Pikëpamja e Biblës
A e vizituan Jezuin në Bethlehem tre mbretër?
PASI lindi Jezui, disa persona të shquar nga Lindja arritën në Bethlehem për t’i bërë nderime si mbret i judenjve. Deri më sot, mjaft njerëz anembanë botës që festojnë Krishtlindjet e përkujtojnë këtë vizitë.
Në disa zona, njerëzit krijojnë skena për lindjen e Krishtit, të cilat i paraqesin këta vizitorë nga Lindja si tre mbretër që shkojnë me dhurata te Jezui i sapolindur. Në vende të tjera, fëmijët kalojnë nëpër lagjet e tyre të veshur me kostumet e «Mbretërve të Shenjtë». Edhe mbas 20 shekujsh, ka gjithandej njerëz që i kujtojnë ende këta vizitorë të pazakontë. Por, kush ishin ata?
A ishin mbretër?
Dokumentimi historik i kësaj ngjarjeje gjendet në librin biblik të Mateut. Atje lexojmë: «Pak pas lindjes [së Jezuit], erdhën disa astrologë nga Lindja në Jerusalem dhe pyetën: ‘Ku është foshnja e lindur, mbreti i çifutëve, që po vjen? E pamë yllin e tij duke lindur dhe erdhëm t’i bëjmë nderimet tona.’ » (Mateu 2:1, 2, ECM) Përse ky përkthim i Biblës i quan vizitorët nga lindja astrologë dhe jo mbretër?
Këtu shkrimet përdorin shumësin e fjalës greke maʹgos. Përkthime të ndryshme të Biblës e përkthejnë këtë fjalë «dijetarë», «astrologë» a «yjevëzhgues» ose thjesht e transliterojnë «Magjë». Kjo fjalë u referohet atyre personave që japin këshilla dhe bëjnë parashikime duke u bazuar në pozicionin e yjeve dhe të planeteve. Bibla, pra, i identifikon vizitorët që shkuan në Bethlehem si parashikues, të cilët përdornin praktika të okultizmit të papranueshme nga Perëndia.—Ligji i përtërirë 18:10-12.
A ishin ata njëkohësisht edhe mbretër? Po të ishin, është e arsyeshme të presim që Bibla t’i identifikonte si të tillë. Në Mateun 2:1-12 fjala «mbret» përdoret katër herë, një herë kur flitet për Jezuin dhe tri herë kur flitet për Herodin. Por aty astrologët nuk quhen as edhe një herë mbretër. Lidhur me këtë argument, The Catholic Encyclopedia pohon: «Asnjë nga Etërit e Kishës nuk e mbështet idenë që Dijetarët të kenë qenë mbretër.» E as Bibla nuk e mbështet.
A ishin tre?
Numri i astrologëve nuk përmendet në dokumentacionin biblik. Megjithatë, skenat rreth lindjes së Krishtit dhe këngët e Krishtlindjeve përkrahin idenë e përhapur gjerësisht se ata ishin tre. Me sa duket kjo gjë e ka burimin te fakti që kishte tre lloje dhuratash. Lidhur me to, Bibla thotë: ‘Pastaj hapën thesaret e tyre dhe i dhuruan [Jezuit]: ar, temjan dhe mirrë.’—Mateu 2:11.
A është një arsyetim i shëndoshë që të arrish në përfundimin se meqë dhanë tre dhurata të ndryshme, astrologët duhet të kenë qenë tre? Le të shqyrtojmë tregimin për një vizitore tjetër të shquar në Izrael. Mbretëresha e Shebës e vizitoi njëherë mbretin Solomon dhe i dhuroi atij ‘aroma dhe një sasi të madhe ari e gurësh të çmuara’. (1. Mbretërve 10:2) Ndonëse këtu flitet për tre lloje të ndryshme dhuratash, i vetmi person që përmendet si dhuruesja e tyre është mbretëresha e Shebës. Numri i dhuratave të saj nuk tregon se në atë rast te Solomoni shkuan tre persona. Ngjashëm, tri dhuratat që iu bënë Jezuit nuk kanë të bëjnë me numrin e njerëzve që ia çuan ato.
The Catholic Encyclopedia vëren: «Tregimi i Ungjillit nuk e përmend numrin e Dijetarëve dhe nuk ekziston asnjë ide e qartë rreth kësaj çështejeje. Disa Etër flasin për tre Dijetarë. Ka shumë të ngjarë që ata të jenë influencuar nga numri i dhuratave.» Kjo enciklopedi thotë në vazhdim se vepra të ndryshme arti paraqesin dy, tre, katër e madje tetë astrologë që vizitojnë Jezuin. Disa tradita mbështetin idenë se ishin deri në dymbëdhjetë. Nuk ka faktikisht asnjë mënyrë për të verifikuar se sa qe numri i astrologëve.
Një histori e përhapur, por jo e saktë
Ndryshe nga ç’besohet në përgjithësi, pas lindjes së Jezuit astrologët mbërritën fillimisht në Jerusalem, jo në Bethlehem. Ata nuk ishin të pranishëm në momentin e lindjes së Jezuit. Më vonë, kur shkuan në Bethlehem, Bibla thotë se «mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën». (Mateu 2:1, 11) Pra është e qartë se në kohën kur astrologët vizituan Jezuin, familja e tij ishte transferuar në një vend të përshtatshëm banimi. Ata nuk e gjetën të shtrirë në një koritë.
Nga pikëpamja e Shkrimeve, historia e përhapur për tre mbretër që i bënë nderime Jezuit në kohën e lindjes së tij nuk është e saktë. Siç u përmend më sipër, Bibla mëson se ata që vizituan Jezuin nuk ishin mbretër, por astrologë që praktikonin okultizmin. Shkrimet nuk e thonë numrin e tyre. Gjithashtu, ata nuk e vizituan Jezuin në momentin që lindi, kur e kishin vendosur në një koritë, por përkundrazi, kohë më vonë, kur familja e tij jetonte në një shtëpi.
Tregimi i përhapur për tre mbretërit, si edhe histori të tjera tradicionale të Krishtlindjeve, ndonëse nuk janë të sakta nga ana biblike, konsiderohen në përgjithësi si rrëfenja të padëmshme të festës. Sidoqoftë, të krishterët e çmojnë shumë një formë adhurimi që është e pastër nga gjërat e gënjeshtërta. Në këtë mënyrë ndihej edhe vetë Jezui. Në një lutje drejtuar Atit të tij, ai njëherë tha: «Fjala jote është e vërteta.» (Gjoni 17:17) Ai tha se ‘adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati’.—Gjoni 4:23.
[Figura në faqen 15]
«Adhurimi i Dijetarëve»