Libri biblik numër 39—Malakia
Shkrimtari: Malakia
Vendi ku u shkrua: Jerusalem
Shkrimi përfundoi: pas 443 p.e.s.
1. Nga duket zelli që kishte Malakia për Jehovain?
KUSH ishte Malakia? S’ka asnjë fakt të dokumentuar për paraardhësit apo për historinë e tij. Megjithatë, nga toni i profecisë së tij është mjaft e dukshme se ishte tepër i zellshëm në përkushtimin ndaj Perëndisë Jehova, mbështetës i emrit të Tij dhe i adhurimit të pastër, dhe se kishte një indinjatë të thellë ndaj atyre që thoshin se i shërbenin Perëndisë, por që i shërbenin vetëm vetes. Emri i Jehovait përmendet 48 herë në katër kapitujt e profecisë së tij.
2. Çfarë do të thotë ndoshta emri i Malakisë dhe, me sa duket, në ç’periudhë jetoi ai?
2 Në hebraisht emri i tij është Malʼakhí, dhe ndoshta do të thotë «Lajmëtari im». Shkrimet Hebraike, Septuaginta dhe rendi kronologjik i librave, që të gjithë e vendosin Malakinë si të fundit ndër 12 të ashtuquajturit profetë të vegjël. Sipas traditës së Sinagogës së Madhe, ai jetoi pas profetëve Hageu dhe Zakaria, dhe ishte bashkëkohës i Nehemisë.
3. Nga duket se profecia e Malakisë u shkrua pas vitit 443 p.e.s.?
3 Kur u shkrua profecia? Gjatë administrimit të një guvernatori, dhe kjo e vendos në kohën e rivendosjes së Jerusalemit pas 70 vjetëve të shkretimit të Judës. (Mal. 1:8) Por, kush ishte guvernatori? Meqë përmendet shërbimi në tempull, por jo ndërtimi i tempullit, me sa duket bëhet fjalë për periudhën pas guvernatorit Zorobabel, gjatë ushtrimit të detyrës së të cilit përfundoi tempulli. Ka vetëm një guvernator tjetër të asaj periudhe që përmendet në Bibël, dhe ai është Nehemia. A përputhet profecia me kohën e Nehemisë? Te Malakia nuk thuhet asgjë për rindërtimin e Jerusalemit dhe të murit të tij, dhe kjo e përjashton periudhën e hershme të ushtrimit të detyrës së Nehemisë si guvernator. Megjithatë, flitet shumë për abuzimet e priftërinjve, e kjo të çon në atë situatë që ekzistonte kur Nehemia erdhi për herë të dytë në Jerusalem, pasi Artakserksi e kishte thirrur në Babiloni në vitin 443 p.e.s., gjatë vitit të 32-të të mbretërimit të tij. (Mal. 2:1; Neh. 13:6) Vargje të ngjashme mes Malakisë dhe Nehemisë tregojnë se profecia lidhet me këtë periudhë të veçantë.—Mal. 2:4-8, 11, 12—Neh. 13:11, 15, 23-26; Mal. 3:8-10—Neh. 13:10-12.
4. Ç’prova kemi që libri i Malakisë është autentik dhe i frymëzuar?
4 Judenjtë e kanë pranuar gjithnjë librin e Malakisë si autentik. Citimet nga ky libër në Shkrimet e Krishtere Greke, disa prej të cilave tregojnë përmbushjen e profecive të tij, provojnë se libri i Malakisë ishte i frymëzuar dhe pjesë e kanunit të Shkrimeve Hebraike që pranohej nga kongregacioni i krishterë.—Mal. 1:2, 3—Rom. 9:13; Mal. 3:1—Mat. 11:10 dhe Luka 1:76 dhe Lu 7:27; Mal. 4:5, 6—Mat. 11:14 dhe Mt 17:10-13, Mar. 9:11-13 dhe Luka 1:17.
