhi i Perëndisë drejtuar popullit të vet, i dhënë me anë të profetit të tij Joel.
2 Këto fjalë të Joelit 1:15 u shkruan në Judë, ka të ngjarë rreth vitit 820 p.e.s. Në atë kohë, vendi ishte i stolisur nga kodra të gjelbra. Frutat dhe drithërat ishin me bollëk. Kullotat ishin të mëdha dhe jeshile. Por megjithatë, diçka nuk shkonte fare. Në Jerusalem dhe në vendin e Judës lulëzonte adhurimi i Baalit. Populli merrte pjesë në orgji dehjeje, përpara këtij perëndie të rremë. (Krahaso 2. Kronikave 21:4-6, 11.) A do të lejonte Jehovai të vazhdonte e gjithë kjo?
3. Për çfarë paralajmëroi Jehovai dhe për çfarë duhej të përgatiteshin kombet?
3 Libri biblik i Joelit nuk lë asnjë dyshim për përgjigjen. Perëndia Jehova do të shfajësonte sovranitetin e tij dhe do të shenjtëronte emrin e tij të shenjtë. Dita e madhe e Jehovait ishte afër. Atëherë, Perëndia do të ekzekutonte gjykimin mbi të gjitha kombet në «ultësirën e Jozafatit». (Joeli 3:12, BR) Le të përgatiten për luftë me të Plotfuqishmin, Jehovain. Edhe ne jemi në prag të ditës së madhe të Jehovait. Pra, le t’i hedhim një vështrim më nga afër fjalëve profetike të Joelit për ditët tona dhe për të shkuarën.
Pushtim insektesh
4. Sa e madhe do të ishte ngjarja për të cilën paralajmëroi Joeli?
4 Nëpërmjet profetit të tij, Jehovai thotë: «Dëgjoni këtë, ju pleq, dhe vini veshin, të gjithë ju banorë të vendit. A ka ndodhur kjo në ditët tuaja ose edhe në ditët e etërve tuaj? Në lidhje me të, tregojuni bijve tuaj, bijtë tuaj bijve të tyre dhe bijtë e tyre brezit pasues.» (Joeli 1:2, 3, BR) Pleqtë dhe i gjithë populli mund të pritnin diçka të tillë, që si ajo nuk kishte ndodhur gjatë gjithë jetës së tyre ose në ditët e etërve të tyre. Kaq e jashtëzakonshme do të ishte kjo gjë, saqë do të tregohej përsëri deri në brezin e tretë! Cila ishte kjo ngjarje e veçantë? Për ta zbuluar, le të imagjinojmë sikur jemi në ditët e Joelit.
5, 6. (a) Përshkruaj plagën që profetizoi Joeli. (b) Kush ishte Burimi i asaj plage?
5 Dëgjo! Joeli dëgjon një oshtimë të largët. Qielli errësohet dhe zhurma e frikshme rritet, ndërsa sipër përhapet errësira. Pastaj zbret një re si tym. Është një ushtri prej miliona insektesh. Çfarë shkretimi shkaktojnë ato! Tani, shqyrtojmë Joelin 1:4. Insektet pushtuese nuk janë thjesht karkaleca shtegtarë me krahë. Oh, jo! Janë duke ardhur, gjithashtu, hordhi të uritura karkalecash pa krahë, që zvarriten. Të shtyrë nga era, karkalecat vijnë papritur dhe zhurma e tyre është si ajo e qerreve. (Joeli 2:5) Për shkak të oreksit të tyre të pangopur, miliona prej tyre mund ta kthejnë shpejt një parajsë të vërtetë në një shkretëtirë.
6 Në lëvizje janë edhe vemjet, faza larvore e molës apo e fluturës. Ushtritë e mëdha të vemjeve të uritura mund të brejnë gjethet e bimësisë dhe t’i bëjnë copa-copa, fletë-fletë, derisa bimët të jenë pothuajse të zhveshura nga gjelbërimi i tyre. Shumë prej asaj që lënë ato, e hanë karkalecat, ndërsa asaj që lënë karkalecat, është e sigurt se do t’i japin fund furrtaret, që lëvizin shpejt. Por vëreni këtë: Në Joelin, kapitulli 2, vargu 11, Perëndia e identifikon ushtrinë e karkalecave si «forcën e tij ushtarake». Po, ai ishte Burimi i plagës së karkalecave, që do të shkretonte vendin dhe do të shkaktonte uri të rëndë. Kur? Pikërisht para «ditës së Jehovait».
