Kapitulli 3
Është e rëndësishme se çfarë feje ndjek ti
1. Çfarë besojnë disa për fetë?
«TË GJITHA fetë janë të mira,—thonë shumë njerëz.—Ato janë vetëm rrugë të ndryshme që çojnë në të njëjtin vend.» Nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë feja juaj nuk do të përbënte asnjë problem, pasi të gjitha fetë do të ishin të pranueshme te Perëndia. Por a janë vërtet ashtu?
2. (a) Si e trajtuan farisenjtë Jezuin? (b) Sipas farisenjve, kush ishte ati i tyre?
2 Kur Jezu Krishti ishte në Tokë, ekzistonte një grup fetar i njohur me emrin farisenj. Ata ndërtuan një sistem fetar adhurimi të bindur se ai i pëlqente Perëndisë. Por, njëkohësisht farisenjtë përpiqeshin ta vrisnin Jezuin! Prandaj, Jezui u tha atyre: «Ju bëni veprat e babait tuaj.» Ata u përgjigjën: «Ne kemi vetëm një baba,—Hyun [Perëndinë, NW].»—Gjoni 8:41, DSF.
3. Çfarë tha Jezui mbi atin e farisenjve?
3 A ishte me të vërtetë Perëndia ati i tyre? A e pranonte Perëndia formën e fesë së tyre? Jo, aspak! Megjithëse i kishin Shkrimet e Shenjta dhe mendonin se i ndiqnin ato, farisenjtë ishin të mashtruar prej Djallit. Dhe Jezui ua tha këtë me fjalët vijuese: «Babai juaj është djalli e ju dëshironi të kryeni vullnetin e babait tuaj. Ai qe vrastar njerëzish që në fillim, nuk mundi të qëndrojë në të vërtetën . . . sepse është rrenacak dhe babai i rrenës.»—Gjoni 8:44, DSF.
4. Si e konsideroi Jezui fenë e farisenjve?
4 Është e qartë, pra, se feja e farisenjve ishte e gabuar. Ajo nuk i ka shërbyer Perëndisë, por interesave të Djallit. Prandaj, Jezui jo vetëm që nuk e konsideroi si të mirë, por dhe e gjykoi atë, duke u thënë farisenjve fetarë: «Vaj për ju . . . sepse ua mbyllni njerëzve derën e Mbretërisë së qiellit! Ju vetë nuk hyni, as nuk i lëni të hyjnë ata që duan të hyjnë!» (Mateu 23:13, DSF) Për shkak të adhurimit të tyre të gabuar Jezui i quajti ata hipokritë dhe gjarpërinj helmues. U tha se për shkak të rrugës së tyre të keqe ata po shkonin drejt shkatërrimit.—Mateu 23:25-33.
5. Si tregoi Jezui se fetë e shumta nuk janë thjesht vetëm rrugë të ndryshme që të çojnë në të njëjtin vend?
5 Prandaj, Jezu Krishti nuk mësoi se të gjitha fetë janë thjesht rrugë të ndryshme, që të çojnë në të njëjtin vend shpëtimi. Në Predikimin e tij të famshëm në Mal, Jezui tha: «Hyni nëpër derë të ngushtë, sepse e gjerë është dera dhe e gjerë rruga që çon në bjerrje [shkatërrim, St] e shumë janë asish që kalojnë nëpër të! Sa e ngushtë është dera e sa e ngushtë është rruga që çon në jetë e janë pak asish që e gjejnë!» (Mateu 7:13, 14, DSF) Pasi nuk e adhurojnë Perëndinë në mënyrë të drejtë, shumica e njerëzve gjendet në rrugën që të çon në shkatërrim. Vetëm pak janë në rrugën që çon në jetë.
6. Çfarë mund të mësojmë nga shqyrtimi i adhurimit të kombit të Izraelit?
6 Një vështrim i mënyrës me të cilën Perëndia vepron me kombin e Izraelit, do të na qartësojë se sa me rëndësi është të adhurohet Perëndia në mënyrën e miratuar prej tij. Perëndia i këshilloi izraelitët që të rrinin larg feve të gabuara të popujve përreth. (Ligji i përtërirë 7:25) Ata popuj u flijonin fëmijët e vet perëndive të tyre dhe ndiqnin praktika të ndyra seksuale, duke përfshirë edhe homoseksualizmin. (Levitiku 18:20-30) Perëndia i urdhëroi izraelitët që t’i shmangnin praktika të tilla. Kur ata nuk iu bindën dhe adhuruan perëndi të tjera, ai i ndëshkoi. (Josin 24:20; Isaia 63:10) Prandaj, ishte shumë e rëndësishme se cilën fe ndiqnin.