5. Cila gjendje e ulët frymore nxiti profecinë e Malakisë?
5 Profecia e Malakisë tregon se zelli fetar dhe entuziazmi që ngjallën profetët Hageu dhe Zakaria në kohën e rindërtimit të tempullit, kishin marrë fund. Priftërinjtë ishin bërë të shkujdesur, krenarë dhe e mbanin veten për të drejtë. Shërbimet në tempull ishin katandisur në një farsë. Të dhjetat dhe blatimet kishin rënë, sepse njerëzit mendonin që Perëndia nuk interesohej më për Izraelin. Shpresat që kishin varur te Zorobabeli nuk ishin përmbushur dhe, ndryshe nga sa kishin pritur disa, Mesia nuk kishte ardhur. Gjendja frymore e judenjve ishte në pikë të hallit. A kishte bazë për inkurajim e shpresë? Si mund të bëhej i vetëdijshëm populli për gjendjen ku ndodhej në të vërtetë, dhe të zgjohej e t’i kthehej drejtësisë? Profecia e Malakisë na jep përgjigjen.
6. Në ç’stil shkruan Malakia?
6 Stili në të cilin shkruan Malakia është i drejtpërdrejtë dhe plot forcë. Së pari, ai bën një pohim, e pastaj u përgjigjet kundërshtimeve të atyre me të cilët po flet. Së fundi, ripohon edhe një herë atë që tha në fillim. Kjo mënyrë i shton forcë e gjallëri argumentit të tij. Në vend që të fluturojë në majat e gojëtarisë, ai përdor një stil të prerë e tepër debatues.
PËRMBAJTJA E MALAKISË
7. Çfarë dashurie dhe urrejtjeje shpreh Jehovai?
7 Urdhërimi i Jehovait për priftërinjtë (1:1–2:17). Në fillim Jehovai shpreh dashurinë që ka për popullin e vet. E ka dashur Jakobin dhe e ka urryer Esaun. Le të përpiqet Edomi të ndërtojë vendet e veta të shkretuara; Jehovai do t’i rrëzojë dhe do të quhen «territori i ligësisë», popull i dënuar nga Jehovai, sepse Jehovai ‘do të madhërohet në gjithë territorin e Izraelit’.—1:4, 5.
8. Si e kanë ndotur priftërinjtë tryezën e Jehovait dhe përse mallkimi do të bjerë mbi ta?
8 Jehovai u drejtohet tani drejtpërdrejt ‘priftërinjve që përbuzin emrin e tij’. Kur ata përpiqen të justifikohen, Jehovai u kujton flijimet tyre me kafshë të verbra, të çala e të sëmura, dhe i pyet: A do t’i pëlqenin guvernatorit flijime të tilla? Jehovai nuk është i kënaqur me to. Emri i Jehovait ka për t’u madhëruar ndër kombet, kurse këta njerëz po e përdhosin duke thënë: «Tryeza e Jehovait është diçka e ndotur.» Mallkimi do të bjerë mbi ta, sepse kanë bërë hile dhe u kanë bërë bisht zotimeve që kanë marrë, duke paraqitur flijime të kota. «Sepse unë jam një Mbret i madh,—ka thënë Jehovai i ushtrive,—dhe emri im do të ngjallë frikë mes kombeve.»—1:6, 12, 14.
9. Çfarë nuk kanë arritur të bëjnë priftërinjtë dhe si e kanë përdhosur shenjtërinë e Jehovait?
9 Jehovai u jep një urdhërim priftërinjve dhe u thotë se po të mos e çmojnë me gjithë zemër këtë këshillë, ai do të dërgojë një mallkim mbi ta dhe mbi bekimet e tyre. Ai do t’ua shpërndajë mbi fytyra bajgën e festave të tyre, sepse nuk e kanë mbajtur dot besëlidhjen e Levit. «Buzët e priftit duhet ta ruajnë njohurinë. Populli duhet ta kërkojë ligjin nga goja e tij, sepse ai është lajmëtari i Jehovait të ushtrive.» (2:7) Malakia rrëfen mëkatin e madh të Izraelit e të Judës. Kanë vepruar pabesisht me njeri-tjetrin dhe kanë përdhosur shenjtërinë e Jehovait, Atit dhe Krijuesit të tyre, duke marrë për nuse bijën e një perëndie të huaj. Ata kanë shkuar deri në atë pikë, sa e kanë lodhur Jehovain. Kanë arritur deri aty sa të pyesin: «Ku është Perëndia i drejtësisë?»—2:17.