«Zgjohuni, ju pijanecë»!
7. (a) Cila ishte gjendja e udhëheqësve fetarë të Judës? (b) Në ç’mënyrë udhëheqësit e sotëm të të ashtuquajturit krishterim, janë në një gjendje të ngjashme me atë të udhëheqësve fetarë të Judës?
7 Një turmë famëkeqe, udhëheqësit fetarë të Judës, veçohen kur jepet urdhri: «Zgjohuni, ju pijanecë dhe qani; ulërini të gjithë ju që pini verë, për shkak të verës së ëmbël, sepse ju është hequr nga goja!» (Joeli 1:5, BR) Po, pijanecëve frymorë të Judës iu tha të ‘zgjoheshin’, të vinin në vete. Por mos mendo se kjo është thjesht një histori e lashtë. Pikërisht tani, përpara ditës së madhe të Jehovait, klerikët e të ashtuquajturit krishterim janë, në mënyrë të figurshme, kaq të mbushur me verë të ëmbël, saqë vështirë të jenë të vetëdijshëm për këtë thirrje autoritare nga Më i Larti. Sa të çuditur do të jenë, kur të zgjohen nga trullosja e tyre frymore dehëse, nëpërmjet ditës së madhe dhe frikësuese të Jehovait!
8, 9. (a) Si i përshkruan Joeli karkalecat dhe pasojën e plagës së tyre? (b) Kë përfaqësojnë sot karkalecat?
8 Vështro këtë ushtri të madhe karkalecash! «Është një komb që ka dalë në vendin tim, i fuqishëm dhe i panumërt. Dhëmbët e tij janë dhëmbët e një luani dhe ka kocka nofulle të një luani. E ka vënë hardhinë time si një objekt çudie dhe fikun tim, si një cung. E ka zhveshur krejt dhe e ka hedhur tej. Degëzat e tij janë bërë të bardha. Vajto siç vajton një virgjëreshë e ngjeshur me thes për pronarin e rinisë së saj.»—Joeli 1:6-8, BR.
9 A është kjo thjesht një profeci rreth «një kombi» karkalecash, një mizërie karkalecash, që pushtojnë Judën? Jo, është më tepër se kaq. Si në Joelin 1:6, ashtu edhe në Zbulesën 9:7, populli i Perëndisë është përfaqësuar nga karkalecat. Ushtria e sotme e karkalecave s’është gjë tjetër veçse forca ushtarake e karkalecave të mirosur të Jehovait, me të cilët janë bashkuar tani rreth 5.600.000 «dele të tjera» të Jezuit. (Gjoni 10:16) A nuk ndihesh i gëzuar të jesh pjesë e kësaj shumice të madhe të adhuruesve të Jehovait?
10. Cili është efekti i plagës së karkalecave në Judë?
10 Në Joelin 1:9-12, lexojmë mbi pasojat e plagës së karkalecave. Një mizëri pas tjetrës sjellin shkretimin e plotë të vendit. Duke qenë se mungon drithi, vera dhe vaji, priftërinjtë jo besimplotë nuk mund të vazhdojnë funksionet e tyre. Madje edhe toka mban zi, sepse karkalecat i plaçkitën drithërat dhe drurët frutorë u lanë pa fruta. Me shkatërrimin e hardhive, nuk ka më verë për këta pijanecë vere të Baalit, që ishin edhe pijanecë frymorë.
«Goditni kraharorin, ju priftërinj»
11, 12. (a) Cilët pretendojnë se janë priftërinj të Perëndisë sot? (b) Në ç’mënyrë ndikohen udhëheqësit fetarë të të ashtuquajturit krishterim nga plaga e karkalecave të sotëm?
11 Dëgjoni mesazhin e Mbretërisë për këta priftërinj kokëfortë: «Ngjeshuni dhe goditni kraharorin, ju priftërinj. Ulërini, ju shërbëtorë të altarit.» (Joeli 1:13, BR) Në përmbushjen e parë të profecisë së Joelit, priftërinjtë levitikë shërbenin në altar. Por çfarë mund të thuhet për ta në përmbushjen përfundimtare? Sot, kleri i të ashtuquajturit krishterim ka marrë përsipër autoritetin për të shërbyer në altarin e Perëndisë, duke pretenduar se janë shërbëtorët e tij, «priftërinjtë» e tij. Por, çfarë po ndodh tani që karkalecat e sotëm të Perëndisë janë në lëvizje?