FEJA E GABUAR SOT?
7, 8. (a) Çfarë vendi ka mbajtur feja gjatë luftërave botërore? (b) Si mendon se e ka konsideruar Perëndia atë që ka bërë feja në kohë lufte?
7 Ç’mund të themi për qindra organizata fetare që ekzistojnë sot? Me siguri do të vish në përfundimin se shumë gjëra të bëra në emër të fesë nuk janë të miratuara prej Perëndisë. Në luftërat e fundit botërore, të cilat i kanë përjetuar me mijëra nga bashkëkohësit tanë, fetë në të dy anët i kanë inkurajuar njerëzit e tyre që të vrasin. «Vritini gjermanët, vritini!»—thoshte peshkopi i Londrës. Ndërsa, në anën tjetër, arqipeshkvi i Këlnit u thoshte gjermanëve: «Ju urdhërojmë në emër të Perëndisë që të luftoni deri në pikën e fundit të gjakut për lavdinë dhe nderin e vendit.»
8 Kështu, katolikët kanë vrarë katolikët me lejen e udhëheqësve të tyre fetarë dhe po ashtu kanë vepruar edhe protestantët. Një klerik, Harry Emerson Fosdik pranoi: «Deri edhe në kishat tona i kemi vënë flamujt e luftës . . . Me gjysëm goje kemi lavdëruar Princin e Paqes e me gysmën tjetër kemi lavdëruar luftën.» Ç’mendon Perëndia mbi një organizatë fetare që thotë se kryen vullnetin e tij, por në të vërtetë lavdëron luftën?
9. (a) Si mendon shumica për krimet e bëra nga anëtarët e feve të ndryshme? (b) Çfarë përfundimi duhet të nxjerrim kur feja bëhet pjesë e botës?
9 Për shkak të krimeve të bëra në emër të Perëndisë prej anëtarëve të shumë feve të ndryshme gjatë historisë, me miliona njerëz sot janë larguar nga Perëndia dhe Krishti. Ata fajësojnë Perëndinë për shkak të luftërave të tmerrshme të feve, siç ishin kryqëzatat në mes të katolikëve dhe myslimanëve, luftërat në mes të myslimanëve dhe hindusve apo ato në mes të katolikëve dhe protestantëve. E fajësojnë për shfarosjen e hebrenjve në emër të Krishtit, si dhe për inkuizicionin mizor katolik. Por megjithëse fetarët përgjegjës për krime të tilla të tmerrshme pohonin se Perëndia ishte ati i tyre, a nuk ishin edhe ata fëmijë të Djallit si farisenjtë, të cilët Jezui i gjykoi? Pasi Satanai është perëndia i kësaj bote, a nuk duhet të presim që ai të udhëheqë edhe fetë që ndiqen prej njerëzve në botë?—2. Korintasve 4:4; Zbulesa 12:9.
10. Cilat janë disa gjëra të bëra në emër të fesë që ti nuk mund t’i miratosh?
10 Padyshim, në emër të fesë, sot bëhen shumë gjëra, për të cilat ti mendon se nuk janë të drejta. Shpesh dëgjon për njerëz që jetojnë në mënyrë shumë imorale, por që janë anëtarë të respektuar të kishave. Ose ndoshta njeh kryetarë fesh që kanë një jetë shumë të keqe, por që akoma pranohen prej kishës së tyre, si udhëheqës të vlefshëm fetarë. Disa udhëheqës fetarë thonë se marrëdhëniet seksuale në mes të të pamartuarve dhe homoseksualizmi nuk janë të gabuara. Por ti, ndoshta e di se Bibla nuk thotë ashtu. Në fakt, në Izrael, me urdhër nga Perëndia, kush bënte këto gjëra ndëshkohej me vdekje. Për të njëjtën arsye Perëndia e shkatërroi Sodomën dhe Gomorrën. (Juda 7) Së shpejti do të bëjë të njëjtën gjë për çdo lloj feje të gabuar sot. Në Bibël, feja e gabuar paraqitet si një lavire, për shkak të marrëdhënieve të saj jo morale me «mbretërit e tokës.»—Zbulesa 17:1, 2, 16.