10. Për ç’vepër gjykimi vjen në tempullin e tij Zotëria?
10 Zotëria i vërtetë dhe lajmëtari (3:1-18). Tani profecia arrin në një pikë kulmore me këto fjalë të ‘Jehovait të ushtrive’: «Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim dhe ai ka për të hapur përpara meje një udhë. Befas në tempullin tim do të vijë Zotëria i vërtetë që ju po kërkoni dhe lajmëtari i besëlidhjes me të cilin kënaqeni. Ja, ai ka për të ardhur.» (3:1) Si një rafinues, ai do të pastrojë bijtë e Levit dhe do të dëshmojë pa u vonuar kundër të ligjve që nuk kanë frikë nga Ai. Jehovai nuk ndryshon dhe, meqë ata janë bij të Jakobit, ai do të kthehet me mëshirë tek ata nëse ata kthehen tek ai.
11. Si duhet ta vënë tani në provë Perëndinë dhe ç’bekime do të vijnë?
11 Ata kanë grabitur Perëndinë, por tani le ta vënë në provë e të sjellin të dhjetat në depo, që të ketë ushqim në shtëpinë e tij, të sigurt se ai do të derdhë nga portat e qiejve gjithë bollëkun e bekimeve të tij. Do të bëhen një vend kënaqësie dhe të gjitha kombet do t’i shpallin të lumtur. Ata që kanë frikë nga Jehovai, kanë folur me njëri-tjetrin dhe Jehovai ka kushtuar vëmendje e ka dëgjuar. «Një libër kujtimi nisi të shkruhej para tij për ata që kishin frikë nga Jehovai dhe për ata që mendojnë thellë për emrin e tij.» (3:16) Ata kanë për t’u bërë të Jehovait ditën kur ai të nxjerrë një pronë të veçantë.
12. Ç’premtim bëhet në lidhje me ditën e frikshme të Jehovait?
12 Dita e madhe dhe e frikshme e Jehovait (4:1-6). Kjo është dita që po vjen e që ka për të përpirë të ligjtë, duke mos u lënë as rrënjë, as degë. Por, për ata që kanë frikë nga emri i Jehovait, ka për të shkëlqyer dielli i drejtësisë dhe do të shërohen. Jehovai i këshillon të kujtojnë Ligjin e Moisiut. Përpara se të vijë dita e tij e madhe dhe e frikshme, Jehovai premton se do të dërgojë profetin Elija. «Ai ka për ta kthyer zemrën e etërve drejt bijve dhe zemrën e bijve drejt etërve, që të mos vij e ta godas tokën dhe ta shkatërroj.»—4:6.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
13. Çfarë thotë Malakia për (a) mëshirën dhe dashurinë e Jehovait? (b) përgjegjësinë e atyre që u mësojnë të tjerëve Fjalën e Perëndisë? (c) ata që dhunojnë ligjet dhe parimet e Perëndisë?
13 Libri i Malakisë është një ndihmë për të kuptuar parimet e pandryshueshme dhe dashurinë e mëshirshme të Perëndisë Jehova. Në fillim, ai thekson dashurinë e madhe të Jehovait për popullin e tij, «Jakobin». Ai u shpall bijve të Jakobit: «Unë jam Jehovai, dhe s’kam ndryshuar.» Pavarësisht nga ligësia e tyre e madhe, ai ishte gati të kthehej te populli i vet, nëse ata ktheheshin tek ai. Vërtet, një Perëndi i mëshirshëm! (Mal. 1:2; 3:6, 7; Rom. 11:28; Dal. 34:6, 7) Nëpërmjet Malakisë, Jehovai nënvizon se buzët e priftit «duhet ta ruajnë njohurinë». Të gjithë ata, të cilëve u është besuar t’u mësojnë të tjerëve Fjalën e Perëndisë, duhet t’i vënë veshin kësaj këshille, duke u siguruar që të përçojnë njohuri të saktë. (Mal. 2:7; Filip. 1:9-11; krahaso Jakovin 3:1.) Jehovai nuk i toleron hipokritët, ata që pretendojnë se ‘të bësh keq është mirë në sytë e Jehovait’. Askush s’duhet të mendojë se mund ta mashtrojë Jehovain, duke pretenduar se gjoja po i paraqet blatime këtij Mbreti të madh. (Mal. 2:17; 1:14; Kol. 3:23, 24) Jehovai do të dëshmojë pa u vonuar kundër të gjithë atyre që dhunojnë ligjet dhe parimet e tij të drejta; askush s’mund të pretendojë se mund të veprojë me ligësi, e t’ia hedhë paq. Jehovai do t’i gjykojë. (Mal. 3:5; Hebr. 10:30, 31) Të drejtët kanë siguri të plotë se Jehovai do t’i kujtojë veprat e tyre e do t’i shpërblejë. Ata duhet t’i kushtojnë vëmendje Ligjit të Moisiut, ashtu si bëri edhe Jezui, pasi përmban shumë gjëra që përmbushen tek ai.—Mal. 3:16; 4:4; Luka 24:44, 45.