12 Kur «priftërinjtë» e të ashtuquajturit krishterim shohin popullin e Jehovait në veprim dhe dëgjojnë paralajmërimin e tij për gjykimin hyjnor, tërbohen. Ata godasin gjoksin e tyre me zemërim dhe tërbim për efektin shkretues të mesazhit të Mbretërisë. Ndërsa tufat e tyre po u largohen, ata ulërijnë. Me kullotat e tyre të zhveshura, le ta kalojnë natën të veshur me thasë, duke vajtuar për humbjen e të ardhurave të tyre. Së shpejti, ata do të humbasin edhe punët e tyre! Në fakt, Perëndia u thotë të vajtojnë gjithë natën, sepse fundi i tyre është afër.
13. A do t’i përgjigjet i ashtuquajturi krishterim, si një i tërë, në mënyrë të favorshme paralajmërimit të Jehovait?
13 Sipas Joelit 1:14, shpresa e tyre e vetme gjendet në pendimin dhe klithjen «ndaj Jehovait për ndihmë». (BR) A mund të presim që e gjithë klasa e klerit të të ashtuquajturit krishterim t’i drejtohet Jehovait? Sigurisht që jo! Disa individë prej tyre mund t’i përgjigjen paralajmërimit të Jehovait. Por gjendja frymësisht e uritur e këtyre udhëheqësve fetarë dhe e famullitarëve të tyre si klasë, do të vazhdojë. Profeti Amos paratha: «‘Ja! Po vijnë ditët,—është thënia e Zotërisë Sovran Jehova,—dhe unë do të dërgoj një uri në vend, uri jo për bukë dhe etje jo për ujë, por për të dëgjuar fjalët e Jehovait.’» (Amosi 8:11, BR) Nga ana tjetër, sa mirënjohës jemi për gostinë e pasur frymore që Perëndia siguron me dashuri nëpërmjet «skllavit të besueshëm dhe të matur»!—Mateu 24:45-47, BR.
14. Pararendëse e kujt është plaga e karkalecave?
14 Plaga e karkalecave ishte dhe është një pararendëse e diçkaje. E cilës? Joeli na e tregon qartë, duke thënë: «Medet ajo ditë, sepse dita e Jehovait është afër dhe do të vijë si një plaçkitje nga i Plotfuqishmi!» (Joeli 1:15, BR) Sulmet e sotme mbarëbotërore të ushtrisë së karkalecave të Perëndisë, tregojnë qartë se dita e madhe dhe frikësuese e Jehovait është afër. Sigurisht, të gjithë personat me zemër të drejtë digjen nga dëshira për këtë ditë të veçantë të dhënies llogari, kur të ekzekutohet gjykimi hyjnor kundër të ligjve dhe Jehovai të dalë fitimtar si Sovran Universal.
15. Duke pasur parasysh gjendjen e trishtueshme të vendit, si reagojnë ata që ua vënë veshin paralajmërimeve hyjnore?
15 Siç tregon Joeli 1:16-20, në Judën e lashtë ushqimi mori fund. Po kështu edhe gëzimi. Depot u lanë të shkreta dhe plevicat u rrënuan. Duke qenë se mungonin kullotat, pasi karkalecat kishin zhveshur tokën nga bimësia, gjedhët endeshin andej-këtej të çoroditura dhe tufat e deleve u shfarosën. Ç’katastrofë! Në kushte të tilla, çfarë i ndodhi Joelit? Sipas Joeli 1 vargut 19, ai tha: «Ty, o Jehova, do të të thërras.» Edhe sot, shumë njerëz ia vënë veshin paralajmërimeve hyjnore dhe i thërrasin me besim Perëndisë Jehova.
«Dita e Jehovait po vjen»
16. Pse duhet të tronditen «banorët e vendit»?
16 Dëgjo këtë urdhër nga Perëndia: «I bini bririt në Sion, o njerëz, dhe lëshoni një thirrje lufte në malin tim të shenjtë. Le të shqetësohen të gjithë banorët e vendit!» (Joeli 2:1, BR) Pse të reagojnë në këtë mënyrë? Profecia përgjigjet: «Sepse dita e Jehovait po vjen, sepse ajo është afër! Ajo është një ditë errësire dhe terri, një ditë resh dhe terri të thellë, si drita e agimit e përhapur mbi male.» (Joeli 2:1, 2, BR) Ditës së madhe të Jehovait i bashkangjitet një ndjenjë e vërtetë urgjence.