ADHURIMI I LEJUAR PREJ PERËNDISË
11. Ç’është e nevojshme që adhurimi ynë t’i pëlqejë Perëndisë?
11 Pasi Perëndia nuk i miraton të gjitha fetë, duhet të pyesim veten: «A e adhuroj Perëndinë në mënyrën që atij i pëlqen?» Si mund ta dimë këtë? Perëndia, e jo ndonjë njeri, vendos se cila është mënyra e drejtë e adhurimit. Prandaj në qoftë se duam që t’i pëlqejë Perëndisë, adhurimi ynë duhet të jetë rrënjësisht i bazuar në fjalën e vërtetë të Perëndisë, Biblën. Duhet të mendojmë si shkrimtari i Biblës që thotë: «Le të tregohet se Perëndia është i vërtetë, e çdo njeri është gënjeshtar.»—Romakëve 3:3, 4, St.
12. Përse Jezui tha se adhurimi i farisenjve nuk i pëlqente Perëndisë?
12 Farisenjtë e shekullit të parë nuk ishin dakort me këtë. Ata kishin vendosur traditat dhe mësimet e tyre dhe i ndiqnin ato në vend të Fjalës së Perëndisë. Me çfarë rezultati? Jezui iu tha atyre: «E shkelni urdhrin e Perëndisë për shkak të mësimit tuaj. Shtiracakë! Bukur parafoli për ju Isaia kur tha: ‘Ky popull më nderon me buzë e zemra e tij është larg meje. Nderimi që ma japin është i kotë sepse si mësim të Zotit mësojnë urdhra të qitur prej njerëzve.’» (Mateu 15:1-9, DSF; Isaia 29:13) Pra, nëse duam miratimin e Perëndisë, duhet të sigurohemi se ajo që besojmë është në përputhje me mësimet e Biblës.
13. Ç’duhet të bëjmë, sipas fjalëve të Jezuit, që të miratohemi prej Perëndisë?
13 Nuk mjafton të themi se besojmë te Krishti e pastaj të bëjmë atë që ne e konsiderojmë të drejtë. Është absolutisht e nevojshme të njohim se cila është dëshira e Perëndisë në këtë drejtim. Jezui e tregoi këtë në Predikimin në Mal, kur tha: «S’do të mund çdonjëri i cili thotë: ‘Zotëri, Zotëri’ të hyjë në mbretërinë qiellore, por ai që e kryen vullnetin e Atit tim qiellor.»—Mateu 7:21, St.
14. Përse para Jezuit do të ishim njësoj si ata që «bëjnë të liga», edhe nëse do të bënim «vepra të mira»?
14 Ne edhe mund t’i kryejmë ato që besojmë se janë «vepra të mira» e t’i bëjmë ato në emër të Krishtit. Por, të gjitha këto nuk do të vlenin në qoftë se nuk do të bënim dëshirën e Perëndisë. Ne mund të gjendeshim në pozitën e atyre, të cilëve Jezui u tha: «Shumë do të më thonë atë ditë: ‘Zotëri, Zotëri, a nuk kemi profetizuar me ndihmën e emrit tënd, përmes emrit tënd kemi dëbuar frymërat e liga, përmes emrit tënd kemi bërë çudira?’ Atëherë, do t’u them: ‘Kurrë nuk ju kam njohur. Ikni nga unë ju që bëni të liga!’» (Mateu 7:22, 23, St) Po, ne mund të bëjmë gjëra për të cilat mendojmë se janë të mira dhe për shkak të tyre njerëzit mund të na falenderojnë, madje edhe të na lavdërojnë. Por nëse nuk bëjmë atë që sipas Perëndisë është e drejtë, Jezu Krishti do të na konsiderojë si ata që «bëjnë të liga».
