Malakia
2 «Tani, o priftërinj, ky urdhërim është për ju.+ 2 Po të mos dëgjoni dhe po të mos e lëvdoni me gjithë zemër emrin tim,—thotë Jehovai i ushtrive,—do të dërgoj mbi ju mallkimin+ dhe do t’i kthej bekimet tuaja në mallkime.+ Po, i kam kthyer bekimet në mallkime, sepse nuk po e lëvdoni me gjithë zemër emrin tim.
3 Ja, për shkakun tuaj do ta prish* farën që keni mbjellë+ dhe do t’ju hedh bajgë mbi fytyrë, bajgën e festave tuaja; dhe do t’ju heqin bashkë me to.* 4 Atëherë do ta kuptoni se jua kam dhënë këtë urdhërim me qëllim që besëlidhja ime me Levin të vazhdojë,+—thotë Jehovai i ushtrive.
5 Besëlidhja ime me të ishte një besëlidhje jete e paqeje, të cilën ia dhashë që të më nderonte thellësisht.* Ai më nderonte, po, kishte respekt të thellë për emrin tim. 6 Ligji* i së vërtetës ishte në gojën e tij+ dhe në buzët e tij nuk gjendej asnjë padrejtësi. Eci me mua në paqe e në drejtësi+ dhe ktheu nga rruga e keqe shumë veta, 7 sepse buzët e priftit duhet ta ruajnë njohurinë dhe populli duhet ta kërkojë ligjin* nga goja e tij,+ pasi ai është lajmëtari i Jehovait të ushtrive.
8 Por ju vetë jeni larguar nga udha. Keni bërë që shumë veta të largohen* nga ligji.*+ E keni prishur besëlidhjen e Levit,+—thotë Jehovai i ushtrive.—9 Prandaj do t’ju bëj të përbuzur dhe do t’ju poshtëroj para gjithë popullit, ngaqë nuk ndoqët udhët e mia, por e zbatuat ligjin me anshmëri.»+
10 «A nuk kemi të gjithë një atë të vetëm?+ A nuk na ka krijuar një Perëndi i vetëm? Pse, pra, tregohemi të pabesë me njëri-tjetrin,+ duke përdhosur besëlidhjen e paraardhësve tanë? 11 Populli i Judës është treguar i pabesë, dhe një gjë e neveritshme është kryer në Izrael e në Jerusalem; sepse populli i Judës e ka përdhosur shenjtërinë* e Jehovait,+ që Ai e do, dhe ata kanë marrë për nuse bijat e një perëndie të huaj.+ 12 Jehovai do të shfarosë nga tendat e Jakobit këdo që bën kështu, cilido qoftë,* ndonëse i paraqet një blatim Jehovait të ushtrive.»+
13 «Bëni edhe një gjë tjetër* nga e cila altari i Jehovait mbulohet me lot, me të qara e psherëtima, aq sa ai nuk u kushton më vëmendje blatimeve tuaja dhe nuk miraton asgjë nga duart tuaja.+ 14 Ju thoni: ‘Për ç’arsye?’ Ngaqë Jehovai ka qenë dëshmitar mes teje dhe gruas së rinisë sate, me të cilën ti je treguar i pabesë edhe pse ajo është shoqja jote dhe gruaja me të cilën ke lidhur besën.*+ 15 Megjithatë njëri nuk veproi kështu, sepse kishte atë që mbeti nga fryma e shenjtë e Perëndisë. Dhe çfarë kishte në mendje ai? Pasardhësit* e Perëndisë. Prandaj tregoni kujdes për frymën* tuaj dhe mos jini të pabesë me gruan e rinisë suaj, 16 sepse unë e urrej* divorcin,+—thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit,—si dhe atë që e mbulon me dhunë rrobën e tij,*—thotë Jehovai i ushtrive. Tregoni kujdes për frymën* tuaj dhe mos jini të pabesë.+
17 E keni lodhur Jehovain me fjalët tuaja.+ Por ju pyesni: ‘Si e kemi lodhur?’ Duke thënë: ‘Kushdo që bën keq është i mirë në sytë e Jehovait dhe ai kënaqet me ta’+ ose duke pyetur: ‘Ku është Perëndia i drejtësisë?’»