17. Si u ndikua vendi dhe populli në Judë, nga plaga e karkalecave?
17 Imagjino ndikimin e vizionit të profetit, ndërsa karkalecat e pamëshirshëm e kthyen një kopsht të vërtetë Edeni në një djerrinë të shkretuar. Dëgjo përshkrimin për ushtrinë e karkalecave: «Pamja e saj është si pamja e kuajve dhe si kuaj beteje është mënyra në të cilën vazhdojnë të rendin. Ata vazhdojnë të hidhen si me zhurmën e qerreve në majë të maleve, si me zhurmën e një zjarri flakërues që përpin kallamishtet. Është si një popull i fuqishëm, i rradhitur për betejë. Sepse për shkak të tij, popujt do të kenë dhembje therrëse. Sa për të gjitha fytyrat, me siguri që do të mbledhin një afsh trazimi.» (Joeli 2:4-6, BR) Gjatë plagës së karkalecave në ditët e Joelit, angështia e adhuruesve të Baalit u shtua dhe mund të shihej se fytyrat e tyre skuqnin nga afshi.
18, 19. Në ç’mënyrë aktiviteti i popullit të Perëndisë është sot si një plagë karkalecash?
18 Asgjë nuk i ndali karkalecat e organizuar dhe të palodhur. Ata vrapuan «si burra të fuqishëm» dhe madje u ngjitën mureve. Nëse ‘disa prej tyre ranë mes shigjetave, të tjerët nuk e ndalën marshimin’. (Joeli 2:7, 8, BR) Ç’portretizim i gjallë profetik i ushtrisë së sotme të karkalecave figurativë të Perëndisë! Edhe sot, ushtria e karkalecave të Jehovait vazhdon të ecë drejt përpara. Asnjë «mur» kundërshtimi nuk i spraps. Ata nuk bëjnë kompromis me integritetin e tyre ndaj Perëndisë, por janë të gatshëm të përballojnë vdekjen, siç bënë mijëra Dëshmitarë që ‘ranë mes shigjetave’, sepse refuzuan të thoshin ‘Hail Hitler’, gjatë regjimit nazist të Gjermanisë.
19 Ushtria e sotme e karkalecave të Perëndisë ka dhënë një dëshmi të plotë në «qytetin» e të ashtuquajturit krishterim. (Joeli 2:9) Ata e kanë bërë këtë në mbarë botën. Ata po kapërcejnë ende të gjitha pengesat, po hyjnë në miliona shtëpi, po u afrohen njerëzve rrugës, po u flasin në telefon dhe po i kontaktojnë në çdo mënyrë të mundshme, ndërsa shpallin mesazhin e Jehovait. Në të vërtetë, ata kanë shpërndarë miliarda botime biblike dhe do të shpërndajnë shumë, shumë më tepër në shërbimin e tyre të pareshtur, si publikisht, ashtu dhe nga shtëpia në shtëpi.—Veprat 20:20, 21, BR.
20. Kush po i përkrah karkalecat e sotëm dhe me çfarë rezultatesh?
20 Joeli 2:10 tregon se një mizëri shumë e madhe karkalecash është si një re që mund të errësojë diellin, hënën dhe yjet. (Krahaso Isainë 60:8.) A ka ndonjë dyshim se kush është prapa kësaj force ushtarake? Mbi oshtimën e insekteve, dëgjojmë këto fjalë të Joelit 2:11: «Vetë Jehovai do të lëshojë me siguri zërin përpara forcës së tij ushtarake, sepse kampi i tij është shumë i madh në numër. Sepse ai që po zbaton fjalën e tij është i fuqishëm; sepse dita e Jehovait është e madhe dhe shumë frikësuese, e kush mund t’i bëjë ballë asaj?» Po, Perëndia Jehova po dërgon forcën e tij ushtarake të karkalecave tani, para ditës së tij të madhe.
«Jehovai nuk është i ngadalshëm»
21. Çfarë do të rezultojë kur ‘dita e Jehovait të vijë si një vjedhës’?