15. Përse rruga e ndjekur prej njerëzve të Berejës antike është një mënyrë e mençur që duhet ndjekur nga ne?
15 Pasi shumë fe sot nuk e kryejnë vullnetin e Perëndisë, ne nuk mund të pranojmë thjesht se mësimet e organizatës fetare ku ne bëjmë pjesë, janë në përputhje me Fjalën e Perëndisë. Fakti i thjeshtë se ndonjë fe e përdor Biblën, nuk është në të vërtetë provë për atë se të gjitha mësimet dhe praktikat e saj bazohen në Bibël. Është me rëndësi që të bindemi vetë në këtë gjë. Apostulli Pavël i lavdëroi njerëzit në qytetin e Berejës, sepse pasi ai u predikoi, ata shqyrtuan Shkrimet për t’u siguruar se ato që ai u tha ishin të vërteta. (Veprat 17:10, 11) Feja e miratuar prej Perëndisë duhet të jetë në përputhje të plotë me Biblën në çdo aspekt; ajo nuk duhet të pranojë vetëm disa pjesë të Biblës dhe të tjerat t’i mohojë.—2. Timoteut 3:16.
VETËM SINQERITETI NUK MJAFTON
16. Çfarë tha Jezui për të treguar se vetëm sinqeriteti nuk është i mjaftueshëm për të pasur miratimin e Perëndisë?
16 Disa mund të pyesin: «Nëse një njeri është i sinqertë në atë çka beson, a do ta miratonte Perëndia edhe pse ndjek një fe të gabuar?» Jezui tha se nuk do t’i pranonte ata që «bëjnë të liga», bile edhe nëse ata vetë besojnë se po veprojnë drejt. (Mateu 7:22, 23) Pra, për t’u pranuar prej Perëndisë sinqeriteti nuk mjafton. Jezui u tha njëherë ithtarëve të tij: «Po vjen ora, kur secili që do t’ju vrasë do të mendojë se i ka bërë një shërbim të shenjtë Perëndisë.» (Gjoni 16:2) Kështu edhe vrasësit e të krishterëve sinqerisht mendonin se në këtë mënyrë i shërbenin Perëndisë. Por në të vërtetë nuk ishte ashtu. Perëndia nuk i aprovoi veprat e tyre.
17. Megjithëse ishte i sinqertë, çfarë bëri Pavli para se të bëhej i krishterë?
17 Para se të bëhej i krishterë, apostulli Pavël ndihmoi në vrasjen e Stefanit. Më vonë kërkoi mundësi për të vrarë edhe më tepër të krishterë. (Veprat 8:1; 9:1, 2) Pavli shpjegoi: «Jashtë çdo mase e persekutova kongregacionin e Perëndisë dhe desha ta shkatërroj . . . për shkak të zellit të tepruar ndaj traditave të etërve të mi, përparova në Judaizëm më tepër se shumë prej moshatarëve të racës sime.» (Galatasve 1:13, 14) Po, megjithëse Pavli ishte i sinqertë, kjo nuk e bënte fenë e tij të drejtë.
18. (a) Cila ishte feja e Pavlit, kur persekutonte të krishterët? (b) Përse i është dashur Pavlit dhe disa prej bashkëkohësve të tij ta ndërrojnë fenë e tyre?
18 Në atë kohë Pavli ishte anëtar i sistemit fetar judaik, i cili nuk e pranoi Jezuin dhe në këtë mënyrë, edhe vetë nuk është pranuar nga Perëndia. (Veprat 2:36, 40; Proverbat 14:12) Kështu, për të pasur miratimin e Perëndisë, Pavlit i është dashur të ndërrojë fenë e tij. Ai përmend edhe disa njerëz të tjerë të sinqertë, që kishin «zell për Perëndinë», por që ishin të pamiratuar prej Perëndisë, sepse feja e tyre nuk bazohej në njohurinë e saktë të qëllimeve të Perëndisë.—Romakëve 10:2, 3.
19. Përse është e pamundur që mësime të ndryshme fetare të jenë njëkohësisht të vërteta?
19 Është e pamundur që të gjitha mësimet e ndryshme fetare në botë të jenë njëkohësisht të vërteta. Për shembull, njerëzit ose kanë një shpirt që mbijeton pas vdekjes së trupit ose nuk e kanë atë. Toka ose do të ekzistojë përgjithmonë ose nuk do të ekzistojë. Perëndia ose do t’i japë fund ligësisë ose nuk do t’i japë. Këto dhe shumë besime të tjera fetare ose janë të drejta ose janë të gabuara. Nuk mund të ekzistojnë dy të vërteta të ndryshme, të cilat nuk përputhen me njëra-tjetrën. E saktë është ose njëra ose tjetra, por jo që të dyja. Sinqeriteti me të cilin besohet ose bëhet diçka nuk e bën atë të drejtë nëse në realitet është e gabuar.