14. (a) Ku na e drejton veçanërisht vëmendjen Malakia? (b) Si u përmbush në shekullin e parë të e.s. Malakia 3:1?
14 Si libri i fundit i Shkrimeve Hebraike të frymëzuara, Malakia na e drejton vëmendjen nga ngjarjet që lidhen me ardhjen e Mesisë, shfaqja e të cilit më shumë se katër shekuj më vonë siguroi arsyen për të cilën u shkruan Shkrimet e Krishtere Greke. Sikurse lexojmë te Malakia 3:1, Jehovai i ushtrive thotë: «Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim dhe ai ka për të hapur përpara meje një udhë.» Nën frymëzim, Zakaria i moshuar tha se këto fjalë u përmbushën te biri i tij, Gjon Pagëzori. (Luka 1:76) Jezu Krishti e vërtetoi këtë, kur tha: «S’ka dalë asnjë më i madh se Gjon Pagëzori, e megjithatë më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai.» Siç e paratha Malakia, Gjoni u dërgua që ‘të përgatiste një udhë’, prandaj ai nuk ishte mes atyre me të cilët Jezui bëri më vonë një besëlidhje për një Mbretëri.—Mat. 11:7-12; Luka 7:27, 28; 22:28-30.
15. Kush është «Elija» i profecisë së Malakisë?
15 Pastaj, te Malakia 4:5, 6, Jehovai premtoi: «Po ju dërgoj profetin Elija.» Kush është ky «Elija»? Qoftë Jezui, qoftë engjëlli që iu shfaq Zakarisë, i zbatuan këto fjalë për Gjon Pagëzorin, duke treguar se ai është personi që «do të rivendosë gjithçka» dhe që do të «bëjë gati për Jehovain një popull të përgatitur» për të pritur Mesinë. Megjithatë, Malakia thotë edhe që «Elija» është pararendësi i «ditës së madhe e të frikshme të Jehovait», duke treguar kështu se do të kishte edhe një përmbushje të ardhshme në një ditë gjykimi.—Mat. 17:11; Luka 1:17; Mat. 11:14; Mar. 9:12.
16. Cilën ditë të bekuar nxjerr në pah Malakia dhe ç’inkurajim të ngrohtë na jep ai?
16 Duke e hedhur vështrimin përpara drejt asaj dite, Jehovai i ushtrive thotë: «Nga lindja e diellit deri në perëndim të tij emri im do të jetë i madh ndër kombet. . . . Sepse unë jam një Mbret i madh, . . . dhe emri im do të ngjallë frikë mes kombeve.» Vërtet që të ngjall frikë! Sepse ‘ajo ditë do të djegë si furrë, dhe të gjithë arrogantët e të gjithë ata që bëjnë të liga kanë për t’u bërë si kashta’. E megjithatë, lum ata që i frikësohen emrit të Jehovait, sepse për ta «ka për të shkëlqyer dielli i drejtësisë, që sjell shërim me krahët e tij». Kjo na përqendron në atë kohë të lumtur kur pjesëtarët e bindur të familjes njerëzore do të shërohen plotësisht—frymësisht, emocionalisht, mendërisht dhe fizikisht. (Zbul. 21:3, 4) Duke na treguar për atë ditë të lavdishme e të bekuar, Malakia na inkurajon të sjellim me gjithë zemër blatime në shtëpinë e Jehovait: «Më vini në provë për këtë,—ka thënë Jehovai i ushtrive,—po s’ju hapa portat e qiejve dhe po s’ju derdha një bekim të tillë, sa të mos keni më nevojë.»—Mal. 1:11, 14; 4:1, 2; 3:10.
17. Cila thirrje për optimizëm i zbut paralajmërimet e Malakisë?
17 Edhe pse vazhdon të paralajmërojë për një ‘shkatërrim të tokës’, ky libër i fundit i Profetëve bën thirrje për optimizëm dhe gëzim, në harmoni me fjalët që i drejton Jehovai popullit të vet: «Të gjitha kombet kanë për t’ju shpallur të lumtur, sepse do të bëheni një vend kënaqësie.»—4:6; 3:12.