21 Ashtu si Joeli, apostulli Pjetër foli për ditën e madhe të Jehovait. Ai shkroi: «Dita e Jehovait do të vijë si një vjedhës, në të cilën qiejt do të kalojnë me një zhurmë fishkëllyese, por elementët duke qenë fort të nxehtë do të shpërbëhen dhe toka dhe veprat që janë në të, do të zbulohen.» (2. Pjetrit 3:10, BR) Nën ndikimin e Satana Djallit, «qiejt» e ligj qeveritarë sundojnë mbi «tokën», domethënë mbi njerëzimin e larguar nga Perëndia. (Efesianëve 6:12; 1. Gjonit 5:19) Këta qiej simbolikë dhe kjo tokë simbolike nuk do ta mbijetojnë nxehtësinë e zemërimit hyjnor gjatë ditës së madhe të Jehovait. Përkundrazi, ato do të zëvendësohen nga ‘qiej të rinj dhe nga një tokë e re, që presim sipas premtimit të tij, ku do të banojë drejtësia’.—2. Pjetrit 3:13, BR.
22, 23. (a) Si duhet të reagojmë ndaj faktit që Jehovai, me mëshirë po tregon durim? (b) Si duhet të reagojmë ndaj afrimit të ditës së Jehovait?
22 Me gjithë shpërqendrimet e ditëve të sotme dhe sprovat e besimit, ne mund të humbasim nga sytë urgjencën e kohës sonë. Por, ndërsa karkalecat simbolikë shkojnë gjithmonë përpara, shumë njerëz po i përgjigjen mesazhit të Mbretërisë. Megjithëse Perëndia ka lënë kohë për këtë, ne nuk duhet ta ngatërrojmë durimin e tij me ngadalësinë. «Jehovai nuk është i ngadalshëm në lidhje me premtimin e tij, siç e konsiderojnë ngadalësinë disa njerëz, por ai është i durueshëm me ju, sepse dëshiron që askush të mos shkatërrohet, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim.»—2. Pjetrit 3:9, BR.
23 Ndërsa presim ditën e madhe të Jehovait, le të marrim për zemër fjalët e apostullit Pjetër, të shkruara në 2. Pjetrit 3:11, 12: «Përderisa të gjitha këto gjëra duhet të shpërbëhen, çfarë lloj personash duhet të jeni në vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime devocioni hyjnor, duke pritur dhe duke mbajtur mirë në mendje praninë e ditës së Jehovait, nëpërmjet së cilës qiejt, duke qenë në flakë, do të shpërbëhen dhe elementët, duke qenë fort të nxehtë, do të shkrihen!» (BR) Këto vepra dhe veprime përfshijnë sigurisht ecjen tonë përkrah ushtrisë së karkalecave të Jehovait, duke pasur një pjesëmarrje të vazhdueshme dhe domethënëse në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë, përpara se të vijë fundi.—Marku 13:10, BR.
24, 25. (a) Si i përgjigjesh privilegjit për të marrë pjesë në veprën e ushtrisë së karkalecave të Jehovait? (b) Cilën pyetje domethënëse ngre Joeli?
24 Ushtria e karkalecave e Jehovait nuk do ta ndalë veprën e vet derisa të shpërthejë dita e madhe dhe frikësuese e Jehovait. Vetë ekzistenca e kësaj force të pandalshme karkalecash, është provë e jashtëzakonshme që dita e Jehovait është afër. A nuk je i kënaqur të shërbesh mes karkalecave të mirosur dhe shokëve të tyre në sulmin përfundimtar, përpara ditës së madhe dhe frikësuese të Jehovait?
25 Sa e madhe do të jetë dita e Jehovait! S’është për t’u habitur që lind pyetja: «Kush mund t’i bëjë ballë asaj?» (Joeli 2:11, BR) Kjo pyetje dhe shumë të tjera do të shqyrtohen në dy artikujt vijues.
A mund të shpjegosh?
◻ Pse Jehovai paralajmëroi për një plagë insektesh mbi Judën?
◻ Kush janë karkalecat e Jehovait në përmbushjen e kohëve të sotme të profecisë së Joelit?
◻ Si reagojnë udhëheqësit e të ashtuquajturit krishterim ndaj plagës së karkalecave dhe si mund t’u shpëtojnë pasojave të saj disa prej tyre?
◻ Sa e përhapur ka qenë plaga e karkalecave gjatë shekullit të 20-të dhe deri kur do të vazhdojë ajo?
[Figura në faqen 9]
Plaga e insekteve ishte një pararendëse e diçkaje edhe më të keqe
[Burimi]
Pemë e zhveshur: FAO photo/G. Singh
[Figura në faqen 10]
Prapa plagës së karkalecave të sotëm ndodhet Perëndia Jehova
[Burimi i figurës në faqen 8]
Karkalec: FAO photo/G. Tortoli; mizëri karkalecash: FAO photo/Desert Locust Survey