20. Si mund ta ndjekim «hartën automobilistike» në mënyrë të drejtë, në fushën e fesë?
20 Si do të ndiheshe nëse do të të provohej se ajo që ti beson është e gabuar? Ta zëmë se për herë të parë ecën me makinë në një vend të çfarëdoshëm. Ke një hartë automobilistike, por nuk ke pasur kohë për ta shqyrtuar me kujdes. Dikush të ka treguar rrugën që duhet të marrësh. Ti beson sinqerisht se ai të ka treguar rrugën e vërtetë. Por ta zëmë se nuk është ashtu. Çfarë do të thuash nëse dikush të paralajmëron për gabimin? Dhe këtë ta bën të qartë në bazë të hartës tënde personale? A do të refuzoje ta pranoje këtë nga mendjemadhësia apo kokëfortësia? Mirë, pra, nëse duke shqyrtuar Biblën tënde mëson se je duke ecur në rrugë të gabuar, në kuptimin fetar, tregohu i gatshëm për të ndryshuar. Largohu prej rrugës së gjerë të shkatërrimit; vazhdo në rrugën e ngushtë të jetës!
ËSHTË E NEVOJSHME TË KRYHET VULLNETI I PERËNDISË
21. (a) Çfarë është ende e nevojshme përveç njohjes së të vërtetës? (b) Çfarë do të bësh nëse mëson se Perëndia nuk i miraton disa gjëra që ti bën?
21 Njohja e të vërtetave biblike është e rëndësishme. Megjithatë, kjo njohuri është e kotë, nëse nuk e adhuron Perëndinë në të vërtetë. (Gjoni 4:24) Ajo që vlen është të veprohet sipas të vërtetës dhe të kryhet vullneti i Perëndisë. «Besimi pa vepra është i vdekur», lexojmë në Bibël. (Jakovi 2:26) Që t’i pëlqehet Perëndisë, pra, është e nevojshme jo vetëm që feja jote të përputhet plotësisht me Biblën, por edhe të aplikohet në çdo fushë të jetës. Prandaj, kur mëson se ke bërë diçka që Perëndia e konsideron të gabuar, a do të ishe i gatshëm për të ndryshuar?
22. Çfarë bekimesh mund të marrim tani dhe në të ardhmen, nëse ndjekim fenë e vërtetë?
22 Nëse e kryen vullnetin e Perëndisë do të presësh bekime madhështore. Bile mund të përfitosh që tani. Duke ndjekur fenë e vërtetë do të bëhesh një njeri më i mirë, bashkëshort apo baba më i mirë, grua apo bashkëshorte dhe nënë më e mirë, fëmijë më i mirë. Në këtë mënyrë do të zhvillosh veti që i pëlqejnë Perëndisë, të cilat të bëjnë të ndryshëm nga të tjerët, sepse vepron drejt. Por çka vlen më shumë, ti do të jesh në gjendje të marrësh bekimet e jetës së përhershme, në lumturi dhe shëndet të përsosur, në Tokën e re parajsore të Perëndisë. (2. Pjetrit 3:13) Padyshim, është e rëndësishme se çfarë feje ndiqet.
[Figura në faqen 25]
A ishin me të vërtetë shërbëtorë të Perëndisë udhëheqësit fetarë që kërkonin të vrisnin Jezuin?
[Figurat në faqet 26, 27]
Pjesa më e madhe e njerëzve janë në rrugën e gjerë të shkatërrimit, tha Jezui. Vetëm pak janë në rrugën e ngushtë të jetës
[Figura në faqet 28, 29]
«Publikisht deklarojnë se e njohin Perëndinë, por e mohojnë atë me veprat e tyre.»—Titi 1:16.
Me fjalë
Me vepra
[Figura në faqen 30]
Pasi i takonte një feje tjetër, Pavli mori pjesë në vrasjen me gurë të nxënësit të krishterë Stefanit
[Figura në faqen 33]
Nëse do të ishe në rrugë të gabur, a do të refuzoje ta pranoje vetëm për shkak të mendjemadhësisë apo kokëfortësisë?